Ameriko Vespuçi zbuloi Amerikën, emigrantët e Amerikës, Dardhën e Korçës
Fshati turistik i Dardhës sipas Asdrenit dhe Niko Ballit
Në verë gjithçka përvëlon: edhe karrigia, edhe tavolina, edhe filxhani i kafesë, edhe rruga, edhe pluhuri, edhe makina, edhe uji, edhe… vetëm freski nuk ka. Kështu e nisi rrëfimin e tij, Niko Balli, kryetar i shoqatës dardhare, “Shpresa”. Befas ndjen se ke nevojë të ikësh gjëkund, të arratisesh larg, atje ku ka një puizë pylli, ku sheh një re të bardhë, ku rrjedh uji i ftohtë dhe duket sikur shiu do të vijë, atje ku hijen e pemve e ndjen nëpër trup dhe atë çast të duket sikur ke gjetur një planet tjetër. Në raste të tilla mua më kujtohet një poezi e Asdrenit ku thotë:
Erdhi vera, zuri vapa,
Ti do prehje qetësi,
Ç’do punim lëre prapa,
Mos u lodh e mos djersi.
Po ku të shkosh? Kjo është pyetja e gjithkujt në raste të tilla. Shumkush e ka gjetur. Për ditë të tëra me radhë, qindra qytetarë të rretheve të ndryshme të vendit nga Tirana, Durrës, Fieri, Elbasani etj i drejtohen fshatit turistik të Dardhës në rrethin e Korçës. Vijnë edhe nga vendet fqinje: Maqedonia Greqia e Kosova, Italia së fundi edhe nga Amerika, vijnë edhe nga Australia e gjetkë. Shpesh vijnë emigrantë dardharë të larguar një apo dy shekuj më pare, (stërnipat dhe mbesat tyre). Dardha mbushet me vizitorë dhe turistë. Çfarë ndodh në ditët e nxehta me Dardhën dhe Korçën, na i tregon, Kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”, Niko Balli, njëherazi edhe President i Shoqatës së Agroturizmit për qarkun e Korçës.
Fshati Dardhë i pushtuar dimër dhe verë
Mund të them se është krejtësisht e vërtetë, me qindra vetë vijnë nga qytete të ndryshme, dimër dhe verë, pushtojnë Dardhën çdo ditë. Tashmë Dardha pret vizitorë të shumtë. Dëshiroj të shprehem me gjuhen e vizitorëve. E dini si shprehen ata? Që në çastin e parë që i takon të thonë: “Jemi nisur nga qytetat tona ku vapa të merr frymën, asfalti djeg si zjarr e uji avullon, por sapo lemë Korçën prapa e marrim udhën e Dardhës ndjejmë freskinë e malit. Pastaj kilometër pas kilometri vetëm ngjitemi drej majave të maleve, duke ndier se ajri bëhet më i ftohtë, më i lehtë dhe vjen një çast kur kupton se je mbushur krejtësisht me frymë. Kur mbërrin në Dardhë gjithçka është krejet ndryshe. Pyjet e Suareve lëvizin degët e shpërndajnë ajër gjithandej. Vështron barin dhe lulet që ende janë të freskëta, njësoj si lulet që nxjerrin kokën nga poshtë dëborës. Rrëket e përrenjve vijnë nga çdo anë e njomin ajrin me shkumë. Atë çast ndien se gjendesh mes shatërvaneve të vërtetë të natyrës…” Ndërsa Niko Balli rrëfen për vizitorët e mbetur të befasuar, të habitur e të mrekulluar, ndërsa unë sërish shtyhem më tej me poezinë e Asdrenit:
Në do jetë e ditëbardhë,
Gjak në rremba e shëndet,
Merre rrugën shko në Dardhë,
Ku ndien gaz me të vërtetë.
Si kalohet një ditë në Dardhë?
Nuk mund të them se është e lehtë. Duhet të jesh vetë atje, të shohësh e të shijosh gjithçka. Nëse vjen për herë të parë, edhe pse mund të jesh në mes të fshatit të duket sikur je i humbur mes një pylli të madh. Megjithatë vizitorët nuk mjaftohen me kaq. Pëlqejnë të ngjiten në kodrat e Shën Pjetrit, të cilat ngrihen 1400 metra mbi nivelin e detit, u pëlqen të shohin Gurin e Vjeshtës, 1416 metra të lartë, u pëlqen të shkojnë sa te një cep i fshatit te një tjetër, pastaj hyjnë mes një pylli dhe mbeten atje për orë të tëra, ku ndjen freskinë si të jesh në një ditë vjeshte. Dita ikën shpejt dhe nëse vizitorëve u duhet të ikin të nesërmen, për këtë gjë u vjen keq. Sigurisht që pas disa ditësh, ka nga ata që kthehen sërish, duke marrë me vete miq të tjerë. Megjithatë gjithkujt i bën përshtypje fakti se në këtë fshat të gjithë të presin me dashamirësi, njësoj sikur të kesh qenë miku i tyre i vjetër. Nëse kalon para një porte të ftojnë të pish një gotë raki kumbulle të zierë tri herë, apo një gotë verë. Në këtë çast më kujtohet vazhdimësia e poezisë së Asdrenit. Edhe ai thotë të njëjtën gjë:
Gjithë katundi krahëhapur,
Me gëzim si mik të prêt,
Tërë dyert janë hapur,
Ti hyn brenda si një mbret.
