Voal – Seanca e djeshme parlamentare ka qenë një shfaqje e ulët e opozitës, e cila ka gjetur pretekste për të shkaktuar tension, çka disa herë solli ndërprerjen e seancës. Fjala e kryeministrit i cili kujtoi filmin hollivudian “War Dogs”-“Qentë e Luftës”, ndërtuar mbi historinë e Gërdecit, ka provokuar opozitën, ku Flamur Noka e ka konsideruar fyerje dhe bllokoi fjalën e kryeministrit duke tentuar të konfrontohet me të. Fjalori i ulët dhe debati i ashpër ndërprenë seancën. Në pjesën e dytë situata qe më e qetësuar, por kryeministri Berisha doli në foltore me tabletin e tij dhe vendosi një parodi satirike të Ismet Drishtit që ka dhe përmbajtjen fyese veç ironisë për Kryeministrin. Nga ana e mazhorancës kjo u përcoll me humor.
Debatet e plota:
Pjerin Ndreu: Opozita e ka memorien e shkurtër për kanabisin. Kanabisi nisi të kultivohej në vitet 1992, në kohën kur vendi drejtohej nga Partia Demokratike. PD mbushi arat e Shqipërisë më hashash. 2005-2013 ishin vitet kur lulëzoi kultivimit i kanabisit, me kryeqendër Lazaratin, që ishte edhe krenaria e PD. Berisha deklaroi se nuk ndërhyri vetë në Lazarat. Kjo është e çuditshme. Ne e shkatërruam kanabisin e Lazaratit, pavarësisht se fenomeni nuk është zhdukur i tëri. Të mbështesim njëri-tjetrin, opozite-pozitë që ta zhdukim këtë fenomen njëherë e mirë nga Shqipëria. Policia e shtetit po bën maksimumin e mundshëm për luftimin e kanabisit, por ajo nuk mund të jetë e vetme. Duhet që ta mbështesim. PD i përdor si alibi deklaratat e saj për fitoren e të majtës në Dibër me paratë e drogës. Kjo është e turpshme. Flisni për kanabis, por nuk keni bërë asnjë denoncim në prokurori. Duhet të bëheni më seriozë, mos përbaltni çdo gjë.
Flamur Noka: Javën e kaluar Rama tha se nuk ka drogë e hashash në Shqipëri, e mohon vazhdimisht. Por një avion me drogë është rrëzuar në Durrës, ka vetëm 2 minuta. Shqipëria është mbushur më mushkonja që transportojnë drogë. Droga, armët dhe paratë ndikuan gjithçka në rezultatin e Dibrës.
Taulant Balla: PD sjellje aspak morale këto tre ditë pas zgjedhjeve në Dibër. PD ka fyer popullin e Dibrës gjithë këto ditë. Duhet t’i kërkoni falje popullit të Dibrës. PS falënderon gjithë popullin e Dibrës, socialistë dhe demokratë. Nuk ka ndodh në histori që një parti që dikur ishte e madhe, falënderon vetëm votuesit e saj dhe jo kundërshtarët politikë. PD fyeu shumicën që vendosi në Dibër. Pavarësisht diferencës së thellë të votave PD vazhdon dhe shpif.
