Numri i pazakontë i komenteve të bëra lidhur me postimin tim të sotëm, më nxiti t’i lexoj.
Është e natyrshme që një status i tillë të mos sjellë ndonjë gjë të dobishme, përveçse një thirrje dëshpërimi mbi njerëz të cilët kanë mbi personin e tyre të drejtën e përfaqësimit.
Duke qenë se këta njerëz në politikën tonë janë në shumicën e tyre maksimale të papërgjeshëm, cinikë deri në paturpësi, ia vlen të vlerësohet se në bazë të cinizmit të tyre qëndron injoranca dhe mjaftueshmëria.
Njerëzit që na përfaqësojnë janë mësuar ta shohin pushtetin që u japim si një të drejtë të tyre të përhershme dhe jo si detyrë provizore.
Por, dua të them këtu se nuk jam dakort me asnjë mesazh që ka në bazë reduktimin e qenies te një prej predikatet e tij fiziologjike.
Njeriu është më shumë se shuma e organeve të vet.
Madje, kur i akuzojmë pushtetarët tanë për zaptim të çdo krijimtarie shoqërore dhe kolektive, e bëjmë këtë për t’iu kundërvënë reduktimit që ata kryejnë mbi vetveten.
Ne e shohim dita-ditës se ata gjykojnë politikisht me cerebralin e stomakut – thënë në gjuhën e Sokratit.
Këta njerëz nuk i quaj unë debilë, por Sokrati sipas dëshmisë së Platonit.
Për të qenë më i saktë në referencë, le të them se Paltoni i quan Idiotë.
Këta të fundit janë njerëz që nuk aktivizojnë natyrën publike të shpirtit (kundrues i Ideve), por vetëm kënaqësinë e stomakut si privatizim metabolik të natyrës.
Për ata ideja nuk ekziston, për ata nuk ekziston turpi.
Për ata qenia njeriu është qenie private. Për ne, njeriu është e vetmja qenie që ekziston, pra që ka ankth e jo frikë, që ka turp e jo trup.
Të ekzistosh do të thotë me qenë shuma e produkteve të tu publike.
Edhe një herë, asnjë koment mbi trupin nuk është i vlefshëm kur bëhet fjalë për mendjen.
Komentet