Daut Gumenit i shprehën mirënjohjen si pentagon vlerash dhe dinjiteti në Bibliotekën e Universitetit, krahas të tjerëve edhe emra si prof. dr. Fatos Klosi, prof. dr. Bardhosh Gaçe, prof. as. Monika Hasani, dr. Alta Azizi-Haluci, diplomati dhe publicisti Dritan Hila, studiuesit Mihal Kalia, Ahmet Demaj e Petrit Brokaj, dr. Asime Feraj, ish-kryeredaktor i Radio – Kukësit Zaim Basha, poetët e shkrimtarët e qytetit Enrieta Sina, Eqerem Canaj, Anila Toto, Laureta Petoshati, Rudina Papajani, Zamira Agalliu, Namik Jahaj, Pajtim Xhelo, Lola Mecaj, Luto Memokondaj, Lulëzime Malaj, Fatbardha Amzaj, Alma Sinan Feruni, patjetër poetja Lela Qejvani, që përveç fjalës së saj, lexoi përshëndetjen e Mësueses së Gjuhës shqipe dhe letërsisë Lejla Gorishti, së cilës i urojmë shërim të shpejtë. Nuk mund të mos përmendim emrin e aktorit Leka Selta, bashkëshorti i poetes sonë Rudina Papajani, që recitoi poezinë e autorit të Ditës së Sotme, si një aktore e vërtetë!
URIMI: Mirupafshim në veprimtari të tjera!
DËSHIRA: Ndoshta, “Ditë më të mirë paskëtaj vinë”…
MESAZHI: Që një ditë, edhe ne të bëjmë një diskutim libri. Na bën mirë për shëndetin tonë letrar.
Sot Vlora, nëpërmjet Universitetit “Ismail Qemali”, Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Departamentit të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Labëria” – Nderi i Kombit, Dega Vlorë dhe me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” ka bujarinë të presë dhe, po aq, mundësinë për t’i shprehur mirënjohjen zotërisë Daut Mehmet Gumeni, këtij burri tipologjik Labërie, ezhdërha, që e do Vlorën, po aq sa vendlindjen e tij, Gusmarin.
Një duartrokitje për Daut Gumenin, këtë pentagon vlerash dhe dinjiteti, si njeri, si mësues, si shkrimtar, si përkthyes dhe si diplomat.
Që njeriu të meritojë mirënjohjen e tjetrit, mendoj se duhet të futet në zemrën e tij, t’ja rrëmbejë, ta bëjë fisnikërisht për vete, me thjeshtësi, me dashuri, pa u mburrur, me dritë shpirti, me buzëqeshje syri, me lule fjale. Sikurse shumë të tjerë, Dauti i mishëron këto cilësi humane
Që mësuesi të meritojë nderimin e nxënësve, mendoj se duhet të futet në botën e tyre, të flas me gjuhën e tyre si më i madh për t’i mësuar dhe edukuar, falë aftësive arsimore, pedagogjike dhe psikoogjike, duke i trajtuar nxënësit si fëmijët e tij. Edhe pse punoi nja gjashtë vjet në arsim, Dauti ishte prind i dytë për ta, një dritan i dijes, si vijues i pishtarëve të diturisë.
Që të bëhesh shkrimtar i dashur për lexuesin, gjykoj se duhet të futesh në lëkurën e personazhit, ndoshta vlen të jesh një antropolog i kulturës sociale për kulturën e popujve të tjerë, dhe një etnolog a folklorist i visareve shpirtërore të gurrës popullore dhe të kulturës materiale të të gjitha krahinave etnografike që rrok pena shkrimore. Falë talentit, ndershmërisë artistike, identitetit dhe intergritetit krijues, në hapësirë të lirë dhe mbyllur në qeli, fatmirësisht, falë dhe mundësisë së punës si dilpomat në Slloveni, Janinë e gjetkë, Daut Gumeni, për mendimin tim, është ndër shkrimtarët më të dashur dhe popullorë.
Ndër shkrimtarët shqiptarë, të rrallë janë ata që arsimin e lartë e kanë nga fusha të tjera të shkencës dhe dijes. Kujtojmë me nderim Fatos Arapin tonë, Doktor i Shkencave Ekonomike; ndërkohë kemi Fatos Kongolin për Matematikë, Daut Dumenin për Matematikë – Fizikë e ndonjë tjetër që na ka dhuruar letërsi të mirë.
