Në galerinë e burrave shqiptarë, që udhëhoqën popullin tonë në luftën për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar një vend nderi zë dhe trimi i urtë i Hotit Dedë Gjon Luli. Jetën e tij 75-vjeçare ai e kaloi me armë në dorë në shërbim të atdheut. Qysh i ri u dallua në luftërat për mbrojtjen e vendlindjes nga synimet aneksioniste të qarqeve shoviniste të Malit të Zi dhe vendimeve të padrejta thellësisht antishqiptare të Kongresit të Berlinit.
Figurës së Ded Gjon Lulit, që student kur mbrojta temën e diplomës kushtuar Kryengritjes së udhëhequr prej tij, tash 55 vjet, i jam kthyer sa e sa here jo vetëm në përvjetorë por dhe në veprimtari dhe në shtypin shkencor në Shkodër, Tiranë, Prishtinë e Shkup e sidomos në Tuz e deri në Nju Jork. Gjithë here jam përpjekur, sa kam mundur, të ndalem në momente dhe aspekte të pa vëna re dhe të pa vëna në pah sa duhet të ndihmesës së tij të spikatur atdhetare.
Midis veprimtarive të shumta do të veçoja ato që ka organizuar Shoqata “Illiricum”e Tuzit drejtuar nga kryetarët e saj të palodhur Fran Camaj dhe Nikollë Berishaj dhe Shoqatat “Ded Gjo’ Luli” dhe “Malesia” në SHBA. Mbetet i paharruar Simpoziumi që organizoi, më 1986, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” me kryetar atdhetarin bujar Palokë Vulaj me bashkëpunëtorët e tij të shumtë Prel Senishtaj, Dedë Dedvukaj e sa të tjerë. Do ta quaja pa e tepruar veprimtari të karakterit ndërkombëtar edhe pse organizatorët e tij me modesti nuk e quajtën të tillë. Në të morën pjesë nga Tirana Prof. Shaban Demiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Jup Kastrati, Prof. Kahreman Ulqini, Dr. Pal Doçi; midis tyre pata nderin të isha dhe unë. Nga Kosova merrnin pjesë Prof. Rexhep Qosja, akademik dhe Prof. dr. Engjell Sedaj; studiues nga Mali i Zi dhe nga ShBA, si Profesoresha e Universitetit Brown Marjerie Senechal dhe Prof. Anton Fistani e tj. U pritëm në Akademinë Shkencave të SHBA-së në Washington, nga sekretari i përgjithshëm i saj. Në Boston vizituam Kishën e Shën Gjergjit të Nolit të Madh, u pritëm nga atdhetari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili shtroi dhe një drekë.
Me një fjalë organizatorët e Simpoziumit me Palok Vulajn në krye dëshmuan aftësi të lavdërueshme organizative. Ata nuk e patën të lehtë dhe për çudi u ndeshën me sulme të pabaza sikur ata paskëshin ftuar nga Tirana njerëz të padenjë për të folur për Dedë Gjo’ Lulin.
Në veprimtaritë për Dedën u dalluan midis shumë të tjerëve në Tuz Gjergj Nik Prelaj, autori i një monografie kushtuar Kryengritjes së Malësisë mbështetur dhe në burime malazeze; e plot të tjerë; në përkujtimet e Kryengritjes së Malësisë dhe të Dede Gjon Lulit në ShBA midis sa e sa të tjerëve binte në sy Dr. Marjan Berishaj.
Vlerësimi i figurës së Dedës në të kaluarën e afërt nuk ka qenë i lehtë. Duheshin kapërcyer pikëpamjet, se ai ka qenë njeriu i Austro-Hungarisë apo i klerit katolik. Në kundërshtim me këto zëra, ai qe ndër patriotët e parë dhe të rrallë, që u dekorua ndër të parët dhe të rrallët me Urdhërin për Merita Patriotike të kl. I, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Pikëpyetje kësisoji, siç më pat pohuar drejtori i muzeut të qytetit të Shkodrës Pjetër Hasi, nuk arritën të venin në dyshim më pas dhe propozimin e ri të organeve shtetërore dhe partiake të rrethit për dekorimin e tij me dekoratën më të lartë atë të “Heroit të Popullit”. Edhe në këtë rast ai qe sërishmi ndër të parët dhe të rrallët midis atdhetarëve të brezit të tij që u nderua me titullin më të lartë të Republikës. Gjithsesi në kundërshtim me ndonjë pikëpamje jo të saktë që qarkullon edhe sot, sikur Deda nuk është vlerësuar sa duhet në të kaluarën e afërt, rezulton se midis atdhetarëve të brezit dhe të shkallës së tij ai ka marrë që herët vlerësimet më të larta nga autoritetet e kohës së kaluar.
