Gjatë qëndrimit tim si ambasador në Itali (1988- 1992), feja do të ishte një fushë ku do të vrapoja drejt të panjohurës, duke shkelur në të gjitha skajet e saj, aq e gjerë dhe e larmishme, siç shtrihet ajo në Itali. Katolicizmi, feja e vetme e italianëve, shpalosej në formën e një ylberi me një spektër të madh ngjyrash në përmbajtje dhe në formë. Roma, qendra e kristianizmit katolik shfaqej përpara shqiptarëve si qendra e besimit fetar botëror, si mishërim i të gjitha besimeve fetare. Qëndrimi ndaj Papës apo Vatikanit nuk ishte çështje e diferencave midis një besimtari mysliman dhe katolik, apo e një ateisti dhe besimtari, por ishte një vijë demarkacioni midis dy regjimeve, që bazoheshin në dy sisteme të kundërta ideologjike.
Feja dhe besimi tek ajo nuk më kanë ngacmuar asnjëherë në formimin tim intelektual. Pavarësisht se i lindur dhe i rritur në një regjim ateist, qëndrimi ndaj fesë nuk më ka futur ndonjëherë në dilemë; ndoshta, kjo ka ardhur edhe nga prejardhja e familjes sime, me origjinë bektashiane, e cila siç dihet, kultivon disa tipare mjaft tokësore e humane në emër të fesë së saj, si dhe një kulturë liberale, të transparencës dhe tolerancës. Jam martuar me gruan time, Elvirën, që vjen nga një familje me origjinë ortodokse, pa e menduar se çfarë feje i përkiste.
Ndërkohë, tek feja, librat dhe ritet e ndryshme të saj, kam parë gjithnjë me admirim oazin e pafund të grumbullimit të filozofisë dhe eksperiencës së njerëzimit, traditat dhe kulturën e popujve që u përkasin feve të ndryshme. Rastësisht u ndodha në tri këndet e trekëndëshit, që përfaqësojnë tri qendrat më të rëndësishme të besimit fetar, të ndjeshme për hapësirat ku shtrihet populli dhe kombi ynë. Pata fatin e madh që mbas Romës si qendër e kristianizmit, mbas disa vitesh të transferohem në Izrael, një qendër tjetër e rëndësishme e besimit jude; dhe më pas në Turqi, si një qendër tjetër e besimit islamik. Takova dhe njoha nga afër përfaqësuesit më të lartë të këtyre besimeve dhe kërkoja me admirim dhe respekt të gjeja elementin që i bashkonte të gjithë: përkushtimin dhe devotshmërinë në shërbim të të tjerëve. Në shoqëritë e kultivuara prej tyre kërkoja të gjeja kodin e zhvillimit, elementët konvecionalë që mbajnë në këmbë kombet e zhvilluara, nëpërmjet punës dhe sakrificës, bindjes dhe disiplinës, besimit dhe fitores. Ishin elementë që kishin kohë që më mungonin.
I pari prift që takova në Romë ishte Padre Fortino. Padre Fortino ishte arbëresh, i besimit ortodoks. Kisha e tij, një nga më të vjetrat në Romë ishte bërë një pikë e rëndësishme e grumbullimit jo vetëm të arbëreshëve, por edhe të emigranteve të rinj shqiptarë të sapoardhur. Kisha e Padre Fortinos ishte kthyer edhe në një qendër të rëndësishme patriotike. Çdo vit, më 28 Nëntor, ai do të organizonte një meshë në gjuhën shqipe, me urime e bekime për Shqipërinë e pavarur. Padre Fortino më ftoi për herë të parë në një nga meshat e së dielës dhe unë vajta me kënaqësinë më të madhe. Pata rastin të takoj shumë italo-shqiptarë, të cilët shikonin me kënaqësi praninë e ambasadorit shqiptar në një rit fetar.
Më vonë do të më vinin disa ftesa nga zonat dhe fshatrat e shumtë arbëreshë nga Jugu i Italisë, ku unë do të shkoja pa hezitim. Mbas pritjes dhe takimit në bashki apo prefekturë, akti i dytë zyrtar do të ishte pjesëmarrja në meshën e kishës së tyre.