Damian Gjiknuri: Kam ndjekur shumë analistë që thoshin dhe që ngrinin pyetje, madje edhe këta kur zbarkuan në Dibër, thanë; do të heqim Shukritë. U nisën nga ideja se me ngjarjen e Shukriut këta i kishin zgjedhjet në xhep. Me çeljen e fushatës, këtë kishin sloganin e tyre. Pas disa ditësh u thanë mos u merrni me Shukriun. Dibranët dinë ta dallojnë mirë partinë nga individi. Po t’i vini re, nuk e përmendën më në ditën e tretë dhe të katërt, sepse dibranët që panë tek qeveria shqiptare që në momentin kur u publikua video-skandali, reagoi duke e shkarkuar. Në qeverisjen tuaj, kryebashkiak me skandale të ngjashme nuk u ka hyrë gjemb në këmbë. Ata e panë vizionin tonë. Më vonë filluat të kërkonit ndihmë nga njerëzit e Shukriut. Thanë po bëjmë ekskursion në Dibër. Të gjithë kishin përgatitur spaleta për fitoren që prisnin. Madje, kryetari në detyrë Basha tha se gjeta kalin e betejës për t’u thënë dibranëve se uragani i votave që do të vijë në Tiranë, uragani i Dibrës do të mbërrinte në Tiranë. Kjo ishte e meta tjetër e opozitës, e cila vajti në ekskursion elektoral njësoj si kolonizatorët për t’u thënë indigjenëve se në çfarë gjendje e kishte lënë Dibrën. Madje, mori një shpurë njerëzish dhe i dislokuan. Mbasi ra teoria e Shukriut, ditën e tretë doli teoria se Doktori trafikant droge. Nuk e kuptoni që doktor Rremën, siç e thërrasin në Dibër e njihnin të gjithë si njeri të ndershëm. E dinin shumë mirë çfarë familje kishte? Si mund t’i thoshin që doktor Rremi ishte trafikant droge, kur kishte 20 e ca vite që shërbente në Dibër? Ju e sollët Sherefedinit për shkak se kishit sherre në parti. Nuk ishit të zotë të zgjidhnit një kandidat. U tha Lulzim Basha po ua cakton nga Tirana ju të tjerët rrini urtë. Pse mo, çfarë kujtoni si janë njerëzit? Ju kujtoni se duke ua imponuar nga Tirana do të bashkonit faktorët?
Saimir Tahiri: Ne shkatërruam 99.7%. Këta shkatërronin 7.6%. Kush është karteli? Ne që e shkatërrojmë, apo këta që e linin? Ne kemi një problem me çështjen e kultivimit që shkon përtej policisë. Besoj që ky është një problem që duhet adresuar në nivelin më të lartë politik. Nuk zgjidhet vetëm nga policia. Policia sot rrezikon të shpenzojë të gjithë buxhetin e saj brenda shtatorit vetëm për shkak të aksioneve antikanabis në të gjithë Shqipërinë. Nëse do të ishim kaq rehat për kultivimin e kanabisit, aty do e linim Lazaratin. Ky (Berisha) e ktheu Lazaratin në fermën më të madhe të kanabisit, me 300 mijë hektarë. Në 2013-ën në Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Poroçan, Kukur, Gramsh, Dragot, Qarku Gjirokastër, Fier, Kukës, Korçë. Pse nuk ke marrë masa ti (i drejtohet Flamur Nokës), meqë je edhe deputet në Kukës? Ku i kishte sytë ti Asllan? Po ti Jozefinë? Më e pakta heshtnit, unë me çdo kosto nuk do hesht me çdo kosto. Do të bëj detyrën ta shkatërroj në çdo cep të Shqipërisë. Kjo është detyra ime, kjo është detyra e kësaj mazhorance bashkë me ministrat. deklaroi Tahiri. Kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ja se ç’thotë raporti: Prodhimi i marihuanës mbetet i lartë për të tretin vit radhazi edhe pse nuk ka një vlerësim zyrtar nga qeveria për kultivimin.
Asllan Dogjani: Je i implikuar në kultivimin e lëndëve narkotike. Parcelat ruhen nga banda të armatosura. Policët tuaj shkojnë dhe i fotografojnë. S’themi se s’ka pasur drogë më përpara, por ju e keni kthyer Shqipërinë në Lazarat, në Kolumbi të dytë. Shqipëria është vend i vogël dhe kontrollohet për 24 orë nga forcat e policisë. Shkoni te toksikologjia dhe pyesni sa fëmijë kanë mbërritur aty të asfiksuar nga droga. Kam të dhëna të sakta, në ara, bodrume, sera dhe kudo, shko në Zall Herr, Shën Gjergj, Zall Bastar.
