Disa raporte të shpallura pas kontrolleve të ushtruara nga KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit) në media, kanë pasur jehonë dhe kanë shtuar reagimet publike, për shkak të shifrave të larta të abuzimit financiar dhe shpërdorimit që disa institucione, sidomos krerë të tyre, kanë kryer.
Kanë mjaftuar disa publikime të tyre të kuptohet lehtësisht se në shtetin e “rilindjes” nuk ka shumë dallim brenda ndërgjegjes së administratorëve dhe qeverisësve nga pararendësit e tyre në qeverisjen e djeshme të “demokratëve”.
Madje disa prej raporteve të kryera në kohë të ndryshme prej institucionit kushtetues të KLSH-së, edhe pse u shpallën së fundi, kanë lidhje me aktet kontrolluese të kryera dy apo tri vite më parë.
Kultura e hajdutërisë në administratë është evidente. Ajo provohet dhe dëshmohet lehtësisht prej kësi raportesh, por më së shumti e më shpesh, prej vetë qytetarëve. Natyrisht kësi provash mungojnë në finalizim të proceseve gjyqësore dhe në rezultatin gjykues të kryer herë me shpejtësi marramendëse kohore, e herë me shtyrje në kalenda nga gjykatat dhe organet e tjera të vendit.
Listat e burokratëve të vegjël të denoncuar e akuzuar mund të jenë të gjata e të shpeshta, por listat e shtetarëve të gjykuar apo dënuar për kësi vjedhjesh të financave dhe aseteve publike si dhe për keqpërdorimin e tyre, janë të pakta dhe kanë vetëm vlerën e përdorimit fushatesk në fillimet e mandateve qeverisëse.
Kësi listash me vlerë propagandistike dhe mediatizimi, përjashtojnë vijueshëm dhe kryekëput, politikanët qeverisës. Prej këtij përjashtimi të riciklueshëm nga njëra qeverisje në tjetrën është bërë e mundur të shembet në mënyrë të paringritshme Drejtësia në vend.
Përmes dy formash alibike, klasa politike e vendit ia ka dalë të mbajë në fuqi sistemin kleptokratik të pushtetit të vet, sikundër edhe të rrënjosë në të gjitha shtresat e administratës dhe politikëbërësve kulturën e hajdutërisë.
Krejt periudha e tranzicionit është një kohë provash dhe shtresëzimesh të së njëjtës kulturë dhe mendësie vjedhjeje. Kjo nisi në fillesë të të ashtuquajturit proces të privatizimit, kur asetet e shumta publike dhe sidomos reformat e pretenduara për ripronësimin dhe pronësimin e qytetarëve u kryen duke kaluar nga akte zhvleftësuese dhe përvetësuese që përjashtuan dramatikisht të drejtat e trashëgimtarëve dhe të atyre që kishin së pari të drejtën parablerëse.
Se çfarë ngjau në dekadën e parë të kësaj reforme privatizimi, kjo tashmë dihet. Ishte një hajdutëri e pashoqe e cila e frustroi edhe më tepër krejt shoqërinë, por sidomos disa shtresa të prekura dhe të dhunuara të saj. Kjo ishte forma e parë alibike dhe deformuese e së drejtës qytetare në një kohë të re dhe në një periudhë që pretendoi se shembi sistemin e padrejtësisë, duke triumfuar demokracia.
Mirëpo tek kjo e fundit, pra demokracia, sistemi i sapoinstaluar i vjedhjes po krijonte dhe krijoi precedentë të cilat nuk krijuan vetëm dramën e madhe të zhgënjimeve, por edhe humbjen e re për shumë breza të së drejtës pronësore dhe të së drejtës në disa dimensione themelore të saj.
Forma e dytë alibike është pikërisht ajo që mishërohet në ndërgjegjen e pashpallshme, madje të ekspozuar si antagoniste të kulturës së vjedhjes, kleptokracisë dhe sidomos abuzimit burokratik. Kjo formë është e zeza e pashqitshme në realitetin qeverisës dhe administrues të vendit, në thelbin funksionues të institucioneve, administratës publike dhe të krejt shoqërisë institucionale, duke filluar nga ato sociale, ekonomike, ligjore dhe në përgjithësi publike.