Pa pretenduar të japim të plotë portretin atdhetar të tij, po ndalemi vetëm në disa momente rreth të cilave është bërë ndonjë përpjekje për të vënë sadopak në diskutim meritat e tij, për të zbehur madhështinë e Dedës të madh edhe pse trupvogël.
***
Kryengritja atje midis maleve dhe luginave të Malësisë mori përmasa të paimagjinueshme luftarake jo vetëm të rrafshit kombëtar, por dhe në rrafsh ballkanik, osman e, madje, dhe mesdhetar. Nën udhëheqjen e Dedë Gjo’ Lulit kryengritësit përballuan për muaj me radhë forcat dhjetëramijëshe xhonturke, të komanduara nga Shefqet Turguti. Hapsirat e ngushta malore të Hotit e Grudës dhe Kelmendit e Shalës u bënë të pakalaueshme për pashajn. Një përballje kjo e pakrahasueshme me luftërat që zhvilloi Perandoria Osmane në këtë kohë në Jemen, në Tripoli dhe në Ballkan. Mjafton të kujtojmë që në vilajetin e Shkodrës pas sulmit serbomalazias përballle forcave të tyre qëndronin po ato forca që Stambolli dërgoi kundër malsorëve. Kryengritësit i detyruan atoritetet ushtarake të ulen në bisedime me krerët e e tyre. Fitorja më e madhe e kryengritësve ishte përqafimi i programit kombëtar të Rilindjes prej tyre, pa iu përulur presioneve dhe mashtrimeve.
Malësia e Mbishkodrës nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit përballoi për muaj me radhë forcat dhjetramijëshe xhonturke, të komanduara nga gjenerali famëkeq Shefqet Turgut pasha të pajisur me armatimet më moderne të kohës përfshijë dhe topat malorë të firmës së mirënjohur Krup. Kryengritësit në jug të vendit morën kurajë dhe dolën në mbështetje të 12 pikave të Greçës, 23 qershor 1911 në Qafë Sinjë, te Manastir i Cepos e në Berat.
Kryengritja e vitit 1911 doli qysh më 30 mars, me kërkesa të karakterit kombëtar mbarëshqiptar në “Qyshket (kërkesat) e malsorëve” të botuara në gazetat “Corriere d’Italia” dhe “Sabah” në emër të Muharrem Bushatit, Isa Boletinit, Dedë Gjo’ Lulit, Mehemet Shpendit, Sokol Bacit, Abdulla Agajt e të Preng Kolës.
Pas arritjes së Ismail Qemalit pranë kryengritësve, në Podgoricë, programi i Rilindjes u shndërrua në flamurin e luftës së tyre në Kuvendin e Greçës. Në Memorandumin e miratuar nga pjesëmarrësit e tij parashtrohet sinteza e mendimit politik shqiptar më të përparuar të Rilindjes. Ai ishte produkt i mendjeve më të ndritura të kombit tonë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. U skicua nga Pashko Vasë Shkodrani, që në mars të 1878-ës. Ideatori dhe organizatori kryesor i Lidhjes së Prizrenit, në Kuvendin themelues të saj, më 15 qersor të atij viti, arriti që delegatët e tij pa asnjë kundërshtim ta miratonin dhe e vunë në themel të programit të organizatës mbarëshqiptare të sapoformuar. Miratimi i tij nga të gjitha viset shqiptare përfundoi më 1 nëntor 1878 në Kuvendin I të Dibrës në të cilin morën pjesë edhe përfaqësuesit e Toskërisë të kryesuar nga Abdyl Frashëri.
E ndriçuar nga majat e mendimit rilindas si dhe të veprimit revolucionar atdhetar mbarëshqiptar, Malësia e Madhe më 1911 krahas Kosovës më u rreshtua në radhët e para të revolucionit kombëtar mbarëshqiptar në prag të Shpalljes së Pavarësisë.
Sigurisht që Memorandumi i Greçës mban vulën e rrethanave të brendshme dhe të jashtme, në të cilat u hartua dhe u parashtrua në prag të Pavarësisë.
***
Dedë Gjon Luli, i lidhur ngushtë me atdhetarë si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi, Risto Siliqi, Nikolla Ivanaj, Sali Hidi nga Elbasani e të tjerë dhe veçanërisht me Ismail Qemalin, i qëndroi besnik pa u lëkundur deri në fund të jetës së tij luftës për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit kombëtar shqiptar.
