Ismail Qemali ka pasur një inat të madh ndaj Princit gjerman, jo sepse ai i zuri vendin që aspironte, siç thonë disa, se Plaku i Vlorës e dinte që fuqitë e mëdha do të emëronin si mbret të Shqipërisë një të huaj, siç kishin bërë edhe në vende të tjera ballkanike, por sepse ai ishte shumë i indinjuar me Princin gjerman, pasi e quante një njeri mendjelehtë, që nuk donte të mësonte nga ata që e njihnin mirë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ismail Qemali nuk rri dot pa bërë në kujtimet e tij dhe një koment ironizues për largimin e Princit gjerman nga Shqipëria: “Si një spekulator i falimentuar, Wilhelm Wiedi e kuptoi se nuk mbetej tjetër veçse të largohej”.1
Sjellja e Ismail Qemalit me Princ Wied-in nuk mund të merret si tregues i ksenofobisë të Ismail Qemalit se ky kishte qenë një njeri me një karrierë të gjatë si zyrtar i lartë në Perandorinë Osmane që kishte pasur marrëdhënie me europianët, kishte kryer misione diplomatike, kishte udhëtuar në Europë, ishte përpjekur ta orientonte Perandorinë Osmane drejt kursit të reformave sipas modelit perëndimor dhe këtë gjë e donte edhe për Shqipërinë. Ismail Qemali ishte njeriu i fundit në Shqipëri që mund të akuzohej për ksenofob, ndaj europianëve. Në Perandorinë Osmane atë e kishin akuzuar si ksenoman, ndaj europianëve.
Një episod i ksenomanisë së liderëve shqiptarë është ai kur Ali Pashë Tepelena, në kuvendin që mbajti me krerët e Pashallëkut të tij, që përfshinte edhe një pjesë të madhe të Greqisë së sotme, në prag të nisjes së luftës nga Perandoria Osmane kundër tij, iu tha krerëve grekë: “Po ta shikoni paanërisht të sjellurën time ndaj jush, o grekër të mirë, do të gjeni aty provat e qarta të besimit dhe nderimit që kam pasur për ju kurdoherë. E cili pasha ju trajtoi siç ju kam trajtuar unë? Kush i mbuloi si unë priftërinjtë tuaj me kaq respekt? Kush tjetër ju ka dhënë privilegje sikurse unë? Se ju keni vendin tuaj në këshillin tim, se daç policia daç qeverimi i sundimeve të mia është në dorën tuaj”.2
Kjo gjuhë shkonte përtej bashkëpunimit, ishte gjuha e ksenomanisë. Dihet se Ali Pasha iu bëri shërbime të mëdha grekëve aq sa Janinën e kohës së tij e kanë quajtur Athinën e re, për shkak të numrit të grekëve të shkolluar që ishin mbledhur atje në shërbim të tij.
Stephanos Zotos, një studiues grek, na thotë se edhe grekët kanë qenë ksenomanë për një kohë të gjatë që nga krijimi i shtetit të tyre dhe e përshkruan kështu ksenomanië e tyre në librin e tij të përmendur: “Grekët kanë vuajtur nga një ksenomani e pashërueshme, e cila sot ka prirjen që të zhduket, pasi turmat e turistëve të zhurmshëm vizitojnë Greqinë dhe gjithmonë e më shumë grekë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, udhëtojnë jashtë vendit”.3
Një tjetër tregues i ksenomanisë së shqiptarëve, që e kanë shfaqur edhe grekët, ka qenë ai fenomen që Konica e ka quajtur një aspekt të levantinizmit shqiptar, dhe që ka të bëjë me përzierjen në gjuhën shqipe të fjalëve dhe fjalive të huaja në mënyrë të panevojshme. Zotos thotë se grekët e kanë pasur këtë mani, por e kishin kapërcyer tanimë në kohën kur shkruante ai, në vitet gjashtëdhjetë: “Para luftës së fundit gjuhët e huaja mësoheshin nga grekët, më shumë frëngjishtja dhe gjermanishtja, dhe mund të dëgjoje shpesh anëtarë të elitës athinase të përzienin frëngjishten me greqishten, me një këmbëngulje të papëlqyeshme dhe në mënyrë artificiale, praktikisht në çdo bisedë”.4
Ksenomania shprehet mbi të gjitha me imitimin e paarsyeshëm të modeleve të huaja. Branko Merxhani iu tërhiqte vërejtje shqiptarëve për këtë gjë që në 1934, një artikull me titull “Jo mballoma”: “Jemi të shtrënguar me dashje e pa-dashje të ecim për në Oksident. Por kjo ecje jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi. Por kjo ecje jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi. Përkundra. Ecja jonë nëpër viset e Oksidentit lypset të jetë në një koh’ e sipër edhe një ecje triumfale drejt viseve t’ ona, drejt parimeve krijonjëse të jetës s’ onë kombëtare. Domethënë, nga Oksidenti kemi për të marrë vetëm, methodhat e punimit, vetëm qytetërimin, por kurrë kulturën. Parimi i sinqertë dhe i vërtetë i Kulturës Shqiptare është i fshehur brenda në shpirtin e pa-sbuluar, të papunuar, të panjohur të Kombit. Mësimi, regulla, që kemi për të marrë nga Europa, nuk është një gjë e adoptuarë nga një Filosofi ose nga një tendencë e caktuar e asaj bote. Po është një send i përbashkët, që ekziston pothua në çdo grup dhe në çdo farë profesioni në Europë”.5
Kjo është një vërejtje me vlerë edhe sot, kur shqiptarët në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, janë të prirur të imitojnë modele në të gjitha fushat, pa vrarë mendjen si t’i përshtatin ato me realitetin shqiptar.
