Krahas rritjes së numrit të personave të infektuar dhe atyre që vdesin nga COVID-19, është shtuar edhe numri i njerëzve që po vuajnë çrregullime të shëndetit mendor.
Rreziku i vazhdueshëm nga sëmundja që shkaktoi vdekjen e të paktën 1.6 milionë njerëzve dhe mënyra e re e të jetuarit nën masa kufizuese po ndikon sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët, thotë Ariana Brunçaj-Metalia, këshilltare e shëndetit mendor në qendrën mjekësore për fëmijë “Cohen” dhe qendrën e kujdesit urgjent “Behavioral” në Nju Jork.
“Po shohim më shumë fëmijë që po lëndojnë veten. Është shtuar numri i fëmijëve që shprehin mendime për vetëvrasje, fëmijë që kanë humbur interesimin në gjërat që më parë i gëzonin, mendime këto që është e vështirë të menaxhohen. Thjesht nuk kanë interesim të përfshihen në asgjë dhe që izolohen duke shmangur çdo mundësi për shoqërim. Po shohim njerëz që nga mendimet e këqija po u rritet ankthi dhe që kanë vështirësi për të fjetur që nga pranvera”, tha zonja Brunçaj-Metalia, e cila është e angazhuar në departamentin e ndihmës urgjente të psikiatrisë në një spital të Nju Jorkut.
“Ankthi, depresioni dhe veprimet vetëvrasëse janë trefishuar tek fëmijët. Çdo ditë kemi të paktën dy fëmijë që tentojnë të vetëvriten”.
Dr. Zana Dobroshi punon në klinikën e psikiatrisë për fëmijë në spitalin Harlem të Nju Jorkut dhe është profesore e asociuar në Universitetin e Kolumbias. Mjekja Dobroshi, thotë se shëndeti mendor i fëmijëve varet nga ai i prindërve.
“Unë do t’i propozoja çdo prindi që të shkojë sipas rregullave të aeroplanit. Nëse fluturon dhe nëse nuk ka mjaftueshëm oksigjen, së pari vëre maskën për vete. Kjo do të thotë së pari kujdesu për veten. Nuk është vetjake nëse prindi kudjeset për veten. Ndonëse prindërit tanë, sidomos ata shqiptarë na kanë mësuar se sakrifica është virtyt, tani duhet kujdes”, thotë Dr. Dobroshi.
Specialistet e shëndetit mendor këshillojnë që prindërit të bisedojnë hapur me fëmijët, por gjithmonë duke u dhënë shpresë se pandemia po shkon drejt fundit.
“Ju mund të flisni hapur me ta për vështirësitë tuaja. Për shembull si e menaxhoni stresin dhe nervozizmin që ndjeni? Fëmijët tanë mësojnë shumë duke na parë ne. Duhet të jemi shembull për ta, duke u treguar se edhe ne ndihemi të zemëruar dhe se përballojmë këtë ndjenjë duke marrë pushim nga puna, përmes një shëtitjeje, duke bërë ushtrime ose duke biseduar me një mik. Hapini këto biseda sepse fëmijët ndihen më të sigurtë të përdorin metodat që u shfaqim”, thotë zonja Brunçaj-Metalia.
“Në qoftëse nuk ka diçka qesharake, bëni diçka qesharake, bëni humor dhe qeshni sa të mundeni. Qeshni me zor. Ne kemi grupe të qeshjes në spital. Njëri fillon qesh dhe gjithë grupi qeshin pastaj. Kështu qeshja fillon pa lidhje dhe bëhet me lidhje. Është veprim stimulues dhe krijon një atmosferë pozitive. Duhet të mbajmë në mend se gjithmonë duhet të jemi pozitivë, jo negativë. E nëse ka diçka negative duhet të marrim fëmijën dhe si një partner ta pyesim si ta rregullojmë këtë dhe çfarë duhet të bëjmë”, thotë Dr. Zana Dobroshi.
Zonja Brunçaj-Metalia shpreh shqetësimin se ndrotja që njerëzit ndjejnë për të kërkuar ndihmë kur bëhet fjalë për shëndertin mendor mund t’i dëmtojë ata më shumë.
“E shoh se shqiptarët kanë shumë vështirësi me stigmën që lidhet me shëndetin mendor, por shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe shëndeti fizik. Madje ka një lidhje të fortë mes tyre. Gjumi dhe të ushqyerit janë të lidhura me shëndetin mendor. Shpresoj që shqiptarët të kenë më shumë biseda të tilla sepse nuk ka arsye për të qenë i turpëruar”, thotë ajo.
Specialistet e shëndetit mendor këshillojnë marrjen me aktivitete që përmirësojnë gjendjen emocionale, si duke dëgjuar muzikë, vizatuar, ose duke shikuar ndonjë film, por edhe duke krijuar një rutinë dhe disa rregulla.
Komentet