Nuk e dimë nëse Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kur u takua në datën 23 qershor në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e dinte se 23 qershori është dita e të dëbuarve dhe të shpërngulurve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ajo që dihet me siguri nga burime diplomatike, është se Kryeministri i Kosovës nuk ia ka ngritur Kryeministrit të Serbisë çështjen e kthimit të refugjatëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët ndodhen aktualisht në Kosovë, në pritje të kthimit në vatrat e veta. Kështu dalim te një çështje e mprehtë diplomatike, shtetërore dhe kombëtare, e cila është e rrethuar si nga inaktiviteti i diplomacisë dhe i qeverisë së Kosovës, ashtu dhe nga një valë heshtjeje e pashpjegueshme nga mediat, e quajtura shoqëri civile dhe opinioni publik në Kosovë.
Ajo që e bën më interesante kontradiktën midis problemit të pazgjidhur dhe ndërgjegjësimit për të, është fakti se çështja e të shpërngulurve nga lufta e Serbisë kundër Kosovës në vitin 1999 ka qenë ndër më të diskutuarat dhe ndër më të sponsorizuarat nga faktori ndërkombëtar gjatë gjithë kësaj periudhe. Por tragjedia qëndron në faktin se ajo ka qenë një tablo e njëanshme. Gjithmonë është folur sikur ekziston vetëm problemi i të shpërngulurve të minoritetit serb nga Kosova, por kurrë për të dëbuarit dhe të shpërngulurit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Të dëbuarit dhe të ikurit shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët në terminologjinë e së drejtës ndërkombëtare quhen refugjatë, sepse janë detyruar me forcë të largohen nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ndodhen aktualisht në shtetin e Kosovës, në një gjendje dramatike, e cila kërkon një ndërhyrje dhe sensibilizim kombëtar dhe ndërkombëtar. Ata janë dëbuar nga vatrat dhe tokat e tyre në kohën e luftës dhe të ofensivës së përgjakshme të ndërmarrë nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër Kosovës. Por në mënyrë të veçantë dhe masive ata janë dëbuar në periudhën kur në Kosovë hynë forcat e NATO-s dhe Kosova fitoi lirinë nga Serbia në qershor të vitit 1999. Pikërisht në këtë kohë kemi valën më të madhe dhe të organizuar të dëbimit të familjeve shqiptare të Luginës së Preshevës në drejtim të Kosovës. Serbia, e cila pa se po shkëputej prej saj dhe po krijohej shteti i ri i pavarur i Kosovës, nisi planin e saj të organizuar të dëbimit masiv të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, sidomos në zonat kufitare me Kosovën, dhe më specifikisht në Malësinë e Bujanocit, në Karadakun e Preshevës dhe Medvegjës. Vetëm nga 10 qershori deri në 25 qershor të vitit 1999, nga tri komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë dëbuar dhe detyruar të shpërngulen 10783 banorë shqiptarë. Deri në vitin 2000 numri i të dëbuarve shqiptarë nga forcat serbe në Luginën e Preshevës arriti në 20 mijë vetë. Aktualisht në Kosovë jetojnë rreth 15 mijë refugjatë shqiptarë, të dëbuar dhe të shpërngulur nga Lugina e Preshevës, të cilët me të drejtë kërkojnë pareshtur kthimin në vatrat e tyre.
