1. Rëndësia dhe “historiku” i shkurtër i Pasthënies
Rëndësia e Pasthënies së veprës së Gjon Bdek Buzukut “Meshari” (1555) është e shumëfishtë, që përligjet sidomos me faktin se është teksti i parë origjinal në prozë në gjuhën tonë shqipe që e njohim deri më sot[1]. Këtë na e thotë vetë Buzuku: “tue ụ kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër”.
Mënyra e shtjellimit të tekstit të Pasthënies dhe të shprehurit në të dëshmojnë se Buzuku u mbështet në një traditë të shkruar paraprake shqipe, të cilën, mjerisht, ende nuk jemi në gjendje ta provojmë me fakte. Në Pasthënie gjuha dëshmohet e pasur; fjalia është e rrjedhshme, siç ngjet edhe në pjesën dërmuese të teksteve të veprës së tij, të përkthyera nga Bibla dhe nga vepra të karakterit liturgjik.
Në tekstin përmbyllës të veprës së vet, Buzuku na bën të ditur për veten, për datën e botimit të veprës, po edhe për natyrën, për qëllimin e hartimit dhe të botimit të saj. Me një fjalë, Pasthënia është një lloj letërnjoftimi, një përcaktuese e rëndësishme për autorin dhe për veprën e tij.
Në rrafshin e veçantisë së tekstit, Pasthënia është ndërtuar kryesisht në stilin biblik e liturgjik, qoftë si formë, qoftë si kuptimësi dhe është e rëndësishme për nëntekstin e pasur që e cilëson.
Para se ta analizoj më përafërt tekstin dhe nëntekstin e Pasthënies, po përmend disa të dhëna që lidhen me “historikun” e saj.
Pasthënien e veprës së Gjon Buzukut për herën e parë e përmendi në vitin 1740 ose 1743 Gjon Pagëzuesi Nikollë Kazazi nga Gjakova, ipeshkëv i Shkupit dhe administrator apostolik i Mbretërisë së Serbisë, kur në bibliotekën e Kolegjit të Propagandës në Romë zbuloi librin më të lashtë të botuar në gjuhën tonë të njohur deri atëherë[2]. Meqenëse libri ishte fort i lashtë dhe krejt i dëmtuar (“Antichissimo Missale per antichità tutto stracciato”) dhe i mëngët (i mungonin fletët e para) Gjon Nikollë Kazazi e kopjoi faqen e fundit, ku ishte Pasthënia, dhe, bashkë me një letër, ia dërgoi atë Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themelues i Seminarit shqiptar të Palermos, të cilin Kazazi e çmonte si shembull zemërbujari dhe njeri i vërtetë i burrërisë së kombit të vet[3]. Letra e Kazazit[4] kaloi më vonë tek atë Pal Parrino, siç dëshmohet nga vepra e tij në dorëshkrim “De consensionibus Albanensis (si) cum Romana Ecclesia[5]” .
Ndër arbëreshët e Italisë interesimi për veprën e parë të botuar në gjuhën shqipe vazhdoi edhe më tej. Me të u mor sidomos ipeshkvi i Benda-s, arbëreshi, Pal Skiroi[6].
Sipas të dhënave që njoh, për herën e parë në botën tonë Pasthënien e Buzukut e botoi atë Justin Rrota më 1930 në studimin e tij Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555)[7], ku bëri dhe një varg sqarimesh të fjalëve dhe të shprehjeve të tekstit të saj[8], ndërsa pas tij Namik Ressuli më 1941 në vëllimin “Shkrimtarë shqiptarë” – Pjesa e parë[9]. Ajo, natyrisht, u botua edhe në botimet e plota të veprës së Buzukut, përgatitur nga Namik Ressuli (1958)[10] dhe nga Eqrem Çabeji (1968)[11].
Pasthënien e botoi edhe R. Ismajli në vëllimin “Tekste të vjetra”, sipas transkriptimit të Çabejit, po me pak ndryshime[12], ndërsa në gjuhën angleze atë e përktheu dhe e botoi Robert Elsie[13].
2. “Pasthënia” si “Parathënie”: të dhëna dhe nënteksti
Pasthënies së veprës së Gjon Buzukut i prin shprehja në latinisht: Laus Deo, Pax viuis et rekuiem defuntis[14] (Lavdi Zotit, Paqe të gjallëve dhe prehje të vdekurve). Në formën e botuar në transkriptimin e Çabejit teksti i saj ka 18 rreshta.
Atë Justin Rrota thotë se sipas traditës, shkrimi i tillë nënkupton Parathënien, që dikur ishte zakoni të vihej në faqen e fundit të librit[15].
Nëse Pasthënien e Buzukut e vështrojmë brenda kësaj tradite dhe këtij parimi, atëherë teksti përmbyllës është në të vërtetë shkrimi hyrës – Parathënia e veprës.
