DALLGËT E HËNËS
Si hëna e deti jemi të largët tani,
mëngjeset vijnë pa të qeshurën tënde,
ditët plot lëvizje, po megjithatë netët
ruajnë diçka nga ti, ca si fjolla hëne.
Përherë në hovet e mendimeve,
patjetër nga ti diçka ka,
se edhe në oqeanin që është oqean
hënë e largët i ngre baticat e mëdha.
GURI I SHPUEM
Zi thoshin shpatullat 33 ditë, zi rrathët rreth hënës,
7 vjet e 7 ditë. Dhe qentë së lehuri s’kishin pushuar. Tuna krejt
gjak, Ura e Shenjtë, krojështerruar. Thyenim vetëtimat e
ndiznim zjarrin
te Guri i Shpuem. E njeriu ynë me kokë nën sqetull qiellit
të Ballkanit,
në vend të hënës së vjetër, përjetë i pafjetur.
Zi e më zi, vaj e më vaj.
Një mbrëmje fryu erë. Trokitje në derë, Urtakët thonë se të
vdekurit janë përmalluar. Trokasin në dyert e tyre. As hanë, as
pinë, lot nuk kanë.
Vetëm shohin e ikin. Ikin e lënë qirinj të ndezur. Pas tyre Ylli i
Harresës s’fle asnjëherë. Por jo! Njeriu i malit, ardhur prej
Uralit, Njeriu i Borës trokiste në derë. Njeriu i Borës veç me
lëkurë veshur, lëkurë ujku, lëkurë dreqi. Dhe qante e qante.
Të vdekurit nuk qajnë.
E pritën. Me ujë Drini e lanë, verë dardane i dhanë.
Rrogtar gjithë jetën ai ish e gjithë fjalët i kish me viç. Ju keni
ilaçin që të vdekurit i çon prej varrit, tha ardhacaku, keni
BESEN. Ma jipni atë besë, vetëm pak BESE sa kjo lëkurë që
unë e kam veshë. Ma falni pak tokë. Sa kjo lëkurë. Sa zë kjo
lëkurë, Dhe i dhanë besë. E tokë sa zinte lëkura që kish veshë.
Lëkurë ujku ish, lëkurë dreqi me bisht.
Natën, njeriu i Borës e preu lëkurën, e bëri dredhë e dredha doli
kilometër. Be e mbi be. Besë.
Dhe me atë dredhë rrethoi katundin. Lëkura fije-fije katundin e
rrethoi. E ardhacaku e mori tokën tek Albanopoli, sa një lëkurë,
Sa një hartë Kosove, a sa një hartë Londre a s’di sa.
Kështu thonë në Dardanopol. E statujat qajnë me lot guri
Të vdekurit natën trokasin në Derë.
Në Prishtinë e në Janinë.
E guri midis dy syve e ndan trupin përgjysmë
E unë them është rrenë, se në Gur të Shpuem, kur po rrëmihja
për
të qitur një bunar, në pashin e shtatë shpërtheu gjaku.
NJOMËZ AHU
Si zogu n’rrem
E lulja n’gem
Si lumi n’re
E fara n’dhe
Si njomza n’ah
Kur ti bën “ah”
Dridhesh e qesh
Si pemë n’lulzim
Në krahun tim…
PSE…
Ndertoheshin ditën, shembeshin naten Ne vendin tim, Ura, Kala,
Derisa në themel të tyre U murosen gra
Po monumentet pse ngrihen për burrat
Kur gratë janë ato që mbajnë në këmbë
Kalatë e Urat???
