KONFERENCA SHKENCORE: “KONTRIBUTI I VLORËS NË LUFTËN ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE”
Shkurtore
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë zhvilloi konferencën shkencore “Kontributi i Vlorës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Veprimtaria u krye në mjediset e sallës “Ali Asllani” të Universitetit. Konferenca i zhvilloi punimet në bashkërendim me bashkinë Vlorë dhe Këshillin e Qarkut të Vlorës në nderim të 80 – vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe lakenjtë kolaboracionistë.
Si pjesë e së tërës shqiptare, vendi dhe roli i qarkut të Vlorës në LANÇ është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të kuptohet i cunguar pa kujtesën historike që vjen nga trevat jugore të qarkut, si Himara, Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi kaon, të cilat, sipas Ligjit Nr. 115/2014 për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë (miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014), janë bashki më vete, pjesë integrale e qarkut të Vlorës.
Për të përditësuar në kujtesën sociale të kohës që jetojmë, së pari për të qenë korrekt me veten dhe të tjerët, na është dashur të bëjmë edhe një vështrim krahsimtar, si janë trajtuar dje dhe si trajtohen sot këto ngjarje historike, që janë shkruar me luftë për liri, me gjak e sakrifica, me vulë trimërie në beteja. Në ndonjë rast kemi vërejtur se ka pasur mospërputhje në dy gjëra që duken dytësore, tek forcat pjesëmarrëse dhe tek datat e çlirimit për secilin qytet, por gjykojmë se nuk ka përse të ketë mëdyshje, aq më tepër që kemi të bëjmë me histori: tek forcat pjesëmarrëse dhe tek datat e çlirimit për secilin qytet.
Për këtë qëllim kemi shfrytëzuar burimet dhe literaturën kryesore retrospektive dhe korente, arkivat, dokumentet e botuara, shtypin, si dhe literaturën e mundshme plotësuese historiografike. Botimet e vjetra i japin përparësi veprimeve luftarake dhe çlirimtare të forcave partizane dhe aleatët anglezë gjatë L2B pothuaj i shpërfillin apo sa i cekin. Ndërsa botimet e sotme bëjnë të kundërtën, duke i dhënë përparësi forcave aleate dhe lënë në hije apo i japin rol të dorës së dytë forcave kryesore të çlirimit – 27 brigadat sulmuese të UNÇSH, si dhe përdorin emërtime të tjera për forcat luftarake të çlirimit..
Nëqoftëse historianët e kaluar gabuan a bënë faj një herë, këta të sotmit bëjnë dy herë faj. Po pse kështu shkruhet historia?! Këtë do t’u lëmë brezave?! Kështu na qorton koha. Të vërtetën duhet ta themi në sy të vetëtimës, ashtu siç ka ndodhur. Edhe në shtëpi , peshën kryesore e mban i zoti i shtëpisë për çdo situatë, miku të na rrojë, por ndihmës është dhe, kur e ka me shpirt, i shprehim mirënjohjen. Nuk mund të pohojmë, se s’ka logjikë, ngaqë nuk ka ndodhur ashtu siç shkruhet nga disa gjithologë trushkulur, sikur 9 Tetori 1944, qënka dita kur trupat britanike çliruan Sarandën nga forcat gjermane. Sipas këtyre shkruesve, pas disa orë luftimesh, britanikët arritën të çlirojnë pikat strategjike, të cilat mbaheshin nga forcat gjermane, që më pas u larguan drejt Greqisë (?!…). Gjykojmë që nuk vlen të diskutojmë rolin vendimtar të UNÇSH dhe të popullit shqiptar në fitoren historike të Çlirimit të Atdheut tonë të dashur, asnjëherë pa mohuar ndihmën e Aleatëve, apo bashkëpunimin me Lëvizjen Çlirimtare Greke (EAM) dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Greqisë (ELAS).
80 – vjetori i Çlirimit të Sarandës, Himarës dhe trevave jugore të qarkut të Vlorës, njëkohësisht dhe të Shqipërisë është ngjarje e shënuar historike për historinë e popullit shqiptar në rrjedhat e kohës.
Çlirimi i Himarës nderohet çdo 1 gusht, i Sarandës më 9 tetor, i Delvinës më 10 tetor, i Konispolit më 28 gusht dhe i Finiqit më 30 gusht.
Duke u mbështetur në dokumentet e kohës, botimet enciklopedike, të nivelit akademik, në burimet referenciale mbi agresionin nazist dhe qëndresën ndaj tij, po aq, duke studiuar kronikën e ditëve të stuhishme hartuar nga Lefter Kasneci, Raqi Janushi e Stiliano Sallabanda, mund të shprehim dy fjalë nderimi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për çlirimtarët e qytetit jonian, duke marrë prej tyre mesazhet e larta të atdhedashurisë dhe të sakrificës sublime për lirinë e Atdheut, 11 tetori 1944 ka hyrë në Historinë e popullit shqiptar si data e çlirimit të qytetit të Sarandës nga forcat e pushtimit nazifashist.