Teksti i plotë i saj është:
U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue ụ kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër. U lus mbas sodi mā shpesh të ụini m klishe, përse ju kini me gjegjuni ordhëninë e Tinëzot. E atë në mbarofshi, Zotynë të ketë mishërier mbī ju. E ata qi ụ monduonë djerie tash, mā mos u modonjënë. E ju t ini të zgịedhunitë e Tinëzot. E përherë Zotynë kā me klenë me jū, ju tue ņdjekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrembënënë. E këta ju tue bām, Zotynë ka me shtuam ņdër jū, se të korëtë taj të ņglatetë djerie ņ së vjelash, e të vjelëtë djerie ņ së mbjellash. E u mā duo të mbaronj vepërënë teme, Tinëzot tue pëlqyem. Ņdë vjetët M. D. L. IV. njëzet dit ņdë mars zuna ņfill, e mbarova ņdë vjetët ņjë M. D. L. V. ņdë kallënduor V dit. E se për fat në keshë kun mbi ņdonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajto, aj qit ë jetë mā i ditshim se u, ata faj e lus ta trajtojnë ņdë e mirë. Përse nuk çuditem se në paça fëjyem, kjo tue klenë mā e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom mbi gluhë tanë. Përse ata qi shtamponjinë të madhe fëdigë, e aqë nuk mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, përse përherë ņdaj ta nuk mundë jesh; u tue mbajtunë një klishe, mbi të dý anët më duhē me shërbyem. E tash u jam ņfalë gjithëve, e lutëni Tenëzonë ende për muo[16].
Pasthënia është i vetmi tekst (meqenëse mungojnë faqet e para të veprës së Buzukut, vendi i botimit dhe ndonjë shkrim hyrës i mundshëm nga Buzuku ose nga ndonjë bari tjetër shpirtëror), ku në mënyrë të pandërmjetme jepen disa të dhëna me rëndësi.
Së pari, në të na bëhet e ditur se hartuesi i saj ishte prifti Gjon Bdek Buzuku dhe se punën e shtypjes së librit e filloi më 20 mars 1554 dhe e mbaroi më 5 janar 1555.
Në Pasthënie Buzuku, po ashtu, na bën të ditur se me veprën e vet ai po vinte gurin e themelit në krijimin e traditës së hartimit dhe të botimit të teksteve biblike e liturgjike në gjuhën shqipe: tue ụ kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë. Në këtë rrjedhë ai jep një të dhënë me rëndësi të shumëfishtë: vepra e tij nuk qe punë e rastit, e bërë brenda një viti, siç ka menduar ndonjëri nga studiuesit, po rrjedhojë e një shqetësimi dhe qëllimi të hershëm e të vijueshëm, i pranishëm dhe i përcaktuar shumë kohë më parë në mendjen e tij: “tue ụ kujtuom shumë herë…”.
Në Pasthënie Buzuku përmend edhe vështirësitë që pati për hartimin dhe për shtypjen e librit si dhe përpjekjet e tij që të shmangte gabimet e shtypit. Ai përmend pamundësinë që të ishte vijimisht në shtypshkronjë për ta përcjellë procesin e botimit dhe t’u ndihmonte radhitësve t’i shmangnin gabimet:
“Përse ata qi shtamponjinë të madhe fëdigë, e aqë nuk mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, përse përherë ņdaj ta nuk mundë jesh”.
Pra, vendi ku shërbente Buzuku prift dhe vendi ku ishte shtypshkronja nuk duhet të ishin shumë larg.
Buzuku i përmend edhe arsyet pse nuk mund të përcillte vazhdimisht punën në shtypshkronjë: i duhej të punonte, të shërbente në të dy krahët:“u tue mbajtunë një klishe, mbi të dy anët më duhē me shërbyem”.
Për këtë mendim të Buzukut është thënë se lidhet, nga një anë, me punën e tij si prift dhe, nga ana tjetër, me punën – kujdesin për procesin e radhitjes e të shtypjes së librit.
Mendoj se ky pohim i Buzukut duhet të lidhet para së gjithash me shërbimin e tij të dyfishtë si bari shpirtëror. Buzuku pos që shërbente në një kishë, duhet të ketë pasur edhe ndonjë detyrë – pozitë tjetër në hierarkinë kishtare të ndonjë qendre ipeshkvore, që i përkiste kisha ku ai mbante meshën dhe i kryente shërbimet përkatëse liturgjike për mungesë të priftit, që është veprim krejt i zakonshëm në jetën baritore kishtare.
Them kështu për arsye se Buzuku disa herë në veprën e vet u drejtohet priftërinjve me shprehjet, fjala vjen, “Zgịedh Pistullin (Letrën) e Amonit Profetë”, “Zgịedh Pistullin Shën Palit qi shkruan Xhudhivet”, “Zgịedh ņ së Bameshit së Apostojet” (Veprat e Apostojve), “E tash prifti ka me marrë me dy gishta” e të ngjashme. Vështirë se mund të ishte kjo kërkesë e një prifti të zakonshëm, që t’u drejtohej dhe t’i këshillonte edhe prelatët e lartë shqiptarë të kishës në ç’mënyrë duhet ta përdornin librin në shërbimet liturgjike, thuajse ata ishin fillestarë ose nxënës në përdorimin e teksteve përkatëse. Për ta mbështetur këtë mendim po përmend dukurinë: si ishte e mundur që një prift i rëndomtë t’ia hynte një pune sa të rëndësishme aq edhe të vështirë e me përgjegjësi – të hartonte një vepër të tillë në gjuhën e tij shqipe, e cila jo vetëm që do të përdorej në kisha dhe nga besimtarët, po si e tillë krijonte nismën e traditës të shqipes së shkruar dhe të shkrimit shqip në rrafshin teologjik e liturgjik dhe më gjerë.