FLIJIMI NË QIELL
Herë e re vajzëronte përmbi metropol në drurë e gjinj vajzash prillin prilllëron
I thoshte arixhiu, arixheshës së vet:
Sa të mbushet hëna, ty do ta bëj def
Por, po më tradhtove, për atë shpirt nëne
Në qiell do të var, në atë cengel hëne
Të të shohin njerëzia botës skaj më skaj
E bjeri defit të hënës pastaj
Dhe flokëhëna ime që kasha në krah
Mu dridh si njomëza kur shpërthen në ah
Flokhëna ime që e kasha cuar kahmos
Në troje, Paris e Los Anxhelos
Nuk dua anije, thash, avionë nuk dua Më merr e më co në bjeshkët e tua
Më ço në Kasaj a në Valbonën tënde
Dhe më var një natë, në çëngel hëne
Më co në viset ku ti je rritë
Ku njerëzit flasin më perënditë,
Tradhtomë, tradhtomë e fajet lermi mua
Më var në çengel hëne, me duart e tua
Më bëj, më bëj kurban dashurie
E qiellit ta dridh, si këmbane t’i bie
Shtatë qiej të rrëzohen, kur këmbana të bjerë
Të nisë nga fillimi bota dhe një herë
Tradhtomë, tradhtomë e fajt lërmimua
Kryqëzomë në ata qiej të bjeshkëve tua
Se bota ka nevojë për një Krisht të ri
Dërguar nga perëndia me emrin Dashuri
DITËLINDJET E TË VDEKURVE
Në qytetin ku u vura emrat fëmijëve
Në çdo pëllëmbë ka një përmendore të
pabërë:
150 janë të vrarët e Hiçit
Tash kur shkoj njëherë në stinë,
Njëherë në stinë se kështu më thotë “Pse”-ja
Të 150-ët i shoh me sy
Në qytetin e vogël dalin si dikur,
Kanë vrarë njëri-tjetrin, po bashkë rrijnë
Dhe mua ma ruajnë një gotë në tavolinë,
Qyteti bën festë dhe dritat s’i shkimë,
Ata, si dikur, qeshin me shoshojnë
Dhe njëri tjetrit i japin dhuratë
Plagët e veta për ditëlindjet që zezojnë
Ditëlindje
Të vdekurish a keni parë?
Dhe unë fjalën harroj,
Duke parë vajzat që ata patën dashur
Që falin lulezeza e kërkojnë lulehëne
Dhe ikin të tmerruara se tuten prej
fantazmash… E gjithçka mbaron sa këndon gjeli i parë…
MOTRA
Motra ime është me fat, s’ka parë kurrë të keqe në mua
Mos ia vini re nënës, e ka nga pleqëria,
Mua askush s’më ka trazuar, kurrë, asnjëherë,
As hafijet e katundit, as botuesit e mi,
Motra ime eshtë me fat, s’jam bërë lot në syrin e saj,
Unë dhe zotat i kemi folur njeri- tjetrit me “ti”
Asnjë varg s’m’u ka cenzuruar, s’më kanë përgjuar kurrë,
As në dashuritë e mia, as në udhëtimet jashtë shtetit,
Atë e kam çuar për pushime në Vlorë, Zvicër, Çanakala, Trojë,
Muzeumeve e kan’ çuar, vetë jam bërë ciceron
I kam shpjeguar kohë të largëta, shtete në unazë,
Kohë që iu kanë falur lopës si perëndisë, kohë,
Që brirët e dhisë i patën të vetmet antena të lidhjes me botën
Motra ime ka qeshur, kanë qeshur fëmijët e mi,
Lëreni nënën, është rrokatur nga pleqëria, ka strese,
Prandaj trembet sa herë unë vjersha botoj,
Lumturinë shiheni te motra ime. Pyeteni atë
Mua s’më kanë spiunuar asnjëherë, dhe motra
S’ka pasur nevojë të vrasë as burrin, as kunatin, as fëmijët
Si motra Hajrije në baladën popullore,
Në, baladën popullore që e patëm veshur si këmishën.
Unë, vetëm një herë e kam gënjyer motrën:
S’i kam treguar se kam vdekur e jam ngritur nga varri
Dhe ju, vetëm një herë ju kam gënjyer:
E vërteta është se motër s’kam patur asnjëherë!
