(…qe shpallur i “pafajshëm” sepse njëkohësisht qe shpallur i “çmendur” – zyrtarisht i çmendur por ja që dhe një të çmenduri ndodhë i akordohen çmimet letrare prestigjioze : )
Në jetë gjërat shpesh janë të lidhura, aksioni-reaksioni sikur rrinë “lidhur” me njëri-tjetrin, s’e kemi idene si… por sikur këtë përshtypje kemi. Ashtu-kështu jeta e njeriut (derisa nuk “këputet”) na duket se është diç si udhëtim i cili patjeter se do kompletohet, meqë secili udhëtim patjeter e ka kuptimin e vet. Sepse as jeta s’është e pakuptimtë, nëse t’ishte e tillë atëherë pra i bie mozomokeq, jo pra… s’ka kuptim t’jetë e pakuptimtë. Në rregull, ndonjëherë ndodhë nisemi për në “askund” ashtu kot, thuase kemi nevojë për një sorollatje kot, jo si lunatiket-jermatikët që ecin në gjumë… jemi të vetëdijshem me sytë kokërr, thjesht s’na duhet destinacion. Ecejaket e njeriut s’janë ndonje aventurë e “fragmentarizuar”, kauzaliteti s’është ndonjë “pulë e pakokë”, përkundrazi sikur ka prirjen të përplotësohet, të kompletohet.
Anise duhet të përputhen 1001 faktorë (ka dhe të tillë faktorë që ne s’dimë si t’i quajmë ndryshe por u kemi vënë emra të përgjithshëm si “rastësi”, “koinçidenca”, “mrekulli”, “paprituri” e të ngjashme). Kuptohet se duhet të përputhen rrethanat – ia themi shkurt. Duhet të piqen konditat optimale, nevojiten ambicjet, hartat, qëllimet, parashikimet, planet, nevojiten shtytësit e “jashtëm” etj. etj.
Psh. në emër të dashurisë ndaj diçkaje njeriu mund të bëjë shumçka, lloj-lloj eksperimentesh, madje dhe lloj-lloj “marrëzirash”. Anise nuk i dimë “rezultatet” e eksperimenteve, s’e kemi idenë as të parapritjeve, por ia fillojmë dhe vazhdojmë merremi me to (prandaj dhe quhen “eksperimente”, s’i dimë as rrjedhojat as pasojat e tyre : ) Provat dhe eksperimentet tona (nxitur, stimuluar nga dashuria) herë dështojnë, herë justifikohen, herë vazhdojnë, herë përparojnë, avancohen, herë ngelin në gjysmë, herë përfundimisht realizohen etj.
***
Njihet “trio-lidhja e dashurisë së Ezra Pound me Hilda Doolittle dhe + me një mikeshen e saj (Marianne Moore, pasi Doolittle ishte biseksuale). Ezra Pound madje e pati shpikur “imagizmin” për t’i publikuar poezitë e miqve. Imagjino, e kishte “pushkë” me H.D. s’ka si mohohet dashuria (Hilda Doolittle pothuaj sikur gjithmone i përdorte vetëm inicialet, vetëm H.D.).
Vetë, tani në kohën tonë, sa e sa vite pas Ezra Pund, sikur s’do dija si publikohen as vetë vjershat e mia, pa le poezitë e ndokujt tjetër. Sa për shpikjen e termave enkas për këtë qëllim dhe gjoja si “justifikim” për ta reklamuar gjenialitetin poetik të miqve, as që do m’shkonte mendja : )
Kontributi i veçantë i Ezra Pound në rrafshin letrar, në fushën e artit poetik, mbase fillon me shpalljen e tij të “imagizmit”. Imagizmi është supozuar t’jetë një stil a lëvizje poetike që teknikat dhe ca elemente i pati “huazuar” (ose adaptuar) nga poezia klasike kineze dhe japoneze. Imagizmi e thekson qartësinë, saktësinë dhe racionalitetin gjuhësor, poeti duhet ta “ekonomizojë” gjuhën skajshmërisht. Imagistët mëtonin t’u përmbahen tre parimeve, kryesisht: trajtimit të drejtpërdrejtë të temës, moslejimit të asnjë fjale që nuk ishte thelbësore për prezantimin poetik, dhe ndjekjes së frazës muzikore në vend të rregullsisë së rreptë të ritmikës poetike.