Jo vetëm se ka punuar ca vjet në arsim, por nga që ai ishte gatuar për të qenë mësues dhe nxënës gjithë jetën ka thurur një nga poezitë më të rralla që një ish – nxënës bën për mësuesin a pedagogun e tij. E kam lexuar disa herë poezinë “Profesorit të matematikës Kristaq Fundo”, një vjershë përkushtuese aq mirënjohëse, altruiste dhe me merak për dritën e brezave, ku ndër të tjera shkruan:
“…Dhe na le prapa mallin për njeriun
Na le mallin për qiejt e pafund të dijes”
(shihni “Rënga e gurit”: Poezi; Tiranë: Dituria, 2023, f. 97-98)
Po ashtu, ndryshe nga shumë autorë të tjerë në vendin tonë, Daut Gumeni është Poet i Këngës. Ai vërtet bën poezi moderne dhe të pëlqyeshme, por, së pari është poet i rrënjës, i burimit, i shtratit, i gurrës popullore të ngritur në art, është autor i poezisë që këngëzohet aq ritmikisht e harmonishëm me traditën. Dauti thur ca vargje të mira fare, me një melodi shumë të bukur zanore. Në vëllimin poetik “Puset me yje”, (Tiranë, Publicita, 2011, f. 58) është një vjersha “Jonuz Ahmeti me halle (si do ta qante mëma ime gjyshin e saj)”. Ajo i kushtohet kryeplakut historik të Progonatit, është ndërtuar me 11 strofa 2 vargjëshe me 8 – rrokshin tonë tradicional, me rima të puthura, ku vargjet rimojnë dy e nga dy, sipas skemës AA BB:
“Ranë yjet tok me borë
Të ndenjën mbi varr kurorë!”….
Po aty, në fletën në krahë vjen poezia moderne me trup e kostum të ri, që rri bukur, se e bukur është në mendim, në ndjenjë, në figuracion dhe mesazhe: “E morët vesh?” (po aty, f. 59)
E morët vesh?
Na paska mbetur një natë pa gjumë
Europa jonë e re!
Një natë të tërë të ftohtë e të gjatë
Europa jonë mbrëmë
E paska dirë zgjaur në Strasburg
Për t’u thënë më në fund:
Flini të qetë!
Më parë vrasësve
Më pas të vrarëve!…
Kjo poezi është thurur në Janinë, më 26 Janar 2006, kohë kur autori ka qenë Konsull i Përgjithshëmi Shqipërisë në Janinë. Po, fatkeqësisht, vërejmë se kjo poezi ende është aktuale për situatën e trembshme dhe të turpshme me Kosovën përsëri sot.
Poezitë e Dautit unë i shijoj, ose duke i lexuar në qetësi dhe me vëmendje, ose duke i kënduar labçe, ashtu siç më vete kënga! Ca më pëlqejnë aq shumë, saqë them: A, ta kisha bërë unë këtë!…
Daut Gumeni nuk është poet akuariumi; ai është poet i jetës së gjallë, i historisë, i ndodhive, personazheve më tipikë në bëma, është ëndërrimtar i hapësirave të lira me këmbë në tokë në vijim të Udhëtimit të Dinjitetit Njerëzor. As sa ndihet i tronditur nga gjëma si ajo e ’97-ës, po aq krenar ndihet me bilbilenjtë, me “Taren e Xhafer Gumenë/ që vanë e … në këngë u kthenë”, e po aq ballëlart është me Gusmarin – Shqipërinë e tij të vogël me halle të rënda si brengat/ me plagë të thella si honet, me ëndrra të bukura si yjet, me shpresa të prera si pyjet…
E shpreha pakëz, por ju nuk e dini se sa shumë e do Dauti Vlorën. Ndoshta sa Gusmarin, ku i bëri koka “dënk”. Nuk e do vetëm kur është mirë, por sidomos kur është keq, bëhet bir i vërtet i saj: “Kur këndon Vlora vajet e nënave” (“Puset me yje”, f. 63):
Vdekja
Si një lëneshë e përdalë
Nuk u ndahet trimave.
Vdekja i tremebt vetëm nënave,
Kur këndon Vlora vajet e nënave
Mbi varret e reja
Dita e Fëmijëve
1 Qershori me këmbë të plumta
I tremb fëmijët
Në Sheshin e Flamurit!
(Sot, a kemi Shesh Flamuri?!)
