“Dashurohu në shpirtrat, jo në fytyrat” – thoshte një citat që e pashë (ishte diç si citat-grafikë, me germa të hijshme). Padyshim, ashtu në stilin e vet sugjerues, thënia aludonte që t’nisemi siç i duam dhe zogjtë, nuk bazohemi në “fytyrat” e tyre. I duam si “shpirtra”, pa kushte as kondita, i duam jokushtimisht (jo vetëm sepse këndojnë ëmbël, jo vetëm për cicërimat, por dhe sepse ashtu ndiejmë, pa na shtyrë kush).
Nëse të niseshim nga “fytyrat”, ashtu mbase s’do i dallonim kurrë. Psh. bëji bashkë gjithë harabelat e Gërmisë, gjithë bilbilat Tiranës, gjithë trumcakët e Amazonës, do na dukeshin të “njëjtë”, s’do kishte asnjë përjashtim, s’do dinim cili na qenkesh cili, sepse pakashumë të gjithë njësoj janë. Nëse s’të “dhimbset” dashuria për ta, nëse i do, dashuria jote ndaj tyre patjetër do jetë shpirtërisht, ec e dalloji trumcakët në fytyrë : )
Sidoqoftë, kur është fjala për t’i dashur njerëzit, për t’u dashuruar në fytyrat njerëzore, për t’u dashuruar në shpirtrat e tyre, gjithçka është më komplekse. Ka njerëz që e kanë humbur “besimin” në dashuri, dashuria tashmë është vetëm një fjalë për ta. Sikur është “reduktuar” në një fjalë të fjalorit, si term i zbrazët, i ftohtë, pothuaj diç si term “teknik”.
E megjithatë njerëz të tjerë jo vetëm besojnë, por jetën pa dashuri s’mund ta marrin as me mend, sikur do çmendeshin pa dashurinë. Një kategori tjetër në favor të dashurisë, që ende i besojnë, thonë dashuria është diç si art (ose e njëjta gjë). Sipas tyre dashuria është art sepse është proces i gjetjes së vetes, i njohjes së vetes ndër gjërash që nuk je vetë ti (un-i yt unik, vetja, vetvetja).
Gjithsesi, dashuria kurrë s’është e garantuar, s’mund as të sigurohet as të garantohet. Përndryshe dhe për dashurinë do kishte aso kompani sigurimesh, herë do ishin Sigma e herë Omega, herë Insiga e herë Albsiga, herë Sigala e herë Delta Lloyd. Do bëheshin trilionerë ata shefat e kompanisë, s’do dinin ç’të bënin me trilionat, aq fitimprurëse do ishin sigurimet e dashurisë.
Mirëpo jo, për fat të keq dashuria s’ka as siguri as garanci. Pa le që ka dhe shumë “kontra-indikacione”, tepër shumë efekte anësore. E po ashtu, shpesh dasguria është aq jetëshkurtër, aq sa pothuaj më shumë u ngjanë efemerizmave. Ikën e zhduket thuase na ishte iluzion a ëndërr, assesi realitet.
Siç e thamë më lart, e lehtë me zogjtë, e lehtë nëse e kemi ndjesinë, e lehtë t’i duam harabelat. Por kur është fjala për njerëzit, për dashurinë e tyre, sakaq ia fillojnë kompleksieti dhe ngatërresat. Ndoshta do na ndihmonte këtu një thënie tjetër e cila thotë “e lehtë të dashurohesh, akoma më e lehtë të bësh dashuri, por ta takosh një shpirt që e bën shpirtin tënd të shkreptijë, kjo është diç e rrallë” : )
Le t’themi se e takuam një shpirt të tillë, patëm fatin dhe e takuam… dhe tani si ta dimë, si ta njohim një “shkreptimë”. Në çfarë të bazohemi, si të orientohemi shpirtërisht kur as shpirti dhe as “shkëndijat” nuk shihen. Ja pse as zemrat djaloshare, as zemrat e çupave fillestare, por as zemrat e vajzave universitare (gjoja këto me “përvojë”) kurrë s’e kanë garancinë, dhe dmth. as sigurinë.