1. Forcat çlirimtare
Ishin forcat partizane të Brigadës XII e të XIV, si dhe të brigadave VII, VIII e XIX S që çliruan Himarën, Konispolin, Delvinën, Finiqin dhe Sarandën me rrethinat, si krahina të qarkut të Vlorës. Mendojmë se ia vlen për auditorin të bëjmë një jetëshkrim të shkurtër të këtyre njësive/ formacioneve luftarake të organizuara të UNÇL.
1.1. Brigada XII S, e formuar më 20 Maj 1944, në zjarrin e luftës kundër pushtuesve hilterianë në fshatin Sukë të Përmetit, me partizanë të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër, ndërkohë që zhvillonte punimet Kongresi historik i Përmetit, përkrah Brigadës VII S, u vendos për mbrojtjen e Përmetit nga ana e Beratit.
Në parantezë, vlen ta kujtojmë Zonën I Operative, formuar në Kuç të Kurveleshit (sot Bashkia Himarë) më 4 Gusht 1943, me urdhër të Shtabittë përgjithshëm të UNÇSH, “si njësi organizative e veçantë e UNÇSH”, e cila përfshiu në varësinë e saj forcat partizane dhe ato vullnetare-territoriale të qarkut të Vlorës, të Gjirokastrës dhe të krahinës së së Mallakastrës, të organizuara në 5 grupe partizane dhe disa dhjetra formacione vullnetare-territoriale”. Zona I Operative u bë burim për formimin e brigadave XII, XIX, XIX, VII, VIII, që luftuan dhe çliruan zonën që rrok kjo trajtesë e shkurtër: Himarën, Delvinën, Sarandën, Finiqin dhe Konispolin. Po ashtu Z I Op qe çerdhe e lirisë, sepse nga gjiri i saj lindën shqiponjat partizane: Br V S – Hero i Popullit dhe Br VI S – Hero i Popullit. Po ashtu, Z I Op dha qindra puftëtarë për Br. III dhe XI S.
Në vijim, Brigada XII S zhvilloi luftime të përgjakshme në Therepel, Vokopolë e Qafë Shkozë (zona Berat – Skrapar), kaloi Vjosën e u hodh në Kurvelesh. Janë vërtet legjendare luftimet heroike të Brigadës XII dhe Brigadës VI S malësive të Kurveleshit, sa në sulm e në mbrojte, sa në rrethim, në tërheqje e përsëri në sulm, mbasi çau rrethimin pas 20 ditësh luftime të ashpra. Pas këtyre veprimeve, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH “e urdhëroi Brigadën e 12-të të godiste trupat hitleriane nga Saranda në Topallti”.
1.2. Brigada XIV S e UNÇSH u përurua më 17 Gusht 1944 në fushën e Sheperit – Gjirokastër, me luftëtarë të Grupit I të Kurveleshit, të Grupit III të Mallakastrës dhe të Grupit IV të Çamërisë, që bënin pjesë në Zonën I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër. Goditjet e vazhdueshme të kësaj brigade, e detyruan armikun në qarkun e Gjirokastrës të mbyllej në vende të fortifikuara.
Më 18 shtator 1944, brigada sulmoi kalanë e Borshit dhe forcat armike në bregdetin e Sarandës. pas luftimesh të ashpra, partizanët jo vetëm që muarën kalanë e Borshit, por futën nën kontroll pjesën më të madhe të bregdetit të Sarandës. Pas suksesit të ditës së nesërme të 19 shtatorit në Jergucat kundër më shumë se 1000 nazifashistëve, ku u vranë mbi 15 pushtues, përveç të plagosurve dhe materialit të shumtë luftarak, armiku la 150 robër, më datën 22 shtator batalioni I i Br. XIV S, në bashkëveprim me forcat e Br. XII S, rrethoi 200 fashistë në Qafën e Kakomesë dhe gjatë luftimeve u vranë 80 hitlerianë, u zunë 30 robër, si dhe një sasi e madhe armatimi e materiali ushtarak.
Më 9 tetor, Br.XIV, së bashku me Br. XII, mori pjesë në luftën kundër forcave fashiste gjermane që ishin përqëndruar në Sarandë. Në këtë luftë të ashpër që zgjati 3 ditë, armiku pësoi humbje të rënda në njerëz dhe teknikë luftarake.
Brig. XIV S, në bashkëveprim me partizanët e Br. XIX S dhe forca të tjera u hodh në sulm për çlirimin e qytetit të Delvinës, ku ndodheshin 800 fashistë gjermanë. Delvina u çlirua më 10 tetor 1944. Forcat çlirimtare i detyruan armiqtë pushtues “të tërhiqeshin me panik nga qyteti, duke lënë në fushën e luftës mjaft të vrarë dhe material të shumtë.