S’ka dyshim se Buzuku ishte i vetëdijshëm për këtë detyrë e përgjegjësi, prandaj në Pasthënie, shkruan: “Përse nuk çuditem se në paça fëjyem (gabuar), kjo tue klenë mā e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom mbi gluhë tanë”.
Me një fjalë, është vështirë të pohohet se hartimi dhe sidomos botimi i librit, sa i rëndësishëm, aq dhe i ndërliqshëm, të ishte nismë dhe përmbushej nga vetëm një prift që shërbente në një kishë. Edhe sigurimi i mjeteve për botimin e një vepre të tillë në atë periudhë, ishte ndërmarrje tepër e madhe të përballohej nga një bari shpirtëror, pa ndihmën e të tjerëve, sidomos të institucioneve përkatëse.
Që një prelat kishtar, pos detyrës udhëheqëse, të shërbente – të mbante meshë edhe në ndonjë kishë, kjo është dukuri e zakonshme. Edhe vetë kam qenë dëshmitar (në vitet 2002 e 2003) kur arqipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi, në mungesë të priftërinjve, mbante meshë (zakonisht të dielave) në disa katunde të rrethinës së Tivarit e të Ulqinit, si në Braticë, në Shën Gjergj, në Kllezën, po edhe më larg, në Guci.
Një çështje që është e rëndësishme, po nuk përmendet në tekstin e Pasthënies (lexo: Parathënies) është: pse Buzuku nuk sjell të dhëna më konkrete për detyrën që bënte, për vendin ku ishte kisha në të cilën shërbente, për emrat e atyre që e përkrahën në ndërmarrjen për hartimin dhe botimin e librit, për burimet ku ishte mbështetur për hartimin e veprës etj., që do të ishin të domosdoshme në një shkrim të tillë? Mos vallë të gjitha këto autori i heshti me qëllim?
S’do mend se me rënien e viseve shqiptare nën sundimin osman, mundësia e botimit të librave të natyrës kishtare, qofshin biblike ose liturgjike, jo vetëm ishte zvogëluar, po edhe përcillej me rreziqe të mëdha e të ndryshme.
Edhe pse bota shqiptare deri në atë kohë zhvillohej sipas qytetërimit dhe kulturës së krishterë evropiane, të dëshmuara nga këto fjalë të Fan S. Nolit, “Në shek. XV Shqipëria ishte në shumicën e saj katolike romane, me tetëmbëdhjetë seli ipeshkvore; disa prej të tyre kanë një histori të pandërprerë që prej agimit të krishterimit deri në ditët e sotme… Feja u dha shqiptarëve unitetin që u mungonte si shtet. Feja ka shërbyer po ashtu edhe si një lidhje me Perëndimin[17]”, faktet historike dëshmojnë për një gjendje tepër të rëndë të kishës katolike në trevat shqiptare të asaj kohe (e jo vetëm të saj), për përndjekjet dhe dhunimet e ndryshme e të shumta të kishës e të barinjve shpirtërorë, gjë që kushtëzoi zvogëlimin e numrit të kishave, të priftërinjve e të ipeshkvijve, siç dëshmohet edhe nga këto të dhëna: “Ndryshimet politiko-shoqërore dhe devastimet ekonomike kulturore që pasuan pushtimin osmanoturk, dëmtuan rëndë klerin dhe kishën katolike në përgjithësi. Kështu, më 1478 rrënohen në Veri ipeshkvitë e Danjës, Svaçit dhe Balezës. Më 1451 shuhen në Shqipërinë Qendrore ipeshkvia e Cërnicës pranë Elbasanit. Që nga viti 1478, ipeshkvi i Lezhës vendoset në fshatin Kallmet. Kjo ipeshkvi quhej që prej vitit 1492 ‘Titularis ecclesia in partibus infidelium’ (Kisha titullare në trevat e të pafeve). Vetë emërtimi i saj dëshmon se islamizimi i popullatës vendase ishte tejvajtës. Pas vitit 1501, kryeipeshkvi i Durrësit vendoset në Romë dhe që nga viti 1535 ‘nuk është i detyruar të banojë te Kisha e vet’, shkruhet në një dokument. Më vonë ai vendoset në Delbinisht. Pas vitit 1518, Kuria e Romës u jep urdhër ipeshkvijve të Lezhës, të Pultit të Epërm, të Pultit të Ulët dhe të Shkodrës, që të kthehen në ipeshkvitë e tyre, për arsye se ‘në këto vise ka shumë klerikë dhe laikë të krishterë’. Territori i këtyre katër dioqezave përfshinte Mirditën, Hotin dhe Kelmendin[18]”.
Kjo gjendje vijon edhe më vonë, në fazën e dytë të islamizimit të shqiptarëve të krishterë: “Faza e dytë e dekristianizimit të popullatës shqiptare, që ishte pasojë jo vetëm e islamizimit të dhunshëm, por edhe e klerit të pakët dhe me formim të dobët doktrinar-fetar, sidomos në lidhje me simoninë, përfshiu tërë shekullin XVII. Ishte ky shekull i luftërave të gjata antiosmane që filluan që në vitin 1593. Për pasojë Kisha Katolike e trevave shqiptare nuk mund të komunikojë në mënyrë të rregullt me Vatikanin. Islamizimi në këtë periudhë kishte marrë hov aq të madh sa kryeipeshkvi i Tivarit, Marin Bici (Bizzi), në relacionin e tij të vitit 1610 shpreh frikën se e tërë popullata e kryeipeshkvisë së tij rrezikon të islamizohet[19]”.