Vjedhësit milionashumtë të ricikluar në administratën shqiptare dhe sidomos në krye të enteve të rëndësishme publike, janë dhe riciklohen sipas procedurës: të ardhurit e rinj sipas zakonit të vjetër. Do të mjaftonin shifrat e publikuara nga KLSH herë pas here për abuzimet me fondet e institucioneve në shëndetësinë publike, në transportin publik urban, në shërbimet sociale, në sistemin e pensioneve, në tenderimet dhe sidomos prokurimet publike etj., që të fitosh dijeninë e saktë se ç’dimensione reale ka hajdutëria dhe sistemi i saj kleptokrat në Shqipërinë e sotme dhe atë të tranzicionit në përgjithësi.
Ky sistem e ka vetëngritur imunitetin politik. Mjafton të vësh disi në punë kujtesën dhe do të mësosh se akuzat mes partitokratëve tanë për vjedhje të bujshme në vepra të mëdha, të jenë një subjekt i plotë grotesko-dramatik që ekspozon funksionimin e sistemit kleptokrat.
Ky subjekt në të vërtetë përbën tragjedinë e pafuqisë financiare dhe ekonomike të një shteti që as nuk ngrihet e as nuk bëhet. Në thelb të kësaj historie mbetet triumfuese vetëm gjuha e akuzimit të shfrenuar për një gjykim të munguar dhe të penguar mëkatarësh. Në aktrimin e tyre rol-këmbyes, politikanët tanë ia kanë dalë të garantojnë sundimin dhe kryesimin si kur janë në opozitë, ashtu edhe kur rikthehen në qeverisje.
Dhe në këtë cikël rol-këmbyes, akuzat që iu bënë dikur kryeministrit Fatos Nano, u zvogëluan si perceptim, kur vendin e zunë akuzat kundër Kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa sot, kur lexon për shembull denoncimin e agjencive investiguese për abuzimet me fondet e tenderëve të lavanterisë në QSUT, të duket se hajdutëria edhe pse zmadhohet në masë progresive, sërish përballet me një drejtësi që sfumohet e zvogëlohet gjer në pafuqishmëri, duke i lënë në qeverisjen e vet të patrazueshme kleptokratët.
Madje duhet pranuar se në këtë statusquo kleptokrate një pjesë e kësaj strukture partitokrate si LSI, po garanton fatin vijues të saj, duke e përdorur vetveten dhe hajdutërinë e vet si rol përcaktues në fatin numerik të garancisë së shumicës parlamentare apo atë qeverisëse.
Nuk është herët tashmë, të konstatosh se administrata e rekrutuar dhe e përfshirë në pozita të larta të kryesimit dhe drejtimit burokratik nga partia e Ilir Metës të vlerësohet si një pjesë e rrezikshme me histori kleptokracie si nga qeveria e mëparshme e zotit Berisha edhe nga kjo e tanishmja e zotit Rama. Madje duhet thënë se po shfaqet rreziku i flagrancës për dy standarde sjelljeje brenda së njëjtës qeverie!
Dehajdutërimi i burokracisë dhe politikës në vend është procesi i pafilluar dhe i papërballur me protagonistë sakrifikues e kurajozë të cilët janë e duhet të dalin nga brenda sistemit të drejtësisë shqiptare. Këtë proces të konstatuar dhe të shprehur si domosdoshmëri reformuese për shtetin dhe shoqërinë tonë, e ka evidentuar vetëm diplomacia ndërkombëtare në vend.
Kryesisht e ka bërë dhe e kërkon me një këmbëngulje që tejkalon dashurinë për veten, çdo ambasador amerikanë në Tiranë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Veç këtyre, askush dhe askënd nuk mund të veçojmë si aktor që e mbështet dhe inkurajon realisht procesin e dehajdutërimit shqiptar, qoftë në politikë, qoftë në jetën komplekse shoqërore dhe institucionale.
Mungon ky solidaritet dhe përfshirja konkrete në këtë proces. Është i vetmi, i duhuri, i patejkalueshmi për të cilin këmbëngulin aleatët e mëdhenj strategjikë, pra amerikanë, që garanton që shteti ynë të mos jetë i njëjtë në brendinë dhe sjelljen e tij kleptokrate, si në fillesën e veta para një shekulli.
Komentet