VOAL

VOAL

COVID-19 nuk kursen as Xherdan Shaqirin, sulmuesi rezulton pozitiv

October 6, 2020
1 Comments
  • author avatar
    Anonymous 4 years ago Reply

    Irgendwie habe ich die Dienste einer Seite genutzt. hatte auch ein Problem wie deins. Mir wurde diesen Jungs kanalreinigunginbasel.ch geraten. Wir kamen an, machten alles schnell und sauber für wenig Geld. Ich empfehle sie nur. Komm rein, schau dir die Seite an.

Komentet

Kur Inteligjenca Artificiale kthehet në frikë kolektive: Midis realitetit dhe alarmimit- Nga Nexhmije Mehmetaj

Në një kohë kur bota po përballet me revolucionin teknologjik më të madh në historinë e saj, frika nga Inteligjenca Artificiale (AI) është bërë një temë qendrore në diskursin publik. Një tekst që qarkullon së fundmi në mediat sociale, i cili i atribuon Bill Gates-it një deklaratë dramatike për “fundin e qenies njerëzore”, është shembulli më i fundit i këtij ankthi kolektiv.

https://www.gazetatema.net/lifestyle/paralajmerimi-i-frikshem-i-bill-gates-a-eshte-inteligjenca-artificiale-i487278

Sipas këtij shkrimi, AI do të zëvendësojë jo vetëm punën tonë, por edhe vetë qenien tonë intelektuale, madje edhe ndërgjegjen njerëzore. Mësimdhënësit, mjekët, mendimtarët—të gjithë do të dalin jashtë loje, ndërsa makinat do të punojnë, do të mësojnë dhe do të shërojnë më mirë se njerëzit. Kjo tablo paraqitet si një “shpronësim antropologjik”, një ndarje e pakthyeshme mes njeriut dhe vetes së tij të dikurshme.

Por a është kjo tablo realiste? Apo po biem viktimë e një narrative apokaliptike që përdor teknologjinë si fantazmën e radhës për të trembur shoqërinë?

Padyshim që Inteligjenca Artificiale po transformon mënyrën si punojmë, mësojmë dhe jetojmë. Automatizimi i proceseve, zhvillimi i algoritmeve që përpunojnë informacion në mënyrë më efikase se njeriu, dhe përdorimi i AI në mjekësi janë realitete të tashme, jo thjesht parashikime. Por të barazohet përparimi teknologjik me “fundin e qenies njerëzore” është një ndërlidhje e rrezikshme që lë mënjanë një analizë të balancuar dhe të arsyeshme.

Nuk duhet të harrojmë se teknologjia është një mjet, jo një fuqi e pavarur metafizike. Ajo formësohet nga vlerat dhe qëllimet e atyre që e krijojnë dhe e përdorin. Frika se “AI do të mendojë në vendin tonë” është e kuptueshme, por në vend që të tërhiqemi në panik, duhet të ndërtojmë mekanizma etikë, rregullatorë dhe edukativë për ta përdorur këtë teknologji në shërbim të njeriut.
Narrativa konspirative që e sheh AI-në si një “plan satanik i Shtetit të Thellë” nuk i shërben kësaj qasjeje. Përkundrazi, ajo krijon një klimë frike dhe pasiviteti që i lë hapësirë abuzimeve reale me teknologjinë. Nëse ka një rrezik të vërtetë, ai qëndron në mungesën e transparencës, kontrollit demokratik dhe edukimit kritik mbi teknologjitë e reja.

Shqetësimet për ndikimin e AI-së janë legjitime dhe duhen dëgjuar me vëmendje. Por përgjigja ndaj tyre nuk duhet të jetë as frika e verbër, as entuziazmi naiv. Ajo duhet të jetë angazhimi i vetëdijshëm për të ruajtur thelbin njerëzor në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.

Njeriu nuk është i destinuar të zëvendësohet. Por është i thirrur të riforcojë vlerat e tij—etikën, ndërgjegjen, empatinë—për t’u përballur me të ardhmen me kurajë, jo me dorëzim.

Gjenevë 31.03. 2025 Nexhmije Mehmetaj

BISHZ: Në kujtim të jetës dhe veprës së gazetarit, regjisorit dhe humanistit Iztok Tory

IZTOK TORY 1947–2025

Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe regjisorit të mirënjohur slloven Iztok Tory, Shoqata BISHZ në Solothurn të Zvicrës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, shokëve, miqve dhe kolegëve të tij, të Radio Televizionit Slloven.

Ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të ndjerin Iztok Tory, thonë se ai ishte shok dhe mik me tipare të njeriut të ndershëm dhe punëtori të dalluar. Vlen të theksohet se Tory një kohë kreu edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Republikës së Sllovenisë.

I ndjeri Iztok Tory, gjatë kohës kur punoi si gazetar dhe regjisor në Radio Televizionin Slloven, u veçua me sjelljet e mira dhe përkushtimin në punë. Ai, me pedantërinë, precizitetin dhe guximin e pashoq, la gjurmë të pashlyeshme.

Ne që jetonim në Kosovë, me të ndjerin Iztok Tory u njohëm në vitin 1989, kur 1300 minatorë të Trepçës dhe minierave të tjera të Kosovës qëndruan të ngujuar në galeritë e thella të Stantërgut, në mbrojtje të Kushtetutshmërisë së Kosovës, të cilën Serbia e suprimoi me kërbaç e tanke.

Në këtë kohë nga më të rëndat të historisë së Kosovës, me minatorët shqiptarë u solidarizua edhe Iztok Tory – humanist i madh dhe burrë trim. Iztok Tory, aq sa zgjati golgota e minatorëve të Trepçës në Stantërg të Mitrovicës, qëndroi së bashku me ta, i ngujuar në thellësitë mbi 1 mijë metra të nëntokës.

Me këtë rast u vërtetua humanizmi dhe guximi i tij i pashoq në mbrojtje të së vërtetës. Ai jo vetëm që vuajti së bashku me minatorët, por gjithë këtë dramë – sa tragjike aq edhe krenare – e xhiroi të tërën, duke sensibilizuar opinionin brenda ish-Jugosllavisë dhe atë ndërkombëtar.

Andaj, vdekja e tij në mbarë Kosovën dhe në Diasporën shqiptare është pritur me dhembje dhe pikëllim të thellë.

Iztok Tory ka lënë pas vetes një krijimtari shumëdimensionale si gazetar dhe regjisor. Ai, si një kundërshtar i deklaruar i regjimit të Slobodan Milosheviqit, ka regjistruar ngjarje të shumta në të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Ne shqiptarët e Kosovës, duke çmuar guximin dhe humanizmin e tij të pakufizuar, do ta kujtojmë përherë si njeriun që u ballafaqua me vdekjen, vetëm e vetëm për ta nxjerrë në dritë tragjedinë e minatorëve tanë.

Ai, i prekur me gjendjen e minatorëve, këtë dramë të paparë e quante turp të ish-Jugosllavisë dhe ndërgjegje të vrarë të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Shpirti i dëlirë dhe human i mikut tonë të madh, Iztok Tory, u prehtë në paqe dhe qetësi!

Shoqata BISHZ në Solothurn të Zvicrës, Kryetar, Abas Fejzullahi

Deri kur do të lëshojë rrënjë kisha politike e ndërtuar në kampuset e Universitetit të Kosovës?!..- Nga ARIF EJUPI

 

Në vitin 1996, në kulmin e represionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, kur Universiteti ishte mbyllur për studentët shqiptarë dhe vendi ndodhej nën trysninë e shtypjes sistematike, regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndërtoi një kishë ortodokse serbe në kampuset e Universitetit të Kosovës, ngjitur me Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”

Ky veprim nuk kishte asnjë lidhje me fenë apo nevojat shpirtërore të pakicave serbe përkundrazi, ishte një akt i qëllimshëm politik, një simbol pushtimi dhe provokimi, i vendosur pikërisht në hapësirën që për shqiptarët e konsideronin si palcë të dijes, rezistencës dhe identitetit kombëtar.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë edhe kriminelë të njohur serbë, përfshirë famëkeqin Zhelko Ražnatoviq -Arkan, i njohur për masakrat në Bosnjë e Hercegovinë dhe më gjerë.

Vetë prania e Arkanit, i veshur me uniformë çetnike dhe i shoqëruar nga ndihmësit e tij, tregon më shumë se çdo predikim se për çfarë ishte ngritur kjo kishë: për të vrarë e terrorizuar shqiptarët jo për të shenjtëruar e lutur.

Që nga ajo ditë, kjo ndërtese mbeti si gur i rëndë në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, dhe relikt i gjallë i pushtimit serb të Prishtinës dhe Kosovës.

Kisha politike e ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Kosovës, nuk është thjesht një ndërtesë me kube. Ajo është plagë e hapur e një epoke shtypjeje, përndjekje dhe poshtërimi, për shqiptarët autoktonë të Kosovës.

Dihet mirëfilli se ajo nuk përfaqëson as paqe, as besim, as shenjtëri por të kundërtën e tyre.

Sot, kjo kishë politike qëndron aty si monument i arrogancës së një pushteti gjenocidal, si një sfidë ndaj ndërgjegjes kolektive të një populli që i ka mbijetuar një shekulli të tërë dhune e gjenocidi sistematik.

Kjo kishë kryekëput politike qëndron si provokim i përhershëm, që nuk flet me gjuhën e Zotit, por me atë të kryekasapit Millosheviq. Çfarë është tragjike dhe brengosëse është fakti se ajo po lëshon rrënjë në heshtje para syve tanë dhe të botës.

Sa më gjatë të rrijë aty, jo vetëm që fyen kujtesën tonë historike, por rrezikon të bëhet pikë e përhershme përplasjeje dhe përçarjeje, apo “mollë sherri” . Nëse nuk veprojmë sot, nesër mund të jetë vonë, dhe historia do të na pyesë: “Ku ishit, kur një gur i dhunës fshihte fytyrën e dijes?”