1.3. Brigada VIII Sulmuese e UNÇSH u përurua më 25 Prill 1944 në Sheper të Zagorisë dhe u formua nga një pjesë e partizanëve të batalionit “Çamëria”, nga pjesa më e madhe e batalionit “Perlat Rexhepi”, nga çeta “Koto Hoxhi” (që më vonë u kthye në batalionin me emrin “Themo Vasi”) dy kompani të batalionit “Thanas Ziko” të pakicës greke, si dhe me partizanë të rinj. Ditën e përurimit përbëhej nga 850 partizanë të ndarë në 4 batalione. Kjo brigadë kujtohet se që sa lindi, si formacion i organizuar luftarak, iu ngarkua detyra e vështirë e mbrojtjes së Kongresit të Përmetit, së bashku me njësi të tjera të të UNÇSH, “Gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të Qershorit 1944, kjo brigadë i shkaktoi armikut shumë humbje, sparstori kraninën e Lunxherisë dhe të Libohovës, më 18-19 korrik zhvilloi luftime për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës dhe më 28 gusht çliroi Konispolin”.
1.4. Brigada XIX Sulmuese e UNÇSH u formua më 30 Gusht 1944 në (Cerkovicë) Theollogo (sot “Partizani”) të Delvinës, me luftëtarë të batalioneve “Thoma Lula”, “Thanas Ziko” dhe “Pandeli Boçari” të Grupit IV të Zonës I Operative, me rreth 800 luftëtarë, nga të cilat 65 partizane, që u organizuan në 3 batalione. Kjo brigadë kishte në përbërjen e saj shqiptarë e minoritarë grekë (Brigada e vëllazërimit) si dhe batalionin italian “Mateoti”.
“Brigada filloi menjëherë veprimet luftarake për asgjësimin e garnizoneve të veçuara dhe goditjen e autokolonave gjermane, si dhe shkatërrimin e forcave kolaboracioniste. Më 18.09.1944, batalioni i dytë i saj, në bashkëveprim me forcat e Br. XIV S, çliroi Gjirokastrën. Në vijim të veprimeve luftarake mësymëse, një pjesë e forcave të Br. XIX S, në bashëveprim me Br. XIV dhe Brigadën XII S mori pjesë në luftimet për çlirimin e Sarandës dhe të Delvinës…
II. Luftimet dhe çlirimi i Himarës, Sarandës dhe rrethinave
Viti 2024 shënon 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe shërbëtorët e tyre vendas. Duke nderuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si epopenë më të lavdishme të popullit shqiptar, sepse realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve – Çlirimin e Atdheut, duke vlerësuar kontributin e Vlorës në LANÇ, dëshiroj të përmend ngjarjet, datat dhe burimet njerëzore, morale dhe logjistike që realizuan çlirimin e qyteteve të Himarës, Sarandës, Delvinës dhe Konispolit, si pjesë territoriale e qarkut të Vlorës.
Duke iu referuar dokumenteve burimore, “më 29 Korrik 1944 forca të Br. XII S asgjësojnë garnizonin gjerman në Spile dhe çlirojnë Himarën, pas disfatës që pësuan komandat angleze në orvajtjen e tyre për ta marrë atë nga deti. Më 26 Gusht 1944 çlirohet Konispoli nga Brigada VIII S dhe forca të Zonës I Operative. Këto data, edhe pse i kemi nxjerrë nga libra të botuara, përgatitur nga autorë që kanë luftuar me armë në dorë për çlirimin e vendit, nuk mund t’i quajmë referenciale, pasi datat simbolike që kujton çdo qytet kaon qarkun të Vlorës i cituam qysh në fillim të këtij punimi.
Duke iu referuar dokumenteve dhe literaturës së botuar, mësojmë: “Nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit ajo çliroi me luftë të ashpër Himarën dhe Borshin”. Theksojmë se më 22 shtator, në bashkëveprim me forcat e Brigadës së 14- të, partizanët e Brigadës së 12- të shpartalluan një kompani armike në Qafën e Kakomesë. Rolin më të rëndësishëm forcat e Brigadës XII e kryen në luftime për çlirimin e Sarandës, që zhvilloi së bashku me forcat partizane të Brigadës XIV.
Në botimin e ri të nivelit akademik “Historia e popullit shqiptar: shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj: 1939-1999”, vëll. IV, në kreun III trajtohen marrëdhëniet me aleatët të LANÇ, marrëdhëniet me Aleatët (Angli, BS, SHBA), interesimin e Britanisë së Madhe për zhvillimin në rajon, misionet angleze, mbërritjen e gjeneralit Dejvis, përfitimet nga bashkëpunimi dhe ndihmën e Aleatëve etj. Duke studiuar dinamikën e goditjeve të paprera të armikut nga njësitë e Ushtrisë Nacionaçlirimtare Shqiptare, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 1944, e quaj me vend të citoj nga teksti i sipërpërmendur një paragraf: “Në përputhje me strategjinë e Aleatëve, e cila kërkonte që të goditeshin gjermanët kudo që ata ndodheshin, ishin dhe veprimet luftarake të zhvilluara gjatë Mësymjes së Përgjithshme të UNÇSH, në periudhën qershor-nëntor 1944. Pikërisht, në kuadër të saj u ndërmorën dhe disa operacione të bashkërenduara me forcat aleate, siç ishin zbarkimi i një komandoje angleze në Spile të Himarës, operacioni i përbashkët për çlirimin e Sarandës e ndonjë veprim tjetër”.
