Po vjen momenti i së vërtetës në Kosovë
Më i dëmshëm për vendin është vazhdimi i qeverisjes së kësaj klase të korruptuar politike
Për opinionin publik, skeçi më i mirëpritur i radhës i STUPCAVE do të ishte për “institucionalistët”, që krijuan pasuri milionëshe, duke zhvatur pasurinë shtetërore për pasurim përmes tenderimit, korrupsionit dhe formave të tjera të paligjshme
E 2016-a hyri furishëm, ashtu siç e kemi pritur, me reflektimin e problemeve negative nga 2015-a. Nuk ishte i befasishëm skeçi humoristik i grupit të artistëve të mirënjohur STUPCAT, që riaktualizuan edhe një herë çështjen e komandantëve përfitues të luftës çlirimtare. E papritur dhe e pavend ishte paraqitja e grafiteve seksitive ndaj presidentes Jahjaga, e këtij produkti të politikanëve të papërgjegjshëm. Mbase të parës së shtetit më mirë do t’i shkonte ndonjë formë tjetër e grafitit, siç bie fjala; e servilitetit, injorancës dhe naivitetit politik.
Ashtu sikurse njëra (skeçi), edhe tjetra (grafitet) në vendet demokratike cilësohen si liri e shprehjes, ndërsa tek ne për fat të keq akoma po marrin karaktere tjera.
As skeçi humoristik, as grafitet, as çdo formë tjetër e shprehjes së pakënaqësisë qytetare nuk janë më të dëmshme për vendin sesa vazhdimi i qeverisjes së kësaj klase të korruptuar politike.
Krimi e korrupsioni janë shndërruar në kancer të shtetit të Kosovës
Ka ardhur koha, do të thosha është momenti i fundit, për të gjithë ata që kanë fakte, prova dhe argumente të pamohueshme, të dalin e t’i thonë hapur me emër dhe mbiemër para opinionit publik. Në radhë të parë duhet të flasin pjesëmarrësit e drejtpërdrejt të luftës çlirimtare, ish-komandantët dhe ushtarët, ata që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë që e gëzojmë sot, dhe në asnjë rrethanë të mos heshtin, për të pranuar identifikimin e tyre me një grup të vogël keqpërdoruesish të luftës çlirimtare.
Sa herë që bëhet fjalë për dukuritë negative të shoqërisë, duhet pasur parasysh identifikimin e rasteve, identifikimin e individëve me emër dhe mbiemër, në të kundërtën flasim kot për luftimin e së keqes pa e luftuar të keqën individuale.
Sikurse terrorizmi që është bërë problem botëror, ashtu edhe për ne, krimi i organizuar dhe korrupsioni, më tepër se problem janë shndërruar në kancer të shtetit të Kosovës.
Çdo formë e përgjithësuar e kritikës dhe akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion s’është gjë tjetër vetëm mbrojtje e të inkriminuarve në vepra të rënda penale. Shpërndarja e përgjegjësisë është fshehje fajësisë dhe mohim i së vërtetës.
“Çlirimtarë” dhe “instituacionalistë”, të bashkuar në sistemin korruptiv të qeverisjes
Krahasimi i të gjithë komandantëve dhe luftëtarëve të ndershëm me një grup tejet të vogël njerëzish të papërgjegjshëm që përfituan dhe shpërdoruan vlerat e luftës së lavdishme çlirimtare është i dëmshëm për vendin dhe denigrues për luftën çlirimtare.
Më të rrezikshëm se shpërdoruesit e luftës çlirimtare janë keqpërdoruesit e pushtetit të pasluftës, e në veçanti të pas 17 shkurtit 2008, që rrënuan vlerat tona kombëtare, rropën e çrropën pasurinë shoqërore, degraduan sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, ata që në bisedimet me Serbinë në Bruksel cenuan sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit tonë.
Thënë ndryshe, “çlirimtarë” dhe “instituacionalistë”, të bashkuar në sistemin korruptiv të qeverisjes megalomane (21 ministri), me shpenzime enorme, janë shndërruar në dëmtuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit pa i sjellë asnjë të mirë vendit të tyre.
Ashtu sikurse skeçi humoristik dhe grafitet për presidenten, mund të jenë një formë e planifikuar për zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga problemet madhore që ka vendi me keqqeverisjen aktuale.
Djajtë e veshur me lëkurë qengji
Andaj, për opinionin publik skeçi më i mirëpritur i radhës i STUPCAVE do të ishte për “institucionalistët”, që krijuan pasuri milionëshe duke zhvatur pasurinë shtetërore për pasurim përmes tenderimit, korrupsionit dhe formave të tjera të paligjshme.
Ngase për opinionin vendor është e bërë e vështirë të dallohen, cilët janë djaj e cilët engjëj, cilët janë milionerët më të mëdhenj në vend; “çlirimtarët” apo “institucionalistët”, qofshin ata nga ana e pushtetit aktual apo nga opozita, emrat e të cilëve janë të njohur mirë për opinionin publik!
Nëse me të vërtetë dëshirojmë të arrijmë rezultatet e dëshiruara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë, ashtu siç i përmendim çdo ditë me emër dhe mbiemër dhe me pietetin më të lartë dëshmorët dhe vlerat e kombit tonë, ngjashëm duhet t’i identifikojmë edhe antivlerat dhe keqpërdoruesit e pushtetit, qofshin ata të nivelit lokal apo qendror.
Promovimi i fundit nga ana e qeverisë, e “Prokurimit elektronik”, për luftimin e korrupsionit, tenderimit, auditimit dhe monitorimit të punës së administratës, për ruajtjen e parasë publike etj., është edhe një tentim i radhës për mashtrim e opinionit publik, për gjoja “përkushtimin” e qeveritarëve në menaxhimin (ruajtjen) e parasë publike dhe luftimin e dukurive tjera negative në vend.
Dashtë Zoti të dali i suksesshëm ky projekt qeveritar, por deri më tani në historinë e shoqërisë njerëzore nuk ka ndodhur akoma, që një keqpërdorues pushteti, një hajn apo një vrasës ta denoncoj krimin e tij.
Prandaj, të gjithë jemi në pritje; cili do të jetë skeçi i radhës i STUPCAVE ?
Komentet