Prandaj, rrënimi i saj nuk është akt i inatit, por i ndërgjegjes së shëndoshë, dhe duhet të ndodhë me vendim të prerë, të drejtë dhe të koordinuar nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Shqiptarëve nuk mund t’u lihet barra për të hequr një gur që është vendosur mbi kockat e tyre. Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Ky objekt projekt i realizuar nga kriminelë , serbë nëse nuk rrënohet sa më parë në të ardhmen mund të përdoret si përplasje në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Historia moderne e Ballkanit është e ngarkuar me përpjekje sistematike të Serbisë për të zhdukur gjurmët shqiptare nga trojet e tyre autoktone, sidomos në Kosovë. Këto përpjekje nuk janë episodike, por mirëorganizuara dhe të planifikuara ndër breza, me mbështetje të fortë politike, ushtarake dhe kishtare.

Një nga figurat më të errëta në këtë histori është famëkeqi Nikolla Pashiq, ish-kryeministër i Mbretërisë së Serbisë dhe më vonë i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

Ai ishte arkitekt i politikave që synonin kolonizimin e Kosovës dhe shpërnguljen e shqiptarëve. Pashiq personalisht uzurpoi qindra hektarë tokë të shqiptarëve në Kosovë, duke e përdorur shtetin si mjet për pasurim personal dhe për spastrimin etnik të territoreve shqiptare.

Serbia, përmes figurave si Pashiq, dhe më pas Millosheviq, ka ndërtuar një vazhdimësi politike të dhunës, grabitjes së pasurisë, ndërrimit të strukturës etnike dhe përdorimit të kishës si mjet pushtimi kulturor dhe territorial.

Ndërtimi i kishës në kampusin e Universitetit të Kosovës është vetëm njëri nga kulmet e kësaj politike afatgjate, që nuk njeh kufij moralë e as njerëzorë.

Për të kuptuar qartë se çfarë përfaqëson ajo kishë sot, duhet parë në dritën e kësaj historie të errët, si një gur që qëndron jo mbi themelet e besimit, por mbi rrënojat e padrejtësive shekullore ndaj shqiptarëve.

ARIF EJUPI

BISHZ I SHPREH NGUSHËLLIME TË SINQERTA FAMILJES SË NDERUAR TË IZTOK TORY NGA REPUBLIKA E SLLOVENISË

BISHZ I SHPREH NGUSHËLLIME TË SINQERTA FAMILJES SË NDERUAR TË IZTOK TORY NGA REPUBLIKA E SLLOVENISË

Hizdri Gubetini: Jeta mes tokës dhe qiellit- Nga ARIF EJUPI

 

Hizdri Halit Gubetini lindi më 8 prill të vitit 1977 në Polenicë, paralagje e Podujevës, e njohur sot si Podujeva e Re. Qysh në fëmijëri, ëndrrat e tij nuk kishin kufij – ai nuk shihte vetëm përtej horizontit, por ëndërronte të sfidonte lartësitë dhe të fluturonte në qiell.

Dashuria e tij për fluturimin nuk ishte thjesht një pasion i çastit, por një thirrje e brendshme, një forcë që e shtynte të sfidonte gravitetin dhe të përjetonte lirinë që vetëm qielli mund t’i ofronte. E, dinte se mjeshtëria e parashutizmit bartte rreziqe të shumta, por asgjë nuk mund ta zmbrapste.

Në Kosovë dhe Shqipëri ku aeronautika nuk ishte një sport masiv, Hizdri Gubetini ishte ndër të paktët që sfidoi vështirësitë dhe punoi me përkushtim për ta popullarizuar këtë disiplinë të rrallë.
Në kushte të rënda pune, me këmbëngulje dhe pasion të pashtershëm, ai përballoi dhe sfidoi pengesat nga më të ndryshmet – duke mos u ndalur kurrë në rrugën e tij për të ngritur këtë sport në një nivel më të lartë.

Vetëmohimi dhe puna e tij e pandërprerë u shpërblyen me sukses të merituar. Hizdri Gubetini u stolis me trofe të shumta, duke shkëlqyer jo vetëm në garat rajonale, por edhe në ato ndërkombëtare. Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte ajo në garat prestigjioze ndërkombëtare “Oludeniz Air Games Festival”, të mbajtura më 20-24 tetor 2021, në Oludeniz – Fethiye, të Turqisë.

Në këtë garë me konkurrencë të jashtëzakonshme, ai la pas 55 aeronautistë të njohur të botës, duke dëshmuar talentin dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme.

Ky ishte një moment historik për të dhe një krenari për Kosovën e Shqipërinë, duke e vendosur atë në hartën e aeronautikës botërore.

Garat në të cilat ai mori pjesë përfshinin fluturimet në tandem, si dhe hedhjet “skydiving” dhe “wingsuit”, të cilat janë ndër disiplinat më të vështira dhe ekstreme të aeronautikës.

Përveç përkushtimit të madh dhe guximit të jashtëzakonshëm, këto fluturime kërkojnë një precizitet milimetrik, një kontroll absolut të trupit në ajër dhe një përgatitje të jashtëzakonshme teknike. Hizdri Gubetini zotëroi këto aftësi me mjeshtëri, duke e bërë atë një emër të njohur dhe të respektuar në botën e sporteve ajrore.

Një nga momentet më të jashtëzakonshme të karrierës së tij ishte edhe ai, kur, porsi një dallëndyshe,për pesë orë të plota qëndroi në një lartësi prej 3,000 metrash, mbi malet e Moknës të Burimit (ish-Istogu) duke kryer akrobacione ajrore që mahnitën të gjithë të pranishmit.

Ky akt ishte një dëshmi e përgatitjes së tij fizike dhe teknike, e disiplinës së tij të hekurt dhe e guximit të tij të rrallë.

Po ashtu fluturimet e tij në Llogara dhe Berat të Shqipërisë, si dhe në Prilep të Maqedonisë së Veriut, mbeten të paharrueshme për të gjithë ata që e njohën dhe e admiruan artin e tij të fluturimit. Në këto vende ai sfidoi erërat, lartësitë dhe gravitetin, duke e shndërruar qiellin në arenën e tij të triumfit.

Sukseset e tij nuk mbetën vetëm në kufijtë kombëtarë. Hizdri Gubetini theu rekorde dhe fitoi shumë medalje në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Turqi, Itali, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme la pas konkurrentët më të mirë të botës, Hizdriu ngriti standardin e aeronautikës në rajon dhe u bë një ikonë e këtij sporti.

Përveç si pilot profesionist dhe kampion në sportet ajrore, Hizdri Gubetini dha një kontribut të rëndësishëm edhe si instruktor në Federatën Aeronautike të Kosovës.

Ai ndau përvojën dhe pasionin e tij me gjeneratat e reja, duke ua mësuar atyre teknikat dhe sigurinë e fluturimit. Për shumë të rinj që e ëndërronin qiellin, Hizi siç e quanin shokë e miq ishte frymëzim dhe mentor. Ai jo vetëm që ua mësoi artin e aeronautikës,por ua largoi edhe frikën për t’i sfiduar lartësitë të gjithë debutuesve të këtij sporti.

Punën dhe sukseset e Hizdriut edhe sot i vlerësojnë lart të dyja Federatat e Aeronautikës së Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë nën një çati, duke e mbajtur gjallë pasionin dhe vizionin që ai la pas.

Një vlerësim të veçantë të arriturave të Hizdriut, çdoherë ua ka bërë z. Alket Islami, kryetar i Federatës Aeronautike të Shqipërisë. Ai, Hizriun e cilëson si një figurë markante të aeronautikës shqiptare.

Z.Alket Islami në kujtimin të jetës dhe veprës së Hizdriut, çdo vit, në bashkëpunim me vëllezërit Arbër dhe Zyber Krasniqi, udhëheqës të Federatës Aeronautike të Kosovës, organizojnë gara të fluturimeve me emrin e Hizdri Gubetinit.

Ky aktivitet jo vetëm që mban gjallë trashëgiminë e tij, por edhe i motivon të rinjtë që të ndjekin rrugën e Hizdriut.

Trashëgimia e tij nuk ndalet këtu. Pas vdekjes së Hizdriut, me guxim dhe vendosmëri, këtij sporti i është qasur edhe i biri, Almiri, duke ndjekur gjurmët e babait të tij dhe duke vazhduar ëndrrën e tij për të pushtuar qiellin.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Komunës së Podujevës i është propozuar që një rrugë apo një klub i aeronautikës të emërtohet me emrin e Hizdri Gubetinit.

Ky do të ishte një homazh i denjë për një njeri që i dha shpirt aeronautikës dhe që ngriti lart emrin e Kosovës dhe Shqipërisë në sportet ajrore ndërkombëtare.

Ëndrra e Hizdriut për suksese të reja u ndërpre papritur natën e 6 dhjetorit të vitit 2021, kur atë e rrëmbeu vdekja e fshehtë dhe tinëzare derisa ishte duke punuar në dekorimin e oxhaqeve të kamp-shtëpizave në fshatin Delloc të Therandës.
ARIF EJUPI

Blerina Kastrati me gjasa reale për të zënë vend në Asamblenë e Komunës Carouge të Gjenevës- Nga ARIF EJUPI

 

Me një përvojë të gjatë në politikën lokale dhe një angazhim të palëkundur për drejtësi sociale, zonja,Blerina Kastrati, më 23 mars të këtij muaj kandidon, për Këshillin Komunal të Carouge, si anëtare e Partisë Socialiste të Gjenevës, seksioni Carouge.

Përveç zonjës Kastrati për të zënë njërën prej 33 ulëseve në Legjislativin e kësaj komune, garës i kanë hyrë edhe 77 kandidatë të tjerë. Mirëpo zonja Kastrati, duke përfaqësuar një vizion progresist për një shoqëri të barabartë dhe të qëndrueshme shpreson në fitore. Ajo premton se gjatë mandatit të saj do të sjellë ndryshime konkrete në shërbim të qytetarëve.

Blerina Kastrati ka lindur në qershor të vitit 1985 në Gjakovë të Kosovës. Mirëpo, për shkak të rrethanave të vështira politike dhe ekonomike, ajo më 2003, largohet nga Kosova dhe migron në Zvicër. Ajo fillimisht vendoset në pjesën gjermanishtfolëse të këtij vendi, ku jeton plot 12 vjet.