Memorandumi i Greçës doli nga një kryengritje, e cila u zhvillua, përsa i përket shtrirjes së saj në një trevë relativisht të ngushtë, fjala është vetëm për anët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Shalës e rrethinat tyre. Megjithatë, ai pati karakter kombëtar mbarëshqiptar. Kjo u mishërua jo vetëm në 12 pikat e tij, por dhe në vendosmërinë e malësorëve kryengritës për t’i qëndruar besnik deri në mundësitë e tyre të fundit. Në të shprehen në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të mbarë kombit jo vetëm ato të momentit por dhe ato prespektive.
Ky program, megjithëse nuk u mbështet nga lufta e armatosur e shqiptarëve në viset e tjera, u bë flamur i një kryengritjeje që i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, të cilat i hapnin rrugën realizimit të autonomisë. Gjithë kjo ishte, në radhë të parë, meritë e udhëheqësit të saj urtak, plakut Dedë Gjo Luli.
Në Memorandumin e Greçës nuk u kërkua, një herë për një herë, çka përflitet jo pak nga autorë ballkanas, pavarësia. Për arsye, tashmë, të ditura dhe të arsyetuara, ajo u diktua që në Kongresin e Berlinit nga fuqitë evropiane të interesuar për ruajtjen e statu quo-së në Ballkan. Jo vetëm malësorët e veriut të udhëhequr nga Deda i madh, por dhe rilindësit tanë më të shquar që nga Lidhja e Prizrenit e deri në tetor-nëntor të 1912-ës me realize e kishin të qartë se nuk mund të kërkonin shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por vetëm autonominë politike-territoriale e administrative të saj.
Prandaj, karakteri kombëtar i dokumentit madhor të dalë nga Kuvendi i Greçës nuk mund të mohohet dhe as të vihet në dyshim kurrsesi. Niveli i kërkesave të tij nuk flet, siç pretendojnë autorë të huaj, kryesisht ballkanas, për kufizime politike të hartuesve të tij apo për mungesë konsekuence të mijëra kryengritësve që luftuan me vetëmohim dhe vendosmëri të pashoq për ta vënë atë në jetë. Përkundrazi, gjithë përmbajtja e tij flet për qëndrime thellësisht realiste nga ana e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në të gjitha nivelet dhe në të gjitha trevat shqiptare.
Zhvillimi i kryengritjes së vitit 1911, të udhëhequr nga Deda, përmasat e saj, përpjesëtimet e veprimeve luftarake dhe sidomos kërkesat kombëtare që u parashtruan dhe u mbrojtën me vendosmëri deri në fund, hedhin poshtë pa mëdyshje çdo përpjekje që vërehet për zhvleftësimin e luftës së malësorëve në rrafshin politik. Ecuria e luftës së kryengritësve sikurse gjithë zhvillimi i Kryengritjeve të Mëdha të Viteve 1910-1912, hedh poshtë teorizimet mjaft autorëve të huaj. Format dhe intensiteti i shprehjes së kësaj ndërgjegjeje në kohë dhe në hapësirë nuk qenë dhe nuk mund të ishin kurdo dhe kudo të njëjtë.
***
Veçoritë, që shfaqnin trevat shqiptare në format dhe ritmet e luftës së tyre për liri, në përputhje me kushtet dhe rrethanat, nuk mund të shërbejnë si bazë për klasifikimin, vlerësimin apo zhvlerësimin e shkallës së pjekurisë së kërkesave politike të kryengritësve, sipas rajonizimeve gjeografike, krahinore apo dhe ndërkrahinore qofshin.
Në gjurmë të këtyre autorëve, të cilët përpiqen të spekulojnë mbi veçoritë që ekzistojnë në mënyrën më të natyrshme në truallin shqiptar, për minimizimin dhe reduktimin e elementit të ndërgjegjshëm në pamundësi për ta mohuar apo injoruar atë tërësisht, në lëvizjen çlirimtare antiosmane në Veri të trojeve tona, ka ecur edhe ndonjë autor i yni. Nën parullat e “bashkim vllaznimit” ai fajësonte malësorët e Veriut që të drejtat e parashtruara për të gjithë shqiptarët nuk i paskëshin kërkuar dhe për pakicat sllave e greke fqinje që jetonin brenda katër vilajeteve perëndimore osmane me shumicë shqiptare.
