Serbia vazhdon të provokojë, përmes sportit. Në fakt, klubet dhe delegacionet e ndryshme sportive serbe kohë pas kohe e vizitojnë Kosovën pa marrë kurrfarë leje që të futen në një shtet tjetër. Pasi javë më parë në vendin tonë qëndruan vaterpolistët serbë të përfaqësueses, mediet serbe shkruajnë se muajin tjetër një tjetër skuadër do ta vizitojë Kosovën.Bëhet fjalë për klubin e futbollit Crvena Zvezda, i cili planifikon të zbresë në tokën shqiptare më 18 maj të këtij viti, duke zbarkuar në Graçanicë, ku do të luajë ndaj skuadrës lokale. Ardhja e klubit më të madh serb pritet të ndodhë vetëm dy javë pas pranimit të Kosovës në UEFA, i cili pritet të ndodhë më 3 maj.
Në fakt, Zvezda do ta vizitojë edhe një herë Kosovën pas një viti. Herën e kaluar ekipi bardhekuq ishte pritur si hero nga serbët lokalë në Kosovë. Siç dihet, një klub nuk ka të drejtë të zhvillojë ndeshje as zyrtare e as miqësore pa e marrë lejen e shtetit amë, apo të federatës përkatëse. Por, serbët nuk e respektojnë asnjëherë këtë rregull, duke zhvilluar madje edhe ndeshje zyrtare, siç janë ato të Kupës, në sporte të ndryshme midis Kosovës pa iu trembur syri, si në bahçe të babës.
Siç njoftojnë mediet serbe, çmimi i biletës për këtë ndeshje nuk është bërë ende i ditur, ndërsa të gjitha paratë do të shkojnë për fondacionin e Rashkës në Prizren.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kishte paralajmëruar se do të mundohet ta ndalojë apo pengojë çdo tentim të serbëve për të zhvilluar aktivitete sportive në vendin tonë, pa marrë leje. Gjithashtu, edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka thënë se çdo futje ilegale e sportistëve apo klubeve në vendin tonë është e parregullt dhe ka paralajmëruar se institucioni që drejton ai do të ankohet në instancat më të larta, duke kërkuar edhe nga Ministria e Sportit dhe shteti të intervenojë në këtë drejtim për t’i penguar aktivitetet e tilla. /Zëri/
Komentet