Në letrën dërguar kardinal Gocadino-s të dt. 15 shtator 1621, Pjetër Budi shkruan se si vendi i tij është i nënshtruar “gjithë prej turqve dhe, në disa vende më të ulëta, është i shtypur më se forti[20]” nga fakti se katolikët i “janë nënshtruar tiranisë osmane[21]”.
Edhe në një relacion të Frang Bardhit, dërguar në Romë më 1641, thuhet: “Asnjë prift, asnjë frat, asnjë ipeshkëv, nuk guxon të vijë në Romë, sepse të gjithë konsiderohen spiunë dhe tradhtarë të zotërisë së madh, Turkut[22]”.
Kjo gjendje e rëndë e Kishës katolike përligjet edhe nga të dhënat e pandërmjeme, që kryeipeshkvi i Tivarit, Zmajeviku, ia dërgoi Papës Klementit të njëmbëdhjetë, ku besimi dhe institucionet e krishtera në trojet arbërore ishin në zgrip të rrënimit të plotë:
“Unë iu përmbajta urdhrit, iu solla dheut rreth e rreth e gjithë mbarë e kërkova dhe i pashë nevojat e Shqipërisë. Pashë vuajtje shumë! Qytetin, që më parë qe i pari i gjithë vilajeteve, vënë nën haraç, Zojën e njerëzve me futë në krye, kalanë e trimave të rrënuar, murin e mbrojtjen e forcës sonë çartur e prishur; pashë të pafetë hyrë në vend të shuguruar; kishat përlyer, lëterët ndyrë sa mezi pashë një vend, ku mund të mblidhej populli në tubim. Pashë pleqtë duke vajtuar, meshtarët, shërbëtorët e Zotit, duke qarë e duke lotuar; barinjtë travajuar, dhentë shpërndarë e tretur nëpër pyll; pashë murtajën që mbytte gjind e bënte kërdi të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë dhe gjimova: zemra, bashkuar me mjerimet e popullit tim, donte të më ndahej përgjysmë, nga i shihja bijtë e mi në rrezik të bjerrin fenë[23]”.
Në vijim të relacionit të Zmajevikut, konkretizohet edhe më shumë kjo gjendje tepër e rëndë e Kishës katolike dhe e priftërinjve:
“Por, uh, në ç’mjerim e pashë! E pashë vreshtin e Tenzot të prishur e të shkatërruar, lënë si një gjë mbetur shkret, mbuluar prej ferrmacash, prej ferrash, prej rrozgash; e pashë, në vend që të qesë rrush, duke qitur larushk. Këtë vresht e shkeli me ndihmë të njerëzve të këqij, ai, armiku i moçëm, si i Tenzot, ashtu i të birit të njeriut, i cili sikurse nuk pushon prej zemrës së keqe për ta prishur farën e mirë, që është mbjellë në kopshtin e Tenzot, ashtu prej smirës nuk pushon për t’i prishur e për t’i shkulur nga hardhitë e moçme të këtij vreshti filizat (përpajnat), që dalin nga trungjet[24]”.
Edhe Dokumentet e Kuvendit të Arbënit të mbajtur më 1703, që është Kuvendi më i rëndësishëm kishtar dhe kombëtar gjatë sundimit të Perandorisë Otomane, dëshmojnë për gjendjen tepër të rëndë të Kishës katolike në trevat shqiptare: “Në këtë robëri tonën, që i përngjet asaj të çifutëve në Bagdad[25]”. Kjo gjendje ishte keqësuar sidomos në trevat shqiptare ku ndoshta vepronte Buzuku: “Edhe fretërit, që rrinë në Mal të Zi me detyrë të misionarëve, ku më fort ka shtirë rrënjë kjo murtajë dhe është duke e qelbur gjithë Shqipërinë, të mundohen me gjithë shpirt ta shkulin e ta heqin krejtësisht[26]”.
Gjendja e Kishës katolike dhe e barinjve shpirtërorë shqiptarë në kohën e Buzukut vazhdon të keqësohet – për të marrë përmasa më të mëdha nga viti 1571, disa vite pasi Buzuku e botoi librin e vet, kur osmanët nënshtruan përfundimisht Tivarin, Ulqinin dhe viset në afërsi të tyre, ku edhe mund të gjendej kisha që përmend Buzuku.
Dihet se pushtuesi osman vazhdimin e mbijetimit të traditës së krishterimit, sidomos veprimin e priftërinjve dhe të kishës katolike, e shihte si një nga armiqtë më të mëdhenj e më të rrezikshëm të tij.
Mos ndoshta gjendja e rëndë në atë kohë dhe rreziqet e rrethanave të kohës që u përmendën, t’i kenë kushtëzuar të dhënat dhe përmendjen e emrave të atyre që e përkrahën, e lejuan ose e ndihmuan botimin e librit? Ndoshta me qëllim gjithçka ishte njësuar në emrin e një prifti të zakonshëm që mbante një kishë dhe në këtë mënyrë ai, si hartues – autor, vetvetiu merrte mbi vete çdo rrezik të mundshëm të botimit të veprës me qëllim që të shmangte rrezikun për të tjerët, sidomos për institucionin konkret, fjala vjen, të ipeshkvisë?