Sali Berisha: Zotërinjtë pas shpine përbëjnë një organizata kanabiste të vërtetë. Kanabizimi dhe vendosja e diktaturës së krimit janë problemet kryesore të Shqipërisë. Qeveria shpif, çirret dhe citon dokumente që nuk ekzistojnë për kanabisin. Sot u fol edhe për Dibrën. Me 2 korrik të 2015 deklarova se seanca ishte e funeralit të zgjedhjeve në Shqipëri. Dibra ishte hapja e njërit prej këtyre varreve të krijuara nga ju. Vota e shqiptarëve u varros në Dibër. Prapa çjerrjeve të Abazit qëndrojnë vjedhjet miliona euro të bëra me Ramën dhe ndërtimet pa leje. Vetëm në Kurvelesh mbi 3.2 milionë rrënjë kanabis të mbjella. Të paktën 20 milionë rrënjë kanabis të mbjella në të gjithë Shqipërinë. E konfirmojnë raportet”, tha Berisha, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama i ka dërguar disa SMS Ymer Lalës, i cili sipas tij kontrollon 100 mijë rrënjë kanabis në Selishtë. 100 mijë rrënjë janë në Selishtë nën kujdesin e Ymer Lalës. Rama i ka dërguar disa SMS Ymer Lalës. E di mirë ai. Le të dalë dhe t’i thotë këtu. I kontrollojnë të tjerët dhe mi thonë. I kontrollojnë shërbimet partnere dhe mi thonë. Le të ngrihet të më thotë se s’kam dërguar asnjë mesazh. Ti (Lutajt) rri urtë, se ty të ka mbetur revolja për të mësuar qitjen.
Edi Rama: Ka një nen rregullorja, neni 67, që thotë se deputetët gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe në seancë zyrtare të paraqiten me veshje zyrtare. Përtej të gjitha lirive të shfrenuara dhe lirive të pakufizuara që ka marrë krahu këtej, i cili ka pafytyrësinë të çohet këtu dhe të lëshojë njëmijë e një akuza dhe ofendime, me libër shtëpie, të paktën të kufizojmë shfaqen në këtë sallë të parlamentit, të trupave të pavetëdijshëm se ku janë dhe që vijnë tamam sikur janë në ndonjë nga ato parlamentet e Kolumbisë së dikurshme dhe shfaqen aty me forcën e pakufishme të të shëmtuarës. Kjo nuk duhet të ndodhë!
Edi Paloka: Ik mor legen, se s’ke burrëri të flasësh ballë për ballë, por flet pas shpine. Ik mor legen. Bën si i fortë, pastaj lag pantallonat dhe ikën me vrap. Je kryeministri më legen, më i paaftë që ka pas ndonjëherë ky vend.
Edi Rama: Duket si replikë, por edhe nëse do të ndodhte sot çudia që Sali të mos fliste, do të flisja unë për Saliun, sepse doja ta uroja para parlamentit, por edhe përpara popullit shqiptar, një arritje që asnjë politikanët shqiptarë nuk do ta arrijë ndonjëherë: futjen në Hollivud. Sali, të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin, dhe atë studion e avokatisë që ke të sugjeroj ta vësh në veprim për të drejta e autorit, sepse filmi “War Dogs” –qen lufte, pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi. Ti Sali je një war dogs i vërtetë dhe…
Flamur Noka: Çfarë, çfarë është ky?
Edi Rama: …fakti që mbërrit në Hollivud është vërtetë një arritje.
Flamur Noka: Oooo, nxirre jashtë këtë! (Ngrihet në këmbë dhe vrapon për tek foltorja)
Ilir Meta: Ju lutem ruani qetësinë. Zoti Noka, ju lutem.
Flamur Noka: Jo, jo, ndërprerje dhe nxirre jashtë këtë.
Taulant Balla: Po për çfarë?