Kur vajin e thekur të nënave
Mbi varret e reja
E ktheu Vlora në këngë
E mban frrymën deti
E lotët e rëndë të burrit…
A nuk është një pikturë poetike e autorit poezia lirike për Vlorën “Perëndim Dielli në Gjirin e Vlorës”, ku thur ca vargje si:
“Përtej në ngushticën e Sazanit…
Atje ku deti përpiqet t’i shuajë zjarrin qiellit,
atje ku dielli përpiqet t’i vërë zjarrin detit…”
(“Rënga e gurit”, f. 69)
Dikur përdorej një shprehje: “I thjeshtë si e vërteta”. Mësuesi, shkrimtari, përkthyesi, eseisti, publicisti dhe diplomati Daut Gumeni është fisnikërisht më i thjeshtë se e vërteta, sepse ky pentagon vlerash është “qartësi dinjiteti”, siç shprehet Ben Andoni (gazetari dhe përkthyesi Baftjar Luzati). Ka vlonjatë që e njohin herët Daut Gumenin, si Ahmet Demaj, por unë e kam njohur pas viteve, ’90, kur bëmë me prof. Bardhosh Gaçen dhe miq të kulturës e letërsisë përurimin e njërit prej librave poetikë të tij të fillimit me titullin aq antonimik “Kënga e zezakut të bardhë” e në vijim deri tek “Shënime nga Shtëpia e Partisë…”.
Daut Gumeni me rrënjë Gusmari, me identitet labi, pandelisotiras i shkëlqyer, mësuesi i Matematikës dhe Fizikës, ravijëzoi profilin e tij rebel e poet ëndërrimtar, i pakënaqur e i trishtuar, i vrullshëm e stoik, si gërxh Labërie, por me këmbë në tokë, qysh në vitet 1960 si poet antikonformist, i padëshiruar për skematizmin e kohës.
Si pjesë e së tërës, Labëria etnografike dhe folklorike është thesar i paçmuar i kulturës popullore të kombit shqiptar. Si pjesë e së tërës, Labëria gjuhësore dhe letrare është një filigran i artë në veprën madhore të leksikografisë.
Si pjesë e së tërës të Letërsisë shqipe, me emrin e tij, ai natyrshëm paraqitet: Unë jam Daut Gumeni. Kam lindur në Gusmar…dhe, herë vazhdon rrëfimin në vargje, herë vazhdon ligjërimin e lirë në prozë.
Në çdo poezi a poemë të tij është ai. Në çdo tregim, novelë apo roman, po ai. Edhe në përkthimet që ka bërë, ka përzgjedhur ata autorë që i përshtaten karakterit të tij, mësimeve dhe mesazheve që do të përcjellë tek lexuesi. Në poezinë e tij, dallon stili i ndryshëm nga të tjerët, sepse është vetvetja, lab i dallueshëm që përtej, ka ritmet, e harmonitë që pëlqen dhe shprehin temperamentin e personalitetin origjinal të Dautit, jo thjesht nga metaforat, ritmin e fjalës, tingullin e fjalëve, por me përmbajtjen, atë ide, motiv, vlerë a shqetësim njerëzor që dëshiron të shpreh nëpërmjet shkrimtarisë së tij, si e thotë atë ç’do të japë dhe si e përcjell tek ne.
Fjala vjen, poema “Rënga e gurit”, si temë ekzistenciale a kujtese sociale nuk është risi, por ku qëndron gjetja? Është fjala poetike që ai na e sjell me mjeshtëri artistike, tek na shkakton ekfekt artistik. Duke nisur si një rrëfim epik i bariut plak, pothuaj homerik, na shfaqet sinteza e urtësisë popullore nëpërmjet gurgullimës së kulluar të vargut, ku rrëfimtarin e ka ngjitur sipër tek stani, atje në lokalitetin e tij malor, të lodhur, të dhembur, të nëmur, të dërmuar nga mallkimet, të rënduar nga rënkimet, por që nuk e këmben, sikur botën t’i falin. Poema ka një strukturë poetike shumë të veçantë, krejtësisht origjinale, që merr natyrë përgjithësuese, sepse autori nëpërmjet vargjeve të lira dhe figurave stilistike ka vizatuar peizazhin jetësor të shqiptarit. Pa rënë në moralizim, ai, si një usta i mençur dhe i mirë i vargut për mirëqenie të jetës, na dhuron edhe një tufë me lule edukative, që arrijnë deri në lartësinë e fjalëve të urta. Ja se si shprehet në pesë vargje:
“Nuk shuhet dot uria
Duke kërkuar në të shuar
Sënduqe me flori!…
Sënduqet mbushen me argjendin
E djersës së ballit…”
(shihni “Rënga e gurit”, f. 83)
Tek “Rënga e gurit”, na shfaqet një ylber epiko – lirik në vargje, që i ka të shtata ngjyrat e jetës njerëzore, aty shohim gëzimin, hidhërimëin, besën, djersën, pabesinë, mërgatën e luleve dhe shpresën e rikthimit tek nëna.