Në këtë rrjedhë të mëdyshjeve, mos edhe emri i Gjon Bdek Buzukut është i menduar dhe fsheh një person, një autor tjetër?
Pa dyshim se përimtimi më këmbëngulës dhe analizimi më i thellë i rrezatimit të disa të dhënave, sidomos i nëntekstit të Pasthënies së veprës së Buzukut, mund të qesë në dritë edhe gjëra të tjera të rëndësishme.
3. Qenësia e Pasthënies në rrafshin biblik
Gjithë tekstin e Pasthënies së Buzukut e përshkon besimi i patundur në Hyjin krijues dhe në dashurinë e Tij si dhe ndjenja e thellë e përvujtënisë së autorit të saj, siç përligjet edhe nga tekstet e përkthyera nga Bibla dhe tekstet e tjera liturgjike, lutjet dhe litanitë e përfshira në vepër.
Në qenësinë e vet Pasthënia është një himn, një lavd kushtuar Hyjit, i cili – përmes krijesave të veta, njerëzve – kishte nxitur nisjen dhe përmbushjen, përfundimin e veprës në shqip. Kjo dëshmohet duke filluar nga shprehja në latinisht që i prin asaj: Laus Deo, Pax viuis et rekuiem defuntis (Lavdi Zotit, Paqe të gjallëve dhe prehje të vdekurve).
Me një fjalë, thelbi – amëza e Pasthënies së Buzukut është Shkrimi i Shenjtë – Fjala e Zotit, ashtu çfarë është e gjithë vepra e tij, që (për shkak të mungesës së faqeve të para) fillon me Oficin e vogël të së Lumës Mari Virgjër, vazhdon me Lutjet e kohës së ardhjes së Krishtit, me antifona, lekcionar dhe lutje[27], me Shtatë psalmet pendestare, me Lutjet e mbrëmjes për të vdekurit, me himne, me psalme e me antifona, me Katekizmin për ekzorcizmin, me ritualin e pagëzimit dhe të martesës dhe me pjesë të Mesharit që zënë pjesën më të madhe të veprës.
Pasthënia është sublimim i thelbit të Fjalës së Hyjit dhe i besimit në Të; i Dashurisë ndaj Hyjit si qenësi, si ideal; i dashurisë hyjnore si pasuri shpirtërore dhe si bukuri. E gjithë ndërmarrja për hartimin dhe botimin e veprës së Buzukut i ka rrënjët në këtë: “desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë (të dinë, të kuptojnë – v. ime) sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër”.
Thënë shkurt, Pasthënia e Buzukut përligj dy parimet – përbërësit kryesorë të Shkrimit të Shenjtë – të besimit të krishterë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër” (Mt 22, 37) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mt 22, 39).
I pari thuhet në vetë tekstin e Pasthënies: “sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër”, ndërsa i dyti del nga nënteksti i saj: ftesa që u bëhet njerëzve të shkojnë në kishë dhe së bashku t’i luten Hyjit për të mos rënë në tundim nga mëkatet dhe t’i përjetojnë barabar të mirat e përdëllimit të Tij, ku parimi i dashurisë dhe i përvujtërisë së njeriut shprehet si bazë e e çdo veprimi jetësor, siç thotë dhe psalmisti:
Sa i mirë është Hyji me njerëzit e drejtë,
me ata që e kanë zemrën e pastër (Ps 73, 1)
*
Zotynë i pëlqen ai që mendon për të,
ai që shpreson në dashurinë e tij (Ps 147, 11)
*
Rruga e Hyjit është e përkryer,
fjala e Hyjit është pastruar në zjarr;
ai është mburoja e secilit që beson në të (Ps 18, 31)
Që Buzuku ishte i bindur për qenësinë e mbështetjes në Hyjin dëshmon edhe fakti se ai e hartoi dhe e botoi veprën me shpresë se ajo do t’i pëlqejë Hyjit – dhuratë për Të dhe për hirin e Tij: “E u mā duo të mbaronj vepërënë teme, Tinëzot tue pëlqyem”. Domethënë, çdo gjë veprohet me Zotin dhe në Zotin; në çdo veprim duhet të lavdërohet e të madhërohet Zoti, siç thuhet edhe në Psalmin 73, 28:
E mira për mua është të rri pranë Hyjit
në Zotin tim unë e kam strehimin
që të mund t’i rrëfej të gjitha veprat e tua.
Përcaktimin që besimtarët të bëjnë çdo gjë për të plotësuar vullnetin e Hyjit, i cili ua kthen njerëzve dashurinë me dashurinë e tij të pakufi, siç përligjet në Pasthënien e Buzukut (po dhe në gjithë veprën), vërehet edhe tek shkrimtarët pasardhës të tij. Kështu, fjala vjen, Pjetër Budi në poezinë “Laudabo nomen Dei…” i këndon Hyjit që e frymëzoi dhe i dha hir ta përfundonte veprën e nisur:
Qi më dhē kaq hīr,
Këtë kafshë me mbaruom,
Si e paçë zanë fill
Gjithë herë tue shkruom[28].
