Historia e shkurtër e tri dekadave të fundit e dëshmon se askush nuk e donë Kosovën më tepër sesa mërgimtarët, por askush më shumë sesa mërgimtarët nuk është shfrytëzuar dhe përbuzur nga të gjitha partitë dhe politikanët e të gjitha llojeve e ngjyrave politike, pra, janë përdorur “mish për topa” të partive të dështuara politike, të cilat gjithnjë mërgimtarët i kanë konsideruar vetëm si numra gjatë fushatave zgjedhore për shtimin e votave, por jo edhe si qytetarë të barabartë, duke ju dhënë nganjëherë edhe epitete negative, erdhën apo shkuan gërrnaçat!
Thirrjet stereotipe të liderëve shtetëror për mërgatën
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me anë të një video-mesazheve të postuara në rrjetet sociale u janë drejtuar mërgimtarëve duke u thënë se ata janë shpirti i Kosovës, duke ju thënë se edhe këtu mund të bëhet mirë sikurse në vendet ku jetoni.
Nëse vjen puna që mërgimtarët të frymëzohen nga presidentja dhe kryeministri për ta vizituar vendlindjen, atëherë të pakët do të jenë ata mërgimtar që do ta vizitojnë vendlindjen gjatë ditëve të nxehta verore, e aq më pak të investojnë në vendin me sigurinë zero për investime!
Lidhjet e mërgatës me vendlindjen në radhë të parë janë familjare dhe gjenetike, e jo të motivuara nga qeverisja e “mirë” e politikanëve cilët do qofshin ata, që i bie se bujaria dhe përkushtimi i mërgatës për të mbajtur të fortë lidhjen me atdheun nuk janë sezonale por të përhershme, sikurse që është i pashterrshëm malli dhe dashuria e mërgimtarëve për atdheun e tyre.
Mjafton për të shkëputur nga një rresht të deklaratave të liderëve shtetëror, për të kuptuar me çfarë naiviteti dhe hipokrizie i trajtojnë bashkatdhetarët e tyre që jetojnë largë atdheut.
Vjosa Osmani: “Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës”.
Albin Kurti: “Do të shihni se si edhe këtu mund të bëhet mirë sikur në vendet ku jetoni”.
Mërgimtarët nuk kanë nevojë për lëmosh, por për trajtim dinjitoz
Nuk është edhe aq punë e lehtë për t’i bindur mërgimtarët për t’u kthyer për të jetuar në atdheun e tyre. Nuk mjafton një video mesazh dhe as një spektakël televiziv, por janë një varg i gjatë i kushteve që duhet t’i plotësojë qeveria në radhë të parë për qytetarët, e në veçanti për mërgimtarët, duke filluar nga skema e sigurimeve shëndetëore e deri tek shërbimet cilësore në spitalet tona.
Ngase, për një komplikim të vogël shëndetësor, lidhjet kriminale në spitalet tona i detyrojnë pacientët të përfundojnë në spitale private brenda e jashtë vendit pa asnjë arsye, siq i ndodhi një mikut tim nga mërgata, të cilit i rekomanduan vënjen e stendave pa pasur fare nevojë!
Mërgimtarët vetëm pas përfundimit të pushimeve dhe kthimit në vendet ku jetojnë e kuptojnë të vërtetën e mashtrimit që ju bëhet nga qeveria, në veçanti në QKUK-në laboratorin e ekzaminimit të sëmundjeve që kërkojnë shërim në spitalet private në vend dhe jashtë tij!
Pa heqjen e skemave kriminale në spitale, nuk ka kthim të besimit të mërgimtarëve për kthim në vendlindje.
Mërgimtarët nuk është që i motivon lëmosha e qeverisë me policen e sigurimeve (prej 20 eurove) e automjeteve dhe as video-mesazhet e varfëra të liderëve shtetërorë për të ardhur në vendlindje. Por, është dashuria e madhe për atdheun që i bën mërgimtarët të kalojnë kolonat e gjata të pritjes në kufij, të cilëve aq shpejt u ikin ditët në vapën e madhe dhe diellin përcëllues në Dardani.
Mërgimtarët kanë nevojë për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që i trajton ata në mënyrë të dinjitetshme, që i mbron shtëpitë e tyre, jo vetëm nga hajdutët ordinerë, por edhe që i liron nga tatimi në pronë për shtëpitë e ndërtuara pas lufte, të cilat, të shumtën e kohës janë të pashfrytëzueshme.
Që nga periudha e luftës dhe ajo e pasluftës, të gjitha qeveritë e “hodhën grepin” tek mërgimtarët. Kush më pak e kush tjetër më shumë të gjithë i plaçkitën pamëshirshëm mërgimtarët duke filluar nga Fondi 3 përqindërshit, “Vendlindja Thërret” e deri tek fondet e Albin Kurtit, të cilat po ngarendin njëri pas tjetrit, siq janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi Sovran” dhe “Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë llogaridhënje! Askush përveq Albin Kurtit nuk e di sa miliona janë grumbulluar, sa janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet financiare të mërgatës të derdhura në fondet e sipërpermendura!