Voal Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së me ambasadorët Lu e Vlahutin, përveç kritikave të Genc Pollos, ka pasur edhe një përplasje mes Jozefina Topallit dhe Eduart Selamit.
Kjo, pas deklaratës së Selamit, se nuk shkelet sovraniteti i vendit me praninë e dy ambasadorëve në mbledhjet e grupit të partive shqiptare.
Debati i plotë është zbardhur nga Panorama.
DEBATI
Lulzim Basha: Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike, mbledhja e sotme mbart një rëndësi të veçantë për shkak të pjesëmarrjes së ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, ku në fokus kryesor është Reforma në Drejtësi. Në emër të PD-së i jam përgjigjur menjëherë pozitivisht dëshirës së ambasadorëve për të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit parlamentar. Për Reformën në Drejtësi ne kemi qenë konstantë me qëndrimet tona. Kemi pasur një qëllim, që nuk lidhej me interesa të ngushta politike, por mbi parimet me të cilat duhet realizuar procesi. Kemi qenë dhe do të mbetemi deri në fund për moskapjen politike të Drejtësisë. Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qenë kurrë më e madhe. Por për një Reformë në Drejtësi, që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Kjo natyrisht bën shumë persona nervozë. Ne i dimë, i njohim këta persona me emër dhe mbiemër. Ata janë sot në hierarkinë e pushtetit të Shqipërisë. Nuk ka një njeri që nuk di sot se personi që ka frikë dhe që po bën gjithçka që ta devijojë thelbin e reformës është Edi Rama. Po nuk ka si të mos jetë kështu, kur një ditë pasi Gjykata Kushtetuese i heq mandatin deputetit të tij, për përfitime të fondeve publike, Edi Rama del edhe thotë se nuk i pëlqen vendimi, prandaj kërkon reformën që të hakmerret me ata që i hoqën Kokëdhimën. Nuk ka si të dojë Reformën në Drejtësi një person që përkrah bandat, që përkrah individët e inkriminuar. Nuk ka si ta dojë reformën kur ministri i Brendshëm, komunikon me ata që do t’i arrestojë përpara aksioneve. Po e ndiqnit edhe vetë pak më parë. Në një rast të paprecedentë, kryetari i Bashkisë së Tiranës bashkë me deputetë të Partisë Socialiste rrethon Gjykatën Administrative dhe i bën presion për shpalljen e vendimeve. Këto, por edhe shumë të tjera, janë tregues se Ramës i kanë hyrë drithërimat për reformën dhe kërkon vetëm ta pengojë atë. Është ai që po e devijon atë dhe gjithashtu po përpiqet që në një skenar të mundshëm të miratimit të saj, ta ketë në favor të tij.
Donald Lu: Të nderuar deputetë, dua të shpjegoj diçka shumë të rëndësishme, që lidhet edhe me debate që përmes medias jemi njohur se kanë ndodhur në këtë grup. Unë si përfaqësues i qeverisë amerikane nuk jam këtu për të dhënë urdhra, nuk jam këtu që t’ju imponohem për mënyrën se si duhet të veproni. Unë jam këtu për të theksuar vendosmërinë tonë për të asistuar dhe për të ndihmuar me të gjitha mjetet realizimin e një reforme kaq të rëndësishme për drejtësinë. Ne në komunikimin tonë do të ruajmë rregullat e komunikimit pa kaluar atë që konsiderohet “vijë e kuqe”. Prania ime është shprehje e rëndësisë së reformës. Ne nuk ju japim urdhra. Por të gjithë duhet të dinë dhe të kuptojnë se kjo është një reformë që nuk duhet të bëjë nervozë vetëm prokurorët dhe gjykatësit, por edhe deputetët dhe ish-deputetë, ministra dhe ish-ministra.
Romana Vlahutin: Duhet të kuptojmë se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, që janë dy nga aleatët tuaj më të rëndësishëm, kanë investuar para, ekspertizë, që kjo reformë të bëhet. Qytetarët shqiptarë duan që kjo reformë të bëhet, madje duan që ajo të bëhet sa më shpejt. Si ambasadore e BE-së kam detyrimin t’ju tregoj fazën e avancimit të vendit dhe hapat që duhet të ndjekë për hapjen e negociatave. Dua të jem e qartë se nëse nuk do ketë ndërhyrje të thellë dhe të fortë për reformimin e drejtësisë, vendi do të ngelet pas në rrugëtimin e tij drejt BE-së. Nëse nuk do të miratohet tani Reforma në Drejtësi, negociatat do bllokohen për të paktën tri vite. Jam duke ju treguar se si e shikon Bashkimi Europian këtë proces dhe jo për t’ju treguar se si duhet të bëni punën tuaj si ligjvënës, pasi në këtë pikë e vlerësoj maksimalisht rolin tuaj.