Ajo që thuhet në Pasthënien e Buzukut – që vepra e tij t’i pëlqejë Hyjit – dëshmohet dhe në poezinë e Budit “Këtu apmë lavd Tinëzot për të mëdhāt mëshërrier të tij”:
Shqip të mundënj me rrëfyem
Ndōnjë kankë të rē,
Qi më qiellt t’ish pëlqyem
Përpara tý ke jē[29].
Lavdinë tand tu’ kënduom,
Kūrrāj pā të pushuom[30].
Ky përafrim shprehjesh e mendimesh (kujto vargun 28 nga Psalmi 73: që të mund t’i rrëfej të gjitha veprat e tua)nuk domethënë kopjim, siç mund të përfitohet përshtypja në vështrim të parë, po është parimi themelor i besimit të krishterë: çdo veprim i njeriut duhet të mbështetet në Hyjin dhe të shprehë dashurinë për Të, siç thotë Buzuku, “t’i pëlqejë Zotynë”.
Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e besimit në Hyjin[31] dhe për të mirat që fiton njeriu kur mbështetet në dashurinë e Tij, në Pasthënie Buzuku i fton besimtarët të jenë të devotshëm ndaj Hirit qiellor, të shkojnë në kishë dhe të marrin pjesë në Meshën e shenjtë dhe t’u përmbahen urdhërimeve të Hyjit: “U lus mbas sodi mā shpesh të ụini m klishe, përse ju kini me gjegjuni ordhëninë e Tinëzot”.
Shkuarja në kishë dhe marrja pjesë në meshë, marrja e kungimit, domethënë pikërisht afrim dhe njësim me Shpëtimtarin, përjetimi i mirëfilltë i Fjalës së Shenjtë të mishëruar në Birin e Hyjit, Jezu Krishtin. Së këndejmi, mesha është forma më e drejtpërdrejtë dhe më e natyrshme e përjetimit dhe e dëshmimit të fesë së Krishtit[32]. Papa Benedikti XVI (Joseph Ratzinger) shkruan: “Liturgjia ngërthen madhështinë e saj nga ajo që është vetë e jo nga ajo që (ne) e bëjmë. Pjesëmarrja jonë njëmend është e nevojshme, po si një mjet për t’u njësuar përvujtërisht me shpirtin e liturgjisë e për t’i shërbyer Atij, i cili është subjekti i liturgjisë: Jezu Krishti[33]”.
Me një fjalë, gjatë meshës në kishë, Biri i Hyjit, Krishti historik, bëhet Krishti i gjallë; dashuria e flijimit të tij në kryq, nëpërmjet ritit të Liturgjisë së shenjtë dhe ritit të sakramenteve të shenjta, bartet tek të pranishmit, tek besimtarët. Ata që marrin pjesë në meshë dhe u përmbahen këtyre parimeve, bëhen, siç thotë Buzuku, të zgjedhurit e Zotit: E ju t ini të zgịedhunitë e Tinëzot, siç ishte Izraeli popull i zgjedhur i Hyjit. Në këtë mënyrë besimtarët shqiptarë jo vetëm nuk do ta përjetojnë tundimin, po do të kenë një jetë të qetë e të pasur shpirtërore.
Pasthënia e Buzukut pa dyshim është dëshmi e fuqishme sesi njeriu mund dhe duhet të njësohet me dritën e Hyjit për t’iu shmangur mëkateve dhe për të shkuar rrugës së drejtë, prandaj Buzuku shkruan: “E atë në mbarofshi, Zotynë të ketë mishërier mbī ju. E ata qi ụ monduonë djerie tash, mā mos u modonjënë. E ju t ini të zgịedhunitë e Tinëzot. E përherë Zotynë kā me klenë me jū, ju tue ņdjekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrembënënë. (1Pjetrit, 3, 13).
Kjo kërkesë e Buzukut – vajtja në kishë dhe njësimi me hirin e Hyjit – që e përshkon fund e krye Pasthënien e tij, dëshmohet edhe në poezinë e Budit “Për ndimët e gjithë krështenimit Arbënit”, ku prifti poet i fton besimtarët shqiptarë të shkojnë në kishën e shenjtë për çdo ditë:
M’kishë t’shintë ban të vini
Shpesh tue i visituam,
Për gjithë ditë ta kini
Shintënë meshë ndëgjuom[34].
Marrja pjesë në Meshën e shenjtë, lutjet, marrja e sakramenteve (pagëzimit, kungimit, krezmimit, pastaj vënia e kurorës etj.), mundëson njësimin me dashurinë hyjnore dhe me hirin hyjnor. Së këndejmi, kush e përfill Hyjin, i hap rrugë jetës së denjë dhe shijimit të fryteve të punës që bën, siç del dhe nga Pasthënia e Buzukut: “E këta ju tue bām, Zotynë ka me shtuam ņdër jū, se të korëtë taj të ņglatetë djerie ņ së vjelash, e të vjelëtë djerie ņ së mbjellash” (Shihdhe Lev 26, 5). Me fjalë të tjera, “Kisha s’ka asnjë gjë më të madhërueshme, më të çmueshme e më të nevojshme për ta fituar shëlbimin e pasosur së shtatë Sakramentet e vënë prej Jezu Krishtit Zotit tonë, të cilat varfërimi i njeriut, për mëshirën e madhe të Tenzotit, pasurohet me gjëra të mëdha e me shumë të mira. Shtatë sakramenet janë shtatë krojet e Shëlbuesit, prej të cilave nxirren me gazmend ujërat e hirit të hyjnueshëm, që na i çojnë lart shpirtrat tanë në jetën e pasosur. Zemra e hapur e të mëshirueshmit Zotit tonë, që prej së larti na i pa nevojat tona, del mirëfilli sidomos në sakramene, për të cilat e mira e shpirtit tonë, ose fillon ose rritet në qoftë filluar, ose përsëri fitohet, në qoftë bjerrë. Këndej, Kisha, Nusja e Krishtit, goditur, e hijeshuar me kaq shumë rreze të madhërisë e të lumnisë, shkëlqen porsi ylli i dritës dhe forcuar me shtatë shenja të sakramenteve, gjithë e mnershme, porsi një tubë ushtrie e rreshtuar, del ta prishë e ta rrënojë fare fundin e ferrit[35]”.
