TIRANË – Pas lajmit për urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës për Françesko Beketin, qarkullon një shqetësim i madh. A do të mbyllet “Agoni”? Televizioni shqiptar që transmeton në Itali është kufiri i ri i zhvendosjes, imagjinata e shndërruar në realitet. Në faqen e saj online, gazeta italiane “Corriere della Sera” shkruan një artikull ironik me titull: “Françesko, Agon Man, Beketi ricikluesi i lavdive të vjetra”.
“Jo, ‘Agon’ nuk është në agoni, madje po ritransmeton të gjitha intervistat e Sabrina Ferilit me të ftuarit e shquar italianë. Dhe Beketi nuk dorëzohet”, shkruan “Corriere della Sera”. Sipas saj, pavarësisht nga mandat-arresti për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh, nuk ka asnjë qëllim për të mbyllur televizionin e tij, të vendosur në një kapanon në Tiranë. “Është një sajesë, nuk kanë prova; më janë vënë kundër sepse televizioni im është i lirë”, – është shprehur Beketi. “I lirë, po me të vërtetë i lirë”, – përgjigjet “Corriere”. “Shqetësimi i dytë lidhet me reagimet e yjeve, të lirë dhe të fortë, Pupo, Sabrina, Simona Ventura, Veronika Maja, Luisella Kostamanja, Monika Seta, Lori del Santo, Madalena Korvalia. Më i shqetësuar duket Pupo, – shkruan “Corriere della Sera”, – që kanë rinisur të punojnë në RAI.
“Në Shqipëri, – vazhdon më tej artikulli, – Beketi udhëtonte me një eskortë dhe makinë të blinduar, i ulur mbi një pasuri, të ndërtuar nga plehrat (mes televizionit-mbeturinë dhe plehrave, lidhjet janë gjithmonë të ngushta), energjisë së erës dhe prodhimit të kartonxhesit”, nënvizon “Corriere della Sera”. “Diçka duhet të ketë shkuar keq, – thotë gazeta italiane, – meqë tani duan ta fusin në kafaz. E akuzojnë për riciklim”. “Corriere della Sera” e mbyll shkrimin me pyetjen: E akuzojnë për riciklim parash apo riciklim të figurave të vjetruara të televizionit italian? bw
Komentet