Një nga miqtë e ambasadës, profesori i vjetër arbëresh, drejtues i klubit kulturor arbëresh Gj.K. Skënderbeu, Giusepe Catapano, më përmendi për herë të parë emrin e Madre Tereza, një murgeshë me origjinë shqiptare, që kishte krijuar një nga komunitetet më të mëdha të shërbimit, nëpërmjet motrave të saj, në të gjithë botën. Më tha se ajo herë pas here kishte shprehur dëshirën për të shkuar edhe në Shqipëri, të cilin e konsideronte atdheun e saj. Nënë Tereza ndodhej në Kalkuta të Indisë, ku ishte edhe qendra e komunitetit të saj, por ajo udhëtonte shumë dhe herë pas here vinte edhe në Romë. I kërkova prof. Catapanos që të më krijonte mundësinë që të gjeja një mënyrë komunikimi me Nënë Terezën me dëshirën për ta takuar atë. Më rekomandoi një tjetër profesor të vjetër arbëresh, prof. Giuseppe del Gaudio, i cili banonte në qytetin e Crotones. Del Gaudio ishte profesor në Universitetin e Catanzaros dhe herë pas here shkonte edhe në Shqipëri, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, si dhe për të dhënë leksione në Universitetin e Tiranës.
Vendosa të shkoj për të takuar prof. Del Gaudio në Crotone. Qyteti i Crotones ndodhet në skajin më të largët të gadishullit Apenine, në pjesën e poshtme të çizmes dhe laget nga ujërat e Mesdheut. Është një nga zonat që është ndeshur gjithnjë në historinë e saj me dyndjet e vjetra të emigracionit nga gadishulli ballkanik dhe nga vise të tjera, që përpara emigrimeve mbas pushtimit otoman të Ballkanit.
Crotone ishte një qytet jo shumë i dëgjuar në Itali. Ndodhej në një zonë bujqësore të banuar kryesisht nga arbëreshë dhe italianë me origjinë të vjetër emigracioni. Por, në atë periudhë, Crotone ishte bërë mjaft i njohur jo vetëm në opinionin italian, por edhe atë ndërkombëtar. Shkak ishte bërë vendimi i marrë nga qeveria italiane për të ndërtuar në Crotone, në kuadrin e NATO-s, bazën e avionëve luftarakë F-16, e cila ishte refuzuar nga qeveria spanjolle, nën presionin e protestave popullore. Në shtypin italian shkruhej çdo ditë për protestat në mbarë vendin, kundër këtij transferimi të bazës ushtarake në territorin Italian, ndërsa vendet fqinje dhe ato të Mesdheut shprehnin shqetësimin e tyre për rrezikun që u kanosej.
Pikërisht në një atmosferë të tillë të nxehtë mora rrugën për në Crotone, mbi bazën e një ftese formale, që më kishte bërë kryetari i bashkisë së qytetit, Z. Giuseppe Vrenna, për të bërë një vizitë zyrtare dhe miqësore në zonën e banuar nga italo-shqiptarë. Për masa sigurie më kishin vënë edhe një eskortë policie, që më shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit.
Në Crotone mbërrita në orët e para të pasdites. Ishte muaji maj, 1989.
Si gjithmonë, kur shkoja në zonat arbëreshe, ceremonive të pritjes nuk i mungonte asgjë nga ato që përmbante protokolli për një kryetar shteti. Në darkën e shtruar me këtë rast ishte i ftuar edhe prof. Del Gaudio. I shpjegova atij qëllimin e ndërmarrjes së këtij udhëtimi. Ai nuk kishte ndonjë adresë apo numër telefoni në Kalkuta të Indisë, ku ndodhej nënë Tereza, por më premtoi se nëpërmjet një mikut të tij në Vatikan, do bënte të mundur t’i dërgonte nënë Terezës mesazhin tim.
Mbas disa ditësh, prof. Del Gaudio dhe miku i tij, një prift i ri që punonte në Vatikan në sektorin e komuniteteve fetare, më thonë se kishin folur me nënë Terezën dhe se ajo do të vinte në Romë mbas dy javësh. Me këtë rast do të gjenim mënyrën edhe për t’u takuar së bashku. Një telefonatë nga shtëpia e suorave në Romë më njoftoi se nënë Tereza ndodhej aty dhe kishte dëshirë të më takonte. U thashë se e pres menjëherë. E lamë takimin për ditën e nesërme, në orën 10 të paradites.
Nuk doja që iniciativa që kisha ndërmarrë të bëhej e njohur nga të tjerët përpara kohe. Kisha frikë se mos ndonjë ndërhyrje e parakohshme, me hedhjen e dyshimeve apo ndonjë provokim i mundshëm mund të bëhej shkak për të prishur gjithçka.