Edhe fundi i Pasthënies përligj përshpirtshmërinë e thellë të Buzukut: kërkon nga të tjerët që të luten për të në mënyrë që Hyji të jetë pandërprerë me të dhe brenda tij: “E tash u jam ņfalë gjithëve, e lutëni Tenëzonë ende për mu”, parim i qenësishëm i krishterimit, i përligjur nga shumë shenjtër, prelatë dhe barinj shpirtërorë, që i ka rrënjët tek vetë Krishti dhe kërkesa e tij “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mt 22, 39).
4. Shprehje që të përkujtojnë vargje të himneve e të psalmeve
Edhe pse Pasthënia e Buzukut ka si qëllim të parë të bëjë të ditur për dukuritë që lidhen me autorin dhe me librin e tij dhe të përligjë qenësinë e besimit në Hyjin, po veçoj në vazhdim disa shprehje që lënë përshtypjen e vargjeve të përdorura në psalme, në himne, në uratë e në forma të tjera biblike e liturgjike:
ņ së dashunit së botësë sanë
*
për sā mujta me ditunë,
*
me zdritunë pak mendetë e atyne
*
sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë
*
atyne qi ta duonë m gjithë zemër
*
Zotynë të ketë mishërier mbī ju
*
E ju t ini të zgịedhunitë e Tinëzot
*
përherë Zotynë kā me klenë me jū
*
ju tue ņdjekunë të dërejtënë
*
Zotynë ka me shtuam ņdër jū
*
se të korëtë taj të ņglatetë djerie
ņ së vjelash, e të vjelëtë djerie ņ së mbjellash
*
E u mā duo të mbaronj vepërënë teme,
Tinëzot tue pëlqyem
*
aj qit ë jetë mā i ditshim se u
*
ata faj e lus ta trajtojnë ņdë e mirë
*
kjo tue klenë mā e para vepërë e fort e fështirë
për të vepëruom mbi gluhë tanë
*
mbi të dý anët më duhē me shërbyem
*
E tash u jam ņfalë gjithëve,
e lutëni Tenëzonë ende për muo.
Në qenësinë e vet gjithë teksti i Pasthëniës, po të vihej në formë vargu, siç u veprua në shembujt që solla, mund të lexohet si një prozë poetike ose si një poezi vargjesh të lira
Pasthënies së veprës së Gjon Buzukut, natyrisht, mund t’i bëhen edhe lexime dhe interpretime të tjera, të cilën gjë e mundësojnë teksti dhe nënteksti i saj.
[1] Rreth Pasthënies së veprës së Buzukut Xhevat Lloshi shkruan: “Shqyrtimi i ndërtimit të Pasthënies si tekst dhe i sintaksës së saj dëshmon se është një hartim me cilësi të mirëfillta letrare […] Po të lihen jashtë numërimit nyjat e përparme dhe pjesëzat për trajtat e foljeve (u, të), janë gjithsej 134 njësi, të përdorura 263 herë, domethënë mesatarisht i bie që një fjalë të jetë përdorur dy herë. Është një mesatare që për një tekst të shkurtër tregon pasuri”. Shih punimin e tij Teksti i parë shqip: Pasthënia e Buzukut. Në “Buzuku dhe shkrimet e hershme shqipe”. Sesioni shkencor ndërkombëtar për gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Universiteti i EJL, Tetovë, 18, 19 dhe 20 mars 2005, Tetovë 2006, f. 98 – 99.
[2] Bardhyl Demiraj mendon se viti kur Gjon Pagëzuesi Nikollë Kazazi e zbuloi “Mesharin” e Buzukut dhe kur e kopjoi Pasthënien dhe ia dërgoi Gjergj Guxetës në Palermo është viti 1743, kur Kazazi u emërua ipeshkëv i Shkupit dhe administrator apostolik i Mbretërisë së Serbisë. Shih punimin e tij Viti i zbulimit të “Mesharit” të Buzukut dhe disa çështje që lidhen me të. Në “Buzuku dhe shkrimet e hershme shqipe”, vep. e përm., f. 149.
[3] P. Justin Rrota, O. F. M., Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555), vep. e përm., f. 2.
[4] Faqja e kopjuar e librit të Buzukut nga Kazazi, bashkë me dokumente të tjerë, gjenden në Bibliotekën mbretërore të Kopenhagës.