Zonja Kastrati me një vizion të qartë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe për t’u angazhuar në jetën shoqërore dhe politike të shtetit helvetik zhvendoset në Gjenevë. Ajo ishte e sigurt se në këtë qendër të diplomacisë botërore më lehtë mund t’i realizojë objektivat dhe pretendimet e saj.

Zonja Kastrati shpejt nëpërmjet kurseve intensive mësoi gjuhën frënge. Pastaj nisi punën në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës, ku me mirësjellje e korrektësi ra në sy për të mirë si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe nga komunitetet e tjera. Ajo pa u shkëputur nga puna, u aftësua edhe si edukatore socio-edukative për fëmijët, duke treguar gatishmërinë e saj për edukimin dhe mirëqenien e brezave të rinj.

Kurse, angazhimi i saj politik nisi dhjetë vjet më parë, kur u anëtarësua në Partinë Socialiste të Gjenevës, dega në Carouge. Puna e saj e ndershme dhe aftësitë e saj organizative shumë shpejtë e çuan në një rol të rëndësishëm brenda partisë, duke u zgjedhur nënkryetare e degës për dy mandate radhazi. Ky rol i dha përvojë të duhur në politikën lokale dhe e ndihmoi të ndikojë në çështje kyçe që prekin interesat e qytetarëve të komunës Carouge.

Një nga figurat që ka frymëzuar rrugëtimin e saj politik është Micheline Calmy-Rey, ish-Presidente dhe Ministre e Punëve të Jashtme e Zvicrës. Blerina Kastrati e vlerëson veçanërisht angazhimin e saj të njohur karshi Kosovës dhe politikën e saj të bazuar në diplomaci aktive dhe drejtësi sociale. Kastrati duke e pasur idol zonjën, Calmy – Rey, dëshiron të punojë për një Carouge me projekte të realizueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Prioritete kryesore të zonjës, Kastrati janë: trajtimi i njëjtë i të gjithëve pa shikuar racë e përkatësi fetare. Prioritet tjetër i rëndësishëm i saj është edhe krijimi i një ambienti sa më të shëndetshëm dhe integrimi i të rinjve në shoqërinë gjenevase.

Po ashtu zonja Kastrati do të angazhohet për respektimin e të drejtave të barabarta të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Carouge, duke promovuar një qytet të hapur dhe solidar për të gjithë.
Segment tjetër i angazhimit të saj do të jetë edhe barazia gjinore – Mbrojtja e të drejtave të grave dhe burrave në mënyrë të barabartë, duke kërkuar masa konkrete për të mbështetur gratë në tregun e punës, në vendimmarrje dhe në jetën shoqërore.

Kastrati dëshiron që komuna Garouge të jetë më me shumë hapësira gjelbërimi dhe fusha të sportit, në mënyrë që t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve. Ajo po ashtu lufton për ta bërë komunën Carouge edhe më të pastër dhe më tërheqëse për vizitorët.

Projekt tjetër i zonjës Kastrati, që me pak përpjekje mund të realizohet është edhe mbështetja për familjet dhe nënat në punë– Me përvojën e saj si edukatore dhe aktiviste, ajo do të përpiqet që të lehtësojë punën e nënave me fëmijë, duke promovuar politika që ndihmojnë familjet që të balancojnë më mirë jetën profesionale dhe atë private.

Ajo do të bëjë gjithçka për promovimin e sportit dhe mirëqenies fizike – Si një pasionante e sportit, veçanërisht notit, Blerina do të jetë mbështetëse e një jete sa më aktive dhe të shëndetshme.

Edhe në muajt me temperatura të ulëta, ajo noton në liqenin Leman me shokë dhe shoqe, duke treguar përkushtimin e saj ndaj një stili të një jete dinamike. Për këtë arsye, ajo do të mbështesë projekte që promovojnë aktivitetet sportive për të gjitha grupmoshat.

Blerina Kastrati është e njohur për aftësitë e saj të forta komunikuese dhe organizative të cilat i ka shfrytëzuar për të ndërtuar marrëdhënie të forta me qytetarët dhe për të dëgjuar nevojat e tyre.

Ajo beson se politika duhet të jetë një dëgjesë aktive dhe një dialog i vazhdueshëm me komunitetin, jo vetëm një proces vendimmarrjeje nga lart-poshtë.

Kastrati është edhe një poliglote e vërtetë flet dhe shkruan gjuhët: frëngjisht gjermanisht, anglisht dhe shqip.

Megjithëse është një figurë publike e angazhuar në politikë, ajo është e rezervuar për jetën e saj private, duke vendosur gjithmonë punën dhe misionin e saj për komunitetin në qendër të vëmendjes.

Të gjithë duhet të kuptojmë që zonja Blerina Kastrati, nuk është vetëm një kandidate – ajo është një politikane me vizion, përvojë dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Carouge.

Votues të nderuar nëse dëshironi ndryshime pozitive në të gjitha fushat e jetës më 23 mars 2025, votoni Listën numër 4, dhe zonjën Blerina Kastrati !

ARIF EJUPI

QË MAQEDONIA E VERIUT TA KAPËRCEJË YLBERIN- Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

 

Foto: Tek Ura e Gurit

Jemi këtu pas shumë vjetësh. Natyrshëm ndjenja e mallit dhe ndjenja e kureshtjes janë të pandashme. Janë këto dy ndjenja të ndryshme nga kolegët tanë të APES, me të cilët qëndruam katër ditët e fundit të shkurtit në Maqedoninë e Veriut.

Nga udhëtimi ynë i mëparshëm, ky vend ka ndryshuar një herë flamurin, dy herë emrin e shtetit, disa herë kushtetutën. Rezistenca ndaj këtyre ndryshimeve i ka marrë shumë kohë dhe energji, e ka vonuar në proceset integruese euro-atlantike, i ka kushtuar së tepërmi edhe në rritjen e brendshme në shumë rrafshe. Vetëm në vitin 2019, pas 28 vitesh këmbëngulje nga Greqia fqinje, ka pranuar të ndryshojë emrin në Republikë e Maqedonisë Veriore, çka e ka lejuar të anëtarësohet, më në fund, në NATO. Vetëm më 2019, 18 vjet pas marrëveshjes së Ohrit, ka hequr dorë nga rezistenca dhe e ka futur në kushtetutë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare bashkë me maqedonishten në nivel shtetëror. Kohë dhe energji të mëdha i mori edhe çështja e Kishës Ortodokse të Maqedonisë, e cila shpallte autoqefalinë që më 1967, por i njihej nga Kisha Ortodokse e Serbisë dhe Patriarikana vetëm në vitin 2022. Tashmë vendi ndodhet nën një trysni të re nga Bullgaria, e cila nuk lejon përparimin e proceseve drejt anëtarësimit në BE pa përfshirë në kushtetutë edhe bullgarët si pakicë kombëtare e MV-së.

Boris Trajkovski (Strumicë- Maqedoni, 25 qershor 1956- Beçrkoviq- Bosnjë, 26 shkurt 2004), Presidenti i dytë i Maqedonisë (1999- 2004), një nga firmëtarët e Marrëveshjes së Ohrit (13 gusht 2001) ka pasur këtë vizion për këtë shtet: “Republika e Maqedonisë po ndërtohet mbi idealet dhe vlerat demokratike, jo mbi grupet etnike. Këto ideale dhe vlera përfshijnë mundësitë ekonomike, mundësitë e gjuhës dhe të arsimit, të drejtat fetare dhe proceset politike.”

Na mjafton ky vizion si njësi matëse për të parë dhe për të prekur në realitetin e tyre, sa afër dhe sa larg këtij vizioni janë zhvillimet e derisotme të këtij vendi dhe prirjet e mëtejshme të këtyre zhvillimeve.

Bashkëjetesë apo jetesë paralele?

Të gjithë mikpritësit tanë e pranojnë që Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik. Në enciklopeditë bashkëkohore thuhet se “Në shtetet multietnike, politikat që promovojnë përfshirjen dhe barazinë janë thelbësore për të ruajtur harmoninë sociale dhe për të shmangur përplasjet etnike.” Si shembulli më i mirë i shteteve aktuale multietnike, me popullsi të ndryshme që kanë identitete të ndryshme etnike, përmendet Kanadaja.

Në pyetjen që ia drejtuam zotërisë Izet Mexhiti, se cili është modeli i suksesshëm i shteteve multietnike perëndimore i parapëlqyer nga MV, zëvendëskryeministri i parë i MV, u përgjigj se modeli i përshtatur për këtë shtet është sipas parimeve të Badinterit, mbi të cilin u krye shpërbërja e ish – Jugosllavisë.

Kryetari i BDI Ali Ahmeti (Zajas i Kërçovës, 4 janar 1959), në politikë që nga viti 1981, përfaqësues politik dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare më 2001, na priti në selinë qendrore të partisë në Tetovë. Ahmeti thekson se mutietniciteti është i garantuar nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, e firmosur edhe nga përfaqësuesit kryesorë të aleatëve perëndimorë. Ndër të tjera, theksoi ai, Marrëveshja garanton edhe barazinë e gjuhës shqipe në vend. Ahmeti ngre zërin kundër planeve të administratës së re për të rishikuar ligjin për gjuhën që e flet më shumë se 20 për qind e popullsisë, pra, për gjuhën shqipe. Ndërsa z. Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë aktuale, lidhur me këtë temë na tha se koalicioni VLEN në përbërje të qeverisë së re, e quan fyese për shqiptarët ligjin aktual, i cili nuk e përmend fare gjuhën shqipe.

