voal.ch – David Hosaflook, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime Protestante, Doktor i Filozofisë dhe Historisë në Universitetin e Tiranës dhe përkthyesi në anglisht i Rrethimit të Shkodrës të Marin Barletit i shkruan Joe dhe Shirley DioGuardi për gabimin në pllakën e Bob Dole vendosur në Prishtinë.
Të dashur Joe dhe Shirley, më vjen keq që dëgjova për këtë version të pasaktë të historisë.
Nuk e kuptoj. Roli i Joe DioGuardit nuk duhet të harrohet kurrë. Injoranca nuk është ndoshta arsyeja kryesore për këtë moskorrektësi, por nuk mendoj se mund ta nënvlerësoni injorancën si një faktor, veçanërisht në mesin e masave. Herën tjetër kur të jem në Prishtinë, do të flas me dy miq historianë, formimin e të cilëve e respektoj, për të kërkuar mendimet e tyre rreth këtij fenomeni.
Ndoshta është më e lehtë të duash një figurë më të largët dhe të papërfshirë (Dole) sesa dikë si Joe që është shqiptar dhe nuk heziton t’i denoncojë veprimet e dëmshme. Ndonjëherë “një profet nuk nderohet në vendin e tij”.
Kjo është si fëmijët e prindërve të divorcuar që fillimisht preferojnë babanë e tyre (i cili viziton një herë në muaj dhe i çon në Disneyworld) më shumë sesa mamanë e tyre beqare (e cila i mëson dhe i edukon për jetën dhe të hanë perimet çdo natë).
Por ndërsa fëmijët rriten dhe lindin fëmijët e tyre, ata zakonisht arrijnë të kuptojnë se cili prind ishte më me ndikim dhe më i rëndësishëm në edukimin e tyre.
Besoj se me kalimin e kohës, historia do ta korrigjojë këtë, e çliruar nga interesat politike. Dokumentet kryesore janë sigurisht mbizotëruese dhe unë supozoj se ju keni përfunduar projektin tuaj të arkivimit për korrespondencën si dhe videoklipet.
Si një shënim anësor, pyes veten se kush po e shkruan biografinë e kongresistit DioGuardi?/voal.ch
Komentet