“Përmes notave mundohem të paraqes ngjyrat muzikore e përmes tyre flas për natyrën, mitologjinë e letërsinë me teknika bashkëkohore”. Kështu u shpreh Dafina Zeqiri – Nushi kompozitore, veprat e së cilës u promovuan në Prishtinë në praninë e disa kompozitorëve, instrumentistëve e artëdashësve të muzikës.
E re në moshë por me një krijimtari 20 vjeçare kompozitorja arriti që këto vepra ti përmbledh në dy vëllime, njëra përfshinë vepra vokale si duo, solo dhe korale. Dhe vëllimi i dytë i cili përfshinë vepra instrumentale nga duo deri tek ato për ansambël më të gjerë. U tha se ky është botimi i parë i këtij lloji nga një kompozitore grua në Kosovë.
Gjatë promovimit të veprave u tha se zhvillimi i krijimtarisë së saj bëhet gradualisht nga ajo tradicionale nga forma e harmonia, deri tek ato avangardë ku vërehet përdorimi i teknikave të zgjeruara instrumentale e vokale.
Muzikologja Yllka Kurti gjatë vështrimit që i bëri librit ”Vepra vokale”, tha se kompozitorja ka një stil individual që i atashohet natyrshëm motiveve popullore dhe arbëreshe të cilat trajtohen me një këndvështim të ri.
Ndërsa, Rreze Kryeziu Breznica muzikologe duke folur për librin” Vepra instrumetale”, trajtoi temën, “Zgjerimi i paletës kompozicionale kosovare përmes krijimtarisë instrumentale të kompozitores Dafina Zeqiri Nushi”. Kryeziu Breznica mes tjerash tha se ajo është kompozitorja e parë profesioniste në Kosovë e cila për synim kishte dhe vazhdon ta ketë ndjekjen e stilit bashkëkohorë i cili si i tillë na paraqitet në po thuaj se tërë opusin e saj krijues. “Me anë të kësaj krijimtarie Dafina, vazhdon mos me e mbajtë sekret muzikën që ajo e krijon. Nga 13 kompozime të këtij botimi shpalosen edhe disa elemente autobiografike, ndoshta të mbajtura sekret deri më sot”.
Vet autorja në fjalën e saj tha se këto dy vepra paraqesin krijimtarinë e saj 20 vjeçare duke filluar nga krijimtaria në moshë fare të re 16 vjeç e deri më sot. Zeqiri-Nushi u shpreh se në të ardhmen shpreson të botojë edhe vepra të tjera me krijimtari orkestrale.
Siç thotë Dafina, vazhdimisht është munduar të jetë aktive duke qenë pjesëmarrëse nëpër festivale si në Kosovë e po ashtu edhe në shumë vende të botës si në Izrael, Angli, Gjermani, ShBA etj.
Në këtë organizim përpos muzikologeve Prof. ass. dr. Rreze Kryeziu Breznica dhe Mr. Yllka Kurti, morën pjesë edhe instrumentistet Artemida Qarri, Florita Raifi, Nezahate Shala Zeka, dhe trion Trio de Soprano (Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, dhe Alberta Troni) të cilat interpretuan disa vepra të autores.
Përndryshe, Dafina Zeqiri Nushi është kompozitore fituese e disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.
Nëse përmendim vetëm disa nga pjesëmarrjet e saj duhet veçuar se, ajo u bë e njohur në Konkursin e Kompozitorëve të Rinj Çesk Zadeja (2002, 2003, 2005), PRE ART 2008 (në Zvicër), Theodore Front Prize (ShBA), Chopin Fest 2012 (Kosovë), konkursin Composer’s Voice 2012 nga ‘Vox Novus’ (New York, ShBA), konkursin e kompozitorve nga Ministria e Kulturës (Kosovë) (2011, 2013, 2014, 2015, 2016). Ajo ishte finaliste në konkursin ndërkombëtar në Festivalin e Grave Kompozitore të Hartford-it, në Connecticut (SHBA), ajo mori pjesë në festivalin e muzikës bashkëkohore ‘blurred edges’ në Hamburg (Gjermani), Gaudeamus Musicweek (Hollandë), Festivalin Vox Feminae’ në Izrael, Aldgete Square Festival në Londër (MB), Connect Festival në Malmo (Suedi), Emil Cossetto Festival në Zagreb (Kroaci) dhe në shumë evenimente tjera festivale.
Përveç vendlindjes, Kosovë, veprat e saj janë interpretuar në Angli, New York, Vermont, Gjermani, Austri, Itali, Meksikë, Danimarkë, Hollandë, Izrael, Turqi, Hungari, Zvicër, Suedi, Bullgari, Kroaci, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo është titullare e Doktoratës për Kompozim nga Departamenti i Muzikës në ‘New Bulgarian University’ në Sofje, Bullgari.
Ajo punon si mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës, është anëtare e OJQ-së Neo Musica e cila është anëtare në FOUNDATION ADKINS CHITI (Anëtare Ndërkombëtare e Këshillit për Muzikë në UNESCO dhe Këshillit Evropian për Muzikë), OJQ-së Aleanca Ndërkombëtare për Gratë në Muzikë (IAWM/USA), si dhe anëtare e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës.