Sikur e solli oqeani, sot u përhap lajmi që u shua Agim Xh. Dëshnica, këtej jetonte, në Boston në SHBA, emër i dashur si atdhetar, studiues dhe poet, tregimtar e përkthyes, dha ndihmesën e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të kujtesës kombëtare, – shkruanin në media. – Donte Shqipërinë dhe vendlindjen, Beratin, adhuronte bashkëqytetarët e tij të shquar, figurat e mëdha të historisë, kujtonte heronjtë e qëndresës në burgjet e diktaturës, u bashkohej zërave të tyre si në një kushtrim…
Mik dhe me tim atë, më shkruante herë pas here dhe unë kur gjeja emrin e tij në media, e lexoja me ëndje. Donte të dëshmonte, kishte rrëfim, dhimbje dhe krenari, e donte fjalën.
Ja, një poezi e tij:
DËGJOJ, NJË ZË SJELL OQEANI!
Në breg kur dallgët s’i merr gjumi,
ashtu si unë nëpër kujtime,
kam dal dhe endem si ajri vetë,
të sodis purpur mbi valë
fytyrën diellit t’ia shoh sërish
pas yjesh nate, që shkuan të flenë,
sy e duar në ngjyra të përvëloj.
.
Më dridhëron gjëmimi i thellë,
te gjoksi i lagur i shkëmbinjve,
ku ulen e brofin pulëbardhat,
kur dallgët çohen e bien si në valle,
e shtërgu digjet pas reve larg,
nëpër zhaurimë të kap një zë,
tek vjen me ditën mbi krahë të erës.
më fanitet djaloshi Memli,*
fytyrë e trishtë, ndodhish tragjike,
me ballin dritë e sytë e zi,
te një Kështjellë legjendare,
mbi hon shkëmbor te Kroi i Vajës
nën hijet fresk, përmes ullinjve,
drejt degësh e hardhish të brishta,
i dashuruar pas ngjyrës së qiellit!…
.
Hedh sytë përpara, drejt oqeanit,
dëgjoj ankime nga thellësi pa fund,
rënkime valësh ndër shkumëzime,
një thirrje nga zemër e re,
tek zbret me pulëbardhat,
më vjen pranë, ulet e rrëfehet!…
Boston Mass, qershor 2005
…………….
* Memli – personazh kryesor në romanin “Gremina e dashurisë” të Mustafa Greblleshit.
Ai kështu kujtonte dhe At’ Fishtën, Lasgush Poradecin, Vexhi Buharanë, etj, teagjeditë dhe varret, por…
…Shpirti i Agim Deshnicës i ngjan asaj pulëbardhës mbi dallgë në poezinë e tij, që klith e lirë në kujtesën e atyre që e njohën, që i donte dhe e deshën, që e lexonin si një mik dhe do të kërkojnë shkrimet e tij, ishte zë, njëri prej tyre…