Trajneri i kuqezinjve flet për takimin e 8 tetorit dhe atë që do të ndodhë më pas. Dëshirat e italianit dhe surpriza e madhe këto vite në krye të Shqipërisë
Xhani De Biazi është “lideri” i Shqipërisë, por arritjet me kuqezinjtë dhe së fundmi çmimi i marrë “Honoris Causa” ka bërë edhe më shumë bujë në Itali. Trajneri i përfaqësueses shqiptare, ka deklaruar për mediat italiane se takimi i së enjtes, Shqipëri – Serbi, është vetëm një ndeshje futbolli, por edhe shansi i madh. Ai thotë se kanë një mundësi të artë dhe këtë do të mundohen të mos e lëshojnë, pasi fitorja mund t’i kualifikojë kuqezinjtë në “Francë 2016”. Trajneri nga Trevizo merr edhe një diplomë nderi për merita sportive, që në fakt e në realitet janë njëkohësisht merita sociale. Ai mori përsipër drejtimin e një kombëtareje, e cila pas pak vitesh punë po ëndërron për herë të parë në historinë e vet të shkojë në finalet e një kompeticioni madhor europian.
De Biazi ishte në krye të kuqezinjve në fushatën kualifikuese të “Botërorit 2014”, ndërsa po i udhëheq shqiptarët edhe në kualifikueset e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Ndërkaq, në orët e mbrëmjes së të hënës një përfaqësi e reduktuar e grupimit Tifozët Kuq e Zi kanë qenë dhe në ambientet ku akomodohet Kombëtarja ku kanë patur një takim me futbollistët dhe trajnerin Xhani De Biazi, çka konfirmohet edhe nga postimi që ka bërë tifo-grupi i skuadrës më të dashur për gjithë shqiptarët në faqen e tij në internet. Gjatë takimit me De Biazin është diskutuar në lidhje me mbështetjen e zjarrtë që tifozët kanë garantuar për kombëtaren, duke pasur si qëllim që mbrëmja e 8 tetorit të kthehet në një festë të vërtetë në funksion të kualifikimit të Shqipërisë në kampionatin Europian që zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.
-Mister, së pari le të fillojmë nga mirënjohja e fundit, që Shqipëria ju ka bërë. Një doktoratë nderi në shkencat shoqërore. Si ndihesh?
-Jam shumë i lumtur. Arsyet për të cilat m’u dorëzua ky titull ishin të rëndësishme për vetë shqiptarët. Ato kanë të bëjnë me mirënjohjen e tyre karshi përkushtimit tim ndaj sportit. Gjithashtu, në një nivel personal, kjo ishte një kënaqësi e madhe. Sikurse e dini, kam qenë i regjistruar në shkollë për drejtësi, por për shkak të futbollit nuk kam qenë në gjendje për t’i kryer edhe studimet. Nëna ime ishte shumë e lumtur që të kishte një mjek në shtëpi. Le të themi se Shqipëria, me të gjithë përfaqësuesit e saj institucionalë, pranoi meritën e madhe timen dhe kombëtares që drejtoj, se kemi ndryshuar imazhin e shqiptarëve në botë. Kjo është emocionuese në planin kombëtar. Gjithashtu, përcjell besim tek ata djem, që mund të kenë një të ardhme të ndritshme përpara. Le të themi se futbolli këtu në Shqipëri nuk është vetëm në funksion të rezultateve sportive, por ka edhe një ndikim të rëndësishëm social.
-Të enjten, Shqipëria, gjithashtu, do të luajë për historinë. Si jeni përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme, jo vetëm për shkak se do të ketë një krahasim me atë që ndodhi në Beograd, por për shkak se mund të përmbushet ëndrra e një populli?
Kjo është padyshim ndeshja më me ngarkesë emocionale dhe psikologjike. Nëse marrim një rezultat pozitiv ndaj serbëve dhe Danimarka barazon kundër Portugalisë, atëherë kemi mbërritur në Francë. Po e përgatisim këtë derbi të nxehtë ballkanik të tërhequr në “strofullën” tonë, me qetësi dhe me koncentrim në të dyja drejtimet; taktike dhe mendore. Pas asaj që ndodhi në Serbi, kjo mund të jetë më shumë se një ndeshje futbolli.
-Pra, ka frikë, edhe pse stadiumi do të jetë i hapur vetëm për shqiptarët?
-Unë jam i angazhuar për ngritjen e vetëdijes së tifozëve tanë, sepse kjo e enjte është vetëm një lojë futbolli. Siç e kam thënë edhe në fjalimin e titullit që mora së fundi, unë mendoj se është një mundësi e madhe dhe unike për t’i treguar botës ndershmërinë dhe sportivitetin tonë. Shpresoj se nuk do ta humbasin një mundësi si kjo.
