Mediat europiane vijojnë të shkruajnë me nota pozitive për kualifikimin e Shqipërisë në këto eliminatore, duke vënë theksin në rritjen profesionale të skuadrës nën drejtimin trajnerit Xhani de Biazi, por edhe në emocionet e mëdha të shqiptarëve në këto eliminatore, me bindjen se kjo skuadër mund të bëjë surpriza të mëtejshme në “Francë-2016”. “Shqipëria, e vogla, atje ku adhurojnë Norman Uisdom, është finalistja e papritur e Europianit në Francë”. Ky ishte titulli i përdorur nga portali i njohur britanik. “Daily Mail” e cilëson Kombëtaren si surprizën e madhe të turneut, duke theksuar se bëhet fjalë për një vend të vogël, me popullsi afro 3 milionë banorë. Nuk mund të mungonte as historia, me Shqipërinë që cilësohet si një prej vendeve më misteriozë, të izoluar dhe sekretë në Europë gjatë diktaturës 40-vjeçare.
E përditshmja theksonte se kualifikimi ishte një çështje shumë e rëndësishme për kombin dhe popullsinë, të cilët festuan gjatë në të gjitha trevat shqiptare. Arritja lidhet me mësimet e marra nga futbolli italian, ku prej vitesh por edhe gjatë këtij sezoni në Serinë A aktivizohen lojtarë shqiptarë, ndërsa trajneri Xhani de Biazi vlerësohet si “një takticien i shkëlqyer”. Daily Mail shkruante edhe për ngjarjet e 14 Tetorit 2014 në Beograd, atë që ishte episodi më i diskutuar i kualifikueseve të Euro 2016, ku pas racizmit në tribuna dhe dhunës në fushë, Shqipëria mori fitoren në tavolinë me Serbinë në CAS-in e Lozanës. “Reagimet e dhunshme të tifozëve serbë dhe dhuna nga të paktën një punonjës sigurie vuri në rrezik lojtarët shqiptarë”, shkruan gazeta. Shqipëria mbetet një prej skuadrave për t’u vëzhguar në Francë. Me një kontingjent të cilësuar “kozmopolitan” ku lojtarët aktivizohen në Gjermani, Itali, Francë, Zvicër dhe liga të tjera ndërkombëtare dhe mjaft talentë të rinj. Mosha mesatare e ekipit është nën 22 vjeç, ndërsa mes atyre që veçoheshin në artikull janë mbrojtësi Berat Gjimshiti dhe Ergys Kaçe, i cili i shënoi Francës në miqësore. “Daily Mail” e cilëson të papritur rritjen e futbollit shqiptar, që deri 6 vjet më parë renditej e 90-ta në klasifikimin e FIFA-s.
Merita kryesore është brezi i yjeve të rinj, që gjatë këtij edicioni fituan me Francën dhe Portugalinë dhe regjistruan dy barazime me Danimarkën. Gazeta në fjalë zbulon gjithashtu se familja e komedianit të famshëm britanik të lindur në Liverpul, Aleksi Sayle e ka origjinën nga Shqipëria, vend që adhuron Norman Uisdom. Aktori i famshëm për rolin e Pitkinit është vlerësuar si legjendë në këtë vend. Në fund “Daily Mail” shkruante se kuqezinjtë janë një prej rivalëve që përfaqësuesja angleze do të preferonte në grupet e “Euro-2016”, duke kujtuar se në 4 përballje, Anglia ka regjistruar 4 fitore. Prej ndeshjeve që mbahen mend janë ato të kualifikueseve të Botërorit 1990. Më 8 mars 1989 anglezët fituan 2-0 në Qemal Stafa dhe 5-0 në sfidën e kthimit më 26 prill në “Ëembley”. Përballja e fundit ishte në vitin 2001, me anglezët që fituan 2-0 në “St James’ Park” të Njukasëllit. Duhet thënë se mediat britanike insistojnë që Shqipëria kur luan mirë është e pathyeshme dhe e kanë të vështirë me të edhe skuadrat e mëdha të kontinentit, por Anglia ka gjithmonë fat me shqiptarët, pasi fiton gjithmonë me ta. Adriatik BALLA
Komentet