Prezantimi në UNESCO, Agjenci e OKB-së, i së ashtuquajturës në formë “Isopolifoni Shqiptare”, ka legalizuar, në thelb, gjashtë teza, të cilat pështjellojnë, poshtërojnë e tjetërsojnë identitetin dhe historinë kombëtare shqiptare.
Këto teza janë paraqitur nëpërmjet formularit “UNESCO ENTRY FORM”, që kanë dërguar institucione shtetërore apo institucione fantazmë shqiptare me nënshkrime individuale, ose janë dërguar nga individë, duke anashkaluar / abuzuar institucionet shtetërore shqiptare (shih faqen zyrtare të UNESCO-s, si dhe pas fotografive/videove filmike në linkun: albanian-folk-iso-polyphony-00155 dhe linkun: archives/multimedia/document610).
Për të hedhur dritë mbi përmbajtjen e secilës nga tezat e mësipërme, si dhe mbi zbatimin e procedurave ligjore për dërgim në UNESCO dhe mbi fatin e projekteve lidhur me “mbrojtjen e iso-polifonisë popullore shqiptare”, do të paraqes, në vijim, shkrimet analitike përkatëse. Në shkrimin e sotëm do të përpiqem të hedh dritë mbi vetëm njërën nga tezat e mësipërme: “Iso-Polifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare bizantine”. Perandoria e Bizantit është një entitet relativisht i vonë historik, lindja e së cilës fillon në vitin 330 të erës sonë. Përkundër, populli shqiptar, jo vetëm që është paraBizantin, por është aq i lashtë, saqë, edhe urrejtësit më të mëdhenj ndaj tij, sadoqë të gërmojnë, nuk do mund të gjejnë dot të dhëna për ta kundërshtuar të vërtetën se ky është një popull nga më të hershmit, në mos më i hershmi, vendës në trojet e veta, jo ardhës.
Në këto troje, ai kultivoi tokën e bagëtitë, pasuritë lëndore të përjetshme që i dha Zoti e koha e, bashkë me to, ndërtoi, mbolli e rriti edhe pasuritë e veta shpirtërore, midis tyre këngën njëzërëshe e shumëzërëshe. Sepse, çdo jetë lëndore e njeriut, e të gjithë popujve, nuk mund të përfytyrohet pa jetën jolëndore, shpirtërore. Ky është ligj universal, sa hyjnor, aq edhe tokësor. Madje, është vërtetuar shkencërisht se njeriu këndon përpara se të flasë dhe se, të kënduarit, shërben si gjendje kalimtare midis vokalizimit primitiv dhe të folurit. Në veprën monumentale “Kush e bëri pyetjen e parë? Origjina e të Kënduarit në Kor, Inteligjencës, Gjuhës dhe të Folurit”, Joseph Jordania, etnomuzikolog i shquar i kohës sonë, fitues i Çmimit “Fumio Koizumi” për etnomuzikologjinë (një alternativë e Çmimit Nobël), shkruan: “Origjina e të kënduarit polifonik është shumë më e thellë dhe është e lidhur me fazat më të hershme të evolucionit njerëzor.
Polifonia ka qenë një pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të njerëzve të parë (hominidëve)”. Ky përfundimi shkencor është kaq domethënës, saqë meriton të përsëritet: të kënduarit polifonik është pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës! Çka do të thotë se kënga, për më tepër ajo shumëzërëshe, iu jep fuqinë shpirtërore njerëzve, grupeve e popujve, për të bashkëplotësuar fuqinë fizike të tyre, për të ndërtuar kështu një ledh mbrojtës ndaj të papriturave apo pabesive të jetës, ngado që mund të vijnë. Muzikologu i shquar gjerman, Curt Sachs, afirmon se polifonia, “e lashtë në vetvete, padyshim ka qenë e njohur të paktën pesëmijë vjet më përpara”.
Ndërsa Jan Ling, Profesor i Muzikologjisë dhe Rektor Universiteti në Suedi, autor i librit “Historia e Muzikës Folklorike të Europës”, afirmon se ideja, sipas së cilës polifonia popullore e merr origjinën nga modelet e artit muzikor, është arkivuar përfundimisht si e pathemeltë. Ndërkohë, studiuesi i shquar shqiptar, Prof. Ramadan Sokoli, ka përcaktuar shkencërisht se “…është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta! Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim, as është vërtetuar, as është miratuar. Madje, është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore.
Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine…”. Po ashtu, prof. Beniamin Kruta ka përcaktuar se “Karakterin autokton të polifonisë shqiptare dhe lidhjet e saj me kulturën muzikore të lashtësisë ilire e provojnë, veç të tjerash, dhe gjurmët e saj të ruajtura në trojet e vjetra ilire… Polifonia shqiptare mbulon një territor të gjerë që shtrihet që nga hapësirat verilindore përreth Strugës… dhe krejt Jugut të Shqipërisë, deri në thellësi të Çamërisë”. Institucionet e Shqipërisë apo individë nga Shqipëria, të cilët legalizuan ndërkombëtarisht të bastarduar në UNESCO “Iso-Polifoninë Shqiptare”, ndoshta as nuk e dinë që Bizanti nuk është komb, që nuk ka komb bizantin, as popull bizantin.