Stërvitja mes qetësisë dhe izolimit
Stërvitja e djeshme e Shqipërisë ka qenë me dy fytyra. Paradite Xhani De Biazi i ka kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes tekniko-taktike duke u përqendruar kryesisht te ky aspekt. Për t’ju përgjigjur çdo opsioni duke vlerësuar edhe cilësitë individuale të lojtarëve serbe, De Biazi ka simuluar në stërvitje duele 1 kundër 1, dy kundër 1 apo dhe 3 kundër 3 si në aspektin mbrojtës ashtu edhe atë sulmues në mënyrë që skuadra të jetë e përgatitur për çdo situatë që do të krijohet në fushën e “Elbasan Arenës” në 8 tetor. Ndërkohë pasdite ekipi është dukur i relaksuar teksa për të ngritur në maksimum humorin ka menduar zëvendës presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, i cili ka qenë i pranishëm gjatë të gjithë seancës. Batutat me kapitenin Cana, futbollistët dhe stafin teknik kanë krijuar një klimë të qetë, teksa trajneri De Biazi ka qenë i përqendruar tek puna aq sa ka qëndruar në mesin e fushës për të qenë pranë futbollistëve me këshillat. Surpriza e vërtetë në këtë seancë stërvitore ka ardhur nga ajri, jo me një dron por me një parashutë e tëra kuqezi me shqiponjën dy krenare, që ka tërhequr vëmendjen e ekipit i cili për një moment ka lënë në mes punën për të ndjekur spektaklin nga ajri.
Parashikimi
Parashikimi: “1” thuhet në faqen e “blastingnews”. Edhe kompanitë e basteve favorizojnë Shqipërinë. “Realdealbet” dhe “10Bet” e japin koeficientin 2.4 për fitoren e Shqipërisë, 3.35 për barazim dhe 2.75 për fitoren e Serbisë. Ka edhe nga ato kompani që shohin Serbinë si fituese. “Bwin” i jep më shumë shanse Serbisë me 2.50, ndërsa Shqipërisë me 2.60.
Kryeministri video-selfie me kombëtaren
Për kombëtaren kuqezi në rrugën drejt Europianit dhe për imazhin e një Shqipërie Europiane në shkallet e stadiumit. Kryeministri Edi Rama ka vizituar kombëtaren në Durrës, aty ku është grumbulluar për përgatitjet për ndeshjen me Serbinë në rrugën drejt Europianit dhe për imazhin e një Shqipërie Europiane në shkallët e stadiumit. Përmes një video selfie të postuar në Facebook, kryeministri Rama shprehet “Mirëmbrëma nga foleja e ujqërve kuqezinj, ku jemi takuar, kemi folur dhe biseduar dhe ku dominon bindja se duhet një dinjitet dhe maturi e jashtëzakonshme në Elbasan Arena”. Ndërsa pas kryeministrit ka folur De Biazi “Ne jemi shqiptarë, ne jemi europianë”.
“Do të ketë dron 2”
Portali danez “ekstrabladet.dk” shkruan se në ndeshjen e 8 tetorit në “Elbasan Arena” do të ketë një “dron” të ri. Media në fjalë u referohet aty shqiptare dhe serbe, por ka një devijim, duke bërë tifo për Serbinë për të ndalur me çdo kusht Shqipërinë. Deri diku e natyrshme kjo, pasi fatet e kombëtares së tyre në “Euro 2016” varet jo pak edhe nga gabimi i ekipit përfaqësues shqiptar.
Vinë të masakruar
Pas Lazar Markoviç, Filip Kostiç, Nemanja Maksimoviç dhe Dushan Bastas, Serbia rrezikon të mos ketë edhe mesfushorin e Çelsit, Nemanja Matiç dhe talentin e Partizanit të Beogradit Andrija Zivkoviç. Kombëtarja shqiptare kështu ka marrë lajme të mira për ndeshjes me Serbinë pasi mysafirët kanë një numër të madh të lojtarëve të dëmtuar.
Vokrri-serbëve: Përgatituni për festë
Fadil Vokrri, ish-futbollisti kosovar i Partizanit të Beogradit në vitet ’80, për gazetën e përditshme serbe “Novosti”, është shprehur kështu para sfidës mes Shqipërisë dhe Serbisë. “Unë nuk do të komentoj mbi atë që ka ndodhur në Beograd vitin e kaluar. Ka vendime të UEFA-s dhe të Gjykatës Sportive të Lozanës për këtë çështje. Me aq sa jam i informuar, Federata Shqiptare e Futbollit dhe organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, ndaj gjithçka po shkon sipas planit. Ajo ndeshje duhet të jetë një festë sportive, një festival sportiv,” ka deklaruar Vokrri, duke vënë në dukje se në të kaluarën, në media dhe në publik, ndeshjes që do të luhet të enjten në Elbasan i është bërë publicitet negativ.
Hysaj: Serbia? Si gjithë të tjerat
Elseid Hysaj është i bindur se Shqipëria do të kualifikohet në Francë dhe kualifikimi do të kalojë nga Serbia. “Unë si të gjithë lojtarët i njohim futbollistët serbë, pasi ata nuk janë lojtarë të thjeshtë, por luajnë në ekipet më të mëdha në Europë. Janë një skuadër shumë e fort, ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe t’i mbulojmë sa më shumë që të mundemi, për të mos u lënë shumë mundësi. Parashikime për ndeshjen nuk kam, pasi aty mund të ndodhë gjithçka dhe nuk mund të parashikohet. Është një ndeshje si të gjitha që kemi luajtur deri më tani. Serbia nuk ka asgjë më tepër se Portugalia apo Armenia.
Po përgatitemi si çdo ndeshje, po analizojmë si në çdo ndeshje mundësitë që mund të krijojë Serbia, në mënyrë që të jemi në gjendje ti ndalojmë. Presion nuk ka. Njerëzit mund të thonë çdo gjë nga jashtë, por ata nuk e kuptojnë sa rëndësi ka ndeshje si ne që jemi pjesë e ekipit. Kështu që thjesht jemi duke u stërvitur dhe duke u përgatitur për ndeshjen pa presion. Nuk kemi bërë llogari, sepse ndeshjet i marrim me radhë dhe nuk mendojmë për sfidat e ardhshme. Sa më shpejt ta mbyllim grupin aq më mirë është, kështu që shpresojmë të luajmë mirë dhe të fitojmë”, është shprehur Hysaj.
Tomoviç: Shqiptarët do të na provokojnë
Nenad Tomoviç është i bindur se 20 minutat e para vendosin takimin Shqipëri-Serbi. “Jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe nëse e marrim maksimumin në këtë ndeshje, nuk do të jetë problem. Ka plot lojtarë shqiptarë që luajnë në Serie A, por nuk luajnë rol të rëndësishëm. I kam përcjellë pas ndeshjes së Beogradit, e kemi bërë një analizë të detajuar kur jemi mbledhur me trajnerin Çurciç. Presim provokime nga ana e lojtarëve të tyre, njëjtë siç kanë bërë edhe në ndeshjen e Beogradit. Ata do të mundohen të na provokojnë edhe jashtë fushës, nuk duhet të reagojmë”, vazhdoi Tomoviç.
Stojkoviç: Frikë? Aspak
“Të tilla ndeshje duhet ti luash me qetësi dhe mençuri. E dimë që futbollistët e kombëtares shqiptare janë shumë të motivuar për këtë sfidë, por ne kemi detyrimin por kombin serb dhe për tifozët tanë të luajmë një ndeshje të mirë dhe të synojmë fitoren. Puna jonë do të jetë e vështirë pasi në Shqipëri mbizotëron një atmosferë e madhe për këtë sfidë. Kushtet e sigurisë? Unë nuk kam frikë, vëmendja jonë është e gjitha te fusha e lojës ku do të kemi si objektiv kryesor të japim më të mirën tonë”.
Milivojeviç: Nuk shkojmë për luftë
Futbollisti i përfaqësueses së Serbisë, Luka Milivojeviç, beson që skuadra e tij është shumë më e mirë se Shqipëria. “Ne nuk kemi nevojë për të menduar rreth tensionit dhe gjërave tjera, sepse kjo është një ndeshje si çdo tjetër. Ne po shkojmë për të luajtur futboll, nuk po shkojmë në luftë. Unë jam i bindur se ne jemi më të mirë se Shqipëria. Në 20 minutat e para mund të zgjidhen shumë punë. Ne e duam shumë fitoren, triumfin ndaj shqiptarëve e duam më shumë se çdo gjë tjetër”, shtoi futbollisti i Olimpiakosit.
Mitroviç: Do ta bëja sërish Beogradin
Stefan Mitroviç, ai që kapi flamurin në Serbi pranon se do të bëjë sërish të njëjtin veprim. “Jam i lumtur që kthehem në Kombëtare. Sa i përket dronit, shumë herë e kam thënë se do ta bëja të njëjtën gjë. Nuk kam pasur ndonjë problem pas atij rasti, edhe pse kam luajtur më shqiptarë në të njëjtin klub. Nuk do të duhej të kishte asnjë problem në Shqipëri. Federata e tyre do të mundohet ta organizojë një ndeshje futbollit dhe që gjithçka të shkojë si duhet”, deklaroi Mitroviç. Olsi Avdiaj
Komentet