Është një dhembje e brendshme gati mitike, ku rënkon vendi e tundet dheu, se bubullin nga honet shpirtit një aaah sëmbues, një ëëëh kozmik që të thyen vargmalet e kraharorit me atë rëngë gulçesh malli, me atë rëngë të rëndë mali në “Dërrasën Vulëkuqe/ njëzet e shtatë sënduqe”, ku “shkëmbi gjysmë shkulur dridhej si gjethe” (po aty, f. 84). Rënga e gurit është rënkimi i halleve dhe derteve, i shpirtit poetik dhe njerëzor të Daut Gumenit, mirësisht shumë përmasor. Ai është guri, ai është mali.
Një guximtar i penës, një shkrimtar – shkrimartë, po nuk shkroi poezi për vendlindjen, mund të jetë gjigand në fusha të tjera, çfarëdo mund të jetë, dashamirës i vendlindjes, ndoshta dhe hero i saj, por jo, s’ka se si të quhet poet i vendlindjes i standardit Daut Gumeni. Një poemth si “Gusmari” (e gjeni tek vëllimi “Puset me yje”, f. 25-27) i jep dinjitet çdo poeti, i bën nder çdo antologjie.
Daut Gumeni është një personazh qytetar dhe atdhetar i njohur, i pranueshëm, i dashur, me angazhime publike të dobishme, me një zë mendimi kthjelltësisht të veçantë, një shkrimtar shqiptar me kulturë artistike dhe koncepte estetike bukurisht të qarta …
Duke qenë se, Lajtmotivi i jetës dhe i krijimtarisë së tij artistike është vargu poetik “Më shumë se liria, skllav s’ më ka njeri!” Gaut Gumeni, është në vijë të parë të luftës për liri, si armik për vdekje i luftës për pushtet. Ai i njeh mirë, di t’i mbajë dhe na këshillon mirësisht, edhe nëpërmje vargut raportet njerëzore me lirinë dhe të vërtetën.
Ky burri i ashpër, Labi epik Daut Gumeni, fytyrërrahur si faqe mali, që duket se është i paepur e duket sikur është mbijetojë e gjallë nga legjendat e Mujit e Halilit. Dhe ashtu është. Por ka raste, dhe janë jo pak, që ky të mek me vargjet e tij, të bën qash si fëmijë, saqë dhe fryma loton , tek shkruan me ngashërim e ligjëron me vaje burri: “Kur vinte nëna e qante/ dridheshin malet…”. Tek po i shqiptoj këto dy vargje, më rrëqethet trupi. Çdo koment që mund t’i bëjmë poezisë së Daut Gumenit, është i pafuqishëm ndaj limfës së jetës së dinjitetshme, që mbush hapësirat poetike, sepse e merr përpara stuhia e metaforave dhe figurave të tjera stilistike, sa të bukura, aq të papritura dhe burimore e autorit. Ai është i bekuar si i mirë e stoik nga urata e mëmës, që dhe në dhembjen e ngjitjes në qiell si “flutur e bardhë drite” (Rënga e gurit”, f. 78)të motrës së vetme, asaj Dadje, që “dhimbjet ia dëftonte vetëm ugarit të shkrifur” (po aty, f. 76), të tregohet një trim i bukur.
Pa u zgjatur më tej, ka ca dialektizma tonat, që godasin me të parën. Ja, fjala vjen. “Rënga e gurit”. Ee, themi ne, e miratojmë, e pëlqejmë, e përdorim, e përhapim: e bukur, shumë e bukur, e përdorim ne është jona. Po, jona është, metaforë plot lezete e këtyre viseve me derte. Këtyre hënave, e njohim si tonën një shprehje të tillë si “rënga e gurit”. Po kush e tha i pari, kush qe ai zotëri që e mori i pari në vallen poetike, kush qe dollibashi? Qe ai që është sot me ne dhe na nderon me pjesëmarrjen e tij fisnikërisht burrërore, na dëgjon, na vëzhgon, dhe, mbase nuk lëshon ndonjë rëngë trishtimi për ndonjë gabim që mund të bëjmë nga sinqeriteti dhe mirësia. Është ai që i ka lezet gurgullima e fjalës së kulluar labërore: Daut Gumeni.
