Me këtë titull doli në Rumani romani i Visarit, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”.
I marr ndër duar botimet e tij, shqip, italisht, rumanisht…i shfletoj, janë mjaft të mirë, me kopertina të forta, me piktura të gjetura…
Botimi italisht “Il visionario alato e la donna proibita” ka përkthyes Profesor Elio Miracco-n, nga e mori për ta sjellë në rumanisht znj. Catalina Franco, poliglote dhe Dr. Luan
Topçiu e krahasoi me origjinalin shqip. Sipas kritikëve, përkthimet e kanë ruajtur mirë poetikën e prozës së Visarit.
Ky roman, me tituj të ndryshëm në gjuhë të ndryshme, më ka tronditur, sa herë e marr ndër duar. Ka një forcë sugjestionuese, një dashuri tragjike, një realitet ku kalohen kufijtë, jo më ato më të thjeshtët midis shteteve, por dhe të kohëve, të jetës dhe të vdekjes.
Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri dhe në Itali, është një rendje drejt Europës, por dhe së pamundurës, me kthime e retrospektiva të zymta, absurdi i diktaturës dhe një e ardhme e kërcënuar, por dhe drita marramendëse e dashurisë. Protagonistët e romanit Feliks Kondi dhe Ana Marku të duket sikur i ke njohur dhe vetë, i do, të dhimbsen, madje të duket sikur jo vetëm ke marrë prej tyre, por dhe ata kanë marrë prej nesh.
Kush i pengoi? Realiteti? Koha? Shoqëria? Vdekja? Të gjithë bashkë… Feliksi haluçinant, kërkon më në fund si askush më parë, madje dhe në botë, të hedhë në gjyq atdheun të gjithë për mbrapshtitë dhe krimet kundër dashurisë, jetës…
Megjithatë dashuria është më e fortë se vdekja, vazhdon përtej çdo tragjedie, na kumton romani.
Unë e mbaj mend kur e shkruante Visari, çohej dhe në 3 të natës, punonte deri në orën 10 ose 11 të paradites, lumturia e krijimit përzjehej me vuajtjen, gjatë shëtitjeve të pasdites e bisedonim, djali ishte 9 vjeç atëhere, por dhe ai merrte pjesë, sa u gëzua kur diçka që ai tha, u fut në roman, edhe unë ndihmoja, besoj dhe kam ndikuar. Dhe vinte prapë ora 3 e natës, Visari shkonte në kompjuter, në një tjetër realitet, kur ngrihesha dhe unë për në punë, e shikoja të përhumbur, madje u sëmur dhe fizikisht vërtet prej romanit. Por ai u bë. E botoi “Omsca-1” në Tiranë. Lexuesi dhe kritika e priti mirë, dolën recensa në median në Shqipëri e Kosovë e në diasporë, kur çuditërisht juria e konkursit që organizon Ministria e Kulturës për çmimet letrare vjetore, në vitin 2005 që i takonte ta marrte në shqyrtim, e la mënjanë, ndërsa romani, kur do të dilte në Itali, do të kishte një pritje tjetër, aq sa dhe gazeta më e madhe “Corriere della sera” do të kishte shkrim shumë vlerësues. Befasuese, kur së fundmi një kritik arti italian, S. B. njohës i letrave shqipe të botuara në vendin e tij, tha se pikërisht nga ky roman ndonjë autor tjetër me njohje, ka marrë skena e këndvështrime. Është roman që lexohet me një frymë, madje ta merr frymën, thoshte një poete e re shqiptare, sepse edhe së fundmi ka patur recensa të rinjsh, po dhe është trajtuar në punime universitare doktoraturash, etj.
Në Rumani u përurua së fundmi në Teatrin Kombëtar të qytetit Craiova, folën shkrimtarë e kritikë arti, një aktor i teatrit recitoi pjesë të romanit, Visari u intervistua nga televizioni, mua më dhanë një buqetë me lule, ndërsa gazetarë të Bukureshtit i kanë drejtuar pyetje Visarit për gazetat letrare.
Shumë pyetje dhe shumë përgjigje i ka vetë ky roman, për të shkuarën dhe të ardhmen, sa emocion dhe dramacitet, një realitet romanor, të ashpër dhe magjik, një himn dashurie…
Dhe nisa rileximin. E sata herë është? Gjithmonë më duket si i pari. Është roman i flatrave…
Eda Zhiti