Qeveria prezantoi dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese projektligjin për ndërtimin e portit të Karpenit. Ministrja e ekonomisë, Milva Ekonomi tha se investimi llogaritet 5 miliardë dollarë. Ajo e cilësoi një investim të dimensioneve të mëdha ku punësohen 7 mijë qytetarë, rriten të ardhurat dhe do të jetë i domosdoshëm për Mesdheun.
Ekonomi u kërkoi deputetëve miratimin e projektligjit për të nisur negociatat për kontratën me kompaninë “Star Bridge Port Developments Limited”, “Në këtë fazë që ne vijmë te ju është faza kur kërkojmë të drejtën për të negociuar kontratën, faza kur udhëhiqet nga një studim parafizibiliteti, kurse studimi i mirëfilltë i fizibilitetit do të hartohet pas marrjes të së drejtës nga Kuvendi. Projekti është i dimensioneve të mëdha”, tha Ekonomi.
Por, projekti u prit me shumë pikëpyetje nga deputetët. Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Kopliku kërkoi të dinte arsyet pse zgjidhet Karpeni për ndërtimin e portit.
“Do të doja të dija ndërtimi në Karpen është vendi më i përshtatshëm në Mesdhe në aspektin gjeografik, për pozicionin strategjik për ata që kanë synim të ndërtojnë dhe të menaxhojnë këtë port. Në çfarë aspekti qenka i vetmi vend në Mesdhe për t’u ndërtuar një port i tillë”, tha Kopliku.
Ekonomi tha këto arsye për deputetin Kopliku. “Ata kanë sjellë propozimin për të ndërtuar një port në Karpen, sepse e shikojnë si një pozicion strategjik, një pozicion që mund ta lidhë me Roterdamin, që mund ta lidhë me kanalin e Suezit dhe për këtë kanë bërë hartat dhe i kanë propozuar në projektin e parafizibilitetit”, tha Ekonomi.
Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin e garancive që ofron investitori. Deputeti i PD-së, Helidon Bushati tha se kompania ka 100 sterlina si kapital në llogari. “Kompania fituese është një kompani me kapital 100 sterlina dhe asnjë kompani tjetër që do të bashkëpunojë me kompaninë fituese nuk bën publike projektin, duke qenë se janë kompani serioze dhe në procedurat ndërkombëtare me vlerën 5 miliardë dollarë diskutohen edhe në website” tha Bushati.
Ministrja Ekonomi dha shpjegim edhe për kapitalin e ekonomisë.” Po kjo është e vërtetë, sepse “Starbridge Poor Development LTD” është kompani investuese, është fond investimi dhe po ta shikojmë gjithë historinë e tyre është që portofoli mbushet me të ardhura dhe zbrazet, sepse diku po investohet sipas projekteve. Garancinë për këtë e sjell edhe “William Blair”, një kompani e regjistruar në Amerikë më 1936 ku punon në 22 vende të botës, e angazhuar me memorandumin e saj me SPV-në që e ka të regjistruar në Wells. Çdo moment tjetër do të jetë i zgjidhshëm në kontratë, se si do të aksesohet, vlera, koha e investimit dhe do të jenë marrëdhënie që ka për t’i marrë përsipër investitori në raport me legjislacionin shqiptar”, tha Ekonomi.
Projektligji u votua vetëm nga moxharanca, opozita abstenoi pasi kërkoi më shumë transparencë rreth projektit.
DEBATI NË KOMISION
NAMIK KOPLIKU: Pse duhej kjo procedurë e veçantë, nga ana ligjore do të doja shpjegim, pse procedurë e veçantë? Një sqarim tjetër, do të doja të dija ndërtimi në Karpen është vendi më i përshtatshëm në Mesdhe në aspektin gjeografik, për pozicionin strategjik për ata që kanë synim të ndërtojnë dhe të menaxhojnë këtë port. Në çfarë aspekti qenka i vetmi vend në Mesdhe për t’u ndërtuar një port i tillë?
MILVA EKONOMI: Procedura e komunikimit ka dy vjet që ka nisur, investitorët kanë dy vjet që trokasin në dyert e ministrive tona për të kuptuar seriozitetin dhe angazhimin e tyre. Ata kanë sjellë propozimin për të ndërtuar një port në Karpen, sepse e shikojnë si një pozicion strategjik, një pozicion që mund ta lidhë me Roterdamin, që mund ta lidhë me kanalin e Suezit dhe për këtë kanë bërë hartat dhe i kanë propozuar në projektin e parafizibilitetit.
HELIDON BUSHATI: Kompania fituese është një kompani me kapital 100 sterlina dhe asnjë kompani tjetër që do të bashkëpunojë me kompaninë fituese nuk bën publike projektin, duke qenë se janë kompani serioze dhe në procedurat ndërkombëtare me vlerën 5 miliardë dollarë diskutohen edhe në website.
MILVA EKONOMI: Po kjo është e vërtetë, sepse “Starbridge Poor Development LTD “është kompani investuese, është fond investimi dhe po ta shikojmë gjithë historinë e tyre është që portofoli mbushet me të ardhura dhe zbrazet, sepse diku po investohet sipas projekteve. Garancinë për këtë e sjell edhe “William Blair”, një kompani e regjistruar në Amerikë më 1936, ku punon në 22 vende në botës e angazhuar me memorandumin e saj me SPV-në që e ka të regjistruar në Wells.
HELIDON BUSHATI: Nuk shpjegohet se kujt do t’i shërbejë ky port, port që të pranojë në basenin e tij anije, post-Panamax,(për të gjithë ata që nuk janë specialist, janë anije që shkojnë deri në 300 metra gjatësi, ka nevojë për thellësi minimale deri në 50 metra dhe njëra prej tyre transporton deri në 14 mijë kontenierë). Si do të trajtohet rrjeti i transportit, si do të bëhet lidhja, pasi nuk është thënë asnjë fjalë? Thellësia e portit në Karpen prej 20 metrash është 3 milje apo 6 km nga bregu, duke qenë se është bregdet shkëmbor dhe është shumë e vështirë të thellohet. Për çfarë do të shërbejë, do të transportoni minerale, mbetje, fason, kur keni konkurrent portin e Pireut dhe portin e Gjenovës në Itali.
MILVA EKONOMI: Thelbi i biznesit është transporti detar që do të transportojë kargo që mund të jenë edhe fasonët, edhe mbeturinat, mineralet që nuk i shërbejnë vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit. Personat e interesuar i kanë bërë takimet me kabinetin e kryeministrisë, ministrisë së ekonomisë, ministrisë së transportit për të arritur deri këtu, pasi investimi është serioz.
EDUART NDOCAJ: Dëgjova kolegun që kompania, e cila do të investojë ka 100 sterlina. Është e vërtetë që kjo kompani ka 100 sterlina në bankë apo u tall? Është e vërtetë kjo zonja ministre?
MILVA EKONOMI: Është e vërtetë që kjo kompani ka 100 sterlina.
EDUART NDOCAJ: Qenkemi të gjithë biznesmenë, sepse të gjithë i kemi nga 100 mijë lekë.
MILVA EKONOMI: A ke mundësi të ftosh për qark vetes kompani të tjera të rëndësishme?
EDUART NDOCAJ: Kërkoj një shpjegim zonja ministre, sepse edhe unë i kam 100 sterlina dhe po marr pjesë të ndërtoj portin dhe po heq dorë nga mandati.
HELIDON BUSHATI: Ky është një propozim i pakërkuar
DORINA AZO
Komentet