Në v. 1912 në Londër, Ezra Pound e shpalli veten dhe dy miqtë e vet, Richard Aldington dhe Hilda Doolittle, se ishin tre Imagistët Origjinalë (mikesha e tyre e përbashkët, Doolittle do martohej me Aldington). Pra, jo ekzaktësisht si Cima, Qumili dhe Leci, por e paten shpallur veten se ishin diç si “treshi-përsheshi” i Imagizmit poetik.
Bukur, pse jo, kahdo të rrotullohej ishin miqësitë, gjërat të “lidhura”, qoftë në Britani qoftë andej oqeanit, në Amerikë. Edhe Doolittle edhe Pound patën ardhur nga Amerika, por Pound veç ishte i rëndësishëm rreth publikimit të poezive të hershme të Aldington dhe të Doolittle. Poezitë e tyre do publikoheshin në revistën “Poetry” (atëbotë e redaktuar nga miku i Ezra Pound, Harriet Monroe, në Çikago – ku dhe sot e kësaj dite revista “Poetry” vazhdon, nën kujdesin e Poetry Foundation).
Mirëpo Ezra Pound me bujarinë e vet do bënte shumë dhe për miq të tjerë, jo vetëm për “treshen imagiste”, bujaria dhe dashamirësia për miqtë ishte e madhe. Sikur mirësia dhe të gjitha do i ktheheshin një ditë, në jetën e vet. Në jetë gjërat janë të “lidhura”, ose tekefundit është supozuar të jenë…
Në përgjithësi Pound konsiderohet si “përgjegjës” kryesor për përcaktimin dhe promovimin e “estetikës moderniste” në poezi. Pound qe bërë promotori kryesor i punës dhe i ideve mes krijuesve britanikë dhe atyre amerikanë të fillim-shek. XX. Qe bërë i famshëm për bujarinë me të cilën ai i dha shtytjen njohjes së krijimeve letrare të bashkëkohësve të vet, siç ishin psh. Robert Frost, James Joyce, Ernest Hemingway, W. C. Williams, W. B. Yeats, Marianne Moore, H. D. (Hilda Doolittle), dhe veçanërisht T. S. Eliot. Qe bërë diç si “shkëmbyes” i përvojës letrare-kulturore të këndej-dhe-andej oqeanit, kjo vetvetiu do shërbente si “katalizator” për avancimin kulturor-letraristik.
Më vonë Ezra Pound do ishte diç si “comrad” i Musolinit, pro-pagandist i Duçes, u fryente “radio-trumpetave” të tij, qe bërë reklamues i fashizmit. E megjithatë do i jepnin madje dhe çmim letrar. Imagjino, çfarë fati i madh, i bie se e pati ‘tradhtuar Amerikën’, qe bërë mik i fashistëve dhe prapë e shpërblenin me çmime prestigjioze!