Nënë Tereza mbërriti në orën e caktuar me një makinë të vjetër dhe të vogël tip “Fiat”, me dy dyer. Nënë Tereza ishte një grua trupvogël, me tiparet karakteristike të një gruaje të fshatit shqiptar, në moshën 79-vjeçare. E shoqëronte një prej murgeshave të saj dhe një vajzë e re, që u paraqit si gazetare dhe që e shoqëronte nënë Terezën, mbasi po shkruante për jetën e saj. Pritja ime ishte shumë e ngrohtë dhe e çlirët. Kisha shtruar mbi tavolinën e vogël në dhomën e pritjes disa gjëra të lehta për qerasje. I ofrova diçka për të marrë, por ajo nuk pranoi të merrte gjë, me gjithë insistimin tim. Më tha se nuk mund të hajë diçka jashtë radhës, pasi kishte ngrënë një herë në mëngjes.
Me gjithë përpjekjet e mia për të nxitur ndonjë bisedë, nënë Tereza ishte fjalëpakët. Me pamjen e saj të përvuajtur, ajo miratonte në tërësi çdo gjë dhe vazhdimisht thoshte lutje dhe bekime. Bisedën e drejtonte më shumë gazetarja që e shoqëronte, Jean Mari. Nga biseda doli se Nënë Tereza kishte dëshirë që të shkonte në Shqipëri për të parë varrin e nënës dhe të motrës së saj, Age Bojaxhiu, të cilat ndodheshin në Tiranë. Ajo kishte pak njohuri mbi Shqipërinë, dinte se kishte një shtëpi të familjes së saj, por jo vendin se ku ndodhej dhe nëse ekzistonte akoma, dhe se nuk kishte ndonjë të afërm për të takuar.
Më tej, nënë Tereza u interesua për të ditur mbi ekzistencën dhe gjendjen e kishave në Shqipëri, se ku mund të falej ose për ndonjë prift që t’i kryente shërbimet fetare gjatë ditëve të vizitës. Gjatë udhëtimit, ajo dëshironte të qëndronte në ndonjë shtëpi, ose në ndonjë hotel të veçuar e pa bujë, të hante sipas një menuje të veçantë, në mënyrë sa më modeste dhe të veçuar nga të tjerët.
Lidhur me datën e vizitës, nënë Tereza nuk e kishte të përcaktuar qartë, pasi të nesërmen e priste një udhëtim i gjatë për në Afrikë, pastaj do të shkonte në Kalkuta dhe prej andej do të më shkruante për datën e saktë të nisjes. Fillimisht, ideja e tyre për të vajtur ishte rreth muajit nëntor të vitit 1989. Por, ajo më vonë avancoi dhe u bë shumë më shpejt.
Me nënë Terezën do të udhëtonin në këtë udhëtim të parë në atdheun e saj edhe disa murgesha dhe gazetarja Jean Mari, e cila më pyeti për modalitetet e vizave, mbasi donte të dinte se çfarë pasaporte duhet të paraqiste për marrjen e vizës së hyrjes në Shqipëri. Ajo ishte shtetase amerikane, por kishte pasaportë kanadeze dhe nëse ishte nevoja, mund të pajisej me pasaportë italiane. E qetësova gazetaren shumëkombëshe, që të mos shqetësohej, se po të dëshironte, mund ta pajisnim edhe me pasaportë shqiptare.
Përpara se të ndaheshim, iu luta edhe njëherë nënë Terezës për të marrë diçka nga ato që ishin mbi tavolinë. “Nuk mundem biri im, Zoti të bekoftë, jeta jonë është e njëjtë me ata që vuajnë… për sot kam ngrënë njëherë”, u përgjigj në formë lutje nëna. Nuk e di se ç’më hipi dhe doja që ajo të ëmbëlsohej patjetër me një nga luleshtrydhet që po i ofroja dhe i thashë: “Mirë atëherë, nëse ti nuk pranon një nga luleshtrydhet, që janë në tavolinë, është e kotë që ti të shkosh në Shqipëri”. Reagimi i saj qe i menjëhershëm. E morri luleshtrydhen dhe mbasi pëshpëriti disa lutje për t’i falur mëkatin e saj, e hëngri. Në duart e saja të sprovuara edhe nga puna fizike mbante vazhdimisht rozaren, shoqëruesen e lutjeve të saja. Një të tillë më dhuroi edhe mua. Është një dhuratë shumë e çmuar.
E përcolla nënë Terezën deri në oborrin e ambasadës, ku e priste “Fiat”-i i vogël me dy dyer. U ndamë me të me përqafime dhe me urimet e saj që nuk reshtnin, me mirënjohjen ndaj Zotit dhe bekimet e tij. Ajo u largua me hapat e saj të vogla, me trupin e përkulur nga mosha dhe vitet e gjata të një jete plot sakrifica, në shërbim të njerëzve më të vuajtur të botës. Ishte me të vërtetë një takim mbresëlënës.
