Voal – Prania e ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së është bërë objekt i një debati të fortë gjatë mbledhjes së djeshme në selinë blu.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje jashtë rrjedhës normale Grupin Parlamentar për të lajmëruar mbledhjen që do të zhvillohet me ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, por edhe për të prezantuar platformën zgjedhore, përmes së cilës PD-ja do të kërkojë të hyjë në zgjedhjet e ardhshme.
Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e ambasadorëve në mbledhjet e Grupit, duke e cilësuar këtë si një rast të paprecedentë për politikën shqiptare.
Topalli ka qenë kritike edhe me kolegët e saj opozitarë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Sipas Topallit, deputetët demokratë duhej të kishin reaguar në kohën kur ambasadorët morën pjesë në punimet e komisionit, pasi, sipas saj, është qartas një diktim i votës për reformën. Kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve ka qenë edhe ish-ministri Arben Imami, i cili ka vënë në dyshim draftin e propozuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT.
Sipas Imamit, drafti është hartuar nga njerëz që nuk kanë asistuar asnjëherë në përgatitjen e një Kushtetute. Ish-Kryeministri Berisha mbështeti idenë se pjesëmarrja e ambasadorëve në mbledhjen e Grupit nuk ishte normale, por, sipas tij, edhe vendi në të cilin jetojmë nuk është një vend normal.
Deputeti demokrat Astrit Patozi e vuri theksin tek orientimi i aksionit politik të PD-së në reformën zgjedhore. Për Patozin, kjo reformë duhet të jetë kryereforma e demokratëve përballë një maxhorance që vjedhjen e votave e ka mekanizmin kryesor për vjedhjen e votave.
DEBATI
Lulzim Basha: Qëllimi i mbledhjes së sotme është prezantimi i platformës për reformën zgjedhore, të cilën PD-ja do ta paraqesë në Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore dhe gjithashtu për t’ju informuar se ditën e mërkurë, në orën 10:00, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë në një mbledhje të Grupit tonë Parlamentar.
Jozefina Topalli: Kryetar, unë jam kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së. Për mua personalisht pjesëmarrja e ambasadorëve në Grup shkel sovranitetin e kësaj force dhe dikton votën tonë në komision. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet që ambasadorë të huaj të shkojnë në komisionet parlamentare dhe të marrin fjalën? Dhe këtu e kam edhe me deputetët e PD-së në atë komision në Kuvend. Si ka mundësi që asnjë nga ju nuk reagoi për praninë e ambasadorëve në komisionet parlamentare? A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet, apo në 125 vjet që ambasadorë të huaj të kërkojnë të marrin pjesë në Grupet Parlamentare? Kurrë! Nga viti 1912, kur është bërë ky shtet shqiptar, me të gjitha peripecitë e tij, uljet dhe ngritjet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pse ndodh tani? Sepse jemi këta që jemi. Problemin e kemi me veten. Shqiptarët nuk janë dele, por natyrisht e kanë një shqetësim: sa më të varfër dhe të intimiduar, aq më të vështirë e kanë për të gjetur rrugën e tyre. Nuk kanë të drejtë ambasadorët që të kërkojnë të flasin Grupet tona Parlamentare? Po, more zotëri, kanë të drejtë, sepse ky nuk është një Parlament përfaqësues, sepse nuk mund të jetë kurrë përfaqësues një njeri që ka vrarë; nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i shqiptarëve një njeri që merret me trafikun e qenieve njerëzore; nuk mund të jenë kurrë përfaqësues të shqiptarëve njerëz, të cilët kanë probleme të thella morale. Prandaj nuk është koha për të heshtur, nuk është koha për të bërë konformistin dhe as nuk është koha për t’u kërrusur. Është koha për t’i thënë ca gjëra ashtu siç janë, me thjeshtësinë e tyre, përballë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Unë, sigurisht, që jam për Reformën në Drejtësi, por s’jam kurrë për Reformën e Drejtësisë për ta votuar, pa e parë, pa e lexuar dhe pa e studiuar. Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë te 2013-a, të mos shkojmë te ’44-a dhe të mos qëndrojmë te 2016-a.
