Tri pikë në xhep për ndeshjen me Serbinë dhe katapultimi në vendin e dytë me objektiv të qartë: kualifikimin për në “Euro2016″ që nga faza e grupeve, pa qenë e nevojshme që Shqipëria të shkojë në play-off. Kjo është pak a shumë ajo që De Biazi mendon, që kërkon të arrijë, por më parë trajneri italian i Shqipërisë e di shumë mirë se ka ende shumë punë për t’u bërë. Në një prononcim për portalin ‘telesport.al’, De Biazi rrëfen në radhë të parë emocionet që ka marrë fitorja në Lozanë. “Natyrisht, vendimi i KAS-it na ka gëzuar të gjithëve. Fitoi drejtësia, sikurse e kam thënë shumë herë këto dy ditë. Ne që e kemi provuar në lëkurën tonë atë që ndodhi në Beograd, ndihemi më të çliruar. Ky 3-pikësh na vë në pozita të barabarta me Danimarkën, në luftë për vendin e dytë. Konstatoj një optimizëm të shtuar në mjedisin futbolldashës shqiptar dhe kjo është një gjë e mirë, por nuk dua kurrsesi që nga kjo valë të përfshihen lojtarët e kombëtares. Unë si trajner, jo e jo. Çdolloj shenje euforie do të ishte vrasëse. Kushdo ka të drejtën të nisë e të bëjë llogari. Edhe unë, pas këtij vendimi, e them më me siguri se kemi shanse reale për kualifikim. Ama, të mos harrojmë se nga vijmë dhe në çfarë grupi të hekurt jemi. Portugalia dhe Danimarka kanë qenë që në fillim favoritë absolutë, sikurse e ka konfirmuar renditja e grupit deri tani, por edhe Serbia ka potencial të madh brenda vetes. Mund ta konsideroj një fantazmë për momentin, por në fillim të kualifikueseve, Serbia ishte kundërshtar i frikshëm për këdo”, thotë De Biazi.
Shtatori
Por, pas vendimit të KAS-it vjen shtatori, muaji kur në harkun kohor të tri ditëve, kuqezinjtë do të udhëtojnë në Kopenhagen për t’u ndeshur me Danimarkën dhe më pas do të presin në “Elbasan Arena” Portugalinë. De Biazi e di shumë mirë se janë pikërisht këto dy ndeshje me rivalët e drejtpërdrejtë, ato që do të përcaktojnë shumë sa i takon kualifikimit direkt për në Francë, si një nga dy vendet e para në grup. “Jemi në gjysmën e rrugës. I kemi përmbushur pritshmëritë deri tani, por asgjë nuk ka mbaruar. Mund të them se kemi siguruar vendin e tretë, ‘play-off’-in, me trepikëshin e marrë në tavolinë ndaj Serbisë, por nuk duhet ta ulim ritmin. Edhe më parë i kishim mundësitë tona për t’u kualifikuar. Mos harroni se sot për sot kemi një ndeshje më pak të zhvilluar në krahasim me ekipet e tjera në grup. Të tjerët i kanë luajtur nga pesë ndeshje, ndërsa ne vetëm katër të tilla. Pra, na mbesin edhe katër ndeshje për t’u luajtur, ku kemi mundësi për t’u kualifikuar direkt në ‘Euro 2016′. Ndeshjet e shtatorit janë shumë të rëndësishme për ne. Janë të një vështirësie të lartë, ku duhet të tregojmë sa jemi rritur vërtet, a e kemi bërë atë hapin e madh drejt finaleve të një kompeticioni si Kampionati Europian. Shumë gazetarë më pyesin se pas vendimit të KAS-it, sa për qind shanse kemi që të shkojmë në Francë. Më lejoni, ju lutem, të kërkoj nga të gjithë të qëndrojmë me këmbët në tokë. Nuk mund të flas me përqindje, sepse futbolli është i çuditshëm. Ajo që më intereson tani e në vazhdim është që me përulësi t’u qasemi ndeshjeve që na kanë mbetur. Duhet të japim më shumë 100 për qind për të dalë kryelartë nga ballafaqimet me Danimarkën dhe Portugalinë, dy pretendentet e grupit tonë”, vazhdon më tej trajneri italian.
Afrimet
“Është misioni im dhe i ndihmësit Tramezani që ta mbajmë një vesh dhe një sy nga elementët e rinj, që mund t’i bëjnë punë Shqipërisë. Tani është momenti kur shpërthejnë nëpër Europë fëmijët e emigrantëve që ikën në vitet ’90-të, që janë lindur e rritur jashtë. Ne i përcjellim në vazhdimësi lojtarët e rinj, me origjinë shqiptare, sepse mund të sjellin diçka të re në kombëtare. Jo të gjithë mund të jenë pjesë e kombëtares së parë menjëherë, por mund t’i afrojmë tek ekipi Shpresa fillimisht. Në filozofinë time të punës nuk është të mendoj sot për sot, por edhe për perspektivën, të ardhmen. Për momentin kam rreth 35 lojtarë në listën time të kombëtares, por sigurisht që mundohemi ta zgjerojmë rrethin në këtë aspekt, në vazhdimësi. Sa më shumë konkurrencë të ketë një ekip futbolli, aq më mirë është për të. Besoj se këtë element thelbësor e kemi materializuar më së miri tashmë në kombëtaren shqiptare”, deklaron shqiptaro-italiani De Biazi.
Rinovimi
Edhe ky është një argument shumë i prekur nga të gjitha mediat, por që më në fund duket se merr një gjysmëpërgjigje nga De Biazi, që pranon se synimi i tij është që të vijojë punën me Shqipërinë, pavarësisht ofertave që mund të ketë. “Tani për tani nuk mendoj për asgjë tjetër, vetëm që ta çoj Shqipërinë në finalet e ‘Euro 2016′. E kuptoj fare mirë se çfarë do të thotë të realizosh këtë ëndërr të madhe e të kahershme të shqiptarëve. Pastaj, me përmbushjen e këtij objektivi madhor, edhe rinovimi i kontratës është punë e kryer. Nëse presidenti Duka dëshiron, unë do të vazhdoj ta udhëheq me pasion e dëshirë të madhe Shqipërinë. E kam një klauzolë në kontratën aktuale, që nëse arrijmë kualifikimin në Europian, automatikisht vazhdoj të jem trajner i Shqipërisë. Pra, një rrugë e dy punë, kualifikohemi në ‘Francë 2016′ dhe rinovoj kontratën (thotë me të qeshur italiani)”, përfundon De Biazi.
Komentet