Koncert u mbajt në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare
Dhurata Lazo një prej emrave më të respektuar të pianizmit shqiptar, është prezente pareshtur në skenën koncertale të Tiranës, Prishtinës por atë e gjejmë prezente edhe në podiumet ndërkombëtare, qoftë me recitale, qoftë si soliste me Orkestra të ndryshme apo në koncertet e shumta që ajo mban në duo me bashkëshortin e saj Zija Bejleri, saksofonist i shkëlqyeshëm. Që në paraqitjet e para të saj, ajo fuqishëm ka hyrë në skenën muzikore shqiptare si talente e jashtëzakonshme. Nuk është e rastësishme fakti që kompozitori Çesk Zadeja në vitin1989 i dedikon Dhuratës, atëherë si pianiste fare e re, veprën “Improvizim, Prelud dhe Toccata”, premierën e së cilës pikërisht ajo e realizon po atë vit. Aktivitetet e saj vazhdojnë për 19 vite në Itali e në decenien e fundit edhe në Gjermani ku aktualisht jeton. Vetëm në vitin e fundit Dhuratën e gjejmë prezente në podiumet e Sofjes, në Strazburgut etj. Ajo ka tërhequr vemendjen qysh në paraqitjet e para të saja në festivalet tona, para më shumë se dhjetë vjetësh. Ende e kemi te freskët prezentimet e saja shumë të sukseshme me Filharmoninë e Kosovës, me Koncertet e Shopenit e të Shostakoviqit.
Dhuratën e kam njohur për herë të parë dy-trembëshjetë vite më parë kur ajo më është drejtuar me lutje që të propozoj një vepër të cilën ajo do ta luante bashkë me violinistin Klaidi Sahatçi në koncertin e tyre në Prishtinë dhe që e njejta vepër do të jnë një CD, që kjo duo Sahatçi-Lazo ishin duke e përgaditur për botim. Unë i propozova asaj “Fantazinë in Si” dhe si alternativë tjetër ‘Rondon’ nga Sonata ime violinistike e shkruar qysh në rininë time. Më vonë, në disa raste e kam dëgjuar dhe gjithmonë më bënte përshtypje interpretimi i saj rafinuar dhe angazhimi gjithmonë të njerrë nga vepra më të mirën.
Kujdesi i saj për popullarizimin e muzikës shqiptare është i vazhdueshëm. Në recitalet e saj gjenden gjithmonë veprat e kompozitorëve Tonin Harapit, Çesk Zadejës, Feim Ibrahimit, Albert Paparisto etj. Në vazhdën e këtij orientim duhet parë edhe botimin e CD-së “ ” bashkë me violinistin Klaidi Sahatçi – emrin eminent të artit interpretativ shqiptar (Koncert-mjeshër i parë i Orketrës Skala të Milanos dikur, e në vitet e fundit edhe violina e parë e Orkestrës Tonhale të Cyrihut), me vepra të shquara violinistike shqiptare, si të P. Gacit, A. Paparistos, Ç. Zadejës, N. Zoraqit, F. Ibrahimit, R. Rudit, Th. Simakut dhe E. Rushitit. Këtë CD, të realizuar në Zvicër – teknikisht deri në perfeksion – e konsideroj se një prej publikimeve më cilësore dhe më serioze të krijimtarisë shqiptare në promovimin e saj në botë. Madje, mendoj se violinistët e ri në Prishtinë e në Tiranë, duhet ta kenë si referencë të obligueshme kur bëhet fjalë për krijimtarinë violinistike shqiptare.