Arben Imami: Edhe unë jam kundër pjesëmarrjes së diplomatëve të huaj në mbledhjet e Grupit Parlamentar. Është e paprecedentë. Kam parë draftin e propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Në gjykimin tim dhe në njohuritë që kam si ish-ministër Drejtësie, kam vërejtur se është një draft i shkruar nga njerëz të paaftë, nga njerëz që nuk kanë shkruar kurrë në jetën e tyre një Kushtetutë. Patjetër që ndaj respektin maksimal për kontributin dhe ndihmën e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, por në vlerat e tyre, në lirinë e tyre. Vendi ka nevojë për një reformë të saktë për sistemin e drejtësisë. Ky draft, me ndryshime kushtetuese që është propozuar, është i sakatuar. Kam lexuar me kujdes atë nenin famoz, nenin 25, që ngjalli aq shumë debate. Nuk është normale, ne na pandehin si kriminelë. Duan të hapen letrat, patjetër le të hapen dhe jo vetëm për 3 vjet, por për 300 vjet. Nuk është hera e parë që kërkohet dhe bëhen përpjekje për reformimin e sistemit të drejtësisë. Kemi pasur gjithmonë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, por asnjëherë nuk na është imponuar apo diktuar një produkt. Pse u dashka që të pranojmë një draft që e kanë bërë vërtet ekspertë të SHBA-ve e BE-së, por pa përvojën e duhur? Pse nuk hetohet Saimir Tahiri, që pranoi publikisht se makinën në pronësi të tij e përdorin baronët e drogës? Po flasim për gjëra konkrete, për gjëra të pranuara vetë nga ky ministër.
Genc Ruli: Edhe në gjykimin tim, kjo pjesëmarrje e ambasadorëve është diçka që nuk ka ndodhur. Është një procedurë e paprovuar më parë. Unë kam qenë dhe mbetem mbështetës i idesë se Partia Demokratike duhet të ketë një draft të sajin për Reformën në Drejtësi. Është e pazakontë kjo vizitë e ambasadorëve nga njëri grup në tjetrin. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër.
Lulzim Basha: Opozita ka mbajtur në mënyrë konstante qëndrim të njëjtë për reformën. Kemi qenë gjithmonë kundër kapjes politike të institucioneve të sistemit të Drejtësisë, kemi qenë pro sistemit check and balance, kemi kërkuar të mos bëhen eksperimente me institucionet e reja që do të krijohen në sistemin e Drejtësisë dhe për hir të së vërtetës, në këtë kontekst kemi pasur disa arritje. Kjo reformë nuk do të votohet pa dakordësinë e çdo deputeti në Grupin Parlamentar të PDsë. Ndërkohë sa i takon pranisë së ambasadorëve, nuk shoh asgjë shqetësuese, për aq kohë sa takimi është konsultues dhe informues.
Eduard Selami: Unë nuk shoh ndonjë problem kaq shqetësues në praninë e ambasadorëve në një nga mbledhjet e Grupit parlamentar. Është një praktikë që, pavarësisht se nuk ka ndodhur më parë, është në funksion të informimit dhe konsultimit të plotë të Reformës në Drejtësi. Unë dua të ngre një shqetësim të brendshëm për funksionimin e kësaj force politike. Është dhënë një urdhër për degë të caktuara në të gjithë vendin për zhvillimin e zgjedhjeve në kuadër të riorganizimit. Dua të di cilat kanë qenë kriteret përzgjedhëse të degëve, në të cilat do të ketë zgjedhje? A ka qenë demokratik ky proces? A jeni konsultuar ju me bazën për këto vendime? Në gjykimin tim, është vendosur të ketë zgjedhje në ato degë, në të cilat kërkohet të ketë influenca nga kjo seli, por nuk mund të anulohen procese dhe nuk mund të hiqen individë që janë zgjedhur me votë.