Në këtë rrafsh, kujtojmë se edhe edhe forcat e Br. XIX S, ndër veprimet e përbashkëta me palën greke janë për t’u shënuar sidomos luftimet e zhvilluara nga forcat e Grupit IV të Z I Op me ato të Regjimentit XV Grek në prill 1944 që përballuan së bashku oprecacionin e ushtrisë gjermane në drejtimin Konispol – Vurg – Dropull, si dhe luftimet e kryera në qershor 1944 në trekëndëshin Kakavijë – Elea – Ura e Peratit etj. Megjithatë, duhet theksuar se bashkëpunimi luftarak i UNÇSH me ELAS (Ushtria Nacionalçlirimtare e Greqisë, shën. im: A.H) mbeti i kufizuar, pa u shtrirë në të gjitha aspektet dhe pa i shfrytëzuar si duhet të gjitha mundësitë që ekzistonin, çka do të kishte ndikuar në rritjen e intesitetit të veprimeve ushtarake kundër armikut dhe në forcimin e marrëdhënieve midis dy lëvizjeve çlirimtare”.
Në rezistencën e armatosur dhe luftën për çlirimin e Atdheun një vend dhe rol të rëndësishëm ka pasur popullsia çame, historikisht si pjesë integrale e popullit shqiptar. Kujtojmë që në shkurt të vitit 1943, u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria”, i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konispolit kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Kjo betejë u shqua për pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë së Çamërisë, të Delvinës e të minoritetit grek në Shqipëri, pa dallim kombësie dhe shtresash shoqërore”.
Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar një bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve politike e ushtarake me vendet fqinje, Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë (FNÇSH) vendosi lidhje me Lëvizjen Çlirimtare Greke (EAM) e me Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Greqisë (ELAS). Nje zonë e rëndësishme e bashkëpunimit me lëvizjen çlirimtare greke ishte dhe rajoni i Konispolit, e përgjithësisht, Çamëria. “Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH e shikoni zonën e Çamërisë, ashtu si dhe minoritetin grek në Shqipëri, si faktor bashkëpunimi me rezistencën greke, në luftë kundër armiqve të përbashkët”.
Pushtuesit nazistë me forca të shumta dhe të armatosura deri në dhëmbë, kishin zënë pozicione të fortifikuara rreth e përqark qytetit të Sarandës, në kodrën e Manastirit, në Qafën e Gjashtës, në Vremero e Vrion dhe në Urën e Shejanjit. Ballë për ballë me pozicionet armike, për çlirimin e qytetit kishin zënë vend forca partizane të brigadave të 12- të dhe të 14- të Sulmuese.
Në librin “Kronikë e ditëve të stuhishme”, shkruhet: “Më 11 tetor 1944 partizanët filluan sulmin për çlirimin e qytetit [të Sarandës, shën im – AH]. Lufta u ndez e ashpër nga të katër anët. Nazistët gjermanë, të futur nëpër fortina, të pajisur me armë të të gjitha llojeve dhe në numër të madh, bënin qëndresë këmbëngulëse, por partizanët i përgjigjeshin me sulme të njëpasnjëshme. Për të përballuar sulmin partizan, komanda gjermane vuri në përdorim artilerinë e rëndë, po kur edhe kjo nuk i dha rezultat, kërkoi ndihmë, e cila nuk i mbërriti dot, për arsye se të gjitha rrugët ishin të prera nga forcat partizane”.
Pas luftimesh të përgjakshme, pozicionet e para të armikut u muarën, por në Qafën e Gjashtës hitlerianët u organizuan dhe vendosën t’i mbrojnë me çdo kusht. Partizanët, me trimëri të rrallë, iu afruan shumë pozicioneve të forcave hitleriane. Këtu luftimet arritën deri në përleshje trup me trup. Në këtë luftë u vranë 18 partizanë dhe 25 u plagosën. Hitlerianët pësuan humbje të rënda. Pa marrë parasysh këtë, ata kundërsulmuan disa herë me radhë, por nuk mundën t’i thyenin forcat partizane, që luftonin për çlirimin e Sarandës sonë, si pjesë e së tërës së trojeve shqiptare. Partizanët e të dy brigadave vazhduan me këmbëngulje sulmin në drejtim të Qafës së Gjashtës dhe i shpartalluan forcat naziste. Pas këtij suksesi, duke përparuar drejt qytetit, partizanët e çliruan atë plotësisht një herë e përgjithmonë.