Genc Pollo: Kur diskutimet bëhen në mënyrë të hapur, kur palët janë përgatitur të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të flasin me respekt për njëra-tjetrën, shkëmbimet janë të dobishme. E theksoj që palët duhet të flasin me respekt për njëratjetrën, sepse lexova në një gazetë që një diplomati i atribuoheshin fjalë si “nëse nuk e votoni reformën, do turpëroheni përpara popullit tuaj”. Nuk do të doja të flisja për konfliktin e interesit potencial kur një diplomat, që përfaqëson qeverinë e tij dhe interesat e saj gjithashtu, përcakton se cili është interesi i popullit të vendit pritës dhe i përfaqësueseve të tij demokratikisht të zgjedhur. Nuk është ky rasti! PD e ka mbështetur dhe e mbështet Reformën në Drejtësi, një reformë që të përmirësojë efektivisht e afatgjatë sistemin e drejtësisë. Sot kemi një propozim, i cili zyrtarisht vjen nga EURALIUSi dhe OPDAT-i, dy misione ekspertësh teknikë. Në fakt, propozimi i dërguar vitin e shkuar për shqyrtim në Komisionin e Venecias, ishte vetëm formalisht me firmën e pjesës socialiste në komisionit e posaçëm parlamentar. Sipas të thënave privatisht nga këta deputetë socialistë, propozimi ishte konceptuar e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ky propozim mori përkrahje publike nga këta ekspertë ndërkombëtare, si edhe nga ambasadorë të rëndësishëm, por u rrëzua në masë 85% nga Komisioni i Venecias përmes opinionit të përkohshëm të mesit të dhjetorit. E njëjta gjë ndodhi edhe me opinionin përfundimtar pak muaj më vonë. Me shumë të drejtë, pasi në shumë aspekte ishte një propozim monstruoz. Deklaratat se propozimi aktual duhet votuar pa u lexuar janë vetëposhtëruese për një deputet; por edhe nëse jepet një këshillë e tillë, ajo është gjithashtu poshtëruese. Është krijuar një klimë kuazi-histerike; ku të kritikosh racionalisht draftin e reformës, të thonë në kor se je antishqiptar, antiamerikan, antieuropian, antiintegrimit europian, pastaj tradhtar, vrasës, hajdut, së fundmi edhe i shëmtuar fizikisht dhe i papastër higjenikisht. Më kujton pak regjimin e mëparshëm. Shpresoj që nëse ndodh, në rastin fatkeq, që të miratohen ligjet kushtetuese me shumicë kushtetuese të blerë, siç ishte rasti i shumicës së cilësuar me 3/5, kjo nuk do të duartrokitet nga diplomatët e nderuar.
Arben Imami: Ne jemi të gatshëm të votojmë Reformën në Drejtësi. Ne si forcë politike nuk kemi qenë asnjëherë kundër, madje edhe ju e patë që reforma është iniciuar me Presidentin Bujar Nishani. Të mos integrohen ndryshimet kushtetuese që janë jashtë Reformës në Drejtësi. Personalisht jam kundër futjes së ndryshimeve të tjera kushtetuese, nga ato që nuk lidhen me Reformën në Drejtësi. Ndryshimi i preambulës aktualisht është i panevojshëm, mendoj unë, flas për atë që lidhet me vlerat europiane, tashmë ne jemi në Europë. Unë gjithashtu gjykoj që nuk duhet të nxitohemi kaq shumë me ndryshimet kushtetuese. Unë kam dyshimet e mia, duhet të jemi shumë solidë dhe shumë koherentë si forca politike për ndryshimet që bëjmë, në të kundërt do të shikojmë që efektet nuk do të jenë ato që priten. Duket sikur është diçka entuziaste për të cilën ka shumë pritshmëri, por do të shihet se shumë shpejt nuk do të marrim efektet e duhura. Prandaj, në gjykimin tim, jemi shumë dakord për reformën, por gjithçka të kalojë me konsensus politik, pa asnjë përshpejtim. Këtu nuk është çështje kohe, jo fundi i mandatit, jo në fund qershorit, për të gjithë i rëndësishëm është produkti, sa i mirë do të jetë.
Eduard Selami: Unë e cilësoj shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e ambasadorëve në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD-së. Diskutimi dhe analiza e çdo elementi të draftit të Reformës në Drejtësi do të jenë baza për përgatitjen e një produkti serioz dhe të gjithëpranuar. Në gjykimin tim, takimi i sotëm, siç mund të jenë shprehur disa zëra, nuk e prek sovranitetin e vendit dhe të forcave tona politike.
Jozefina Topalli: Në gazeta e ke lexuar këtë, z. Selami, se unë nuk jam shprehur ashtu?
Eduard Selami: Ju lutem, zonja Topalli. Pra kontributi i Shteteve të Bashkuara në të gjitha reformat historike në këtë vend ka qenë konstant dhe i përhershëm. Shqetësimi im është ky që kjo reformë të mos përdoret si kapital politik nga maxhoranca. Të mos trumbetohet sikur ky është një produkt që e kërkon vetëm kjo maxhorancë dhe opozita është kundër, gjë që nuk është aspak e vërtetë.
Astrit Patozi: Pa dyshim që prania e ambasadorëve është e mirëpritur. Aq më tepër në një situatë anormale në të cilën ndodhet vendi. Është i rëndësishëm, pa dyshim, realizimi i Reformës në Drejtësi dhe këtë e mbështesim të gjithë, pa asnjë mëdyshje. Por zotërinj, unë mendoj se nuk mund të pretendojmë për drejtësi në një kohë kur nuk ka drejtësi të votës dhe zhvillim të zgjedhjeve të lira. Reforma Zgjedhore, në gjykimin tim, është akoma më e rëndësishme se Reforma në Drejtësi, pasi ka në thelb elementin më të rëndësishëm në demokraci, vendimmarrjen e lirë. Ne kërkojmë rithemelimin e republikës. Kërkojmë një republikë të re. Ne jemi për një reformë të thellë sociale e politike, kjo e veçuar nga gjërat e tjera nuk do të japë rezultat.
Komentet