Çka nuk përfytyrohej më parë, sipas Ahmetit, falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së në përbërje të qeverive të MV, nga 3 për qind sa ishte pjesëmarrja e shqiptarëve në qeverisjen e vendit deri më 2001, sot kjo shifër është rreth 23 për qind. Ahmeti shton se kjo shifër nuk është e kënaqshme, sepse shqiptarët nuk janë rreth 25 për qind e popullsisë së vendit, siç e paraqet censi i fundit, por është mbi 30 për qind, madje mund të jetë edhe 40 për qind. “Popullsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut është më e madhe se krejt popullsia aktuale e Malit të Zi,” theksoi Ahmeti. Falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së, në Shkup është ngritur shtatorja e shqiptare Nënë Tereza, shtëpia e saj muzé, është ngritur përmendorja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, theksoi Ahmeti. Falë luftës së UÇK-së, Marrëveshjes së Ohrit dhe rolit të BDI-së shqiptarët sot kanë tri Universitete.

Shefi i opozitës shqiptare në MV tha: “Ne shqiptarët e MV e kemi pranuar gjuhën e maqedonasve, e kemi pranuar kulturën e maqedonasve, e kemi pranuar identitetin e maqedonasve. Është radha e maqedonasve që ta pranojnë gjuhën shqipe, kulturën shqiptare, identitetin shqiptar në MV.” Ahmeti shpalli synim imediat të Bashkimi Demokratik për Integrim zgjerimin e partisë edhe me anëtarësi nga bashkësitë e tjera të vendit, duke e bërë BDI-në partinë e parë tejnacionale të MV pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.” Bashkëjetesën dhe jo jetesën paralele, përfshirjen dhe jo përjashtimin, rritjen e barazisë dhe jo të hendeqeve ai i quan çelës të suksesit të këtij shteti.

Gjatë vizitës sonë në komunën e Tetovës, me keqardhje, ne mësuam se nxënësit maqedonas nuk shkojnë në shkollat publike të Tetovës dhe të vendbanimeve të tjera shqiptare të MV-së. Që aty, në fakt, njëri komunitet, ai maqedonas, përjashton bashkëjetesën e mirëfilltë me komunitetin tjetër të madh të MV-së, shqiptarët, dhe kështu përvijohet jetesa paralele. Bashkëjetesa, dihet, çon në forcimin e shtetit, shëndoshjen e shoqërisë, perspektivën e sigurt të MV-së. Jetesa paralele, pashmangshëm, çon krejtësisht në të kundërt. Derisa shqipja të gjejë zbatim, sipas Kushtetutës së MV-së, si gjuhë nacionale e këtij vendi, krahas maqedonishtes, vështirë se mund të flitet për bashkëjetesë të mirëfilltë në këtë shtet.

Pikëpyetje ndaj një projekti

Profesor doktor Xheladin Murati (Xhepçishtë, Tetovë- 15 shkurt 1942), figurë e ndritur e arsimit shqip, i mendimit pedagogjik dhe mësimdhënies shqip, deputet nga radhë e Partisë së Prosperitetit Demokratik, anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe nënkryetar i Kuvendit të MV në dy mandate, 1991-1994 dhe 1994-1998, na priti në auditorin e madh të Universitetit publik “Fadil Sulejmani” në Tetovë.

Z. Murati iu vë shumë pikëpyetje optikave zyrtare ndaj së shkuarës, realitetit dhe së ardhmes së këtij projekti që tashi quhet Maqedonia e Veriut. Sipas tij, shkaktare kryesore e problemeve të vendit nuk janë faktorët fqinjësorë, por mendësia komuniste e maqedonasve. Ai rendit: Republikë jugosllave që nga 1944, Maqedonia i trajtoi shqiptarët si pakicë kombëtare me të drejta të reduktuara, ndërmori dënime, represione, përjashtime, diferencime, presion për shpërngulje për në Turqi, burgosje të mësuesve, intelektualëve, e tjerë si nacionalistë, irredentistë, përkrahës të demonstratave të shqiptarëve të Kosovës e tjerë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, nën Kiro Gligorovin, Maqedonia nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj shqiptarëve. Në këtë kohë, shqiptarët nuk e votuan kushtetutën, nuk e votuan referendumin për pavarësi, por mbajtën referendumin e tyre për autonomi politiko-territoriale. Për këtë shkak, pati shumë parti maqedonase, shoqata, OJQ, komuna, kolektiva të ndryshme që kërkuan të fshihet nga regjistri e vetmja parti shqiptare e atëhershme e shqiptarëve, Partia për Prosperitet Demokratik. Në dy legjislaturat e para partitë maqedonase dhe pushteti maqedonas ishin shumë kufizuese ndaj kërkesave të shqiptarëve, nuk u pranua asnjë amandament, asnjë ligj, asnjë hapje e institucioneve kulturore shqiptare. U bë mollë sherri përdorimi i flamurit kombëtar. Më 9 qershor 1997 ndodhi intervenimi policoro-ushtarak ndaj dy komunave shqiptare, Tetovë e Gostivar. Përpos burgosjes së kryetarëve, u vranë 3 veta, mbi 70 u rrahën, morën lëndime trupore, u shtruan në spitale. Deri më 2001 maqedonasit, udhëheqjet e tyre, partitë maqedonase ishin shumë kufizues ndaj lirive qytetare, arsimit shqip, gjuhës shqipe, kulturës shqiptare, përfaqësimit në pushtet, zhvillimit territorial të balancuar e tjerë.

Profesori është kritik ndaj UÇK-së, e cila, doli në mal për ndarjen e Maqedonisë, duke e ndërruar më vonë kursin se po luftojnë për barazi kombëtare. Është kritik ndaj ndërtimit të brendshëm të shtetit, i cili, nga 31 komuna sa kishte deri më 1990, krijoi 123 komuna, duke e zbritur më vonë në 84, numër tepër i madh, sipas tij, çka vetëm e mbingarkon administratën publike.

Mendësisë komuniste të maqedonasve ia vë fajin Profesor Murati për zhvillimet që çuan deri te 13 gushti 2001 i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit për të drejtat e shqiptarëve, edhe për ato që çuan tek 17 qershori 2018 për ndërrimin e emrit, të tilla, sipas tij, janë edhe problemet aktuale me Bullgarinë. Profesor Murati thekson se Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është sfida më e madhe për integrimin evropian. Edhe pse reagojnë me fjalë, sipas tij, maqedonasit në fakt janë pajtuar me këtë marrëveshje. Profesori thotë: “Maqedonia do të zvarritet edhe gjatë kohë nëpër korridoret e BE-së dhe labirinthet e historisë,” mendon profesori. Dhe shton: “Mendoj se frika themelore qëndron në faktin se, posa bullgarët të bëhen pjesë e kushtetutës, pra 3 500 veta, shpejt do të rriten në 20 për qind dhe atëherë maqedonasit do të mbeten pakicë. Kjo implikon nevojën të bëhet ridefinimi i shtetit.”

Ashtu si Ali Ahmeti, edhe Profesor Murati e thekson se “qëndrimet e shqiptarëve ndaj shtetit të MV dhe ndaj popullit maqedonas janë afirmative dhe pozitive, sepse shqiptarët e pranojnë shtetin e MV, e njohin identitetin maqedonas, gjuhën, kulturën, historinë, personalitetet e tyre, ndërsa maqedonasit nuk tregojnë korrektësi ndaj shqiptarëve, sepse ata ua mohojnë atyre emrat shqiptarë të rrugëve, mohojnë personalitetet shqiptare nga historia, nuk lejojnë që në Tetovë të ndërrohen emrat e rrugëve dhe të shkollave, edhe pse ato mbajnë emra të ish komunistëve e të ngjashme. Figurat shqiptare konsiderohen nga maqedonasit si ballistë, nacionalistë, irredentistë.”

(Megjithatë, konstaton Profesori, ka figura maqedonase që reflektojnë ndaj së vërtetës. Lubçe Georgievski, atëherë kryeministër, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, doli me qëndrimin që Tetova, Gostivari dhe Dibra t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë, çka shqqiptarët nuk e pranuan: “Lubçe Georgievski sot flet gjerësisht se Shkupi është qytet Dardan, ka qenë kryeqytet i Dardanisë, se viset shqiptare janë dardane dhe se këtu është shtrirë Iliria.”)

Qeveria e udhëhequr nga VMRO, tërheq vëmendjen Profesori, faktikisht po bën maqedonizimin e MV-së, sepse po ndodh heqja e gjuhës shqipe, nuk po respektohet dygjuhësia e tjerë: “Gjykata Kushtetuese e MV-së e suprimoi balancuesin, i cili ishte një mjet për sigurimin e barazisë në punësime e administratë. Kohë më parë e paralajmëroi edhe shqyrtimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës së 20 përqindëshit, me të cilin nënkuptohet gjuha shqipe. U paralajmërua se do të bëhet abrogimi i ligjit në tërësi ose do të shfuqizohen disa nene të ligjit.”

Shikimin përtej fqinjëve

Denko Maleskin (Shkup, 14 nëntor 1946) e takuam në auditor në Universitetin publik të Shkupit. Vjen nga një familjet më të besuara të Maqedonisë Veriore, themeluese të saj. Është i biri i Vlado Maleskit, i cili, diku nga viti 1942, shkroi tekstin “Dielli lind mbi Maqedoni” që u bë hymn kombëtar i maqedonasve veriorë. Intelektual, diplomat, profesor i politikës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare, autor i shumë botimeve, studimeve, eseve, një ndër think tankët më me ndikimin në politikën e vendit, Denko Maleski ishte ministri i parë i Jashtëm i vendit nga 1991 deri më 1993, pastaj ambasador në Kombet e Bashkuara (1993-1997), për t’iu rikthyer sërish jetës akademike.

Profesor Maleski mbahet mend për këto qëndrime të famshme:

Më 2006 një televizioni grek i tha: “Ideja se Aleksandri i Madh na përket neve, ishte vetëm në mendjen e disa grupeve politike të huaja! Këto grupe ishin të parëndësishme në vitet e para të pavarësisë sonë, por problemi i madh është se kombet e vjetra ballkanike mësuan të legjitimojnë veten përmes historisë së tyre. Në [Ballkan], nëse doni të njiheni si komb, duhet të keni një histori 2000 ose 3000 vjeçare. Pra, meqë ju [grekët] na keni bërë të shpikim një histori, ne e shpikim atë! . . . Ju na detyruat ne të biem në prehrin e nacionalistëve ekstremë që sot pretendojnë se jemi pasardhës të drejtpërdrejtë të Aleksandrit të Madh.”