Ilir Meta: Ju lutem, ruani qetësinë.
Flamur Noka: Përjashtaaaa.
Ilir Meta: Ju lutem.
Flamur Noka: Ore zotëri, kupton ti? Ky ofendon këtu, ti më thua mua për qetësi? Harroje, nxirre jashtë këtë.
Ilir Meta: Ju lutem, zoti Noka.
Flamur Noka: Kujt i lutesh mo? Mos mu lut mua. Lutju këtij të dalë jashtë. Mua mos mu lut. Nxirre jashtë këtë halabak, është dhe kryeministër, me këtë fjalor. Ky nuk flet këtu. Nuk ka asnjë mundësi. Harrojeeee!
Ilir Meta: Zoti Noka, ju lutem….
Flamur Noka: Po jo mor, pse këtë do të dëgjojmë ne me këtë gjuhë? Ta durojmë cdo seancë? Fjalor rruge, halabak….
Edi Rama: Flamuur…
Flamur Noka: Mbylle ore, më tregon ti mua, Flamur…Flamur. ta tregoj unë ty, more vesh..
Edi Rama: Flamur, po të kishe parë filmin..
Flamur Noka: Kam parë ty kur mbush hundët unë, dhe t’i mbush hundët ty…more vesh?
Edi Rama: Do të ishte edhe më krenar se ç’je për Saliun.
Flamur Noka: Mbylle gojën e mos më fol mua me atë gjuhë. Fol normalisht. Njeri zhgarravinash!
Ilir Meta: Ju lutem.
Edi Rama: Flamur.
Flamur Noka: Mos më bëj si trim mua se këta janë rreshtuar këtu para teje. Dil përjashta. Kujton se do shpëtosh ti prej këtyre(gardistëve)?
Edi Rama: Nëse një figurë e politikës shqiptare arrin të frymëzojë.
Ilir Meta: Zoti Noka, ju lutem….
Flamur Noka: Po çfarë zoti Noka, more. Foli këtij.
Edi Rama: Duhet të jemi krenarë që politika shqiptare arriti të frymëzojë Hollivudin falë Sali Berishës.
Ilir Meta: Ju lutem të vijojmë normalisht seancën.
Flamur Noka: Çfarë normalisht more? S’ka normalitet këtu me këtë. Ka gojë të pistë ky.
(Berisha çohet dhe i bën me dorë Flamur Nokës të ulet. Noka reziston.)
Flamur Noka: Po çfarë të ulem, ky…
Edi Rama: E sheh Flamur, ja, ai është krenar që ka shkuar në Hollivud. Ti nuk e kupton. Ja. Më lër të flas, ai kupton, ti nuk kupton.
Flamur Noka: Ti ke nevojë për një psikiatër që të të kuptojë. Këtë do ti.
Edi Rama: Dëgjo Roberto De Niron (për Berishën), mos u merr me fjalë kot.
Flamur Noka: Je 50 e ca vjeç, nuk të vjet turp çfarë flet e çfarë thua.
Edi Rama: Janë të thella punët e Hollivudit, nuk i kupton ti këto.
Flamur Noka: Ik pastrohu, se të janë bllokuar hundët.
Ilir Meta: Zini vendet, ruani etikën ju lutem.
Flamur Noka: E ka përdorur njeri atë fjalor këtu, si ky, ë?
Ilir Meta: Po të mos përmend unë tani fjalët që përmende ti Flamur, të lutem.
Flamur Noka: Jo mor zotëri, çfarë thashë unë?
Edi Rama: Titullin e filmit nuk e kam vendosur unë.
Flamur Noka: Shko edukohu dhe pastaj hajde këtu.
Edi Rama: War Dogs që s mund të krijohej pa Saliun është titull i Hollivudit, dhe Hollivudin nuk mund ta censurosh.
Flamur Noka: Ti kërkon që të të thyej hundët more legen, e meriton ti.