Deri në ato momente, jo vetëm punonjësve të ambasadës, por as edhe në Tiranë nuk kisha dërguar ndonjë material mbi çka po bëja në takimet e mia me Nënë Terezën. Kisha dërguar vetëm një sinjal që Nënë Tereza kishte kërkuar të më takonte dhe kisha marrë miratimin. Marrja e miratimit për takim ishte mjaft domethënëse për mua, që të avancoja pa frikë, kur disa kohë më parë kjo gjë as që mund të çohej nëpër mend. Mbas gjithë këtyre hapave të hedhur, merrte një rëndësi të veçantë mënyra e përshkrimit të informacionit në Tiranë, argumentet që duheshin përdorur dhe mendimi i ambasadorit, mbasi ato shërbenin si bazë e rëndësishme për të bërë vendimmarrjen sa më të lehtë e më të shpejtë, por në radhë të parë pozitive.
Për fat, ato ditë ndodhej në Itali shkrimtari Ismail Kadare, me të cilin do të shkonim në Bolonja për promovimin e një prej librave të tij. I tregova Kadaresë shqetësimin tim. Ai dinte shumë për Nënë Terezën dhe bashkë me entuziazmin e tij, më dha disa këshilla të cilat i reflektova në informacionin tim. Në këtë informacion transmetova dëshirën e madhe që kishte shprehur Nënë Tereza për të puthur tokën shqiptare dhe se qëllimi kryesor në këtë vizitë ishte thjesht gjetja e varreve të familjarëve të saj; se, ajo përmendte me mburrje faktin që ishte nga Shqipëria; nuk ishte shprehur asnjëherë kundër politikës dhe sistemit në fuqi; kishte kontribuar në mbështetje të çështjes së Kosovës; dispononte shuma të mëdha financiare, që i jepte në shërbim të qendrave shëndetësore për fëmijë e pleq në të gjithë botën. Në fund, jepja edhe mendimin tim, se kërkesa e saj duhet pranuar, mbasi kishte karakter human dhe mospranimi mund të shkaktonte reagim negativ në opinionin përparimtar, aq më shumë që ishte një grua e moshuar dhe nuk dihej se ç’mund të ndodhte.
Ashtu siç pritej, përgjigja nuk vonoi të vinte. Në të, jo vetëm që miratohej vizita e Nënë Terezës në Shqipëri, por më thuhej mua që të nxisja ardhjen sa më parë.
Si pikë kontakti në fillimet e para shërbente Jean Mari. U lidha me të dhe e pyeta nëse kishin fiksuar datën e nisjes, duke i sugjeruar njëkohësisht se do ishte mirë që ta avanconin, pasi në vjeshtë në Shqipëri parashikoheshin aktivitete të tjera. Mbas disa telefonatash, u ra dakord që vizita të bëhej në korrik. Nënë Tereza e shoqëruar nga Jean Mari dhe motrat e saj u nisën nga Kalkuta për në Romë, nga ku të nesërmen do të niseshin për në Tiranë. U takuam përsëri në ambasadë. Në sytë e Nënë Terezës përzihej gëzimi dhe meditimi, ndërsa bekimet në pëshpëritjet e saj ishin mënyra e përhershme e komunikimit.
Kisha vendosur që të nesërmen ta shoqëroja e ta përcillja deri në aeroportin “Leonardo da Vinci” të Romës. Udhëtimet e Nënë Terezës bëheshin falas nga të gjitha linjat ajrore të botës. Gjatë kalimit nëpër korridoret e gjata të aeroportit, për herë të parë fillova të kuptoj rëndësinë e asaj që po ndërmerrja. Njerëzit, stjuardesat, pasagjerët hapnin rrugën, përuleshin deri në gjunjë; më kurajozët afroheshin t’i puthnin dorën, të bënin një fotografi me Nënë Terezën.
Mbas vizitës së parë në Shqipëri, takimet me Nënë Terezën u bënë të zakonshme. Ajo vinte të më takonte sa herë që i binte rruga për në Romë, po ashtu edhe unë shkoja herë pas here në komunitetin e tyre në Romë, në afërsi të Koloseut, ku ajo qëndronte gjatë kohës që ishte në Itali. Komunikimi me Nënë Terezën nuk ndërpritej edhe kur ajo ishte në udhëtim ose në Indi. Do të flisnim me telefon për porosi të ndryshme ose nëpërmjet korrespondencës me letra, të cilat i ruaj si kujtimet e mia më të çmuara.
(Shkëputur nga kujtimet e diplomatit. Titulli, i vendosur nga redaksia)
Komentet