Nga të gjithë rastet e marrëdhënieve të shqiptarëve me të huajt, duhen veçuar veçanërisht marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit të Skënderbeut me Papa Piun II, dhe me papët e tjerë që ishin në fronin pontifikal në kohën që Skënderbeu i priu luftës së shqiptarëve kundër turqve. Studiuesi amerikan Edwin Jacquez i përmbledh kështu marrëdhëniet e Skënderbeut me Papët në kohën e tij: “Papa Piu II dhe Papa Pali II e cilësonin luftëtarin me dashuri si ‘Gideoni i Krishterë’, ‘Shpata e Krishterimit’, ‘Shtylla e Kishës së Shenjtë’, ‘Makabeu i Ri’, ‘Tmerri i Islamizmit’. Në shenjë mirënjohjeje qyteti i Romës ngriti një shtatore të madhe të luftëtarit mbi kalë në sheshin pranë Koloseut, i cili mban ende emrin Piazza Albanese”.6
Përveç këtyre, duhet thënë se në vitin 1456, Skënderbeu u emërua nga Papa Kaliksti III, Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë.
Kur flitet për marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt, duhet thënë se shumica e të huajve janë mrekulluar nga shqiptarët, madje edhe në çastet më të këqija për shqiptarët. Francezi Gabriel Louis-Jaray, i cili e vizitoi Shqipërinë në 1914, në një nga vitet më të këqija për shqiptarët, shkruan megjithatë me shumë optimizëm për tan ë librin e tij “Në mbretërinë e re të shqiptarëve”: “I tillë është ky shtet i ri, i lindur në fillim të shekullit XX nga grahmat e fundit të Turqisë në Europë. Nga thellësia e historisë, ku ndoshta la luajtur dikur rolin kryesor, shqiptari u ringjall nga forca e ndjenjave të pavdekshme. A do të dijë ai të përshtatet me mjedisin ku rilindi, apo, i ardhur tepër vonë në një botë tepër të vjetër, do t’ i ngjasojë një vizioni kalimtar të një të shkuare që nuk është më, për t’ u zhdukur përsëri mes popujve që e rrethojnë? Për t’ u zhdukur as që bëhet fjalë. Cilido qoftë fati i tij, raca dhe ndjenja kombëtare do të mbijetojnë”.7
Pse shqiptarët iu ngjallnin një entuziazëm të tillë të huajve edhe në çastet më të vështira për ta? Me çfarë i bënin për vete shqiptarët të huajt si ky? Ndoshta me atë sjelljen çarmatosëse shqiptare, që sikur iu thotë të huajve se: Ne shqiptarët, me vetitë tona të këqija në fund të fundit nuk i bëjmë keq askujt përveç vetes sonë, ndërsa me vetitë tona të mira mirëpresim si mik me të gjitha nderimet e mundshme çdo njeri që na troket në derë. Dhe siç ka thënë Poeti, vetitë tona mund të ishin më të arrira, por për këtë ka akoma kohë. Dhe kjo është kohë europiane, sepse ne jemi europianë. Nëse doni të na njihni më mirë, përsëri cherchez le poete! Por këtë herë tonin jo aë anglez. Ose më saktë Shkrimtarin. Dhe ai (Ismail Kadare) ka thënë: “Të duash Europën? Të duhesh prej Europës. Nuk ishin vetëm shqiptarët, që pas ndarjes me vetminë e tyre proverbiale, ishin kapur nga ethet e kontinentit. Të gjithë popujt e gadishullit ishin në to. Të jesh europian. Të bëhesh i tillë. Së fundi, të vihesh përpara pyetjes me ngjyrim hamletian: Të bësh apo të mos bësh pjesë në Europën e bashkuar. Siç ndodhte shpesh me fjalët e princit danez, ato e merrnin aty për aty përmasën universale. Ishte fjala për strategjinë gjeopolitike, kulturën, qytetërimin, ekonominë, shkurt për fatin e përbashkët të ballkanasve. Të gjithë ata kishin pasur stinët e tyre të nxehta apo të ftohta me kontinentin; kalonin nga përndezja tek akullsimi, nga dashuria te mëria, për të përfunduar te smira për njëri-tjetrin. Të gjithë besonin se kishte