Në vitin 2007, Maleski tha se kombi i veçantë maqedonas u formua në Luftën e Dytë Botërore. Ai gjithashtu deklaroi se maqedonasit dhe bullgarët ishin një komb në të kaluarën. Në një intervistë në vitin 2020 për një kanal televiziv bullgar, lidhur me çështjet dypalëshe maqedono-bullgare, ai tha se “pala maqedonase duhet të përballet me të vërtetën objektive historike”, dhe “pala bullgare duhet të përballet me realitetin e ekzistencës bashkëkohore të kombit dhe gjuhës maqedonase”.

Edhe në takimin me ne Maleski iu përmbajt pikëpamjes së tij se fati midis dy palëve ishte ndarë me krijimin e Jugosllavisë, ndërsa ky fat u nda përfundimisht në Luftën e Dytë Botërore. “Bullgarët na e mohojnë edhe gjuhën, thonë se është dialekt e jo gjuhë. Por maqedonishtja është gjuhë aq sa është sllovenishtja, malazezçja, boshnjakishtja, kroatishtja dhe serbishtja.” Sikurse mikpritësit tanë nga politika, që nga zëvendëskryeministri i parë i MV Izet Mexhit, te ministri i Shëndetësisë dhe kryetar i koalicionit VLEN Arben Taravari, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ishte Presidenti vendit Stevo Pendarovski, e tjerë, edhe Profesor Maleski për ngecjen e dialogut me palën bullgare e fajëson paqëndrueshmërinë politike në Sofje, pasi vullneti dhe gatishmëria për arritjen e marrëveshjes nuk ka munguar nga ana e MV.

“Në Jugosllavi ne nuk ishim të pakënaqur, pranon Profesor Maleski. Kur nisi shpërbërja e federatës, na u premtua se nuk do të ketë Kroaci të Madhe, as Serbi të Madhe, as Shqipëri të Madhe (shënojmë këtu se ndërkohë profesori nuk e përmend mundësinë e një Bullgarie të Madhe). Me zhvillimet aktuale në Republikën Serbe, frut i një spastrimi etnik, përfshirë këtu Srebrenicën, që u njoh nga bashkësia ndërkombëtare, nuk mund flitet më si në fillimet e shpërbërjes së federatës. Dihet fati i serbëve të Bosnjës, dihet fati i kroatëve të Bosnjës, nuk dihet fati i boshnjakëve. Tashi flitet edhe për largimin e Bondstillit. Bondstilli është vetëm 40 kilometra prej këtu dhe është garanci sigurie jo vetëm për Kosovën, por edhe për Maqedoninë dhe për krejt rajonin, i cili para pak vitesh ka dalë nga disa luftëra të përgjakshme. Trumpi është i paimagjinueshëm.”

Në këtë kontekst, Profesor Maleski është shpresëpakët edhe ndaj së ardhmes së BE-së dhe, prandaj, e shikon të zymtë të ardhmen e rajonit. I pyetur nga ne se më pranë kujt prej fqinjëve e gjen MV-ja veten në situatën e pritshme, Profesor Maleski u përgjigj se në situata të tilla kërkohet roli i një fuqie të madhe. Tërthor Profesori iu përgjigj pyetjes sonë: “Vendi i parë që e njohu Maqedoninë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ishte Bullgaria, i dyti ishte Turqia, vend i cili ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë.” Rolin e Turqisë ndaj këtij MV-së e theksoi më parë një bashkëbisedues mbresëlënës, Stevo Pendarovski, Presidenti i pestë i vendit, 2019-2024, (Shkup, 3 prill 1963). Ditën tjetër, ndërsa ne të APES-it po vizitonim Urën e Gurit të Shkupit, kryeministri Mickoski vizitonte Ankaranë dhe Erdogani deklaronte se miqësinë midis Turqisë nuk e tund dot asgjë në botë dhe se ajo është e fortë si Ura e Gurit në Shkup, urë që është simboli kryesor i qytetit, e ndërtuar mbi themelet romake me mbështetjen e Sulltani Mehmetit II pushtuesit në vitet 1451- 1459. Ura lidh të dyja anët e qytetit. Në njërën anë të Vardarit janë shqiptarët, në anën tjetër maqedonët, “të vetësegreguar”, shkruajnë enciklopeditë. Erdogani nënvizoi sidomos marrëdhëniet dy vendeve në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes. Pak ditë më vonë Mickoski hidhte një tjetër shikim përtej fqinjëve, teksa takohej në Budapest me Orbanin.

Profesor Maleski i pranoi problemet mes maqedonsave dhe shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. “Ishin shumë të gabuara slloganet e maqedonasve se “shqiptarët e kanë vendin në Shqipëri” ose “t’i përzëmë shqiptarët në Shqipëri”. Pastaj ndodhi përplasja midis UÇK-së dhe forcave të armatosura të Maqedonisë. Për pak, po të mos ishte bashkësia ndërkombëtare dhe Marrëveshja e Ohrit, vendi do të kalonte në luftë civile. Për pajtimin midis dy popujve, edhe 100 vjet janë pak,” ishte i mendimit Denko Maleski.

Shqiptarët – dorë e zgjatur edhe në MV

Në ndërkohët mes takimeve zyrtare, delegacioni i APES u njoh edhe me segmente kulturore e shpirtërore shqiptare që e pasurojnë dhe e dallojnë kulturën dhe, në përgjithësi jetën shpirtërore të vendit. Është jo pa domethënie se dy Nobelat që kanë marrë shqiptarët, të vetmet Nobela edhe për MV-në iu përkasin pikërisht dy figurave nga kjo hapësirë, Shën Nënë Tereza dhe Ferid Murati. Shtëpia përkujtimore për Shën Nënë Terezën, përuruar më 30 janar 2009, është ngritur aty ku, deri në tërmetin e vitit 1963, gjendej Kisha Katolike “Zemra e Shenjtë e Krishtit”, në të cilën Gonxhe Bojaxhiu, u pagëzua vetëm një ditë pas lindjes. Ne vizituam edhe truallin ku dikur ndodhej shtëpia ku lindi Shën Nënë Tereza fare pak larg qendrës së kryeqytetit.

Është mahnitëse të vizitosh të famshmen Xhamia e Larme, një kryevepër ndër objektet me karakter fetar, dhe kompleksin kulturor e historik, në të cilin përfshihet edhe Teqja e Harabatisë dhe Kalaja e Tetovës. Xhami e Larme u ndërtua më 1495. Më 1689 gjithë qytetin e Tetovës e kaplonte zjarri pas betejës me ushtrinë austriake, si pasojë xhamia digjej deri në themel. Më 1815 u rindërtua. Më 1833 u bë zbukurimi nga mjeshtër të ardhur nga Dibra. Asnjë hapësirë në fasadë as interier nuk është lënë pa zbukurime artistike, prandaj e ka edhe emrin Xhamia e Larme.

Shoqëruesi ynë në këto vizita na sqaron se për realizmin e këtyre pikturave janë përdorur të bardhat e vezëve (20,000 vezë), gjaku dhe ngjyrat minerale. Ndër zbukurimet e brendshme janë veçanërisht mahnitëse buqeta lulesh, gjethe akantusi, kalaveshë rrushi dhe 12 medaljone të pikturuara që përmbajnë 12 emrat e të dërguarve të Zotit. Ndërsa në kube janë të paraqitur peisazhe piktoreske nga qytete të ndryshme përfshirë Stambollin, Venedikun, Mekën si dhe pamje nga xhami të ndryshme si: xhamia e Ethem Beut në Tiranë, Xhamia e Beqarëve në Berat. Në xhami janë bërë punime konservuese më 1967, 1979 dhe 1981.

Në Tetovë ne patëm një darkë pune në selinë e “Ecolog” të Lazim Destanit (23 gusht 1954, Bezovcë, Tetovë) një firmë me veprimtari në 55 vende të botës. Nga zonja Pranvera Kasami dhe kolegët e stafit të “Ecolog”, ne mësuam për sukseset e firmës dhe vizionet e pronarit të saj, sipërmarrës, investitor, filantrop, si dhe mbështetës etnuziast i popullit shqiptar e i vendeve të Ballkanit, përkrahës i integrimeve euroatlantike të rajonit. Ndër të tjera është edhe pronar i klubit futbollistik të suksesshëm “Shkëndija” të Tetovës. Te “Ecolog” folëm edhe për rolin e diasporës shqiptare në përgjithësi, të asaj të MV në veçanti, në Zvicër, ku jetojmë ne dhe kudo tjetër në Evropë e në botë. Kjo temë e rëndësishme u trajtua edhe me ambasadoren e Zvicrës në Shkup Véronique H. Marti dhe me të gjithë bashkëbiseduesit tanë.

Në Universitetin publik “Fadil Sulejmani” të Tetovës, në një murale para se të hysh në auditorin e madh janë portrete e figurave më të mëdha të kombit shqiptar, shumë prej tyre janë nga hapësira shqiptare në MV. Këta dhe shumë të tjerë nga të gjitha fushat e dijes, artit, kulturës, shkencës, me famë ndërkombëtare, emrat e tyre, shtatoret e të cilëve do të nderonin rrugët dhe sheshet e krejt MV-së.

Profesor Xheladin Murati na foli për lajmin veçanërisht të mirë se dijetarët nga kjo hapësirë kanë krijuar Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe po presin legalizimin e saj. Përderisa ka një Akademi Maqedonase, ku nuk ka vend për kolegët shqiptarë, natyrshëm do të ketë edhe një akademi të shqiptarëve. Edhe kjo një tjetër dorë e zgjatur e shqiptarëve në MV.