Ç’gjë tjetër ofron Dardha për vizitorët?
Dardha ofron më shumë nga sa mund të mendohet. Është kjo arsyeja që çdo vit shtohen mysafirët e saj. Mund të them se brenda një viti numri i vizitorëve dhe turistëve të huaj shkon në më shumë se 10.000 vetë. Ajri dhe uji i saj kanë vlera kurative. Ajri i saj, freskia, vesa, uji i burimeve, aroma e barit dhe gjelbërimit i japin gjithkujt një çlodhje të plotë. Nëse je anemik duhet të shkosh të çlodhesh në Dardhë, nëse dikur ke qenë i sëmurë, atëhere një gjenerim të plotë mund ta marrësh vetëm në Dardhë, mjekët rekumandojnë edhe më shumë se kaq, ku nuk lenë pa përmendur edhe personat limfatikë. Ajri i saj bën mirë për fëmijët dhe të rinjtë. Ndoshta është kjo arsyeja që pjesa më e madhe e vizitorëve janë të rinj, por në këtë fshat nuk mungojnë të vijnë njerëzit e të gjitha moshave. Dardha vërtetë të jep gjak të pastër, të bën më të ri nga sa je në të vërtetë”. Fjalët e fundit të Niko Ballit më kujtojnë një pjesëz tjetër të poezisë së Asdrenit ku thotë:
Lart ke mal të gjelbëruar,
Lule-shtruar bukuri,
Erë pylli të qëruar,
Në qofsh plak të bën të ri.
Ke burime shkumë ergjëndi,
Uji i tyre që të ngjall,
Si dhe pamjen e çdo këndi,
Që të mbushin me plot me mall.
Dardha njihet për gatimet tradicionale
Në Dardhë nuk ka ndryshuar asgjë. Rakia e saj është ajo e kumbulluës e zierë tri herë, por nuk mungon as vera, pastaj vjen lakrori me dy petë, i pjekur në saç me dru lisi. Mishin e gjen në gatimet më tradicionale. Veç kësaj aty mes maleve, pyjeve dhe lartësive mbi 1300 metra gjen edhe peshkun e freskët, të rritur në rezervate me ujëra të pastra si kristali e të ftohta si bora vetë, që zbresin nga majat e maleve. Gjithçka që dëshiron e gjen aty. Nuk është se këto i gjen vetëm në një lokal, sepse aty ka disa shtëpi pushimi, ka disa hotele dhe restorante, ndërsa tashmë është duke përfundur një nga lokalet më luksoze të këtij fshati, pamja e të cilit të le të mrekulluar, ndërsa komoditeti i tij mund të thuhet se do të jetë një parajsë e vërtetë. Që të gjitha ndërtesat ngrihen në lugina malesh, në faqe kodrash apo buzë rrëkeve, atje ku natyra rezervon pamjen më të bukur të saj. Sigurisht, njeriut, përveçse një çlodhjeje të mirë i duhet edhe një ushqim i mirë, sepse vetëm atëherë kupton nëse ka patur një çlodhje të vlefshme dhe nëse shëndeti i tij ka ndryshuar… Edhe Asdreni e ka shprehur mjaft bukur këtë gjë kur shkruan:
Faqet e verdha, faqet e bardha.
Dhe të dobëtat mushkri,
Prapë të kuqe t’i bën Dardha
T’ep fuqi dhe lumturi!
Dardhës nuk i mungojnë as vlerat kulturore
Po, asgjë nuk i mungon Dardhës. Ajo njihet për kostumet e saj popullore tepër të veçanta që nuk i gjen në asnjë vend tjetër. Gjen edhe sot e kësaj dite kitarat dhe mandolinat, këngët e vjetra të serenatave që këndohen si dikur. Aty ngrihet Shën Gjergji, një kishë e mrekullueshme me vlera të rralla. Ikonostasi i saj mbetet i famshëm. Ndërkaq gjen edhe dy kisha të tjera, atë të Shën Pjetrit dhe të Shën Thanasit. Të gjitha ndërtesat janë të ndërtuara me gur, ndërsa rrugët me kalldrëm. Aty gjithçka është e vjetër, klasike, befasuese. Dardha përmendet që nga vitet 1600, lulëzimin e saj e pati në vitin 1900, kur numri i shtëpive shkoi në 500, ndërsa më pas emri i Dardhës do të zbehej sërish, veçanërisht pas vitit 1940. Shumë dardharë morën rrugët e botës si kurbetlinjë. Pjesa më e madhe e tyre u përqëndrua në Amerikë. Tashmë që të gjithë kanë filluar të kthehen. Jo për të jetuar aty, por për të resturuar shtëpitë e tyre apo për të ngritur shtëpi të reja. Ndoshta do të vijë një ditë kur ata do të jenë sërish banorë të Dardhës. Madje ata po vijnë, skipista ishte një ftesë e madhe për ta.
