Shqipëria digjet, Dielli krihet!
Ky shkrim me vijime në formë fejtoni do të hedhë dritë në raportet e botuesve të Voal.ch me ish botuesin dhe menaxhmentin aktual të Diellit, të cilët kanë zëvendësuar vokacionin identifikues me atë të censorit, përdoruesit të gërshërëve të hekurta, sikur Dielli të jetë krijuar nga ndonjë redaktor i shtypit lokal të partisë së punës apo klient nën urdhërat e Edi Ramës.
Diellit i mungojnë politikat editorialiste. Edhe nga përfaqësimi është në krizë identiteti. Gjithë ai komunitet madhështor, sa një mal, ka pjellë vetëm një mi, duke patur një trashëgimi të shkëlqyer, të pasuruar me plot e plot shqiptaro-amerikanë të ndershëm e të zotë!
Dielli mbijeton në saj të emrit dhe lavdisë së krijuar nga Etërit si dhe nga vullneti i Vatranëve, komuniteti Shqiptaro-Amerikan dhe shqiptarët idealistë e të përkushtuar. Gjithmonë komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë për Nënën, por Nëna sot është më në rrezik se kurrë, ndërsa Dielli iu bie sazeve, dajreve dhe daulleve!
Ne si editorë të Voal.ch me ish-editorin e Diellit, Dalip Grecën kemi nisur bashkëpunimin prej kur Dielli doli në botimin online. Kohëzgjatja është tregues bashkëpunimi, natyrisht, por më tepër tregues i këmbënguljes sonë pasi në themel të këtij bashkëpunimi ishte Vatra. E kemi respektuar Dalip Grecën, pa i bërë kurrë biografinë dhe kemi kërkuar edhe lidhje institucionale midis dy mediumeve, për ta faktorizuar Diellin, nisur nga vija e përbashkët editorialiste e Voal.ch me atë themeluesave të gazetës më të vjetër në SHBA, krijuar prej 1909. Botuesit e Voal.ch ia duan vetëm të mirën dhe përparimin Vatrës dhe Diellit të Vatrës!
Dielli online prej një dekade bën një botim tepër modest, me një vizibilitet shumë inferior, për shkak të mosangazhimit direkt në temat kritike që shqetësojnë shqiptarët.
Dielli nuk i ka autorët e vet, as nuk i afron personalitetet.
Prej një viti kanë katapultuar me bujë, një person të sjellë nga Tirana nga bota e anonimatit.
Tek Dielli gjen bashkëpunime të Vatranëve, të rrjetit të bashkëpunëtorëve, si iniciativa të tyre personale, të gjithë kontribuojnë pa kontrata dhe pa pagesa për hir të Vatrës dhe Diellit të.
Por kjo nuk ndikon tek profili i Diellit, sepse kryesorja është se Dielli i shmanget gazetarisë së mirëfilltë me me të gjitha atributet që ka pushteti i katërt.
Dielli i shmanget si konformist, si oportunist dhe si klientelist krejt ndryshe nga Etërit!
Për të krijuar një zhurmues ndaj krizave qeverisëse që rrezikojnë sistemin në Shqipëri dhe nën ndikimin e pushtetit politik, Dielli i ka zëvendësuar temat e nxehta me promovime, me festa gala, me dreka e darka si dhe me një botim mujor të mbushur me foto sikur ato të rrjeteve sociale. Të gjitha duhen, por jo duke cënuar dhe censuruar prioritetet që ka obligim shtypi i lirë. Na kanë treguar plot Shqiptaro-Amerikanë, kontributorë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, që jetojnë me dekada në SHBA, se kanë hequr dorë nga abonimi tek Dielli, pasi faqet e tij janë të mbushura me foto të atyre që marrin gradat e protagonistëve pa qenë të tillë. Edhe vetë Vatranët kur shprehin mendimet e tyre, në fund të opinioneve shkruajnë se ky qëndrim është i tyre personal.
Pikërisht në këtë klimë të manipuluar prej Diellit si storie suksesi, por në fakt storie dështimi, nisi edhe përplasja dhe censura ndaj editorëve të Voal.ch, me pretendimin se botuesit e Voal.ch kanë botuar deklarata të Vatrës tjetër me të cilin ishin nëpër gjyqe.