Lulzim Basha: Z. Selami nuk është kjo çështje fokus i mbledhjes së sotme, ndaj edhe ky diskutim nuk mund të bëhet në këtë moment.
Sali Berisha: Është e vërtetë që, në një vend normal, ambasadorët nuk shkojnë në mbledhjet e Grupit, por ky nuk është një vend normal. Ndaj edhe gjykoj se nuk duhet parë me ndonjë shqetësim të madh. Ky është vend i “Shullazëve” që kanë kapur çdo gjë. Ndaj edhe ambasadorët kanë kërkuar një takim ku çdokush mund të jetë pjesëmarrës, të dëgjojë, të bëjë pyetje. Kam thënë prej shumë kohësh që duhet të kemi një draft. Menjëherë pasi “Venecia” rrëzoi draftet e tyre, atëherë ne duhet të paraqisnim draftin tonë. Kam kërkuar për draftin aktual të di se mbi çfarë modeli është bazuar, ku është marrë dhe deri më sot nuk kam marrë ndonjë përgjigje. Ne nuk kemi pse të pranojmë një draft që nuk ekziston gjëkundi. Gjithashtu, duhet të bëjmë një pasqyrim më agresiv në media, pasi na i shtrembërojnë ato që themi ne. Për aq kohë sa të jetë Rama në këtë vend, nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje pa rrëzuar Edi Ramën.
Luçiano Boçi: Normal, elementë befasues ka takimi që zhvillojmë me dy ambasadorët. Por, për aq kohë sa është diçka që është pranuar edhe nga grupet e tjera, nuk e shoh si diçka të keqe, sepse takimi nuk është konsideruar aq zyrtar. Ne mund të ndajmë mendime për çështjet që janë të debatueshme, qofshin këto për reformën zgjedhore apo edhe për Reformën në Drejtësi. Është një zgjedhje edhe në përputhje me atë që pret opinioni. Në situatën në të cilën ndodhemi, vota është opinion, nuk është arsyetim. Me këtë opinion nuk mund të dalim kundër atyre që na votojnë.
Astrit Patozi: Edhe unë personalisht jam kundër pjesëmarrjes së ambasadorëve në mbledhjet e Grupit, por është diçka që duhej pranuar. Këto takime të ambasadorëve janë pasqyrë e katandisjes ku ndodhet vendi. Nuk më pëlqen që ata të vijnë në mbledhje, dhe për këtë ne jemi më pak përgjegjës se maxhoranca. Nëse për ne është e hidhur kjo gjë, për Ramën dhe Metën është turp i ngrënë me bukë. Për aq kohë sa këto mbledhje janë pranuar që të zhvillohen nga PS-ja dhe LSI-ja, refuzimi nga PD do të prodhonte një kosto të panevojshme për opozitën. Megjithatë, më shumë sesa Reforma në Drejtësi, unë gjykoj se duhet të investohemi në Reformën Zgjedhore. Reforma në Drejtësi është e pakrahasueshme me këtë reformë. Për ne si opozitë, zgjedhjet janë sfida jonë reale. Nëse do të shkojmë në zgjedhjet e vitit 2017 në të njëjtën mënyrë si në dy zgjedhjet e fundit, atëherë do të asgjësohemi. Në krye të kupolës është një grup që vetëm është mësuar me vjedhjen e votës, i cili do të shumëfishojë mandate, nëse nuk ndërhyhet me një Reformë Zgjedhore.
Edmond Spaho: Me këtë qeverisje nuk bëhen zgjedhje normale, por duhen zgjedhje me qeveri teknike. Krahas Reformës Zgjedhore, duhet edhe një trysni politike për të shtyrë vendin drejt krijimit të një qeverie teknike./panorama
Juxhin Mustafaraj
Komentet