“Në luftimet për çlirimin e Sarandës, armiku pati 56 të vrarë [Arkivi i degës së Historisë Ushtarake, shtator 1944, fondi i Brigadës 12 – të shënon shifrën 80 hitlerianë. (Shih: “Kronikë e ditëve të stuhishme”, Tiranë, 1972 f. 159, shën. im – AH)], midis të cilëve edhe një kolonel. Ju zunë 30 robër, si dhe shumë material luftarak, nga i cili mund të përmendim 15 topa, 6 makina, 350 pushkë e 25 mitrolozë, si dhe material i shumtë luftarak”. Ky informacion është i marrë nga Arkivi i Degës së Historisë Ushtarake, tetor 1944, seria A, dok. nr. 3070.
III. Udhëtim në Kujtesën historike dhe refleksione
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 9 tetor të vitit 1944, u çlirua qyteti i Sarandës. Dy luftanije britanike arritën të bombardonin me sukses pozicionet gjermane. Në bashkëpunim me trupat shqiptare dhe me përkrahjen e artilerisë, britanikët depërtuan në pjesën perëndimore të qytetit, ku u përballën me një qendresë të ashpër të gjermanëve, një pjesë e të cilëve u zunë robër. Sipas informacionit përcjellë radios së BBC-së nga zyra ushtarake britanike, luftimet në rrugët e Sarandës vazhduan deri në orën 10 të 10 tetorit, gjersa i gjithë qyteti bashkë me kodrat dhe portin u spastruan nga trupat armike. Forcat e mbetura të garnizonit gjerman u zmbrapsën drejt Delvinës dhe për disa kohë, praparoja e tyre mbajti një pozitë në fshatin Gjashtë. Në këtë pozicion, britanikët dhe trupat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare bombarduan gjermanët. Të nesërmen e kësaj dite, më 11 tetor 1944, fshati Gjashtë ra në duart e britanikëve. Në bilancin e luftimeve numëroheshin 600 robër. Marrja e Sarandës i preu rrugën garnizonit gjerman në ngushticën e Korfuzit. Po atë ditë, u njoftua edhe çlirimi i Delvinës. Siç vërehet, forcat partizane të çlirimit nuk përmenden fare. Po në luftimet e Qafës së Gjashtës ishin shumë të ashpra dhe ranë 14 dëshmorë, ndër ta dhe partizania 16-vjeçare Anife Meto Kiçaj nga Tërbaçi i Vlorës (bashkia Himarë). Në librin “Ata janë të pavdekshëm” shkruhet: “Anifeja mori pjesë për çlirimin e Gjirokastrës, të Delvinës. Pas luftimeve në Nivicë – Bubar, Brigada XIV Sulmuese angazhohet për të çliruar Sarandën dhe Batalioni III, ku ishte Anifeja, në Qafën e Gjashtës. Luftimet … vazhduan nga data 5 tetor deri më 8 tetor. Më 7 Tetor 1944, mbadite, u luftua trup me trup. Në këto rrethana, bashkë me dy shokë të saj, Anifeja u ndodh e rrethuar nga gjermanët. Të shtëna dhe fjalë në gjuhë të huaj. Ishte një grup gjermanësh që i kishte rrethuar dhe që u bënte thirrje për t’u dorëzuar. Anifeja hodhi poshtë pushkën që kishte në njërin sup dhe me automatik hapi zjarr kundër gjermanëve. Ajo luftoi si trime, vrau shumë, por e vranë. Në mbrëmjen e 7 tetorit 1944, në Qafën e Gjashtës, shokët e morën në krahë trupin e saj… Kujtimi i dëshmores është përjetësuar dhe fluturon në krahët e këngës nga vjershëtori popullor, ish -partizani Hamdi Hodo: “Ishe rritur me të keq/ Anife, bonjake,/ Mbetur bonjake në djep/ Kur mbushe gjashtëmbëdhjetë/ Shkove me shoqet në çetë/ Luftuat bashkë me djemtë,/ porsi trimat e vërtetë/ Tinë me Tazen s’u kthetë/ Yj të kuq mbetët përjetë/ Në qaf’ të Gjashtës, mbi det/ për lirinë je amanet/ Anife, bonjake!”.
Pjesëmarrja e popullit të Sarandës në LANÇL
Populli i rrethit të Sarandës ka dhënë kontribut të madh në luftën N-Ç. Pozita gjeografike midis kryqëzimeve të rëndësishme tokësore e detare si ajo Delvinë, Sarandë, Gjirokastër, si dhe komunikimi detar me Korfuzin, bënte që forcat armike të dislokonin forca të shumta në këtë zonë. Rezistenca filloi që me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste 7 Prill 1939. Ky pushtim ankoroi në gjirin e Sarandës 11 anije luftarake dhe zbarkoi 2000 trupa, të cilët që në momentin e parë u ndeshën me rezistencën e armatosur të 80 vullnetarëve të ardhur nga zona të ndryshme të rrethit, ku ra heroikisht dëshmori i parë i rrethit Mitro Dhimertika. Në vitet që do pasonin u rritën format e rezistencës të popullit kundër pushtuesve italianë dhe më vonë atyre gjermanë.
