Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi deklaroi se ekipi gëzon një formë të mirë fizike dhe Taulant Xhaka është rikuperuar pas dëmtimit.
Në një konferencë për mediat të mbajtur pasditen e së premtes në Lens të Francës, tekniku italian tha se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare dhe as një derbi, paçka se shumë lojtarë me origjinë shqiptare do të përballen si kundërshtarë.
“Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për ti kuptuar në mënyrën e duhur”,-tha De Biazi.
Çfarë ndjesie keni përpara një ndeshjeje të tillë dhe cilat janë emocionet tuaja?
Jam shumë krenar që kam një grup lojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte vetëm për vendin e katërt. “Kurrë mos thuaj kurrë” është një shprehje kuptimplotë, pasi në futboll, nëse nuk beson se mund të arrish diçka, nuk do të arrish asnjëherë që ta realizosh.
A ndiheni nën presion përpara një eventi të tillë?
Presion nuk kam, por kam pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe mos të kënaqen. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0. Duhet t’i luajmë me përqendrimin e duhur dhe me bindje.
Sa e njihni kundërshtarin dhe cilat janë pikat e dobëta të Zvicrës?
Besoj që është thelbësore që kundërshtarin ta njohësh.
A jeni dakord me Erik Kantonanë, që ka deklaruar se Shqipëria mund edhe të fitojë Europianin?
Sinqerisht, jam shumë dakord (qesh). Arritjet e pazakonta në futboll ndodhin, edhe pse fatkeqësisht rrallë. Gjithsesi, për ne, e rëndësishme është të dimë se cili do të jetë roli ynë dhe ajo çfarë duhet të bëjmë.
Sa e vështirë është që të ndalësh një lojtar si Xherdan Shaqiri?
Është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes. Ka bërë një sezon të mirë dhe gjithashtu e kemi ndjekur edhe te Stoke. Do të jetë një ndër shumë lojtarët ndaj të cilëve kujdesi duhet të jetë maksimal.
Jeni ende i bindur që nuk është derbi kjo ndeshje?
Nuk është një derbi.
Komentet