Po…nuk është keq t’i thërrasim kujtesës për tre “krimet e rënda” të Mësuesit të ri ëndrrabukur: tentativa për arratisje, agjitacioni e propaganda dhe sidomos dy fletoret me poezi, që i dhanë peshqesh 23 vjet burg. Dhe megjithatë, tek ky burrë Labërie nuk ndihet mllefi rrënues, sepse në karakterin e tij feks kthelltësia e mendimit dhe qartësia e dinjitetit. Së pari ai është njeri i lirë, mësues dhe poet i identitetit, në vargjete etë cilit. “sa bukur shqipton shqipja, kur shqiptohen vetëm fjalë të bukura, të ëmbla dhe me mesazhe të larta. Vëreni si shprehet autori nga shtëpia e partisë, qelive të Burrelit: “Edhe yjet janë si flutura në kuti”…
Të rrëqeth përshkrimi i autorit mbi mërinë dhe breshërin e egër që e ka përjetuar nga shpirtshiturit e pusive të errta të pisave tanë dhe na e rrëfen me aq vërtetësi, saqë ne na dhemb leximi, sidomos kur vizaton peizazhet njerëzorë, jo pak herë duke përdorur edhe ngjyra të forta autoironie, saqë na prek e turbullon.
Gjatë kërkimit specifik në katalogun online të Bibliotekës Kombëtare, kemi gjetur 155 regjistrime bibliografike artikuj dhe libra, nga të cilat në 27 njësi bibliografike, Daut Gumeni shfaqet si autor në 13 njësi (poezi, tregime, novela, publicistikë, ese, kujtime dhe autobiografi) si përkthyes në 9 dhe si redaktor aop përgatitës për botim në 5 njësi bibliografike. Po ashtu, është 1 libër kushtuar Atij me rastin e 75 vjetorit të lindjes, si dhe 1 titull tjetër kushtuar leksikografisë së autorit në veprën “Shënime nga Shkolla e Partisë…”
Në këtë rrafsh, ndihmesa e tij shfaqet në disa fusha:
I. Poezi:
1. “Legjendë Lirie”, 1993;
2. “Kënga e zezakut të bardhë”, 1994;
3. “Vallja e etjes”, 1997;
4. “Udha e ëndrrës”, 1998;
5. “Puset me yje”, 2011;
6. “Rënga e gurit”, 2023.
II. Prozë:
1. “Mulliri i harruar: përmbledhje me tregime”, 2007
2. “Sa larg është Danimarka!”: ese, 2011
3. “Qershia e egër”, 2018
III. Përkthime:
1. “Udha drejt skllavërisë: një paralajmërim klasik ndaj rrezikut që përbën për lirinë planifikimi social”, 2003/ nga autori tjetër austriak Friedrich von Hayek (1899-1992), studiues i shkencave politike dhe shtetit, i sociologjisë politike, ekonomist, filozof i politikës dhe psikolog austriako-britanik, i njohur me inicialet F.A. Hayek;
2. “Ngritja dhe rënia e Rajhut të Tretë: një histori e Gjermanisë naziste”, [vëll. 2], 2004/ nga autori William Lawrence Shirer, historian, gazetar dhe korrespondent amerikan lufte (1904-1993): vështrim historik mbi Gjermaninë e viteve hitleriane, Luftën e Dytë Botërore, 1939-1945, historian, gazetar dhe korrespondent amerikan lufte mbi fashizmin, politikën dhe qeverisjen e Adolf Hitlerit (bashkëpërkthyes me Abdulla Sollakun);
3. “Refleksione për Revolucionin francez dhe shkrime të tjera”, kolana e filozofisë dhe e shkencave politike, Edmund Burke, 2007, ku trajtohet Franca dhe Anglia në rrafshin e historisë, revolucionit, 1789, kolonializmit, konservatorizmit dhe shkencave politike;
4. “Në kërkim të kuptimit të jetës” e autorit austriak Viktor E. Frankl, 2007;