VDEKJEN E BËN GRUA
Me një djep që bërtet botës i flet
me një njeri e një fëmijë e një liri
Lind një gur, shemb një mur e ngre një urë
Atje të muri, qumësht guri, pi Flamuri
As i zgjuar, as i fjetur, me kokë nën sqetull
I padiell, as në tokë, as në qiell
Nën një hënë-kosë, gruan muros, lotin e sos
Tek ajo grua, buron një krua, Botës i thua:
Unë me ty bëhem dy, po s’bën pa mua,
Se po s’qe dyshi, kurrë s’lind njëshi!
Në një asht burri e kokërr grari mbahet Flamuri
Loti këndon, kënga vajton e jeta shkon
Shpesh orët mbesim e vitet zbresin, ty nuk të presin
E ti kur zgjohesh, vonë kujtohesh e rrallë pendohesh
Han duart e tua, vdekjen bën grua e merr në thua
N’teh shpatë qesh, kohën përqesh &në trup vesh,
Hartën e mjerë, kufinj të prerë nga besëprerë
E përsëri, prapë përgjithnjë, në vitin Një
Jetën fillon e bubullon e mbijeton
E qesh e qesh e për këmishë, vdekjen e vesh…
KA KOHË QË MUNGOJ
E shoh: jam i pandreqshëm. Kështu thonë
Shtetarët e Albanopolit që njeriun e vizatojnë me një katror,
Shkoj me gra të dyshimta, bie fjala me poezinë
Përbuz dashurinë serioze të zonjës Karrige
Kur e lakmojnë kaq e kaq burra të Ko(m)bit
Në qytetin e Albanopolit me tregojnë me gisht,
ge s’i njoh filozofët e njohur të qytetit:
Shën Miun që parandjen tërmetet, Burrec Bubrrecin,
Turrec Turrecin, Larec Larecin e Mjr(kos) Mir(tamlin),
Në Sheshin e Lakut jam dehur kaq herë kur askush
nuk dehej. E me kanë treguar me gisht!
Më vonë janë dehur të gjithë e prapë me gisht më kanë treguar,
Se s’jam dehur atë ditë dehjeje
Në lum është mbytur gaztori i qytetit e unë
Lumit ‘përpjetë e kam kërkuar. Të gjithë kanë qeshur
Me mua. Të nesërmen, ne burim të lumit kanë gjetur gaztorin
Pastaj janë dehur, janë dehur dhe përplasur në terr
Me statujat që ia kanë ngrehur vetvetes. Shi ka rënë
E mua harruar më kanë nën shirat që binin në vite
Harruar më kanë tek gdhendja statujën e Lopës në Sheshin e
thonë se i kanë parë tek falen tek ajo statujë. Unë gjë nuk di:
Ka kohë që mungoj!
POROSI NE IKJE
Shtëpinë e vjetër ua lashë,
Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë,
Se vjen ndonjë natë shpirti i babës
Dhe këqyr a ka hi në votër…
Manin mos ma prisni, as qershinë,
Janë drurët më fisnikë të jetës:
Prej manit bëhet çiftelia
Prej lëvores së qershisë, tezgjahu i saj
Kthehet ndonjë ditë një këngëtar i gjakut
tim, bre!
Qenin s’kam ku e çoj në Qytetin e Madh:
Është mësuar me ujqër, s’është kone
Bulevardesh,
Veç amanet: Lotin e tij
Mos ma leni të pikojë në prag.
Kur të më harroni, ai do të më njohë
Në u kthefsha ndonjëherë në Kasaj – Itakë…
SHPIRTI I SHTATE
Ah, sytë e tu të zi, të zi sa natëvjeshta
Vijnë e më sjellin shpirtin e shtatë
Të shtatë e të ngratë
Ah, sytë e zi.
