Nga mungesa e kulturës financiare, tek ajo e tregjeve sekondare financiare janë ndër arsyet pse bizneset po shkojnë drejt gjetjeve të financimeve jashtë bankave. Për Presidentin e UET-së, Adrian Civici, rritja e këtij fenomeni është tejet negative. “Kemi të bëjmë me një fenomen shumë negativ dhe të rrezikshëm për ekonominë, bizneset dhe individët. Kemi të bëjmë me një fenomen, kundrejt të cilit duhet bërë çdo përpjekje për ta minimizuar dhe eliminuar, pasi pasojat e tij negative janë jo vetëm me natyrë ekonomike e financiare, por edhe sociale”, thekson ai në një intervistë për gazetën.
Nga ana tjetër, Civici e shikon edhe si “pozitive” rritjen e kërkesës për financim nga ana e bizneseve, edhe pse në afatgjatë ai thekson se ky fenomen duhet të ndalohet me të gjitha mënyrat. Banka e Shqipërisë raporton për një rritje të fenomenit të “gjetjes alternative të burimeve të financimit” nga bizneset. Si ndikon kjo në ekonomi?
Nga një këndvështrim afatshkurtër dhe strikt ekonomik, alternativat e reja të financimit dhe krijimi i mundësive për një përdorim më të gjerë të parasë në ekonomi, mund të thuhet se rritja e fenomenit të “gjetjes alternative të burimeve të financimit” është diçka pozitive. Në logjikën e kërkesë-ofertës monetare, ky fenomen “përkthehet” si një situatë në të cilën konvergon ekzistenca e likuiditeteve të ngurtësuara që kërkojnë mënyra alternative për t’u investuar dhe kërkesës aktive për para në treg. Është fakt që Shqipëria e ka përqendruar mbi 95% të kreditimit të individëve apo bizneseve vetëm te sistemi bankar duke mos gjetur akoma mënyra alternativa financimi që lidhen ngushtë me ekzistencën dhe funksionimin e tregjeve alternative financiare siç janë bursa, tregjet e aksioneve dhe obligacioneve, fondet e investimeve.
Pra, e thënë ndryshe, neve na mungojnë tregjet sekondare dhe terciare financiare që krijojnë dinamika aktive financimesh. Por, në rastin e shqetësimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për rritjen e “alternativave të burimeve të financimit”, bëhet fjalë për një fenomen të rrezikshëm, të dëmshëm dhe me shumë të papritura. Bëhet fjalë për një treg informal të parregulluar dhe pakontrolluar financiar që funksionon jashtë rregullave formale të huadhënies, jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare përgjegjëse për transparencën dhe rregullat bazë të marrëdhënieve monetare. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet pa asnjë hezitim se kemi të bëjmë me një fenomen shumë negativ dhe të rrezikshëm për ekonominë, bizneset dhe individët.
Kemi të bëjmë me një fenomen, kundrejt të cilit duhet bërë çdo përpjekje për ta minimizuar dhe eliminuar, pasi pasojat e tij negative janë jo vetëm me natyrë ekonomike e financiare, por edhe sociale. Shtrëngimi i kushteve të kreditimit mund të çojë në riaktivizimin e skemave piramidale? (Në rastin e individëve është gati gjysma që marrin para borxh jashtë sistemit bankar).
Natyrisht që shtrëngimi i kushteve të kreditimit ka ndikimin e tij në përhapjen dhe zgjerimin e skemave piramidale, por nuk mendoj se ky është shkaku themelor që po provokon një përhapje të tillë që e ka shqetësuar seriozisht Bankën e Shqipërisë. Mendoj se ka edhe disa arsye të tjera më të qenësishme.