Për rrjedhim, nuk mund të ketë këngë bizantine. Për më tepër, në kohën e Perandorisë Bizantine, trevat shqiptare shtrihen në periferinë më të largët të saj, në krahasim, të themi, me trevat greke apo bullgare. Atëherë, logjika më e thjeshtë do të kërkonte që, sa më të afërt gjeografikisht me Bizantin të ishin popujt apo kombet, aq më shumë duhet të kultivonin polifoninë. Por, ka ndodhur e kundërta. Polifonia Greke “Caravan” ruhet vetëm në zonën e Epirit në Greqinë Veriperëndimore, ndërsa Polifonia Bullgare “Bistritsa Babi”, ruhet vetëm në rajonin Shoplouk, në Bullgarinë perëndimore.
Të dyja, edhe ajo greke, edhe ajo bullgare, janë regjistruar në UNESCO në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, por me autoritet shkencor dhe dinjitet kombëtar, asnjëra nuk e lidh prejardhjen e vet nga muzika kishtare bizantine. Madje, në prezantimet e tyre, as që përmendet fare termi “kishë”, e jo më kishë bizantine. Ndërkohë, asnjë nga mbi 17 vendet e tjera, të cilat kanë regjistruar polifonitë e tyre në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, nuk e kërkon origjinën në kishë, por vetëm në popull. Madje, Gjeorgjia, në prezantimin për Këngën Polifonike Gjeorgjiane, shkruan: “Himnet liturgjike Bizantine kanë thithur nga tradita polifonike gjeorgjiane në një masë të tillë saqë këto tradita janë bërë një shprehje e rëndësishme e himneve liturgjike bizantine”.
Për korrektesë dhe respekt, le të referohemi se çfarë është vetë “muzika kishtare bizantine”, e cila, për vlerat e veta, është regjistruar në vitin 2019 në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit. Në prezantimin e saj në faqen zyrtare të UNESCO-s shkruhet, midis të tjerash se muzika kishtare bizantine “…është ekskluzivisht muzikë vokale; ajo është thelbësisht monofonike”, edhe pse e shoqëruar me iso. E qartë si drita e diellit: muzika kishtare bizantine nuk ka asnjë lidhje me dhe asnjë kushtëzim ndaj çfarëdo polifonie popullore. Por, edhe sikur të supozonim se muzika kishtare bizantine është polifoni, prapëseprapë, ajo është polifoni profesionale, e kompozuar posaçërisht për këngë dhe himne në funksion të ceremonive oborrtare e fetare dhe që këndohet nga i njëjti grup i specializuar për këtë qëllim.
Përkundër, polifonia popullore është polifoni tradicionale, që del natyrshëm nga shpirti i bartësve të saj, në çdo kohë e në çdo vend, për të mbajtur gjallë të kaluarën dhe vlerat identitare, trashëgiminë historike e kulturore, për të përjetuar gëzimet e hidhërimet si pjesë të jetës njerëzore. Kësisoj, është absurde që polifonia tradicionale mund të prodhohet prej polifonisë profesionale. E kundërta është e vërtetë. Madje, “Me zgjerimin e Kristianizmit në Europën Mesjetare, u bënë përpjekje për ta mbytur muzikën folklorike popullore, për shkak të shoqërimit të saj me ritet dhe zakonet pagane”. (Britannica Concise Encyclopedia, 2008, pg. 687). Kështu, prezantuesit e tezës se “IsoPolifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare bizantine”, e kanë paraqitur kombin dhe popullin shqiptar të para-Perandorisë Bizantine si një tufë paranjerëzore.
Sipas kësaj teze, kjo tufë, duhej të shkonte në Bizant, posaçërisht në kishën jokombëtare bizantine, për të mësuar si të këndonte dhe si të kalonte nga gjendja paranjerëzore në gjendje njerëzore. Ky është poshtërim, jo vetëm për popullin e kombin shqiptar, por për çdo popull e komb. Sepse është injorim i së vërtetës absolute se “muzika folklorike është melodia origjinale e njeriut, pasqyra muzikore e botës” (Friedrich Nietzsche). Është fyerje edhe për çdo kimi kombëtare, sepse “Kombi, para së gjithash, është një shpirt, një parim shpirtëror” (Ernest Renan). Shpirti është pjesa thelbësore e të gjitha qenieve të ndjeshme. Muzika, qoftë ajo monofonike apo polifonike, është shprehje e shpirtit njerëzor, akti i parë i komunikimit të njeriut me jetën dhe me botën.