Sytë e zi, mbetur në një verë të shkuar
Dy kaprolle veriu, pa të shtuna
Të shtatë e të ngratë,
Sytë e tu të zi
Vjeshta që rrëzojnë qiej
Sytë janë të tutë,
Lotët të një tjetre
Të kam pasë thënë se ti i plak pasqyrat,
Sytë janë të tutë,
Të tjerave fytyrat
Shpirti i shtatë
I shtatë e i ngratë…
ÇLIRIMI NGA LIRIA
Duke kërkuar ditën e tetë
Në delir vërtitet kjo jetë,
Një luftë të re po shpik njerëzia:
Të çlirohemi nga LIRIA
Të majtët e djathtë, e të djathtët e majtë,
Dy ditë i këmbejnë me një natë,
Pashallarë të vdekur, idiotë pa varr
I bëjnë emblema, i bëjnë kokë(tarë)
E vrasin lirinë, pastaj e vajtojnë
E asnjë lule te varri s’i çojnë,
Të nesërmen dalin në tribunë:
Të vramë se të deshëm shumë.
Të vret dritë e tepërt, oh sa tmerr!
Malli na marrka për një çikë terr,
Se pas Lirisë ç’të shpikë njerëzia?
Të çlirohemi nga LIRIA!
NJËQIND VJET E MARTË
M’u plak e marta, m’u bë njëqind vjeçe,
Vetë shekulli, të martën i lindur.
Mespërmes të martave kalon lumi imi,
Drin i lindur në një OH(ër),
Urat e të martave mbi një OH,
Me një ditën JAVA…
M’u plak e marta, njëqind vjeçe m’u bë,
Një e dielë më duhet,
Për meshë a për dasma…
BALLKANZIU SHTATËKRERËSH
Ballkanziu shtatëkrerësh,
Ndërton kuaj Troje e s’ke dërrasa për djep,
Shkruan Iliada e vetë je pa sy,
Me kokë të prerë rend qiejve të tu,
Nëntë hëna larg marton Doruntinat,
Me mish njeriu i ushqen martinat!
Gjysma e njeriut nën gur të kështjellës
Gjysma lënë përjashtë, jetë e i jep jetës,
Njëri sy te vdekja, i vajton të vrarët,
Tjetri mbi një djep, i pajton të qarët,
me varret mbi supe, netëve udhëton
Homerët e tu, zbathur reciton.
Për një Helenë, vritesh dhjetë vjet
E Helenat tua, për hiçgjë i vret,
Fqinjit ia ngrin krushqit e ia bën gur
Me këta gur zie kërkon të bësh mur
Shpesh i pakohë, shpesh i pakokë
Gjysmë Azi, Gjysmë Evropë
Ballkanziu,
Kara Ballkan,
Mavri Ballkan,
Crno Ballkan,
Euro Ballkan!
GJERGJ ELEZ ALIA I RI
Gjergji shkon të dielave në kishe,
Elezi- të premteve në xhami,
Alia- në diskotekë
E secili kërkon të bëhet mbiemër
Gjergji im i ndarë në tre pjesë…
MJERIM I BUKUR
I mjeri unë që tash të kam
E për ty më s’ëndërroj
Shkuan ditët e bukura, të bukura nga mungesa
Kur prisja natën të të shihja në ëndërr
Tash s’ndërtoj me plane, dredhi nuk ndërtoj
Që botën e çojnë tek kërkimi e ecja
Zgjas dorën të kap ëndrrën dhe, ah, medet
Trup të zhveshur femre, pa asnjë mister prek
I mjeri unë që tash të kam E për ty më s’ëndërroj
DIÇKA MANGUT MBETET GJITHMONË
Mermerët dhe ditët rënkojnë, plasariten
Prej teje duan frymën, prej teje duan shpirtin,
Unë shkul një brinje, prej saj të krijoj ty
Në vitin një, në vitin trimijë,
Je syri që botën e zë, je syri,
Je drita që jeton dhe pasi vdes ylli,
Vetvetes i thërras e me përgjigjesh ti,
Të sheh ujku në ëndërr e bëhet njeri.