Ilir Meta: Zoti Noka, të lutem.
Alban Zeneli: Po mbajeni këtë more, është dhe kryeministër. Çfarë është ky fjalor.
Edi Rama: Sali, folu. Folu…
Flamur Noka: Dil përjashtë, dil përjashtë.
Ilir Meta: Ju lutem zotërinj deputetë.
Edi Rama: o Flamur dëgjo…
Flamur Noka: Jo mor jo, s’dëgjoj asgjë unë. Dil përjashta.
Edi Rama: O Flamur, po të flet ai (Berisha) mos burrë.
Flamur Noka: O kërko falje, o dil përjashta dhe eja seancën tjetër. Këtu nuk flitet më këtë gjuhë. Ky është fjalor për vend tjetër.
Edi Rama: Sali, mos më shkel syrin po mblidhi këta.
Flamur Noka: Ore, kur të jetë Asambleja e PS-së bëj çfarë të duash, thuaj çfarë të duash, me mua nuk flitet me këtë gjuhë.
Edi Rama: Ulu Flamur.
Flamur Noka: Atje, tek ata të vetët të bëjnë ç’të duan, ata e durojnë, unë nuk i duroj.
Ilir Meta: Ju lutem!
Edi Rama: Flamur!
Flamur Noka: Këtu nuk ka shans. Vetëm në rrugë. Dhe në rrugë mbahet goja.
Ilir Meta: Ju lutem tani…
Edi Rama: Flamur, mos ma prish Flamur, se ky është moment që nuk përsëritet më në parlament.
Flamur Noka: Ta përsëris unë sa herë të duash…
Edi Rama: Një figurë politike është bërë frymëzim për Hollivudin, e kupton?
Flamur Noka: Ti kuptoje, po përmirëso fjalorin. Përmirësohuuu! Mëso që në parlament nuk përmenden të gjitha fjalët që ti ke në kokë.
Edi Rama: Kuptoje sa e rëndësishme është kjo që po them.
Flamur Noka: Lëre mo, ca e rëndësishme, kakaris kot aty.
Ilir Meta: Zoti Noka, uluni.
Flamur Noka: Nuk ka zoti Noka fare. Harrojeni. Ky nuk flet pas kësaj fjale po nuk kërkoi falje.
Ilir Meta: Ulu zotëri.
Flamur Noka: Harrojeni zotëri. Pas kësaj që ka thënë vetëm falja mund ta bëjë me folë këtë. Ndërpre seancën ose të vejë të bëjë terapi atje, pastaj të vijë këtu.
Ilir Meta: Ulu të lutem.
Edi Rama: O Sali, po thuaj more të ulet!
Flamur Noka: Po jo mo, nuk ulem.
Ilir Meta: Po të zbardhen fjalët e tua, se harrove cfarë the, do ta kuptosh
Edi Rama: Filmin, përmenda, filmin.
Flamur Noka: Filmin përmende sa të duash ti, por jo ato të tjerat.
Edi Rama: Hahahah (qesh me të madhe)
Flamur Noka: Ore, mos mu zgërdhi mua. Kur flas unë mos u zgërdhi të thashë.
Edi Rama: Dëgjoje Saliun.
Flamur Noka: Harroje, ti ke kaluar çdo kufi.
Edi Rama: O Flamur, ulu se është e vetmja opozitë që ka ngelur mes jush. Ulu, dhe më lër të flas me opozitën të lutem. Ai dhe vetëm ai, ju të tjerët çfarë jeni këtu? Po ulu pra.
Flamur Noka: Po ca të intereson ty çfarë jam unë? Të dish ti çfarë je ti….
Edi Rama: Po kush je ti pra?
Flamur Noka: Unë jam ai që nuk të lejoj ty, se nëse je mësuar të ofendosh këta e të pranojnë, unë nuk ka shans të të lejoj.
Edi Rama: Ulu, pra. Ulu.