Për hir të kronikës, i sjell në vemendje lexuesve se Dielli ushtronte politikat e censurës ndaj Vatrës tjetër, nuk botonte asgjë të anëtarëve të saj, paçka se ata ishin të gjithë kontributorë të Vatrës prej dekadash, duke i denigruar publikisht, ndërkohë që kërkonte të impononte që edhe botuesit e Voal.ch pluralizmin e mendimit dhe fjalën e lirë ta kyçnin e lidhnin me dryna dhe pranga. Kështu pretendonte Dalip Greca, ndofta duke u bërë zëdhënës i dikujt tjetër, ndërkohë kur një anëtare e kryesisë së Vatrës, M.B. dhe editori i katapultuar i Diellit bashkëpunonin me portalin qeveritar të Edi Ramës, duke shkelur Kanunoren dhe pavarësinë e shtypit të lirë nga politika.
Nga njëra anë Dielli tregonte shpirtin e butë tolerant dhe të arsyeshëm me shtypin qeveritar, nga ana tjetër ngrinte dorën e hekurt ndaj Vatrës tjetër dhe tregonte dhëmbët ndaj botuesve të Voal.ch, të cilët nuk janë marrë kurrë as me zënkat e Vatranëve, as me politikat e Diellit, veç kanë shprehur në opinionet e tyre shqetësimet për rreziqet që iu kanosen shqiptarëve nga papërgjegjshmëria e klasës politike me në krye Edi Ramën që përbën rrezik kombëtar dhe rajonal.
Ky ishte pretendimi që na shprehu Dalip Greca, se ne paskemi botuar Vatrën tjetër, por në fakt si casus belli i censurës shërbeu shkrimi im për Ambasadorin e Shqipërise prej dy mandatesh në Zvicer, Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit dhe i nipi i Hysni Kapos, i cili si i emëruar politik, vijon stilin e nomenklaturës nga e ka prejardhjen.
A ka ndonjë shqiptar që i bën përshtypje ky fakt?
Që në Shqipëri, edhe tre dekada pas asaj që i themi rrëzim i diktaturës, pinjollët e saj të pakonvertuar janë të plotpushtet dhe të plotfuqishëm?
A ka ndonjë shqiptar që i bën përshtypje ky fakt ?
Me Dalip Grecën kam mbajtur komunikim konstant. Gjatë gjithë pranverës së këtij viti kam folur disa herë në telefon, ku i ngrija shqetësimin se Vatra dhe Dielli po bashkëpunonin me portalin qeveritar të Edi Ramës! Dalip Greca e mohonte gjithmonë. I çoja linqet, i thosha që ta hapte temë debati në Vatër.
Më 25 maj i rikërkova Dalip Grecës ta botonte opinionin tim për Ilir Gjonin, ndërsa ai rifilloi me avazin se voal.ch nuk i paska censuruar deklaratat e Vatrës tjetër dhe se bile Skënder Buçpapaj paska marrë pjesë edhe në një simpozium të organizuar prej tyre! Pra Dalipi na vuri vulën e armiqve duke u kthyer tek koha kur punonte redaktor në gazetën lokale të PPSH.
Në këto rrethana, kur Dalip Greca kishte veshur pa asnjë ekuivok kostumin e censorit, i shkruajta në inbox shkurt: Dalip jep dorëheqjen!
Jo vetëm më bllokoi, por i ka zhdukur të gjitha komunikimet tona, që kemi shkëmbyer prej vitesh, pjesa më të madhe komunikime miqsore dhe kolegjiale. Në fund të fundit, ne jepnim kontributin tonë tek Dielli, pa asnjë interes, nisur nga situatat dramatike dhe traumat që nuk po u ndahen shqiptarëve, ku keqqeverisja si gangrena e sistemit është kthyer një çështje mbarëkombëtare për zgjidhje.
Dalip Greca nuk dha dorëheqjen më 25 maj, por më 30 qershor lajmëroi se do të dilte në pension, diçka që nuk e kishte pasur ndër mend.
Në letrën e ndarjes, pa lamtumirë normalisht, ai nuk linte askënd servilisht pa përmendur.
Por ajo që binte në sy ishte vlerësimi si “talent i ri” që i bënte editorit të katapultuar tek Dielli nga Tirana, anonim dhe me profil implic klientelist.
Unë jam gazetare, nuk jam hetuese, i referohem gjithmonë fakteve, janë faktet kokëforta që dalin me konkluzione.
Për shërbimet e tij, Dalip Greca u nderua me dekoratë nga Presidenti i Republikës!
(vijon – Komunikimi prej një dekade me Dalip Grecën – vijon – Dielli i kapur nga Edi Rama )
Komentet