Skipista, madhështi e Dardhës
Vitet e fundit treguan se Dardha ka hyrë përfundimisht në udhën e turizmit. E ardhmja e saj duket e sigurtë. Numri i shtëpive në fshat po shtohet. Banorë të qyteteve të tjera vijnë e interesohen për blerje trualli, për ngritje hotelesh e restorantesh, disko, kënde lojrash etj. Tashmë Dardha ka skipistën e saj, ujësjellësin e saj që vjen nga burimet e maleve, uji është i ftohtë dhe i bollshëm, ashtu siç i ka të shumta edhe burimet. Unaza e Dardhës, (kështu e quajnë dardharët), është e shtruar me kalldrëm, me gjelbërim, instalimet elektrike gjatë gjithë natës tregojnë pamjen e një fshati mes një pylli të madh me dru ahu, pishe, bredhi dhe lajthie. Duket sikur gjithçka aty është ndërtuar për t’i dhënë jetë njeriut… Këtë gjë e thotë edhe Asdreni, por këtë radhë e ka fjalën çfarë duhet të bësh, kur ke përfundur pushimet në Dardhë dhe të duhet të kthehesh sërish në shtëpi, atje ku bën nxehtë, asfalti djeg dhe pluhuri të sosur nuk ka:
Ndaj shtëpisë me të vajtur,
Plot shëndet nis vepro,
Mirëqënien duke mbajtur,
Por prap Dardhën mos harro”!
Në dimrin e sivjetshëm një dyndje e paparë emigrantësh shqiptarë të Amerikës mbërriti në Korçë në fshatin turistik të Dardhës, enkas për t’u stërvitur dhe argëtuar në skipistën e saj, numri i të ardhurve po rritet, aq sa mund të themi se, nëse Ameriko Vespuçi zbuloi Amerikën, emigrantët e Amerikës zbuluan Dardhën turistike të Korçës me bukurinë e saj të pafund dhe magjepse. Skipista ka një shtrirje prej 18 km, ndodhet në juglindje të Korçës, e shndërruar në një destinacion special turistik, gjë që po rrit fluksin e vizitorëve. Së shpejti do të pasohet edhe nga një skipistë tjetër. Qeveria do të vijojë të përkrahë këtë nismë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, pasi synohet ndërtimi i resortit të parë ndërkombëtar të skive në vendin tonë si një destinacion i ri i turizmit dimëror në Shqipëri. Pista e skive në Dardhë të Korçës, është e vetmja në vendin tonë dhe mbetet e kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj, veçanërisht të amerikanë. Skipista gjendet në majë të Bigllës, në një lartësi prej 1640 metrash e cila mbetet mjaft e kërkuar nga turistët që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit dhe të huaj.
Skipista e Dardhës këtë fundjavë për herë të parë priti një garë ndërkombëtare në ski. Mënyra e organizimit të një gare të tillë, në vendin tonë erdhi e përmirësuar në të gjithë komponentët. Falë këtij organizimi të Federatës së Skive, “Korça Open” riktheu në vëmendje traditën korçare të sporteve dimërore. Gjithashtu mund të themi se skipista e Dardhës, është një destinacion unik i krijuar nga pasioni i zjarrtë. Së shpejti do të ndërtohet një resort i parë ndërkombëtar i skive në vendin tonë. Skipista e Dardhës këtë fundjavë tërhoqi jo vetëm vendas por edhe të huaj, të cilët e gjetën veten të mrekulluar me fshatin që shkëlqen dhe pistën e skive e vetmja e këtij lloji në vendin tonë.
*Ameriko Vespuçi, 9 mars 1451 – 22 shkurt 1512), eksplorues italian, financier, lundërtar dhe hartograf i cili ishte i pari që demonstroi se Brazili dhe baseni i Karaibeve nuk ishin pjesët e jashtme të Azisë lindore siç kishte hamendësuar Kolombo nga udhëtimet e tij, por tha se kjo ishte një tokë e re e cila nuk ishte ende e njohur nga Bota e Vjetër. I referuar si Bota e Re, ky super kontinent i dytë u emërua “Amerika”, që rrjedh nga fjala Americus, versioni latinisht i emrit të Ameriko Vespuçit. Turistët e huaj kryesisht kanë ardhur nga Italia dhe Anglia, ndërsa shtojnë se janë mahnitur me mikpritjen dhe pamjen që kanë gjetur. Na prisni vitin tjetër, tashme Dardha është e dashur për ne, di t’i presë mysafirët, përfundoi rrëfimin e tij, Niko Balli, kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”.