Krijimi i botës në shtatë ditë u bë,
Po diçka mangut mbeti gjithnjë,
Gjithnjë bota mbeti e papërfunduar,
Gjersa erdhe ti për të dashuruar
Mermerit që rënkon, ti frymën i jep
Je Fillimbote, apo dite e tetë?
Je ajo që je, tokësore si prekja
Thërras emrin tënd, me përgjigjet vetvetja.
(MBI) EVROPIANE
Do të bëjmë dashuri kësaj nate, pa shtrojë e mbulojë
Hiqe nga muret hartën e Europës, të ta shtroj përfundi,
Zhvishu si hëna, krejt, se të virgjëra mbeten vetëm statujat
Dhe nxirma trupin e bardhë, t’i sfidoj dogmat, lugetërit, partitë
Mbi hartën e Evropës shtrijmu, le të cijatin maniakët,
Të kërcasin brinjve tua Metropolet, të thyhen kufinjtë,
Te shembet Muri, Aushvici, Burreli,
Nën kofshët tua të bardha të vlojë Mesdheu, anijet le të digjen
Kokën mbështete në Akullnajat, le të shkrihen ato
Largohu pak nga Franca se mos e le shtatzane
Ka boll kopile atje, s’i duhet kopili im,
Dhe mos psherëtij, se ngjall Romeon e Zhuljetën
Ç’të dhemb ashtu te brinjët? Është Vaterloja
Të bëj be, kurrgjë s’ka qenë ajo! Vaterlonë
Sonte do ta bëj. Le të japin dorëheqje presidentët
Kremlini le të dehet në hanin “Shtriga e Jugut”
E le të vjellë në Bosnje a Athinë
Shtrijmu në hartën e Europës si në një lëkurë ujku
Ta ndiejë ajo të paktën njëherë, peshën e dashurisë sime.
MERMERI I KRISUR
Në zemrën tënde tani hyj
Si në muze ku gjithshka hesht,
Gjithnjë një stinë tash ka aty,
Pak gjysëm dimër, pak gjysëm vjeshtë
Prarim i lodhur, kohe e shkuar,
Mermer i krisur, ditë plot etje,
Kështjellë e njohur e rrethuar
Pushtuar nga ëndrra, ti mbete.
Armët i shoh dhe qesh me vete,
Skica luftimesh, net pa gjumë,
Një zë më vjen nga koha tjetër:
“Isha apo s’isha unë?!”
Statuja të thyera. të gjymtuara
Pa zë më shohin, flasin me sy
Qajnë ngadalë, të penduara
Është vonë u them, paçi qetësi
Është vonë, është vonë përsërit muri,
Dhe unë dal ashtu në heshtje,
Le pas statujat që qajnë në kor,
Stinë pandryshim, gjithçka fundvjeshte
Dhe era fryn tek portë e hapur
Tek ajo portë që quhet zemër
Eshtë vonë, është vonë thërret fundvjeshta
Që kish dikur tëndin emër.
NATË PRILLI
Pip më pip shortohet prilli,
syri shuan etjen në sy.
Hingëllimat e mëzave
trembin hënën që ik pas malit.
Hëna fshihet nëpër vajza
e i lë ato pa gjumë,
dheu mbushur fara lulesh.
S’DI Ç’KA SHKROI HËNA NË DRURË…
Hingëlliu mëzi i blertë i prillit
e u zunë plepat ndër vete
kush të bëhet letër më parë
ku të shkruhen vjersha për ty,
moj e bukura që i plak pasqyrat!
Ish e shtunë dhe supi yt
gjeth a yll m’i bënte duart.
E shtuna bën be se ka heshtur si gjethja
po gjethi ish gjeth prilli,
i ri, ndoshta ka folur.
Hingëlliu mëzi i blertë i prillit
e më dolën lumenjtë përpara
të mos më djegë kometa e zogjve
që i lëshoje prej syrit tënd.
Unë në gjumë lumenjtë i vura,
moj e bukura që i plak pasqyrat!
Hingëlliu mëzi i blertë i prillit,
çka shkroi hëna në drurë s’e di!
MALLKIMI
Rëntë një borë e të mbuloftë,
erë u bëfsha prill më prill,
të djegtë zjarri i luleve,
lindsh si zog nga hiri yt
t’u mbyttë hëna në ujët që pi
e të mbettë hëna në fyt,
gushti që në trup të digjet
duart e mia i pastë degë,
në to mollët le të piqen!
PËR TË TJERAT PYETNI DETIN
Ajo vajzë që po del nga deti
gërshetat gjarpërushe i ka pasë në zë
ashtu i paska ruajtur, skeptër antik,
po ata gjarpërinj tani s’helmojnë më.
Unë kam qenë ai fakiri me fyell
që i zbusja gjarpërinjtë e luaja me ta,
tani s’e di; a unë, a deti
mund ta shuajmë etjen që kanë ata.
S’e di. Ajo shkon krenare
me pak det në trup, me pak diell,
veç gjarpërinjtë i hidhen të shqetësuar mbi supe,
kërkojnë të dikurshmin fyell.
Po atë zë që ajo u përpoq
ta kishte të vetin, vetëm të vetin,
e donte koha. Unë ia dhashë,
për të tjerat pyetni detin.
ASNJË FJALË NUK FOLËM
Sy më sy u pamë
edhe gjë nuk folëm.
Ti preke lisin, qe 7 vjet i tharë
edhe lisi nisi e gjethoi,
unë preka gurin, qe 7 vjet pa gojë,
një thëllëzë prej tij fluturoi.
7 vjet bota më e re u bë,
veç një fjalë që ta thashë dikur
njëherë u thënka. S’u rinoka më.
Sy më sy u pamë,
asnjë fjalë nuk thamë…
PARA SE TË IKI
Jam zemëruar me ty e larg do të shkoj,
nesër do të dal në gjueti arinjsh
e pushkën do ta harroj në shtëpi,
do të hyj lumenjve pasi të harroj notin,
bari sorrash do të bëhemm pasi të harroj qiellin,
asgjë timen s’do të lë, të gjitha do t’i marr,
Robinson Kruzosë t’ia jap, të nisë botën me to,
pastaj një luftë do të shpall,
vetë do të jem i vrari i parë i saj, i paemër,
ah, po, para se të iki po të lë diçka:
Zogun e baladës që të vdekurit i zgjon,
nuk i dihet, ndoshta malli të merr.
STATUJAT BIEN NË GJUNJË
Të pashë në ëndërr, mbretëreshë
Dhe qava nga dhimbja
Mos m’u bëj mbretëreshë, e dashur, të lutem!
Të fshehtat që zbusim ujkun dhe borën,
Ku është fillesa e botëve që s’janë lindur.
Jepmi në pyje skaj lumenjve të zhurmshëm.
Rreth teje gjithësia merr frymë e qetuar.
Statujat, të tëra bien në gjunjë.
Në mua është Adami i fillimit
Ashtu, i thjeshtë mes natyrës që gulçon
Mallkimi i parë që jeton mijëra vjet;
Me të fshehtat e tua që zbusin ujkun,
Do të nis botë të reja, njeriun do të nis.
Eja t’i çlirojmë dritat e muruara në trup,
Të vdesin ata që kanë për të vdekur,
Statujat të heshtin në kohën e tyre,
Statujat janë fundi, ne jemi fillimi.
Natyra qetohet e fle në ty.
Në ty nis nisja, toka, njeriu.
