Cristiano Ronaldo përmbys i vetëm Atletico Madrid dhe kualifikon Juventus për në çerekfinale të UEFA Champions League. Portugezi shënoi tre herë në fitoren 3-0 për bardhezinjtë përballë madrilenëve që kishin fituar ndeshjen e parë 2-0 në stadiumin Wanda Metropolitano. Kjo është hera e katërt për Cristiano Ronaldo që shënon tripletë kundër Atletico Madrid. Pas kësaj fitoreje, Juventus tregoi edhe njëherë se është mes pretendentëve për të fituar trofeun më të lakmuar për klube, trofe që klubi torinez nuk e ka fituar prej 23 sezonesh kur mundte në finale Ajax.
Ndërkohë që në sfidën tjetër të mbrëmjes, atë mes Manchester City dhe Schalke, ‘qytetarët’ e drejtuar nga Pep Guardiola shkatërruan skuadrën gjermane me rezultatin e thellë 7-0. Gjithçka e lehtë për kryesuesit e Premier League të cilët kishin fituar edhe në Arena AufSchalke me rezultatin 2-3. Golat për Manchester City u shënuan nga gjashtë lojtarë të ndryshëm; Aguero (dy gola), Sane, Sterling, Bernardo Silva, Foden dhe Gabriel Jesus.
Sot do zhvillohen dy përballjet e fundit që do të na njohin me dy skuadrat e tjera çerekfinaliste. Barcelona pret francezët e Lyon në Camp Nou, ndërsa Bayern Munich do të presë Liverpool në Allianz Arena. Të dy takimet kanë përfunduar në barazim pa gola në ndeshjet e para.
Gjashtë skuadrat e kualifikuara deri më tani për në çerekfinale janë: Ajax, Porto, Manchester United, Tottenham, Juventus dhe Manchester City./Përgatiti Irin Mesi
Komentet