[5] Shih faksimilen e letrës botuar në revistën “Biblos” të Horës së Arbëreshëve (Siçili) dhe të ribotuar në vëllimin Buzuku dhe shkrimet e hershme shqipe. Sesioni shkencor ndërkombëtar për gjuhën dhe letërsinë shqiptare, vëllimi i përmendur, f. 152 – 154.
[6] Shih Gaetan Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare. Përktheu nga origjinali: Qemal Velia. Botimet “Almera”, Tiranë 2008, f. 73 dhe P. Justin Rrota, O. F. M., Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype, D. Gjon Buzuku (1555). Copa të zgjedhuna e të komentueme per shkolla të mjesme. Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1930,f. 2.
[7] P. Justin Rrota, O. F. M., Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype, vep. e përm.,f. 19 – 21,
[8] Atë Justin Rrota, O. F. M. në vitin 1929 i solli nga Roma në Shqipëri tri fotokopje të “Mesharit” të Buzukut. Shih studimin e tij të përmendur,f. 6.
[9] Namik Ressuli, Shkrimtarë shqiptarë. Pjesa e I. (1462 – 1878), vep. e përm., f. 16 – 17.
[10] Namik Ressuli, Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione, vep. e përmendur 1958.
[11] “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, Tiranë 1968 dhe “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë. Tiranë 1968.
[12] Rexhep Ismajli, Tekste të vjetra. “Dukagjini”, Pejë 2000, f. 92 – 93.
[13] Excerpt from the ‘Missal’ of Gjon Buzuku, 1555, translated from the Albanian by Robert Elsie, and first published in English by Robert Elsie in History of Albanian literature, New York 1995, vol. 1, f. 47.
[14] Sipas atë Justinit në gjuhën e pastër latine kjo shprehje shkruhet “Requies defunctis”.
[15] P. Justin Rrota, O. F. M., Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype, vep. e përm.,f. 19.
[16] Transkribimi i Pasthënies botohet sipas “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e dytë,. Faksimile dhe transkribimi fonetik. Tiranë 1968, f. 387.
[17] Shih Aurel Plasarit, Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë. Në “Rilindja demokratike”, n. 1- 2, Tiranë 1991.
[18] Zef Mirdita, Kuvendi i Arbënit – faktor vendimtar në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare. Në “Kuvendi i Arbënit 1703” – në 300 – vjetorin e mbajtjes së tij. Simpoziumi i parë albanologjik në Mynih. Mynih – shtator 2003, “Shpresa” Prishtinë 2004, f. 26.
[19] Zef Mirdita, Kuvendi i Arbënit – faktor vendimtar në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, pun. i përm., f. 27.
[20] Shih Pjetër Budi, Poezi. Prishtinë, 2006, f. 343.
[21] Shih Pjetër Budi, Poezi, vep e pëm., f. 343.
Në fund të kësaj letre Pjetër Budi shkruan edhe këtë: “Popujt Klementinë, të cilët banojnë ndër malësitë përmbi Tivar dhe shtrihen në anë të Risanos, qëndrojnë pothuaj përherë në kryengritje kundër turkut (sulltanit) dhe arrijnë numrin e dymijë burrave të zotë për armë…”.Shih Pjetër Budi, Poezi, vep. e përm., f. 348.
[22] Shih Zef Mirdita, Kuvendi i Arbënit – faktor vendimtar në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, pun. i përm., f. 27.
[23] Kuvendi i Arbënit 1703. Përktheu nga latinishtja don Engjëll Radoja. Përshtatjen në gjuhën e sotme Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë 2003, f. 27.
[24] Kuvendi i Arbënit 1703, vep. e përm., f. 30 – 31.
[25] Kuvendi i Arbënit 1703, vep. e përm., f. 34.
[26] Kuvendi i Arbënit 1703, vep. e përm., f. 45 – 46.
[27] Xhevat Lloshi thotë se Pasthënia e Buzukut e ka natyrën e lutjes. Shih punimin e tij të përmendur Teksti i parë shqip: Pasthënia e Buzukut, f.92.
[28] Pjetër Budi, Poezi, vep. e përm., f. 277.
[29] Pjetër Budi, Poezi, vep. e përm., f. 245.
[30] Pjetër Budi, Poezi, vep. e përm., f. 245.
[31] Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, e shpallur e lumtur më 19 tetor 2003 nga papa Gjon Pali II, që ua kushtoi jetën të varfërve nga më të varfrit, thoshte rreth besimit dhe rëndësisë së tij: “Të besosh domethënë të jetosh (…) Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona”. Në Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114, shih dhe Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 195.
Duke e thelluar mendimin e saj për qenësinë e besimit në Hyjin, Nëna Tereze shkruante edhe këtë: “Feja është një dhuratë e Zotit. Pa të nuk mund të kishte jetë. Vepra jonë, për të dhënë fryt, që të mos i përkasë kujt tjetër pos Zotit, për të qenë e bukur, duhet të jetë e ndërtuar mbi fenë”. Shih Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.
[32] Shih Martin Mosebach, Eresia dell’informe. La liturgia romana e il suo nemico. Edizioni Catagalli. Siena, 2009, f. 163.
[33] Joseph Ratzinger, La teologia della Liturgia. Notre Dame de Fontgombault, 22 korrik 2001, f. 1.
[34] Pjetër Budi, Poezi, vep. e përm., f. 269.
[35] Kuvendi i Arbënit 1703, vep. e përm., f. 62.
Marrë nga ExLibris