QIELLI QE NUK VDES
Në damarë Bunën, në Vater Unën,
E me Valbonën, kaltëroj zezonën
Sa të jetë Drini, drejt më shkon tymi
Karonti i vjetër drejtë Botës tjetër
Nëpër Bistricë, shpirtrat i nis,
Nata e parë, pa dëshmitare
Natën e dytë, i lexoj sytë
Natën e tretë, i bëj tri jetë
Dhe ah ky shekull, nën qiell të vdekur
Bën sikur fle, gjumi s’e zë
varr i vetmuar, i përgjysmuar
Në terr të zi, prerë me kufij,
Nën vaj të yjeve, midis dy syve
I ftohtë një gur, mur i mallkuar
Nxin rënë e bardhë, Ballkanin kall,
Me lak te fyti, lindemi së dyti
VARRI I ERËS
Shpesh e më shpesh në ëndërr ty të shoh
E kur më lëshon ëndrra me kapin dhimbjet
Perënditë, me emrin tënd i kam ndjellur
E luajtur kam me to,
Reve, oh reve udhëtare ua di dhimbjen
Dhimbja e bukur emrin tënd e ka
Emrin tënd që i ndërron stinët
Sa herë, sa herë në syrin tënd kam vdekur
E lindur jam në buzën tënde, e bukura ime
A thua kur e pat bota vitin një
Në fillim të Erës sonë, a kur të njoha ty?
ME PAK HËNË MË MBULONI
As kam nënë, as kam babë,
Jam i pikur prej resë së bardhë.
As kam vëlla, as kam motër
Vdes në Shkup, ngjallem në Shkodër
Mik e kam ujkun e malit,
Të dashur, natën e janarit,
Mua krejt më ngjan kjo botë:
Tri pjesë ujë e një pjesë toke
Nuk kam tokë as për dy varre.
Më varrosni në lot sorkadhje,
Me pak hënë më mbuloni
E pastaj pini, këndoni
Dhe më gjeni një emër të ri
Më duhet të lindem përsëri.
TI JE HARRIMI
Ti je harrimi
Se kur të shoh ty, unë harroj të plakem,
Gjithë bukurive tjera emrin ua harroj,
E i thërras me emrin e paemër: Ato!
Harrohen emrat e ditëve, emrin tënd ato marrin
Dhe unë harrohem me natën e syve të tu
Shtegtar i përjetshëm me një yll në dorë viteve,
Dallandyshet do t’ i zerë bora këtu
Kanë harruar të ikin: Këtu jeton ti
Orët e ditës zihen ndërveti:
Secila prej tyre don të jetë TI
Në ty, në ty e bukura ime
Endrrave ua gjej emrat e humbur!
UDHËTIM
Nisem për në Krujë, mbërrij 500 vjeç,
Nisem tek e dashura, arrij 20 vjeç,
Në shtëpinë ku linda, mbërrij njëvjeçar.
BRAKTISJA
Manastire natore ku murgjët mëkatojnë,
Këmbanat e gjinjve rrëzojnë të dielat,
Në hartën e trupit ku ish qendra e Dheut,
Ka rënë në gjumë tigri që botën e shqyen
Eva kafshon rruzullin dhe bën ditën e tetë
Me një lulezie në dorë.
MOS MË LËR TË FLE
E dashur, mos më lër të fle,
Kushedi në ç’planet gjumi më çon,
Një ditë atje sa njëqind vjet këtu,
E kur të zgjohem unë, ti je 100 vjeçe
Ose ndoshta ke vdekur krejt. E unë zgjohem
i ri
E dashur mos më lër të fle:
s’dua të mbetem gjithmonë i ri
I ri e pa ty…
—
HAMIT ALIAJ
I lindur në Kasaj, Tropojë në vitin 1954 , ndër poetët më të mire të brezit të vet, “Mjeshtër i Madh”me librat poetikë:
“ Bjeshkët janë mbiemri im” 1974
“ E ruaj një fjalë për ty” 1986
“ Lotin nuk ta fal” 1995
“Mungon viti një” 1997
“Njëqind vjet e martë” 2005
I nderuar me shumë çmime kombëtare, mirënjohje dhe medalje, krenaria e qytetit Bajram Curri.
Poet patriot fistar familjar bjeshktar vrritar humanitar dijetar lum kush e lexon e shum…i lumtur kush e kupton pavaresish se ndonjeher ne shpirt te pikllon.Nder i madh per malsin e Gjakoves dhe per KOMB.