Qeveria serbe nuk lejon kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e veta në Luginë. Qeveria serbe po zbaton një sërë masash policore dhe administrative që të pengojë me çdo kusht kthimin e tyre në tokat e veta. Autoritetet serbe nuk u japin asnjë dokument refugjatëve shqiptarë të Luginës dhe duke qenë se shumica e tyre kanë qenë fëmijë nën moshën 18 vjeç kur u larguan nga Lugina, autoritetet serbe nuk u japin certifikata lindjeje. Dhe në të njëjtën kohë i fshijnë nga regjistrat e gjendjes civile, sikur nuk ekzistojnë, me qëllim që numri i popullsisë shqiptare të bëhet sa më i vogël. Një strategji e vjetër serbe e legalizimit të dëbimeve të familjeve shqiptare dhe e pamundësimit të kthimit të tyre, është privimi i tyre nga pronat e veta. Autoritetet serbe po marrin pronat, shtëpitë dhe tokat e familjeve shqiptare, që janë refugjatë në Kosovë, dhe po i fshijnë ata në mënyrë arbitrare edhe nga regjistrat kadastralë, sikur nuk ekzistojnë as si pronarë dhe as si banorë. Dhe kjo bëhet në një kohë që ata kanë vetëm 16 vjet që janë dëbuar, dhe dokumentacioni i pronave e shtëpive të tyre, civil dhe kadastral, është në një formë apo tjetër në të gjitha arkivat e zyrave serbe.
Ajo, që e përkufizon situatën e refugjatëve shqiptarë të Luginës së Preshevës në kufijtë e dëshpërimit, është dhe qëndrimi i qeverive të Kosovës ndaj tyre. Është e pakuptueshme se përse qeveria e Kosovës nuk u njeh dhe nuk u akordon atyre statusin e refugjatit. Sepse ata janë banorë të dëbuar dhe të ikur nga lufta dhe në të njëjtën kohë kanë të drejtën e patjetërsueshme të kthehen në pronat, në shtëpitë dhe në vendin e tyre. Përfaqësuesit e “Lëvizjes Vatra”, që përfaqëson interesat e refugjatëve shqiptarë të Preshevës që jetojnë në Kosovë, shprehin ankesat që qeveria e Kosovës nuk u njeh atyre të drejtën e shkollimit dhe të punësimit dhe nuk u krijon të drejta të barabarta me qytetarët e Kosovës. Madje, qeveria e Kosovës as nuk i pajis me dokumente të statusit të refugjatit dhe as nuk u jep shtetësinë e Kosovës, ndonëse ata kanë 16 vjet që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Një qëndrim i gabuar i Prishtinës është mosndërkombëtarizimi i çështjes së refugjatëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët kanë të drejtën e plotë sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që të kthehen në vendin, në shtëpitë dhe në pronat e tyre. Hapja dhe zhvillimi i bisedimeve midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka qenë dhe është një rast i përshtatshëm dhe i nevojshëm diplomatik për të ngritur çështjen e lejimit të familjeve shqiptare të Luginës së Preshevës të kthehen në vatrat e tyre. Qeveria e Prishtinës ka pranuar që të bisedohet për kushtet dhe ritmet e kthimit të serbëve të minoritetit serb të Kosovës në shtëpitë e tyre. Por e drejta dhe reciprociteti diplomatik kërkonte që Prishtina të ngrinte çështjen e kthimit të refugjatëve shqiptarë nga Lugina. Qeveria e Serbisë investon 200 milionë euro në vit për kthimin e serbëve të Kosovës në Kosovë. Por edhe Bashkimi Europian, edhe vetë qeveria e Kosovës, investojnë për procesin e kthimit të serbëve në Kosovë. Por as qeveria e Kosovës, as qeveria e Serbisë dhe as Bashkimi Europian, nuk kanë investuar asnjë cent për kthimin e refugjatëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. Përse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse çështja e refugjatëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës mbahet nëpër sirtarë dhe nuk bëhet problem dypalësh dhe as problem ndërkombëtar.