Sepse fytyrat e bukura shpesh janë mashtrimtare, sepse aq e lehtë të biesh në “kurthin” e dashurisë, sepse akoma më e lehtë të bësh dashuri. Andaj dhe sugjerimi “dashurohu në shpirtrat, jo në fytyrat – tjetër se problemi gjithmonë ngelet aty ku dhe ishte, vallë si t’i njohim shpirtrat, si t’i njohim shkreptimat e mirëfillta, si t’u shmangemi xixave.
Dikur vonë kur t’jemi mbushur mend, kur “shkollën” dashurisë ta kemi paguar shtrenjtë, me kushedi sa dështime, me bohorritje, me derdhje lotësh e me zemërdhimbjen, atëherë dhe do dimë t’i njohim me shkreptima e me xixash fals. Por ç’e do, sikur s’ia vlen as mençuria tepër vonë, sikur asfare s’na ngushëllojnë dashuritë e pleqërisë. I shtyjmë dhe ca vite tutje kuturu dhe “brraaam” këputet diç, zemra na tradhton, ikim matanë të djegur shkrumb, me zemrën të oksiduar nga dhimbja e nostalgjia.
Sa për mospërmbushjen e konditave bazike estetike, si parakusht për “feksimin” e simpatisë, ndoshta s’ia vlen as të lodhemi me komentin këtu. Anise dhe kjo anë e ka të mirën e vet, sepse është një lloj “sigurese” për sigurimin e josuksesit, siguresë e garancisë për jo-dashurinë. As çupat fillestare por as vajzat me përvojë s’kanë frikë nga shëmtaraçët, s’u dridhet as buzë as qerpik sepse e dinë fort mirë, zemra rehat, i ka siguresat e veta, kurrë nuk gjunjëzohet, s’ka simpati për “antipatinë” : )
Ndonjëherë rrallë, tepër rrallë, më rrallë se në përrallat, dhe mund të ndodhin fenomenet e tilla si “beauty & the beast”. Nëse ndodhë ndonjë surprizë e tillë, nëse një bukuroshe dashurohet në ndonjë “bishë”, sakaq ia thuhet “epo… ka ndodhur sepse dashuria e verbër”.
Ndoshta “verbëria” e dashurisë as nuk ekziston, ndoshta thjesht diç si metaforë poetike. Apo ndoshta ishte këmbëngultësia e zemrës për t’parë me sytë e saj (dmth. duke i shpërfillur sytë e arsyes). Kjo dhe mund t’jetë, madje pothuaj tingëllon pakëz dhe “shkencërisht”, përveç se poetikisht.
Shkurt, meqë nuk i shohim shpirtrat, sa për tiparet “faciale të shëmtaraçve” strofullat ndjesore rehat, asgjë nuk tundohet. Natyrisht e ruajmë njerzillëkun, s’e ulim veten sa i përket kulturës, respekti për personat si “persona” dhe si donkishotër të vardisjes s’na lëkundet. As nuk përzihemi në “integritetin estetik” të askujt.
Thjesht interesi jonë ngelet indiferent, mospërfillës, i fjetur. Edhe çupat e gjimnazit, sikur dhe vajzat e universitetit mirë e dinë – i rregullojnë kufjet në veshë gjoja merren me muzikën. Ose lozin me figurinat hieroglifike të iPhone, pa u mërzitur. Për shëmtaraçët s’ia vlen të “shpenzohen” madje as shikimet. Le t’jenë shpirtflorinj… nëse janë, mirësejanë, por ja që ato s’kanë si ta dinë : )
[ ilustrimi ngjitur: Rafal Olbinski – “Labirint Dashurie” ]