Një e vërtetë tjetër e pakundërshtueshme u shqiptua me plot gojën nga zëvendëskryeministri i parë i vendit Izet Mexhiti e nga ministri i Shëndetësisë dhe shef i koalicionit VLEN Arben Taravari, si dhe nga shefi i opozitës shqiptare Ali Ahmeti: Shqipëria dhe Kosova janë dy fqinjët më të mirë të Maqedonisë Veriore. Të dyja këto shtete e kanë dëshmuar prirjen dhe interesimin për të ofruar dhe për të krijuar hapësirë ndaj MV-së. Kosova e ka sjellë autostradën “Arbër Xhaferi” deri në Bllacë. Edhe Shqipëria po e sjell autostradën deri në kufirin shtetëror, në katrorin e Korridorit VIII, shpallur që në vitin 1991. Ministri Taravari na tha se i është dhënë përparësi nga kjo qeveri autostradës me Shqipërinë, ndërsa autostrada me Kosovën, e gjatë vetëm 12 kilometra nuk do të lihet pas dore. Kryetari i komunës së Tetovës dhe kryetar i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami ( Tetovë, 31 korrik 1975 ) na bëri të ditur se po punohet edhe në autostradën Tetovë- Prizren.

Në përmbyllje nuk mund të mos rikujtojmë vizionin e Boris Trajkovskit, përmendur në krye të shkrimit: “Republika e Maqedonisë po ndërtohet mbi idealet dhe vlerat demokratike, jo mbi grupet etnike. Këto ideale dhe vlera përfshijnë mundësitë ekonomike, mundësitë e gjuhës dhe të arsimit, të drejtat fetare dhe proceset politike.”

Në MV, sa herë që vijmë, ne ndihemi në shtëpinë tonë, pothuaj si në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe çdo herë largohemi me dëshirën që të kthehemi përsëri dhe ta gjejmë përherë e më mirë këtë vend.

Fotot: Peter Kenny & Pierre Virot

Zvicër: Hajdari dhe tri surpriza absolute në thirrjet e para të Yakin në vitin 2025

Xhaka mungon, Blondel, Gartenmann dhe Schmidt thirren për mbrojtje

VOAL- Ka disa surpriza në thirrjen e parë të vitit të Murat Yakin për miqësoret që kombëtarja do të luajë kundër Irlandës së Veriut (në Belfast më 21.03) dhe kundër Luksemburgut (në St. Gallen më 25.03). Mbrojtja, e cila përfshin edhe Albian Hajdarin e Juventusit, përfshin tre lojtarë të rinj: mbrojtësin e krahut me nënshtetësi të dyfishtë zvicerane dhe argjentinase Lucas Blondel, Isaac Schmidt i Leeds dhe qendërmbrojtësi i rritur në Danimarkë, Stefan Gartenmann. I pari e kaloi gjithë karrierën e tij në shtetin e Amerikës së Jugut dhe aktualisht mban fanellën e Boca Juniors, i dyti u largua nga St. Gallen në fillim të sezonit aktual ndërsa i fundit aktualisht mbron ngjyrat e Ferencvaros, në Hungari.

Futja tjetër e re është mesfushori i Lozanës, Alvyn Sanches, ndërsa portieri i Lucernit, Pascal Loretz, mund të marrë shansin e tij të parë për të mbrojtur portën e Zvicrës. Nga ana tjetër mungon kapiteni Granit Xhaka, i cili është gati të bëhet baba për herë të tretë, si dhe i lënduari Manuel Akanji, i mavijosuri Ardon Jashari dhe lojtarët e tjerë të Luganos në kombëtare Uran Bislimi dhe Renato Steffen. RSI

ING. VEHBI KRYEZIU, PËRFAQËSUES I DENJË JO VETËM I KOMUNITETIT TONË, POR EDHE I KOMUNITETEVE TË TJERA TË KOMUNËS MEYRIN TË GJENEVËS

Më 23 mars të këtij viti, në 45 komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, do të mbahen zgjedhjet lokale. Këto zgjedhje janë një mundësi e mirë për të gjithë ne. Nëpërmjet votës sonë të lirë, të cilën na garanton sistemi i përkryer zgjedhor i këtij vendi, nëse duam ndryshime pozitive dhe jetë më cilësore, duhet të përcaktohemi për më të përgatiturit dhe më të përgjegjshmit.

Sipas njoftimeve të publikuara nga këshillat e nëntë partive politike që garojnë këtë vit, me kandidatët e tyre konkurrenca për të zënë pozitën e këshilltarit komunal është jashtëzakonisht e madhe.
Për dallim nga zgjedhjet e para pesë vjetëve, sivjet për të zënë vend në asambletë komunale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës do të garojnë 2012 kandidatë. Në këto gara do të përfshihen edhe 41 shqiptarë të natyralizuar, të cilët prej vitesh jetojnë dhe kontribuojnë në Gjenevë. Pothuajse të gjithë kandidatët janë me etnogjenezë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe i takojnë brezit të dytë të të mërguarve.

Në mesin e kandidatëve nga radhët e komunitetit tonë dhe të komuniteteve të tjera bie në sy z. Vehbi Kryeziu, inxhinier i diplomuar i informatikës.

Kryeziu, i përgatitur profesionalisht dhe mjaft serioz në kryerjen e detyrave, do të garojë për pozitën e këshilltarit administrativ të komunës Meyrin të Gjenevës me të Gjelbërit.
Kush është Ing. Vehbi Kryeziu?

Vehbi Hevzi Kryeziu ka lindur më 2 qershor të vitit 1983 në Prishtinë, Republikën e Kosovës.

Familja Kryeziu është me prejardhje nga komuna e Dardanës. Nga kjo familje dolën mësues e atdhetarë të njohur. Sejdi Kryeziu ishte një burrë që gjatë gjithë jetës luftoi për të drejtat dhe liritë e popullit shqiptar. Ai, duke qenë përherë në kërkim të çlirimit të shqiptarëve nga zgjedha serbe, disa herë ishte rrahur dhe burgosur nga sllavo-komunistët.

Në nderim të jetës dhe veprës së Sejdiut, pas çlirimit definitiv të vendit nga Serbia, një shkollë dhe një rrugë mbajnë emrin e tij.

Rrugën e Sejdiut e ndoqi edhe mësuesi dhe gazetari Hevzi Kryeziu. Ai ishte një përkrahës i madh i demonstratave studentore të vitit 1968 dhe 1981.

Hevziu, në fakt, është babai i inxhinierit Vehbi Kryeziu. Më 5 korrik të vitit 1990, nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, së bashku me shokët u përjashtua nga puna si gazetar dhe realizues i Radio Televizionit të Prishtinës.

Hevziu, nga frika e arrestimit, më 1991 migroi në Gjenevë të Zvicrës. Ai edhe në Gjenevë u mor me punën e gazetarit, po ashtu punoi edhe si mësues i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe.

Pas shumë përpjekjesh, atij, në Gjenevë, më 1994 iu bashkëngjitën bashkëshortja dhe fëmijët.

Hevziu gjithçka bënte për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tij dhe të mërgimtarëve tanë.

Ai, sidomos organizimit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, i kushtoi rëndësi të posaçme dhe i mbeti besnik deri kur vdiq në gusht të vitit 2009.

Gjatë viteve 1996-1997, pata kënaqësinë që t’i kem nxënës në Shkollën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe të Gjenevës, Artë Kryeziu dhe vëllain e saj, Vehbi Kryeziu.

Që të dy ishin të edukuar dhe mjaft të interesuar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Veç kësaj, ata u bënë edhe pjesë e organizimeve tona. Me rastin e festave tona kombëtare dhe promovimit të kulturës sonë në përgjithësi, dhanë një kontribut që s’duhet harruar.

Andaj, secili shqiptar me të drejtë vote në komunën Meyrin të Gjenevës, pa hezitim duhet që votën e tij t’ia besojë z. Vehbi Kryeziu.

Vehbiu, deri në gjysmëvjetorin e klasës së V-të, ishte nxënës i shkollës fillore “Meto Bajraktari” të Prishtinës. Madje, ai përjetoi edhe helmimin misterioz të organizuar nga shërbimet e fshehta të Armatës dhe Policisë jugosllave.

Kjo përvojë e hidhur, sigurisht, ka bërë që Vehbiu ta ruajë me fanatizëm gjuhën dhe kulturën e vendit të tij. Duke qenë i përkushtuar në punë, është integruar shumë shpejt edhe në Gjenevë.

Ai, edhe kur ishte nxënës i ciklit të mesëm, u dallua si bashkëpunues dhe solidar me shokë e shoqe. Vehbiu çdoherë u gjet në krah të atyre që kishin probleme të natyrave të ndryshme.

Ai, me butësinë e tij dhe shpirtin e dëlirë, i ndihmonte që këto kriza të momentit t’i kalonin sa më lehtë.

Vehbiu qysh herët pati shfaqur interesim për shkencat e informatikës. Ai, duke qenë i pasionuar pas tyre, ia doli që me sukses të marrë titullin MA, i diplomuar në Informatikë.

Aktualisht, është administrator i sistemeve dhe rrjeteve informatike në Bankën Kombëtare të Kuvajtit – dega në Gjenevë.

Përveç angazhimit të tij profesional, ing. Vehbi Kryeziu është aktiv edhe në organizatat që mbështesin komunitetin shqiptar në Zvicër. Ai nuk kursen asgjë për të ndihmuar në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në këtë vend multikulturor.

Vehbiu ishte dhe mbetet një aktivist i fuqishëm për barazinë dhe integrimin e rreth 160 nacionaliteteve dhe kulturave të tjera në jetën shoqërore dhe politike të komunës Meyrin të Gjenevës.
Ing. Vehbi Kryeziu, duke qenë pjesë e Partisë së Gjelbër të komunës Meyrin, do të angazhohet me të gjitha forcat që banorëve të kësaj komune t’u krijojë ambient të shëndetshëm dhe arsim cilësor.

Me votimin e ing. Vehbi Kryeziut, më së tepërmi fitojnë banorët e Meyrin-it, ngase ai është punëtor, i paanshëm dhe pa paragjykime.

