Pasi lexoi letrën e lamtumirës nga drejtimi i përfaqësueses shqiptare, trajneri De Biazi iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në konferencën e zhvilluar sot. Mallëngjim, por edhe batuta shoqëruan këtë bashkëbisedim që filloi me fjalët “për mua dje ishit më shumë” të thëna nga italiani.
Pse ndryshoi sjellja e tij nga dje dhe sot, cili është De Biazi i vërtetë?
“Jam binjak, kam personalitet të dyfishtë”.
A i erdhi ndonjë ofertë dje që e shtyu të ndërronte mendje
“Dje nuk kisha folur me presidentin, u takuam, edhe pse e dinte prej kohësh qëndrimin tim”.
Përse gjithë ky ndryshim në këtë moment
“E kam thënë se mendoj se unë e kam përfunduar detyrën këtu. Presidenti është kundër, por unë nuk ndjej se kam më për të dhënë, mund të arrij edhe deri në fund të kualifikimeve por do të ishte humbje kohe.
Dua të mbaroj këtu, se kam arritur edhe përtej funksioneve normale. Një trajner pastaj, pas një kohe të gjatë, bëhet i lodhshëm, nuk kanë më kuptim edhe gjërat e mira që thotë. Mendoj se është momenti i duhur, pasi janë dy ndeshje pastaj ku mund të bëhen pikë.
Në varësi të rezultatit të Spanjës, mund të luash pastaj ndaj Italisë ndeshjen e fundit në një mënyrë të caktuar. Ndaj mund të arrihet vendi i tretë që mendoj se është maksimumi që mund të arrihet në këtë grup”.
A mendon se kjo skuadër nuk mund të japë më asgjë nga trajneri
“Nuk do të thotë asgjë, se është një cikël që brenda meje mbyllet. Përkundrazi, kjo është skuadër që mund të vazhdojë. Unë nuk mendoj se mund të nxjerr më, por mendoj se një tjetër mund të nxjerrë përgjigje më interesante nga këta djem”.
Pse e cilëson cikël të mbyllur
“Unë marr rastin e Modenas që e ngjita nga C në A dhe e shpëtova e më pas u largova se nuk arrija më shumë. Kjo është e njëjta gjë që i ndodhi Kontes, e trajnerëve të tjerë që rrinë për një periudhë dhe ikin. Pastaj është Ferguson, që janë të tjerët që punojnë dhe ai thjesht çon në fushë lojtarët. Janë largime natyrore, o ndryshon plotësisht ekipin ose duhet të ndryshosh trajnerin”.
Si u vendos largimi?
“Kam thënë se dje nuk kisha një vendim të tillë edhe pse presidenti ishte i ndërgjegjësuar se do të ndaheshim në fund të kualifikueseve. Dje, ndërsa flitnim para ca pjatave fantastike dhe detit në Durrës, më erdhi në mendje një zgjidhje e ndryshme dhe e vlerësuam.
Ka sens të qëndroj nëse mund të arrijmë të parët a të dytët, këtu mund të diskutohet. Por meqë distanca me ta është e ndjeshme, mendova se duhej bërë një hap mbrapa për t’i dhënë një mundësi për të zgjedhur një person më të mirë. Është një zgjedhje që e kam bërë në të mirë të Federatës siç kam bërë dhe siç do të bëj në të ardhmen”.
Marrëdhënia me Dukën
“Me presidentin kam një raport të shkëlqyer, që nuk më ka krijuar asnjë lloj problemi. Pas ndeshjeve sigurisht ka ndonjë opinion ndryshe. Nga ana tjetër, mendoj se kemi pasur një raport korrekt, serioz dhe të prirur ndaj rritjes, është në interesin e përbashkët”.
Nëse do të ishte në vend të Dukës a do të ngulmonte për të rinovuar?
“Jo do isha aq i bezdisur ta shihja gjithmonë ndër këmbë sa do i jepja një shkelm prapanicës”
A ka ndonjë ekip tjetër
“Sa ta kem e them. Më jepni një dorë, më ndihmoni të gjej ekip”.
Po nëse i vjen ofertë nga Kosova?
“Çfarë t’i them president? (kthehet nga Duka). Duhet të konsultohem me menaxherin”.
Shqipëria nga sot mbetet pa trajner, Xhani De Biazi jep dorëheqjen
Trajneri Xhani De Biazi ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares shqiptare të futbollit. Pas njoftimit të djeshëm se nuk do të rinovonte kontratën në fund të edicionit, sot italiani ka dalë në një konferencë për shtyp bashkë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, duke bërë me dije mbylljen e bashkëpunimit që në këtë moment.
“Përshëndetje, kjo është një fletë e eksperiencës sime në Shqipëri që nuk do doja asnjëherë të shkruaja. Kam menduar dhe medituar gjatë dhe ju them se nga sot nuk jam më trajneri i kombëtares sonë.
Ndalem këtu sepse dua të mendoj për të mirën dhe rritjen e skuadrës. Mendoj se e kam bërë detyrën që më ka lejuar mua të nxjerr nga ky ekip më të mirën”, lexoi De Biazi në letrën e tij të dorëheqjes.
Përkthyer dhe përshtatur nga Panorama Sport Online
Komentet