Një grimcë
.
Një fjalë e nxituar miqësinë e shkatërron,
një grimcë fare e vogël rëre syrin qorron,
e nxjerrë “grimcën”, kush i qetë arsyeton,
miqësinë e mirë s`e gjen dot gjithmonë!
.
Dordolecë për sorrat
.
Ju që pareshtur njerëzinë nëpër gojë mbani,
që merreni me thashetheme dhe duke sharë,
për të gjithë miqtë e të njohurit tuaj s`vleni,
as si dordolecë për të trembur sorrat në arë!
.
Mos gabo!
Kur ti fillon e shkruan biografinë,
rrugën e jetës tënde mirë kujto,
ndonjë përvojë e hidhur t ‘thotë:
mos më përsërit më, mos gabo!
.
Delikate
.
Miqësia në moshë të vjetër bëhet delikate,
prishet shpejt edhe nga një fjalë pa të keq,
ndaj kujdes në çdo fjalë dhe në çdo veprim,
degën e vjetër e rrëzon dhe një erë e lehtë.
.
Marrëzi!
.
Futesh në autostradë euforik e me gaz në dërrasë,
me një
Mercedes-Benz
ti me shkathtësi parakalon,
harron se shpejtësia e kthen Benzin në përbindësh,
në fund të rrugës, në karrocë me rrota përfundon!
.
Sinqeritet dhe dashuri
.
Ju ndryshoni gjendjen shpirtërore në familje,
duke ndryshuar perdet e vendet e mobilieve,
duke blerë një qen, duke shtuar vazo me lule,
duke i bërë sa më të çelura ngjyrat e mureve.
Këto ndryshojnë gjendjen tuaj shpirtërore, por,
diçka tjetër krijon më shumë gëzim e kënaqësi,
është magjia që e bënë më t ‘lumtur një shtëpi:
shprehni më shumë sinqeritet e dashuri!