Së pari, mungesa e kulturës dhe njohurive bazë financiare e bankare te një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare, së cilës i duken mjaft të lodhshme dhe burokratike procedurat e bankave tregtare në dhënien e kredive dhe për pasojë kërkojnë rrugë “të lehta alternative” në tregun jo formal duke besuar gabimisht se aty e zgjidh më shpejt dhe më me leverdi kredinë e kërkuar;
së dyti, një pjesë e individëve apo bizneseve duke mos qenë në gjendje të ofrojnë plane biznesi cilësore e eficiente, garanci pagesash dhe kolateralin e duhur kundrejt shumës së kredisë që kanë nevojë të marrin nga bankat e kërkojnë zgjidhjen te tregu informal duke u mjaftuar me një marrëveshje-premtim jo formal, kontratë gojore në bazë të njohjes dhe miqësisë, apo më e shumta me një kontratë të thjeshtë noteriale.
Në këtë rast ju duket se shmangin detyrimin për të provuar aftësinë e tyre reale paguese, planin e detajuar të biznesit, bilancin e audituar të aktivitetit etj., kërkesa të cilat bankat nuk i tolerojnë; së treti, dhe këtu dëshiroj t’i rikthehem “kushteve të kreditimit që ofrojnë bankat”, në një pjesë të madhe të këtij tregu financiar jo formal me mjaft elemente të skemave piramidale, normat e interesit për “kreditë” e dhëna janë më të larta dhe me kushte më të rënda se sa ato të bankave tregtare.
Rreziku i iluzioneve monetare dhe mungesa alarmuese e kulturës dhe njohurive bankare e financiare, tipike në vendet e varfra dhe ato në zhvillim, janë një shtrat i rrezikshëm për stimulimin e skemave piramidale. Eksperienca e tmerrshme e vitit 1997 nuk është aq e largët sa të harrohet kaq lehtë. Si duhet të sillen bankat e nivelit të dytë në këtë klimë? Në lidhje me sjelljen e bankave tregtare, për këtë problem qarkullon dhe një mendim i gabuar, sipas së cilit “meqenëse ky fenomen po përhapet për faj të bankave që ofrojnë norma të larta interesi dhe kushte të shtrënguara kredidhënie, janë ato që duhet të reagojnë të parat duke ulur normat e interesit dhe lehtë- suar kushtet e kredisë”. Natyrisht që një veprim i tillë nga ana e bankave mund të ndodhë, por jo në mënyrë fiktive dhe aq më pak si reagim formal ndaj përhapjes së tregut informal të kreditimit e financimit.
Në mënyrë të veçantë, normat e interesit dhe kushtet e kredidhënies përcaktohen sipas rregullave të tregut të lirë, kushtëzohen nga niveli i perceptuar dhe studiuar i riskut nga ana e bankave, fiksohen sipas cilësisë së kredimarrësve dhe specifikave të tyre, orientohen nga “çmimi i parasë në treg” dhe gjendja e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Në këtë sens, bankat e nivelit të dytë kanë shumë për të rregulluar e qartësuar në lidhje me hartimin e kontratave të kredisë, transparencën dhe qartësinë e tyre, lehtë- simin e procedurave burokratike, thellimin e kulturës bankare e financiare, vlerësimin e kolateralit etj., por kjo nuk ka lidhje me ndonjë detyrim institucional apo social të tyre që, në emër të luftës dhe eliminimit të fenomenit të tregjeve informale të kapitalit, të prishin apo devijojnë rregullat kryesore të funksionimit të sistemit të kredisë dhe financimeve të natyrave të ndryshme.
E nënvizoj dhe njëherë, problemi qëndron tek informimi i vazhdueshëm i publikut për rrezikun e financimit në tregjet paralele informale, te qëndrimet e qarta dhe të forta të Bankës së Shqipërisë në kuadrin e politikës së saj së komunikimit me publikun dhe te bindja e huadhënësve apo huamarrësve informalë se ky sistem jo formal mbart rreziqe të panumërta si për individët apo bizneset e përfshira në këtë veprimtari, ashtu dhe për stabilitetin financiar dhe ekonomik në përgjithësi.
Komentet