Flamur Noka: Ulu ti, sepse ka etikë parlamentare, je kryeministri i vendit. E nuk je njeri rruge. Nuk e ke bërë një herë, e ke bërë dhjetë herë.
Ilir Meta: Atëherë ndërpritet seanca, 5 minuta pushim sa të qetësohet zoti Noka. Zoti Noka ju lutem lexoni fjalën tuaj të zbardhur për të kuptuar çfarë keni thënë.
(Flamur Noka drejtohet tek Sadri Abazi me tendencën për ta goditur teksa ky i fundit po replikonte me të. Ndërhyn Florion Mima e pengon Nokën.)
(Ndërpritet seanca)
(Rifillon seanca)
Edi Rama: E vërtetë që ka rënë një avion. Por Flamuri ku e pa që ishte plot dhe e tund. Lëre Flamurin ta tundë flamurin, nuk të shkon ty (i drejtohet Jozefina Topallit). Midis teje dhe Flamurit unë zgjedh ty 100 herë në 100. Sasia e drogës së kultivuar, është 10 herë më pak se një vit më parë. Guardia di Finanza do të raportojë që sipërfaqja, sasia e drogës e kultivuar këtë vit, është 10 herë, si sasi, më pak sesa vitin e kaluar. Për arsye se, të terrorizuar nga lufta e përditshme e Policisë së Shtetit, ata që merren me këtë punë, kanë menduar të ndryshojnë farën, duke shpresuar se do të mund ta kultivojnë më shpejt dhe duke pranuar të marrin më pak…Ky është një debat. (Topalli qesh nga vendi). Qeshu rini, qeshu, se bota është e jotja, Jozefinë (i drejtohet Rama, Topallit). Të presim Guardia di Finanzën dhe të mos e zgjasim më këtë punën e kanabisit. Pastaj e patë “opingën e Sheros” që morët në Tomin. “Opingën e Sheros” që morët në Dibër. Kurse në 2017-ën nuk do merrni 1, por do merrni një mal me opinga të Sheros, po vazhduat me këtë histori të ulët, që është një turp i madh për këtë sallë; turp i madh për këtë politikë; turp i madh për një forcë politike, që ishte forca që lindi nga gjiri i rinisë dhe që sot rininë e ka të identifikuar me një çetë të veshur me të zeza, kokë e këmbë, me një flamur të zi, që nuk e di se çfarë është, se di çfarë janë. Rinia e Partisë Demokratike që sot rri gjithë ditën, duke u munduar të sjellë vërdallë maturantët me lloj-lloj gënjeshtrash. E talleshin maturantët atje, nuk u besonin veshëve me ato që dëgjonin nga ju. Sali, tani, opinga është për ty.
Sadri Abazi: Të gjithë deputetët e PD e panë se ku e kishte lënë Saliu Dibrën. Kurrë Dibrani nuk është shitur dhe kurrë nuk do të shitet, historia e ka treguar. Turp të kenë, Dibra i priti si miq dhe i përcolli siç e ka zakoni, me trastën bosh.
Sali Berisha: Lidhur me Dibrën do t’ju vë këtu një parodi. (Vendos me tablet një këngë satirike të Ismet Drishtit që ka dhe përmbajtjen fyese veç ironisë për Kryeministrin)
Sajmir Tahiri: E ke bërë kinema këtu…
Taulant Balla: Ngrija pak zërin.
Sajmir Tahiri: Merr dhe një shami e tunde tani.
(Vijon kënga)
Ilir Meta: Nuk është e parashikuar në rregullore kjo.
Sajmir Tahiri: Sa strofa ka kënga?
Blerina Gjylameti: Le nam.
Sadri Abazi: Ngrije dhe pak!
Taulant Balla: E ke mendjen tek Enveri, dhe këngët si ai i zgjedh.
Sali Berisha: Është i kohës sime.
Ilir Meta: Ju lutem, Z. Berisha. Nuk ka kuptim kjo.
Komentet