Sihanën e përcjelli që nga fëmijëria e saj e hershme në rrugëtimin. Për të, për artin e saj, publiku kosovar i din po thuaj se të gjitha. Ajo, në fakt, në ambientin tonë është bërë sinonim i violinës. Sigurisht me plot meritë. Sihana është emri i rrallë në jetën tonë muzikore, me të cilin gjatë tërë këtyre viteve kam pasur bashkëpunim të ngusht dhe shumë përmbajtësor. Si fëmijë njëmbëdhjetëvjeçare, ajo e realizoj një ‘Rondo’ timen. Sot, kur e dëgjoj video – regjistrimin e ruajtur të interpretimit të kësaj vepre, çuditem me talentin e jashtëzakonshëm që ka treguar qysh si njëmbëdhjetëvjeçare dhe guximin që ka pasur që të luan një vepër jo dhe aq të lehtë. Si shtatëmbëdhjetëvjeçare arrin ta regjistroj (në një konkurencë e talentëve nga gjithë bota), Konzervatorin në Bashkimin Sovjetik, ndoshta shkolla më prestigjioze violinistike në planetë në atë kohë. Atje qëndroi për tetë vite me rradhë. Përkundër ofertave të ndryshme për të vazhduar karierën artistike jashtë, ajo u kthye në Kosovë. Filloi punën pedagogjike , krijoi kuadrot e para te ne. Dhe, si rezultat i këtij angazhimi, të gjithë violinistët, antarë të Filharmonisë, kaluan nëpër shkollën e saj.
Bashkëpunimi me Sihanën do të vazhdoj pandërprerë për disa decenie. Frut I këtij bashkëpunim, unë do t’i kompozoj dy vepra të dedikuara pikërisht asaj: në vitin 1996 kompozoj veprën me emërtim sinjifikativ ‘Fantasia in SI’ (SIhana) dhe tjetrën 26 vite më vonë ‘Concert fantasy’ për Violinë e Kor, vëpër të cilën bashkarisht e realizuam në tre muajt e kaluar, më parë në Prishtinë, pastaj në Tiranë dhe së fundi javën e kaluar në Romë, gjatë turneut që pati këto ditë Kori i Filharmonisë në Itali.
̈ ̈ ̈
Dhurata Lazo dhe Sihana Badivuku janë sot në Prishtinë për një ngjarje tepër të veçant, ato sot do të mbajnë një koncert tematik, të emërtuar “Nënat për fëmijët e tyre autik“. Do të luajnë veprat e L.v. Beethoven, C. Frank, R. Rudi, R. Shqedrin
Dy ditë më parë këto dy artistet tona me renome i pamë, që të dyjat në marshimin e qytetarëve të Prishtinës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. Ato kishin dalë të tregojnë humanitetin e tyre dhe, siç thot Dhurata, të “sfidojnë autizmin”- me dashuri, ashtu siç vetëm nënat mund të bëjnë.
Ndoshta humanizmin dhe shpirtin e artisteve tona të jashtëzakonshme më së miri e reflektojnë fjalët e Dhuratës Lazos, që rastësisht unë i gjeta në Internet. Ato më ‘tronditën’ me butësinë që vetëm NËNA mund t’i drejtohet fëmiut të vet:
“Claudio im mbushi 30 vjeç. 30 vjet plot ngjarje, një pjesë e mirë e rëndësishme e jetës. Sa herë u rrëzuam së bashku po sa herë u ngritëm së bashku. Nuk patëm biseda të gjata por ne komunikuam me botën tonë shpirtërore, me ndjenjat me shikimet me përkujdesjen për njëri-tjetrin. Sa shumë ka për të rrëfyer, por di që ne shohim qiellin me yjet e shndritshëm, ne shijojmë natyrën që ka ende për të zbuluar detaje të reja, ne duam kafshët…oh kafshët, insektet, zogjtë që ti dëshiroje libra pa fund dhe i pikturoje aq bukur me bojra uji…Ne edhe mund të rrëzohemi përsëri por prapë do të ngrihemi sepse te Familja jonë mbizotëron: DASHURIA! U rrita me ty dhe bëra detyrën sublime të nënës, por mësova aq shumë nga ty, ëngjëlli im që kurrë nuk the: jo! Ne e sfidojmë Autizmin!
Shoh sytë e tu të bukur si dy oqeane të pafund dhe nuk mbytemi në një pikë uji mjerimi… Ti je perla ime, kreativiteti im, tingulli im sekret, ti je (në rininë time të herëshme e përdornim këtë frazë) BOTA!
U bëfsh shekullor!”
Dhurata dhe Claudio
Me Dhurata Lazon e kompozitoren Eriona Rushiti
Sihana, Dhurata dhe ARTI
R.Rudi, Prishtinë, 4/4/2024