Përmbajtja e kërkesave kombëtare të kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, hedhin poshtë katërçipërisht pretendimet e këtyre autorëve, sikur shqiptarët, deri në luftërat ballkanike, as që kishin dhe as nuk manifestuan qoftë edhe në mënyrë spontane një ndërgjegje kombëtare shqiptare. Përkundrejt pretendimeve të këtij lloji, vlen të kujtohet programi autonomist për të cilin luftuan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, dhe të theksohet qëndrimi i vendosur i kryengritësve malësorë dhe i udhëheqësit të tyre plak, në mbështetje të kërkesave të Memorandumit të Greçës, pa folur për Kryengritjen e Përgjithshme të një viti më pas të nisur e të udhëhequr nga Hasan Prishtina.
Ishte pikërisht Dedë Gjo’ Luli i cili i deklaroi ministrit osman në Mal të Zi, Sadedin beut qartë dhe prerë, se kërkesat e Librit të Kuq i donin jo vetëm për vete por për të “tanë Shqypninë”. Këtë na e dëshmon dom Luigj Bumçi pjesëmarrës në këtë takim, nipi i ideologut të madh të Rilindjes Pashko Vasë Shkodranit, i cili më 1919, në krye të Mërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit do të përpiqet të hedhë poshtë planet për cenimin e sovranitetit të shtetit shqiptar dhe cenimin e tërësisë së tij territoriale të shtetit shqiptar të përgjysmuar me vendimet e Konferencë së Londrës.
Propaganda e huaj aso kohe dhe “shkenca” historike ballkanike sot mohojnë që atëherë dhe në vijëmsi qëndrimin e vendosur të malësorëve të udhëhequr nga Deda. Synimi i tyre mbetet të përligjin fatin tragjik të këtyre trevave deri në Çamëri, vatra shumë të rëndësishme të luftërave të rëndësishme për liri dhe pavarësi, popullsia e të cilave për ironi të historisë, nuk e gëzoi shpalljen e Pavarësisë për shkak të njohjes së saj të cunguar tragjikisht nga vendimet e Konferencës së Londrës përfshijë dhe vendlindjen e Dedë Gjon Lulit.
Lufta konsekuente e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij trima dhe atdhedashës për realizimin e autonomisë territoriale administrative të Shqipërisë pavarësisht se kryengritja e filluar prej tyre nuk arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme hedh poshtë pretendimin tjetër të historiografisë së huaj, se malësorët ishin nën ndikimin e qeverive të Vjenës dhe të Romës dhe institucioneve klerikale të varur prej tyre. Po të kihen parasysh përpjekjet e Portës së Lartë për t’i detyruar kryengritësit katolikë që të hiqnin dorë nga Memorandumi i Greçës, me ndihmën e Vjenës që ndërhyri pranë Vatikanit dhe arkipeshkvit të Shkodrës, besohet se kushdo do të bindet se sa të paqëndrueshme janë pohime si ato që përmendëm më sipër. Dhe gjithë kjo për meritë, në radhë të parë, të urtakut Dedë Gjo Lulit, të atdhetarëve dhe atyre klerikëve si dom Luigj Bumçi që qëndruan pranë krerëve të Kryengritjes.
Autorë të atillë në se arrijnë të bëjnë ndonjë dallim dhe të vërejnë e të vënë në pah ndonjë shkëndi pozitive në këto lëvizje, këtë e bëjnë, siç dihet, vetëm në rrafsh gjeografik, duke dalluar lëvizjen në Jug të Shqipërisë nga ajo në Veri të saj. Duke spekuluar me veçoritë e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga një trevë në tjetrën dhe madje, duke i fryrë dhe deformuar ndryshimet, autorët serbë duan të përligjin me këtë, veç të tjerash, politikën serbomadhe afro dyshekullore ndaj shqiptarëve.
Në të vërtetë, lëvizja jonë atdhetare e kësaj periudhe, siç e provon lufta që ka bërë dhe Dedë Gjon Luli me trimat e tij, në saj të programit që ata përqafuan, ka qenë e njësuar dhe mbarëshqiptare. Autoritetet shtetërore dhe sidomos ato ushtarake osmane e kishin të qartë karakterin e vërtetë politik të kësaj kryengritjeje, të luftës së Dedë Gjon Lulit me shokë. Vetë komandanti i ekspeditës xhonturke, Shefqet Turgut pasha detyrohej të pranonte pas disa muajsh luftimesh me malësorët, se kryengritja e vitit 1911 në Malësinë e Mbishkodrës, ishte një kryengritje “thjeshtë shqiptare mbi baza kombëtare”. Pohime të këtij lloji që vijnë nga burime kësisoj, nga kundërshtari, i interesuar thellësisht që ngjarjet në vilajetin e Shkodrës të mos merrnin një rrugë të tillë, kanë peshë jo të zakonshme dhe marrin një rëndësi të veçantë lidhur me karakterizimin realist të dukurive historike në fjalë.
(Vijon)
Komentet