Jemi të sigurt që ai, pa dallim race dhe origjine, do t’u dalë në ndihmë të gjithëve. Vota për ing. Vehbi Kryeziun është votë e një ndryshimi pozitiv në arsim, higjienë dhe ushqim të shëndetshëm!
ARIF EJUPI

Lamtumirë prof. Astrit Leka: 100 – vjet histori, sakrificë dhe përkushtim ndaj çështjes shqiptare Nga ARIF EJUPI

 

Prof. Astrit Leka dhe Abas Fejzullahu, veteran i Arsimit në Kosovë dhe Mërgatë.
Sot, pasdite në ambientet e “Chapelle des Rois” të lagjes Planipalais të Gjenevës, është organizuar ceremoni mortore në nderim të Prof. Astrit Leka, luftëtar i njohur i Luftës Nacionalçlirimtare dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Familjarëve, ish-nxënësve, shokëve dhe miqve, të prof. Arstrit Leka, fillimisht u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta zonja Sonia Duc,celebrante laike në“Chapelle des Rois” dhe anëtare e shoqatës” ACOR” të Zvicrës frankofone.

Zonja, Duc para të pranishmëve të kësaj ceremonie mortore gjatë dyzet minutave ka shpalosur jetën dhe veprën e prof. Astrit Leka , që nga lindja e deri në vdekje.
Prof. Astrit Rakip Leka, lindi më 20 dhjetor të vitit 1924. Origjina e paraardhësve të tij, është nga Borshi i Shqipërisë së Jugut. Meqë, babai i tij, Rakip Leka, ishte Prokuror në Elbasan, ai mësimet e para i mori në këtë qytet.
Pastaj, ato të mesme i vazhdoi në Liceun francez të Korçës. Z. Leka ishte njëri prej nxënëseve më të mirë të këtij Liceu . Ai në këtë Lice mësimdhënës dhe kujdestar klase e kishte Enver Hoxhën, udhëheqës i ardhëm i Shqipërisë komuniste . Zoti Leka, edhe pse ishte nxënës shembullor nuk mundi t’i përfundoj mësimet në liceun e Korçës, për shkak të pushtimit të Shqipërisë, nga Italia fashiste.
Ai si një i ri inteligjent dhe mjaft i shkathët përkundër vështirësive të shumta nga dëshira për t’u arsimuar regjistrohet në shkollën e mesme “Francesko Krispi” në Tiranë.
Kurse në vitin 1939 edhe pse shumë i rinj i motivuar nga një grup shokësh shkon në Itali, për të vazhduar me mësime në Kolegjin Cikonjini. Leka i rritur në një familje përparimtare dhe i brumosur me atdhedashuri papritmas përleshet ashpër me Sekretarin e Rinisë fashiste të kolegjit.
Ai i edukuar në frymë fashiste para syve të z. Astrit Leka e kishte përdhosur Flamurin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, me shqiponjën dykrenore. Leka i fuqishëm dhe energjik i mllefosur nga ky akt i shëmtuar e kishte rrahur keq moshatarin e tij, italian. Lajmi për këtë ngjarje të rëndë ishte përhapur me shpejtësi rrufeje në mbarë Italinë.
Me të kuptuar rastin Qemal Stafa, asokohe student në Firencë, nga frika që Astritin do ta përjashtojnë nga shkolla e pastaj do ta nxjerrin edhe para Gjyqit, i jep këshilla praktike se si duhej mbrojtur.
Ky incident i pamenduar e shtynë z. Leka, që të kthehet në Shqipëri dhe të inkuadrohet në Grupin e Shkodrës, i cili me guxim të pashoq e luftonte fashizmin italianë.
Astrit Leka, ndërkohë lidhet edhe me shokë e shoqe të gjimnazit të Tiranës. Ai bashkërisht me ta krijon organizatën, Rinia komuniste Shqiptare . Nga grupi ku bënte pjesë Astriti, duke treguar heroizëm të vërtetë ndaj pushtueseve italianë vriten 11 shokë të tij.
Astrit Leka përkundër dhembjes për humbjen e shokëve nuk dorëzohet, madje ai shndërrohet në Atentator të njohur. Gjatë përpjekjeve për çlirim të trojeve shqiptare nga pushtuesit kryen 44 atentate. Në mënyrë që të mos binte në sytë e italianëve vepronte me nofkën Alaiku.
Duke qenë i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhënë Luftës Nacionalçlirimtare shpëton nga burgosja dhe ekzekutimi që i kishin kurdisur njerëz të afërt me Enver Hoxhën.
Leka me etjen e pashuar për të zënë sa më tepër njohuri më 1950, pa shkëputje nga puna studion Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Histori e Gjeografi . Ai duke u treguar i zellshëm në studime në të dyja drejtimet diplomon në afat rekord, së bashku me kolegët e tij, Qemail Haxhihasani dhe Shaban Demiraj.
Pas diplomimit z. Arsrit Leka, punon së profesor në shkollat e mesme të Tiranës . Ai në punën me nxënës tregohet mjaft i suksesshëm. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit të tij, të dikurshëm në gjimnazin e Tiranës, nga Milano në Gjenevë, kishte ardhur Z. Shpetim Qesja.
Ai me shumë emocion flet për përkushtimin e pareshtur të Z. Leka, si pedagog e veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare . Z. Astrit Leka, më 1967, kishte kundërshtuar haptas idenë për zbatimin e njëfarë revolucioni kulturor kinez. Kjo u mor si pretekst dhe ai u përjashtua nga procesi arsimor dhe edukativ. Kurse bashkëshorten e tij, Eminen të diplomuar në Biologji-Kimi dhe në Veterinari, vetëm pse u solidarizua me të shoqin Astritin e detyruan të punojë në një stallë derrash.
Prof. Astrit Leka, njohës i shkëlqyeshëm i shtatë gjuhëve të huaja pas rënies së komunizmit largohet nga Shqipëria . Ai fillimisht shkon në SHBA dhe Kanada. Me gjithë mundësitë për të lobuar atje në favor të çështjes shqiptare, dëshironte që të jetë më afër Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai me ndihmën e një miku të tij, zviceran nga Bulle e Friburgut, në shtator të vitit 1990, së bashku me bashkëshorten Eminen dhe vajzat Brikenën dhe Dasarën, vinë në Zvicër. Prof. Astrit Leka, edhe pse ende s’ kishte shtruar kërkesë për strehim merr ofertë pune nga Universiteti i Friburgut.
Prof. Leka i vendosur që me tërë qenien të punojë në të mirë të çështjes së pazgjedhur shqiptare refuzon këtë ofertë pune dhe vendoset në Gjenevë. Ai së bashku me disa miq zviceranë më 1992, themelojnë shoqatën “Solidest”. Zoti,Leka nëpërmjet kësaj shoqate shqyrton mundësinë e vendosjes së shtatores së kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë.
Pas shumë përpjekjesh me ndihmën e Z. Alexander Lambert, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Gjenevës dhe drejtor shumëvjeçar i shoqatës “ Solidest” më 1 Nëntor të vitit 1997, kjo ide e kamotshme e z. Asrtit Leka, jetësohet.
Prof. Astrit Leka, po ashtu loboi fuqishëm në dobi të të gjitha trojeve tona të pushtuara nga serbo-sllavët. Ai ka pasur takime me burrështetas të njohur si: Jacques Chirac , Tony Blair, Papa Françesku etj.
Në homazhin e sotëm kushtuar zotit Astrit Leka, kujtime nga puna me te evokoi edhe miku i njohur i çështjes shqiptare Ueli Leuenberger, njëherit edhe themelues i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë. Ai tha z. Leka ishte përplot energji për punë. Ai duke qenë i tillë kudo ofronte dashuri dhe pozitivitet.
Ndërkaq, në emër të shtetit shqiptar me një fjalë rasti u paraqit zonja, Vasilika Hysi, Ambasadore pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Ajo çmoi lartë angazhimin e prof. Lekës, duke thënë se ai do të kujtohet përherë nga shqiptarët. Ajo në fund të fjalës së saj paralajmëroi organizimin e një mbrëmje nga shteti shqiptar, kushtuar jetës dhe veprës së lavdishme të prof. Astrit Leka.
Zonja, Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë të Zvicrës, tha se çdo takim me prof. Astrik Leka, ishte mbresëlënës.
Ai me përvojën e tij të gjatë garantonte se çlirimi i Kosovës nga Serbia, do të ndodh patjetër. Ambasada jonë në Bernë, më 2018, duke mos harruar kontributin e tij, të jashtëzakonshëm tha ajo organizoi një solemnitet dhe e shpërbleu me mirënjohje.
Edhe pse i shtyrë në moshë nga Nju-Jorku në Gjenevë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit të vëllait Astrit Leka, kishte, ardhur Z. Genc Leka, me bashkëshorten Elenën dhe vajzën Denisën.

Kurse, mbesa Holta Hoxha-Carron, lexoi disa rreshta mjaft emocionues nga takimet me dajën e saj, prof. Astrit Leka. Ajo leximin e kësaj letre e përfundoi duke thënë “ isha me fat që dajë, kisha një njeri të urtë dhe intelektual me vlera të veçanta si prof. Astrit Leka.“

Mbi arkivolin e profesor Lekes, lule dhe qirinj vendosën të bijat Brikena dhe Dasara, si dhe nipi Eric dhe mbesa Helene Lambert.

Në fund të gjithë lexuesit e kësaj nekrologjie i njoftojmë se prof. Astrit Leka, ka ndërruar jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 100 -vjeçare së Spitalin Universitar të Gjenevës.
Mirëpo, ceremonia e varrimit është shtyrë deri me sot, për shkak të procedurave të parapara me ligjet, gjenevase.