Nga rrethi i Sarandës, kanë marrë pjesë në LANÇ, 4300 partizanë të reshtuar në 6 batalione partizane, një grup partizan dhe një brigadë midis të cilëve 95 gra e vajza u radhitën me armë në dorë në frontin e parë të luftës, krahas vëllezërve të tyre deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Gjatë LANÇ kanë rënë dëshmorë 342 partizanë nga të cilët 3 heronj të popullit, 180 viktima lufte, 340 të internuar në kampet e përqendrimit. Dëmet e llogaritura nga lufta arrijnë në 15 milion franga shqiptare, 1500 shtëpi të djegura, 15 mijë bagëti të zhdukura etj.
9 tetori 1944 mbetet ditë e veçantë për Sarandën, sepse shënon ditën e lavdishme të Çlirimit të qytetit nga partizanë të Brigadës 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të ndihmuar edhe nga forcat aleate britanike, duke mundur e shporrur pushtuesit gjermanë dhe mercenarët nazifashistë. Nuk mund të harrojmë që në betejën për çlirimin e qytetit nga trupat gjermane dhanë jetën dhe 6 ushtarë britanikë, ndërsa të plagosur mbetën 16 ushtarë të tjerë.
Konispoli dhe zonat çame kanë kontribuar në LANÇL. Me luftë kjo zonë ka treguar me fakte të shumta e mbresëlënëse për pjesëmarrjen e popullit të Konispolit në luftën çlirimtare. Me 2 Shkurt 1943, në fshatin Markat krijohet çeta “Çamëria” me patriotë nga e gjithë zona dhe me vonë me zgjerimin e saj u formua Batalioni Partizan “Çamëria”. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftimeve të këtij formacioni partizan është rezistenca frontale 55 ditore në zonën e Konispolit kundra forcave të shumta gjermane të ardhura nga Filati. Kjo rezistencë zgjati nga 5 Gushti -28 Shtator 1943. Në këtë rezistencë gjermanët pësuan rreth 300 të vrarë, të plagosur dhe robër ndërsa forcat partizane patën 30 të vrarë. Kjo rezistencë vazhdoi deri në çlirimin e plotë të Konispolit me 28 Gusht 1944. Në LANÇ nga Bregdeti kanë marrë pjesë 522 partizanë e partizane, prej të cilëve 102 dëshmorë dhe dy heronj të popullit, u internuan në kampet e përqendrimit 203 burra. Po ashtu populli i minoritetit përkrahu luftën çlirimtare, ku më shumë së 1500 djem e vajza minoritarë dolën partizanë. Ranë në luftë 134 dëshmorë dhe dy heronj të popullit: Lefter Talo dhe Theodhi Mastora, si dhe 179 viktima lufte, 178 persona të internuar, 800 shtëpi të djegura dhe shumë bagëti të rrëmbyera. Në Operacionin e Prillit 1944 forcat gjermane të mbështetura nga ballisto-zervistët kryen masakrën e Zminecit ku u dogjën të gjallë 17 njerëz të pafajshëm, u pushkatua doktori partizan Petro Nako e katër këshilltarë, sot dëshmorë të atdheut. Në Livadhja u pushkatuan 12 njerëz të pafajshëm. Populli i minoritetit, kësaj barbarie ju përgjigj me krijimin e formacioneve partizane. Më 20 Nëntor 1943 në fshatin Jermë formohet batalioni partizan dhe në 15 Mars 1944 në fshatin Kalcat batalioni merr emrin e dëshmorit: “Pandeli Boçari”. Në qershor 1944 në fshatin Dhiver formohet batalioni “Lefter Talo” etj.
Në frontin e madh që u krijua kundër pushtuesve, gratë nuk kishin si të mungonin. U krijua gjatë luftës Bashkimi i Gruas Antifashiste. Në rrethe filloi ngritja e këshillave të gruas. Shumë gra e vajza u rreshtuan në formacionet partizane dhe u aktivizuan në terren. Bule Naipi, e dërguara e Qarkorit të Gjirokastrës, punoi në rrethin e Sarandës, në Konispol e Delvinë ku u ngritën aktive formash të reja . Ky organizim arriti kulmin e vet në Kongresin I të BGANÇ me 4 Nëntor 1944 në Berat. Nga rrethi i Sarandës morën pjesë një grup delegatësh. Ollga Boçi në fshatin Piqeras kishte strehuar një partizan të plagosur dhe kur gjermanët erdhën për kontroll, ajo e mori partizanin e plagosur e futi në një gropë në oborr dhe e mbuloi me dru dhe ullishte. Si ky shembull ka me dhjetra. Partizania dëshmore Lejla Malo nga qyteti i Delvinës, si shumë moshatarë të saj, u rreshtua në rradhët partizane, në luftën për çlirimin e Delvinës plagoset. Bashibozukët barbarë e kapën, e zhveshën lakuriq dhe ashtu të plagosur e zvarritën rrugëve të qytetit për të përhapur panik e terror derisa dha frymë për t’u shndërruar në një lule të lirisë. Dëshmores i këndohet kënga: “Lejla Malo, o delvinjote/ Vajzë në lule të lirisë, “Bamp”! – ia bënte pushka jote/ Mu në ball të tradhëtisë”. Gratë u bënë një shtyllë e fortë e LANÇL. Kjo që po ndodhte ishte një mrekulli shqiptare, kjo luftë e ngriti për herë të parë gruan shqiptare në piedestalin e historisë.