Diplomacia e Kosovës do të duhej ta kishte ngritur me kohë këtë çështje në organizmat dhe institucionet kryesore ndërkombëtare. Çështja e kthimit të refugjatëve shqiptarë është dhe duhet parë si pjesë e pandarë e çështjes shqiptare në Luginën e Preshevës. Në Prishtinë ndodhen misione të Bashkimit Europian, të OSBE-së, të UNMIK-ut e të Eulex-it, dhjetëra ambasada dhe lloj-lloj zyrash ndërkombëtare. Nuk është njoftuar ndonjëherë në media se diplomacia dhe qeveria e Prishtinës e kanë ngritur çështjen e kthimit të refugjatëve shqiptarë të Luginës. U bënë disa vjet që po zhvillohen në Bruksel bisedimet e drejtpërdrejta midis qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, por nuk ka pasur kurrë njoftim se Prishtina i ka kërkuar me forcë Beogradit që të ndërmarrë masat për kthimin e refugjatëve shqiptarë në vatrat e tyre në Luginë.
Çështja e refugjatëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës duhet parë e lidhur me çështjen e refugjatëve serbë nga Kosova, me gjithë ndryshimin e madh midis tyre, sepse serbët që ikën nga Kosova kishin marrë pjesë në krimet dhe në gjenocidin millosheviçian kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999, kurse shqiptarët e Luginës u dëbuan me dhunë vetëm pse ishin shqiptarë. Qeveria e Prishtinës do të duhet t’i japë çështjes së refugjatëve shqiptarë nga Lugina të njëjtën rëndësi zyrtare që i jep çështjes së refugjatëve serbë nga Kosova. Fiton rëndësi shumë të madhe hapi që duhet të ndërmarrë Prishtina, për ta ngritur çështjen e refugjatëve shqiptarë të Luginës në të gjitha forumet ndërkombëtare ku merr pjesë. Sepse u bënë 15 vjet që Këshilli i Sigurimit i OKB diskuton çdo tre muaj raportet për Kosovën, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të qeverive të Kosovës, por nuk është dëgjuar asnjëherë që të ngrihet çështja e kthimit të të dëbuarve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Inaktiviteti dhe heshtja e Kosovës zyrtare ndaj një padrejtësie kaq të madhe inkurajon politikën antishqiptare tradicionale serbe të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtu nuk duhet lënë jashtë përgjegjësisë për mungesën e ndërkombëtarizimit të çështjes së kthimit të refugjatëve shqiptarë të Luginës as faktori politik shqiptar në Luginën e Preshevës, i cili nuk duhet të mbyllë sytë ndaj këtij realiteti tragjik, por duhet ta konsiderojë pjesë të pandarë të kërkesave të tyre të drejta në drejtim të qeverisë së Serbisë. Faktori politik shqiptar në Luginë duhet t’u kërkojë me forcë dhe vazhdimisht autoriteteve serbe kthimin e shqiptarëve në vatrat e tyre. Faktori politik shqiptar është i përfaqësuar edhe me dy deputetë në Parlamentin e Serbisë, por nuk është dëgjuar ndonjë informacion se ata e kanë ngritur ndonjëherë në foltoren e parlamentit serb çështjen e kthimit të refugjatëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Ka ardhur koha që Prishtina ta bëjë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të kthimit të refugjatëve shqiptarë të Luginës pjesë të dosjes së saj të bisedimeve me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar. Prishtina nuk duhet të pranojë të diskutohet nga mëngjesi deri në darkë në këto bisedime çështja e serbëve të Mitrovicës dhe të mos kërkojë barazinë e të njëjtit trajtim dhe status për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Serbia ka qenë agresore dhe po trajtohet si viktimë. Kosova ka qenë viktima dhe po trajtohet si agresore. Ky është çmimi i kompleksit të inferioritetit në diplomaci, çmimi i mosngritjes së problemeve, çmimi i pozicionit gjithmonë në mbrojtje në bisedimet, kur pala tjetër vetëm sulmon dhe kërkon. Mund të flasësh fjalë të mëdha për pajtimin historik shqiptaro-serb, por është naivitet të besohet se kjo mund të arrihet duke anashkaluar të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Të drejtën, qoftë njerëzore, qoftë diplomatike, qoftë kombëtare, nuk mjafton vetëm ta kesh, por duhet ta kërkosh dhe ta mbrosh me forcë.
Komentet