një orë të provës që do të vinte dhe ca borxhe që një ditë do të shlyheshin. Shqiptarët kishin bindjen se, pavarësisht nga rrjedha e historisë, ata ishin më europianë se të tjerët. Rrjedhimisht e donin më shumë se kushdo Europën dhe, sipas tyre, mjaftonte kjo që më parë se kushdo meritonin të bëheshin pjesë e saj. Të qenët europianë të mirëfilltë, bazohej, sipas tyre, te kujtimet paraosmane, te aleancat e Kastriotit me Europën dhe te prania e fortë katolike si popullsi dhe si qytetërim. Në këtë të fundit bënte pjesë alfabeti latin, që Shqipëria, ndonëse ende nën pushtimin osman, mendjemadhësisht, sipas më të shquarit shkrimtar të kohës, e kishte zgjedhur si alfabet kombëtar”.8
Kush jemi ne shqiptarët? Ne jemi nga europianët më të lashtë, kemi qenë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar ashtu siç rigjenerohet një plagë. Kur u shkëputëm me dhunë nga Europa i fshehëm në gji veglat e ndërtimit të shpirtit europian, që i morëm nga tryeza e Rilindjes Europiane, ku ishim pjesëtarë me karrigen tonë në kohën e Skënderbeut. Me këto vegla improvizuam diçka të re, një shpikje tonën, harmoninë dhe tolerancën mes katër feve, a ndoshta pesë apo gjashtë, nëse do të shtojmë sot edhe hebrenjtë e Shqipërisë që janë ringjallur si komunitet dhe protestantët.
Por për fat të keq ne ende nuk shikojmë përtej pragut të shtëpisë dhe për fat të keq kjo e përshkon edhe realitetin e sotëm shoqëror. Ne jemi një popull i kontrasteve. Kontrastet ekzistojnë dhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar por individualistë, bujarë, por vuajmë nga kotësia, mikpritës, por edhe hakmarrës, e mbajmë fjalën por jemi edhe dyshues, mund të shkojmë deri në fund të botës, por nuk duam t’ia dimë çfarë bëhet pas gardhit të shtëpisë sonë, jemi trima, por në betejat që i zgjedh vetë secili nga ne.
Akoma doni të dini kush jemi ne shqiptarët? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, nëse nuk besoni ato që themi ne shqiptarët, duhet të lexoni Bajronin, Ismail Kadarenë, si dhe të bëni atë që bëhet në çdo vend të botës, kur kërkohet të njihen banorët e tij, të kërkoni për të lexuar libra që i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Ne mendojmë shumë se çfarë thonë të huajt për ne, por nuk mendojmë shumë për të kuptuar vetveten. Të gjithë popujt sigurisht janë të interesuar se çfarë thonë të huajt për ta, por ato që thonë të huajt i gjykojnë me sy kritik. Ashtu siç e gjykojnë edhe veten. Ne akoma nuk kemi mësuar ta bëjmë këtë gjë. Ne duhet ta njohim mire vetveten, në çdo hap që hedhim dhe në çdo ndryshim që duhet të bëjmë, sidomos në ditët e sotme.
Referencat
(Ismail Qemal Vlora, “Kujtime”, Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 1997, f. 327)
(Francois Pouqueville: “Ali Tepelena”, Shtëpia botuese K&B, Tiranë 2009, f. 317)
(Stephanos Zotos: “The Greeks: Dilemma Between Past and Present”, Funk &Wagnalls, New York 1969, p. 16)
(Stephanos Zotos: “The Greeks: Dilemma Beteen Past and Present”, Funk &Wagnalls, New York 1969, p. 17)
(Branko Merxhani: Vepra, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2003, f. 237)
(Edwin Jacquez, “Shqiptarët”, vol. I. “Kartë e Pendë”, Tiranë 1996, f. 279)
(Gabriel Louis-Jaray: “Në mbretërinë e re të shqiptarëve”, Botim i ASD-Studio, Tiranë 2006, f. 133-134)
(Ismail Kadare: “Mosmarrëveshja: Shqipëria përballë vetvetes”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2012, f. 197-198)