Thotë një fjalë e vjetër: “Ngjan miqësia, pra bëhet”. E kam fjalën tek vëmendja e përqëndruar tipologjike dhe puna e thelluar shkencore, që i Ftuari ynë i Nderit për Tetorin e Letërsisë, kulturologu Daut Gumeni ka bërë përkthimin, rishikimin dhe përditësimin e autorit Viktor Emil Frankl nga letërsia austriake, jo vetëm në rrafshin e eseje në fushën e vështrirë të psikoanalizës, por patjetër edhe si një studim biografik mbi autorin që shqyrton. Viktor Emil Frankli (1905-1997) ishte një psikiatër austriak që i mbijetoi Holokaustit. Ai themeloi logoterapinë, një shkencë psikoterapie që përshkruan kërkimin për kuptimin e jetës si forcën kryesore motivuese njerëzore. Logoterapia është pjesë e teorive të psikologjisë ekzistenciale dhe humaniste. Jam i bindur, që teksa unë shprehem, ju hiqni paralele midis filozofit austriak dhe shkrimtarit shqiptar, përsa u përket përbashkimeve karakteriale në idealet e lirisë dhe mesazhet humane të qëndrimit dhe veprës së tyre. Në fakt, ekzistecializmi, edhe sipas Sartrit, është humanizëm;
5. “Mbrëmje në pyjet me borë”: poezi të zgjedhura botërore, 2007;
6. “Si veprohet në një projekt kërkimor: udhëzime për studiuesit e rinj në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe shkencave juridike”: Judith Bell; 2008, ku trajtohen fusha si: kërkime shkencore, metodologjia, udhëzues, doracakë etj., tit . i origj.: “Doing your research project”. – Bibliogr.: f. 297-308;
7. “Bari”, poezi nga letërsia botërore, 2014;
8. “Një përvijim i filozofisë: elementet bazë të filozofisë”: Bertrand Russell, 2015; ku rrok fusha mbi logjikën dhe filozofinë angleze; tit . i origj.: “My philosophical development”.
9. “Fjalimet që ndryshuan botën”, 2016, përkthim me temë nga historia, njerëz të shquar dhe kultura, fjalime, ligjërata etj., me parathënie nga Simon Sebag Montefiore. – Tit. i origj.: “Speeches that changed the world”
IV. Publicistikë. Kujtime
1. “Tranzicion apo trashëgimi: publicistikë”, 2011, ku trajton tema nga sociologjia dhe politika shqiptare, probleme sociale, analiza ndërshoqërore dhe të politikës së brendshme në periudhën e tranzicionit demokratik 1993-2010, politikën dhe qeverisjen,
2. “Shënime nga Shtëpia e Partisë: Pesë tablo që mund të shihen dhe si një roman…”, 2012
3. “Ku jemi e ku vemi”, 2013, ku rrok tema nga letërsia shqipe, shkrime, korrespondenca për shtypin, pamflete, intervista, polemika, mbi politikën e brendshme, politika dhe qeverisja.
V. Humanizmi
Në fakt, këtu nuk ka, se nuk mund të ketë statistikë, sepse ato burojnë si prej krojeve të malit nga zemra dhe shpirti i këtij fisniku me identitet dhe integritet në shoqëri. Njerëzillëku, humanizmi deri në altruizëm, dashuria për jetën, për njeriun, për vendlindjen e vogël, për vendlindjen e madhe, për vlerat tradicionale dhe cilësitë qytetare e mbushin botën e tij të gjerë me dinjitet intelektual të çmuar.
Shkurt, qytetari Daut Gumeni të detyron ta dëgjosh, si njeri, si mësues, si poet, si prozator, si përkthyes, si eseist, si publicist, si redaktor, si veprimtar, si këngëtar, si banor sa i Gusmarit, Tepelenës, Vlorës e Tiranës, po aq si qytetar i botës.
Si tip, Dauti i përket racës antibeluliste, duk është nga ata që flasin për vete, nuk thotë kurrë ai : “Doni më për Belulin”…
Unë, me shumë vëretësi, dëshirë dhe krenari poetike për mikun e lartë të Dritës poetike dhe njerëzore, po ju drejtohem: Doni më për Dautin, se e meriton!… kam shumë e shumë për të shprehur, por Biblioteka është e të gjithëve, kultura, poezia e libri është i të gjithëve. Edhe Dauti nuk është vetëm imi, është i të gjithëve… Le t’i falim mirësi njëri-tjetrit!
FALEMINDERIT!
*) Drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë