Kombëtarja e Shqipërisë e Christian Panuccit ishte superiore ndaj Kombëtares italiane të Gian Piero Ventura-s.
Moçali politik në shtetin amë dhe trojet shqiptare mbyt çdo lloj adrenaline, sepse sistemi i përçudnuar mbështetet në keqpërdorimin e pushtetit. Diktatura e padrejtësisë të bën pasiv kur është një amalgamë me diktaturën e varfërisë.
E gjithë shoqëria shqiptare është si uji i ndenjur pa pikë entusiazmi nën trysninë e demagogëve të rrjeteve sociale që ofrojnë modelin pa të ndenjura, veç për të reklamuar vetveten.
Me këto mendime nisa ta shoh ndeshjen Shqipëri-Itali tek Loro Boriçi, duke paragjykuar një faliment të rradhës, kur kisha parasysh ndeshjen e parë ku lojtarët tanë luanin si inferiorë dhe në çoroditje të plotë.
Me këtë presentiment dhe pothuaj pavemendje, më tepër për të bërë shoqëri, u shtrova ndejtur me sytë nga ekrani i vogël po mendjen tjetërkund.
Por kjo pavëmendje, indiferencë, paragjykim zgjati fare pak dhe për çudi, djemtë kuq e zi më zgjuan, ashtu sikur po zgjonin adrenalinën e fjetur tek tifozët. Kjo adrenalinë më përfshiu edhe mua të zhgënjyerën. Sikur m’u hapën sytë nga një seancë hipnoze apo gjumi letragjik. M’u kthye entusiazmi, jois de vivre. Djemtë tanë po i sfidonin azzurrët, i kishin vënë përpara, nuk ishin më inferiorë, të qullët, përkundrazi, ishin përtej të barabartëve me ata që janë 4 herë Kampionët e Botës. Deri në minutën e 73 kur shënoi Antonio Candreva, kuq e zinjtë ua kishin futur azzurreve këmbët në një këpucë. Edhe pas fitores së golit të Italisë nga një italian me prejardhje arbëresho-shqiptare, kuq e zinjtë i vunë në pozitë shumë të vështirë azzurrët.
Lojë të tillë të kuq e zinjve nuk kisha parë as në ndeshjet më të mira kur trajnonte De Biasi. Kur luftohej për fitore duke shfrytëzuar këmbët, forcën dhe potencialin fizik, por jo talentin për të interpretuar, me klas dhe elegancë e për të bërë spektakël me topin sikur bëri kombëtarja shqiptare në ndeshjen e kthimit me Italinë. Këtë lojë befasuese, kuq e zinjtë ia dedikojnë Christian Panuccit. Ky dimension i kuq e zinjve i zbuluar nga Panucci do të jetë edhe çelësi i së ardhmes së Kombëtares të Shqipërisë. Me këtë çelës kuq e zinjtë bëhen të pamposhtur!
Është e vërtetë se Gianni de Biasi i zbuloi shqiptarët, por Christian Panucci bëri që kuq e zinjtë të zbulonin veten dhe talentin e tyre, duke e luajtur lojën me pasion, si qejf për të fituar dhe pa stress, lodhje e stërmundim.
De Biasi zbuloi tek Kombëtarja Shqiptare këmbët e shpejta, pathosin patriotik, ndërsa Panucci zbuloi inteligjencën, zemrën dhe shpirtin e kuq e zinjve. Kjo është formula e suksesit. Kjo e bëri Kombëtaren e Shqipërisë të Panuccit të ishte superiore ndaj Kombëtares italiane të Gian Piero Ventura-s.
Nëse kjo arritje e Christian Panuccit do të mirëkuptohet me mirënjohje dhe koshiencë nga kuq e zinjtë dhe Federata, e sigurt se kuq e zinjtë do të jenë surpriza e Europianit 2020.
Komentet