Xhani De Biazi e cilë son ende “Shqipërinë e tij” dhe për këtë arsye thotë se në ndeshjen kundër Italisë, ai do të bëjë tifo për kuqezinjtë. Në një intervistë të dhënë dje në mbrëmje në “Zona Gol” në “Supersport”, ai ka folur edhe për eksperiencën e tij të re tek Alaveshi.
Si ndiheni në aventurën e re që keni nisur?
Jam i kënaqur që fitova ndeshjen e 7-të, sepse kishin 6 ndeshje që humbnin. Ishte shumë e rëndësishme për mua që ta nisnim mirë. Punuam shumë në aspektin taktik. Punuam shumë edhe për vlerësimin mbi veten tonë. Ishte shumë e vështirë.
Zgjedhja?
Kam shkuar në një ndër kampionatet më të rëndësishme në Europë. Besoj se pas Anglisë është Spanja. Për mua ishte mundësia që të kisha një skuadër në një kompeticion si kampionati spanjoll.
Cili është objektivi aty?
Vendi i 14-të në renditje që na siguron mbijetesën. Do të doja që siç kalova 5 vite te Shqipëria, të mund të kaloja 5 vite edhe këtu tek Alaveshi. Është tjetër situatë. Këtu duhet të punosh çdo ditë, ndërsa në përfaqësuese është ndryshe, sepse aty duhet t’u marrësh maksimumin një grupi lojtarësh.
A e patë Berishën kur priti penalltinë e Dibalës?
Berisha është treguar madhështor, por unë nuk e pashë sepse po ndiqja dy ndeshje të kampionatit spanjoll.
A ju mungon Shqipëria?
Më mungon më shumë sesa kur isha aty. Nuk e di pse më mungon, por më mungon. Ndihesha si padron i botës dhe nuk është e lehtë të largohesh nga një vend ku ndihesh i tillë. E mora vendimin me vështirësi, por e bëra për të mirën e federatës dhe timen.
Cilin nga lojtarët shqiptarë do të mund të merrnit aty po të kishit mundësi?
Mos më vër në vështirësi me këtë pyetje. Po të të them një emër do të vija nën presion një lojtar timin tek Alaveshi. Kam lojtarë të rinj dhe disa ende nuk janë gati për futbollin e madh. Por ka shumë lojtarë që luajnë në kampionatin italian dhe do të mund të luanin në kampionatin spanjoll. Janë edhe ata që luajnë në Gjermani që mund të luanin fare mirë në Spanjë.
Meqë jeni në Spanjë, a do të shkoni në Alikante për të parë Shqipërinë?
Jo, për fat të keq jo sepse është shumë larg. Është afro 720 km larg dhe do më duhej një avion privat për të shkuar atje…
Për ndeshjen me Italinë në Shkodër, për cilën skuadër do të bëni tifo?
Për Shqipërinë. Për Shqipërinë time. Pas ndeshjes, shkëmbeva mesazhe me presidentin (Dukën) dhe i thashë se nëse mundi Spanjën, Italia do t’ju bëjë një monument… (qesh). Luftoni që të luftoni në Spanjë!
Përgatiti: Olsi Tujani
Komentet