Çlirimi i Sarandës dhe i Delvinës
Çlirimi i Sarandës u krye nga dy batalione partizane dhe me ndihmesën e forcave aleate angleze që vepronin nga deti. Luftimet u zhvilluan nga 8-10 tetor 1944. Forcat gjermane të blinduara ishin vendosur në Qafën e Gjashtës, në kodrën e Manastirit, Kalanë e Lëkurësit, Shënjan, Vromero dhe Vrion. Më 8 tetor partizanët goditën armikun në kodrat e Vromeroit, në Qafën e Gjinos dhe deri mbi fshatin Vrion. Synimi i forcave partizane ishte që të bllokonin rrugën automobilistike Sarandë-Delvinë dhe të çorientonin armiqtë, që ishte vendosur në Shënjan, Vromero dhe Vrion, duke i tërhequr drejt Urës së Shënjanit mbi lumin Kalasë. Si rrjedhojë e kësaj strategjie dhe taktike nga ana e shtabit partizan, natën e 8-9 tetorit u zhvilluan luftime të rrepta në urën e Shënjanit, mbi lumin Kalasë, të cilën armiku e kaloi me shumë vështirësi si rezultat i reshjeve të dendura, duke lënë shumë të vrarë e robër. Më 9-10 tetor artileria angleze nga deti goditi ashpër pikmbështetjen gjermane në Qafën e Manastirit dhe Kalanë e Lëkurësit, duke i nxjerrë këto dy bateri armike jashtë luftimit. Pjesa e mbetur e ushtarëve gjermanë me materialet e tyre luftarake natën e 9 tetorit u riorganizuan dhe u dislokuan në Qafë të Gjashtës dhe në Kalanë e Lëkurësit, duke vënë sërish nën kontroll rrugën automobilistike Sarandë-Delvinë. Pika më nevralgjike dhe e fortifikuar e armikut ishte Qafa e Gjashtës, e cila ishte e vetmja nyje nga mund të futeshe në qytet. Në këtë arterie u zhvilluan luftime të ashpra nga të dy kampet ndërluftuese, deri dhe në trup me trup. Batalioni i parë i Brigadës XIV Sulmuese, së bashku me forcat e Brigadës XII Sulmuese, u hodhën në sulm të fuqishëm kundër kësaj pike, e cila mbrohej fuqishëm nga nazistët me armatimet më moderne të kohës, me ushtarë e oficerë të forcave elite. Luftimet u zhvilluan gjatë gjithë ditës, natën e 9 tetorit dhe në mëngjesin e 10 tetorit forcat partizane hyjnë në Sarandë nga tre drejtime, Nga jugu, nga lindja dhe nga veri-perëndimi, ndërsa nga deti sulmonin forcat aleate britanike me artileri të rëndë nga luftanijet e tyre. Kështu Saranda u çlirua. Armiku la të vrarë 50 vetë, 150 robër dhe arsenal të madh luftarak. Nga ana e partizanëve ranë 10 dëshmorë dhe u plagosën 11 vetë. Bashkëveprimi i Brigadave XIV dhe XIX Sulmuese, bëri që më 11 tetor 1944 të çlirohej edhe qyteti i Delvinës. Një batalion i Brigadës XIV Sulmuese ishte vendosur në perëndim të qytetit në kodrat e fshatit Vllahat, nga të dyja krahët e rrugës automobilistike Sarandë-Delvinë që të pengonte trupat gjermane, të cilat tentuan pa sukses t’i shkonin për ndihmë garnizonit nazist në Delvinë. Forcat e Brigadës XIX Sulmuese ishin vendosur në jug-lindje të qytetit të Delvinës me qëllim që të pengonte tërheqjen e kolonave armike drejt rrugës nacionale Delvinë-Kardhikaq-Pecë-Muzinë-Jergucat. Ndërkohë forcat partizane bënin presion të pandërprerë mbi trupat armike të dislokuara në Delvinë, ku ishin përqendruar afro 3 mijë ushtarë, shumica e të cilëve kishin ardhur nga ishulli i Korfuzit. Garnizoni gjerman në Delvinë ishte vendosur nga forcat partizane në një darë të hekurt, falë dhe pozicionit të favorshëm gjeografik të qytetit. Komanda e forcave gjermane në Delvinë bëri dy orvajtje të rrepta për të çarë rrethimin, por pa sukses. Duke u gdhirë 11 tetori 1944, në orën 04:30’, komanda gjermane me një plan të mirëdetajuar, për t’i shpëtuar asgjësimit total të tyre nga forcat e Brigadave XIV dhe XIX Sulmuese, e lëshuan qytetin dhe filluan tërheqjen e trupave të tyre në drejtim të Kakavijës. Megjithatë trupat armike u goditën dy herë gjatë tërheqjes së tyre, një herë te rrepet e Kardhikaqit dhe herën tjetër te ura e Pecës nga forcat partizane. Me largimin e trupave gjermane, më 11 tetor 1944 qyteti i Delvinës u çlirua. Kjo datë është dita e çlirimit të krejt rrethit të Sarandës.