Jemi të vetëdijshëm që shumëçka ka ngelur pa u thënë mbi jetën dhe veprën e prof. Astrit Leka, i cili një shekull të plotë e kaloi në mes luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të pareshtura për ta bërë më të mirën e mundshme ndaj popullit të tij.
Në një të ardhme të afërme do t’ua prezantojmë të plotë biografinë dhe veprën e luftëtarit, pedagogut dhe poliglotit të njohur Astrit Leka.
Kujtimi për profesor, Astrit Lekën, do të jetë i përjetshëm !
ARIF EJUPI

Gëzuar 8 MARSI- Nga Gani Qarri

Festa e gruas e cila kremtohet me 8 mars dhe shënohet vetëm pak ditë para fillimit kalendaror të pranverës, na ritroket për çdo vit, në kujtesën tonë, për ti nderuar me respekt e bërë atyre këtë ditë edhe më të bukur, duke ua uruar Festën, shprehur vlerësimin e duhur dhe treguar përkushtimin maksimal që meritojnë, ato që edhe vet janë lulet më të bukura të kësaj bote.
Femrat janë burim i dashurisë, mirësisë e haresë, gëzimit dhe ripërtëritjes së jetës mbi tokë.
Ndaj me rastin e kësaj dite të veçantë për të gjitha femrat, duke qenë se është e pamundur të shprehen me fjalë krejt ato që meriton çdo ditë, orë e minutë një nënë, një bijë, një motër, një grua, një femër e vërtetë, të dashura femra, Ju qenia më e bukur e kësaj bote, që me aq mund e sakrificë, lindni jetë, rritni e edukoni fëmijë, mbani burrë e familje dhe falni dashuri pa fund, ju lule me të cilat ripërtërihet dhe vazhdon ekzistenca qenies tonë, urime 8 marsi, dita e veçantë e festës tuaj, juve burim i mirësisë e gëzimeve më humane, drita e kësaj bote dhe çelësi i mbijetesës së njerëzimit mbi glob!
Misioni juaj është dhe mbetet përpjekja për drejtësi, paqe, dashuri dhe barazi, kudo!
Ju burim i vazhdimësisë dhe garancia e vijimësisë së njerëzimit megjithëse në rrugën tuaj të gjatë e të mundimshme me shumë sakrifica e përpjekje të vështira, keni shënuar edhe shumë arritje, të drejtat tuaja ende nuk janë akt i përfunduar, andaj mos dorëzohuni as ndaloni betejën e shenjtë për barazinë reale me burrat, se do ja dilni, ngase barazia juaj, si në gjithë botën demokratike, është e domosdoshme dhe dëshmia vendimtare e emancipimit të mirëfilltë të mbarë shoqërisë shqiptare.
Urime edhe një herë të gjitha femrave, e veçanërisht femrave shqiptare, kudo ndodhen ato, juve që dini aq bukur të gëzoheni e festoni, por në rast nevoje edhe të rebelohuni me arsye dhe protestoni me plot të drejtë!
GËZUAR dhe qoftë dita më e lumtur gjithmonë për çdo nënë, grua dhe vajzë, për ju që keni mundur urrejtjen me dashuri dhe errësirën me dritë dhe vijoni ti jepni ngrohtësi shpirtit të njeriut e kuptim të jetuarit tonë tokësor!”
Bota pa ju, nuk do të  ishte kaq e bukur, as kjo që ne njohim dhe shijojmë sot bashkë! Një botë të cilës ju i falni dashuri pa kursim, e frymëzim për vazhdimësi dhe dhuroni mbarë njerëzimit shpresë për të ardhmen.
Ndaj, ashtu si në të kaluarën, vazhdoni edhe tani dhe në vijimësi të dhuroni dashuri e frymëzim dhe shpërndani sa më shumë energji pozitive dhe shpresë te fëmijët dhe brezat e së ardhmes, për mirësjellje e respekt të ndërsjellë dhe një botë më të mirë.
Ju shembulli i mirësisë, që jeni engjëlli i vërtetë dhe vet Jeta mbi tokë, Gëzuar 8 Marsin, paçi përherë vetëm festa e gëzime dhe gjithmonë pranverë e hareshme, qoftë Jeta e juaj!
 GËZUAR!!!
 Gani Qarri  Zyrih, 8 mars 2025

Një ekspozitë e veçantë fotografike është hapur në Gjenevë me titull “Gratë në luftën e Kosovës”- Nga NEXHMIJE MEHMETAJ

Dje, më 6 mars 2025 në ambientet e Universitetit të Gjenevës, në sallën HALL D’UNIMAIL, është hapur ekspozita e veçantë fotografike me titullin “Gratë në rrugën e lirisë”, një ngjarje domethënëse kushtuar rolit dhe sakrificës së femrës shqiptare në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës. Kjo ekspozitë është organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Gjenevës në bashkëpunim me Shoqatën “Shoqëria e Re”, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm vizual mbi kontributin e grave shqiptare në periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare.
Ekspozita përfshin 100 fotografi lëvizëse, të cilat pasqyrojnë momentet më të rëndësishme të angazhimit të grave shqiptare në frontin e luftës për lirinë e Kosovës, si dhe jetën e tyre përtej vijës së betejës. Përmes këtyre imazheve, vizitorët patën mundësinë të njihen me historitë e grave të guximshme që, përkundër sfidave dhe paragjykimeve, morën armët dhe u rreshtuan përkrah burrave në mbrojtje të atdheut.
Kjo ekspozitë na rikthej vëmendjen tek një kapitull i rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, shpesh të lënë në hije, duke ndriçuar sakrificat e grave të cilat, me guxim të pashoq, u bënë pjesë e drejtpërdrejtë e betejave çlirimtare në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999.
Fotografitë shfaqin jo vetëm momentet e luftës, por edhe aspektet e përditshmërisë së këtyre grave, përkushtimin e tyre në organizimin e rezistencës, kujdesin për të plagosurit, ndihmën ndaj familjeve të dëbuar dhe përballje me dhunën e okupatorit. Përmes kësaj ekspozite, kuptuam më thellë rolin e femrës shqiptare në momentet më kritike të historisë sonë të re, kur ato jo vetëm që u barazuan me burrat në sakrificë dhe guxim, por shpeshherë morën edhe barrën më të rëndë të luftës.
Roli i femrës shqiptare në luftën për liri nuk është diçka e re, por një vazhdimësi e sakrificave që ato kanë bërë ndër shekuj. Që nga mbretëresha Teuta e njohur për luftën në mbrojtje të Ilirisë, në shekullin XX  e njohur heroina Shota Galica e tjera. Historia jonë më re dëshmon  se vajzat dhe gratë shqiptare kanë qenë gjithmonë krah burrave në momentet më të rëndësishme për kombin.
Gjatë Lëvizjes studentore të vitit 1981, kur kërkesat për barazi, liri dhe të drejta kombëtare u ngritën me forcë nga rinia shqiptare e Kosovës, shumë vajza dhe gra u përfshinë aktivisht në këtë lëvizje, duke luajtur një rol kyç në organizimin dhe përhapjen e protestave. Ato u burgosën u torturuan nëpër burgjet serbe por, asnjëherë nuk u mposhtën.
Në luftën e fundit për lirinë e Kosovës (1998-1999), roli i femrës shqiptare u bë edhe më i prekshëm, pasi përveçse morën armët në duar, ato shërbyen si organizatore të rezistencës, ndihmuan në mjekimin e luftëtarëve të plagosur dhe përballuan pasojat tragjike të luftës me një forcë të pashoqe.
Një aspekt tepër emocional i kësaj ekspozite ishte prania e disa prej këtyre heroinave të gjalla të luftës, të cilat ndanë përvojat e tyre me të pranishmit. Pata kënaqësinë dhe privilegjin të bisedoj me disa prej tyre, ndër të cilat Besa Çeku, Selvie Plakiqi, Florie Osmani, Bukurije Zogaj, Mervete Hasani e tjera, të cilat rrëfyen ngjarje të paharrueshme nga koha e luftës dhe sfidat e tyre pas përfundimit të saj.
Sot, cili është fati i këtyre grave të luftës?
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë nga gratë që dikur mbajtën armën në duar dhe sakrifikuan rininë e tyre për lirinë e vendit, u përballën me sfida të reja në paqe. Disa prej tyre vazhduan të jenë aktive në jetën publike, duke u angazhuar në politikë, institucione shtetërore, organizata të shoqërisë civile apo në sektorin e sigurisë. Ato mbeten zëra të fuqishëm në çështjet që lidhen me të drejtat e grave, veteranët e luftës dhe zhvillimin e Kosovës.
Megjithatë, për një pjesë të madhe të tyre, jeta nuk ishte aq e lehtë pas luftës. Disa u lanë në harresë nga institucionet, duke mos marrë vlerësimin dhe mbështetjen e duhur për sakrificën e bërë.
Gratë luftëtare, ashtu si shumë veteranë të tjerë, u përballën me sfida ekonomike, mungesë të mbështetjes sociale dhe psikologjike, ndërsa disa u detyruan të largohen nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë.
Një nga plagët më të rënda mbetet fati i atyre nënave, grave e vajzave  që humbën jetën e nuk e gëzuan lirinë e shumëpritur, si Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi, Mervete Maksutaj, Ganimete Xhylani e shumë të tjera.  Disa prej tyre e pësuan u keqtrajtuan në forma të rënda nga forcat serbe gjatë luftës. Për vite me radhë, ato u përballën me heshtje dhe stigmatizim shoqëror ndonëse përpjekjet për njohjen dhe rehabilitimin e tyre vazhdojnë të marrin vëmendjen e duhur.
Sot, disa prej këtyre grave vazhdojnë betejën për drejtësi, ndërsa të tjera luftojnë për një vend të merituar në histori dhe shoqëri.
Pavarësisht sfidave, gratë e luftës mbeten një shembull i forcës dhe qëndresës. Ato dëshmojnë se beteja për liri nuk përfundon vetëm me fitoren në luftë, por vazhdon në çdo ditë të paqes, duke kërkuar barazi, drejtësi dhe një jetë me dinjitet për të gjithë ata/ato që sakrifikuan për atdheun.
Atmosfera në sallë ishte mbresëlënëse, ndërsa vizitorët, përfshirë studentë, profesorë dhe personalitete të ndryshme, përjetuan një përzierje emocionesh – krenari, dhimbje dhe mirënjohje të thellë për këto gra që shkruan me sakrificën e tyre një ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, duke u ofruar mundësinë të gjithëve të shohin nga afër këtë përpjekje për të dokumentuar një histori të rëndësishme, të treguar përmes artit të fotografisë.
Gjenevë.07.03. 2025                          Nexhmije Mehmetaj

Send this to a friend