Gjithsesi, të shkruaj në këtë mënyrë për Ezra Pound, do ishte thjesht “qasje e rreptë, gjykim i pakompromis nga unë vetë. S’jam duke demantuar gjë, e saktë se njeriu duhet objektivisht, por s’duhet shkruar kështu – vrazhdësia ime s’i pëlqen askujt. Për Ezra Pound duhet shkruar dhe duhet parë “mes gishtrinjsh” sadopak, duke u ngritur mbi “personalizmat” e duke i shoshitur vetëm gjeneralizmat : )
***
Në v. 1924 Ezra Pound qe zhvendosur në Itali. Ishte diç si “mërgim vullnetarisht”, s’e pati persekutuar kush, as përzënë as ndjekur. Gjatë kësaj periudhe të mërgimit vullnetar, Pound do përfshihej në politikën fashiste dhe nuk qe kthyer në ShBA deri në v. 1945. Dhe siç e dimë atëherë pati mbaruar dhe Lufta II Botërore, e dimë se dhe nazistët, edhe fashistët patën humbur. Trumpeton për aq gjatë me trumpetat e fashizmit, dhe pastaj të mbushet mendja të kthehesh në ShBA. Në rregull, pse jo. Qe kthyer në v. 1945, por do arrestohej me akuzën e tradhtisë dhe për radio-transmetimin e propagandës fashiste gjatë L. II Botërore.
Një vit më vonë, në v. 1946 Ezra Pound qe shpallur “i pafajshëm” (vetë shpalljen e pafajësisë së tij kurrë s’e kam kuptuar mirëfilli – mund të hamendësoj vetëm, siç do jetë i kuptueshëm hamendësimi sadopak, në fund të shkrimit). Vallë si mund t’ishte i “pafajshëm” kur troç e haptas me radio u fryente “trumpetave të Duçes”! Propaganda e tij në favor të fashizmit s’pati qenë për 1 muaj as për 1 vit, s’është se pati mbledhur mend dhe na qenkësh penduar, radio-paganda e tij pati vazhduar për vite me radhë!
Sidoqoftë, qe shpallur i “pafajshëm” sepse njëkohësisht qe shpallur i “çmendur”. Nëse të shpallin i “sëmurë mendor” dhe të izolojnë në institutin e “çmendurisë”, të mbyllin diku në një çmendinë, atëherë pakashumë dhe e qartë. Për të burgosurit e shëndetshëm mendorë, jo vetëm çmendinat reale por mbase dhe burgjet ordinere mund t’përjetohen si “spitale” : )
Më vonë, juria dhe influenca e “rrethit të miqve” (ku bënte pjesë dhe T. S. Eliot) vendosën ta anashkalojnë “karrierën politike” të Pound, vendosën ta “harrojnë simpatinë” e tij për fashizmin. Sepse ç’lidhje na paskan bindjet politike të ndokujt, krahasuar me njohjen e arritjeve poetike, krahasuar me vlerat universale të gjenialitetit letrar-artistik. Një gjykim kështusoj do ishte fare i justifikueshëm.
Zyrtarisht i çmendur, por dhe një të çmenduri i akordohen çmimet letrare, çmimet prestigjioze. Historia s’di të ketë ndodhur ndonjëherë, por ja që do ndodhte. Nëse seriozisht i shmangemi ironisë, i bie sikur ishte çmim letrar jo për “momentin” e çmendurisë, as për karrierën “fashistoide” si lajthitje, por ndoshta për karrierën jetësore letraristike. Ndoshta ishte diç si mirënjohje për gjithçka që Pound pati bërë për letërsinë britaniko-amerikane, duke shërbyer si “urë lidhëse” (siç e përmendëm më lart).
Thuhet se çmimin ia patën dhënë për krijimin “Cantos Pisan”, e qartë… motivacion-justifikim mjaft i qëlluar i jurisë : ) Dihet se për gati pesëdhjetë vitet e fundit të jetës, Ezra Pound qe përqendruar rreth poemës epike enciklopedike të cilën ai e pati titulluar “Cantos Pisan”. Bukur, të mirat që i ke bërë dikur me bujarinë tënde historia s’i harron. Miqtë nuk t’i falin gabimet, as lajthitjet, nuk të shpallin tradhtar as fajtor, të gjykojnë dhe thjesht të shpallin të çmendur.
Më pastaj ta akordojnë dhe ndonjë çmim madhor. S’është nevoja të pendohesh, ashtu-kështu çmenduria i justifikon të gjitha. Por sëpaku të kesh për çfarë të “reflektosh” gjatë viteve të fundit sa gjallon.