Në luftën për çlirimin e qyteteve të Sarandës dhe Delvinës nga Brigadat XII dhe XIX Sulmuese ranë 12 dëshmorë të LANÇ: Anife Kiçaj, Ali Zaçe, Filo Faslli, Isa Zhuli, Kiço Gjoni, Llambri Gjini etj., si dhe partizani italian Antonio Xhuzepe.
Edhe në botimin e ri të nivelit akademik “Historia e popullit shqiptar: shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj: 1939-1999”, vëll. IV, është një kre (i dyti në tekst), që pasi trajton kapitullimin e Italisë fashiste, shkruan për pushtimin nazisto-gjerman (shtator 1943-nëntor 1944). Lexojmë që, pasi ushtritë e Vermahtit, të angazhuara me operacionin e pushtimit, ende pa u gdhirë mirë dita e 9 shtatorit 1943 hynë me shpejtësi në thellësi të vendit dhe morën urdhër për të çarmatosur ushtrinë italiane të shpartalluar për të kapur qytetet kryesore e bregdetin shqiptar dhe të pushtoni krejt vendin. Trupat hitleriane, “brenda dy ditëve pushtuan Elbasanin, Tiranën, Durrësin, Korçën, Kukësin, Shkodrën e Vlorën. Në rrethanat e krijuar, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare i bëri thirrje popullit dhe reparteve partizane që t’i bënin qëndresë ushtrisë gjermane, e cila kishte nisur pushtimin e Shqipërisë. Në thirrje, ndër të tjera, thuhej: “Erdhi dita që të rrëmbeni armët e të luftoni për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, nga zgjedha e Gjermanisë hitleriane që është koka e fashiszmit. Rrëmbeni armët dhe goditeni armikun në fshatra, në krahina, në qytete, në rrugë, në kazerma, kudo që ai ndodhet; hapni dyert e kampeve e të burgjeve; shkatërroni tërë makinën skllavëruese të Vermahtit, thyeni zinxhirët e robërisë!” [Ëehrmacht – i ishin forcat e armatosura të bashkuara të Gjermanisë Naziste nga viti 1935 deri në vitin 1945. Ajo përbëhej nga Heer (ushtria), Kriegsmarine (marina) dhe Luftëaffe (forca ajrore), shën. im – A.H].
Në përgjigje të thirrjes, njësitë dhe repartet partizane iu kundërvunë sulmit të forcave hitleriane që po shkelnin Shqipërinë dhe asaj pjese të ushtrisë italiane që ishte bashkuar me ta. Luftime të ashpra u zhvilluan në të gjithë vendin, sidomos në Xhyrë, tek Ura e Kardhiqit, në afërsi të Konispolit, në Delvinë, në Sarandë, në rrugët Korçë – Janinë dhe Elbasan – Tiranë, në Krujë etj. Me veprime të shpejta repartet partizane arritën të vinin nën kontroll një pjesë të mirrë të territorit të vendit, përfshirë dhe qytetet Bilisht, Pogradec, Berat, Krujë, Burrel, Peshkopi, Zerqan, Delvinë, Gjirokastër, Sarandë etj. Në të gjitha këto zona u vendos pushteti i këshillave nacionalçlirimtarë”.
Përveç dëshirës dhe mundësisë për të regjistruar ngjarje dhe data, njerëz dhe histori në kujtesën sociale të brezave, na jep krahë edhe Herodoti i lashtësisë, i cilësuar si “Babai i Historisë” me mesazhin simbolik dhe kuptimplotë “që bëmave të njerëzve të mos u fashitet kujtimi me kohën”.
Lavdi Çlirimtarëve dhe udhëheqësve të Çlirimit të Atdheut!
Përulje me nderim para heronjve dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë!
Rrofshin nderimtarët e LANÇ!
Vlorë, e hënë, 14 Tetor 2024
Msc. Albert HABAZAJ
drejtor i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë