Në një intervistë për Televizionin Kurir në Beograd, drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, bëri disa deklarata të diskutueshme mbi statusin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat janë pritur me shqetësim nga komuniteti shqiptar dhe përfaqësuesit e tyre.
Mitroviq, duke komentuar protestën e shqiptarëve që u mbajt më 12 gusht për të drejta më të plota, deklaroi se numri i punëtorëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit është rritur nga 15 në 280. Këto fjalë ai i përdori për të argumentuar se Serbia ka bërë përpjekje për integrimin e shqiptarëve dhe se kërkesat e tyre politike janë “të pabaza”.
Për këtë deklaratë, Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, ka reaguar ashpër, duke e quajtur deklaratën raciste dhe përçmuese.
Sipas Kamberit, Mitroviq po injoron kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe po kontribuon në institucionalizimin e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj tyre.
Kamberi kërkon që Mitroviq të publikojë numrin e shqiptarëve të punësuar në institucionet shtetërore dhe jo vetëm në ato komunale, dhe fton organizatat ndërkombëtare të ndërmarrin veprime për të ndaluar këtë trajtim diskriminues.
Ai gjithashtu sfidoi Mitroviqin dhe autoritetet serbe për të përmbushur marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendore që kanë për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në këtë rajon.
Sakaq, Kamberi u shpreh se protestat do të vazhdojnë dhe se shqiptarët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme.
Reagimi i plotë:
Identiteti dhe dinjiteti nuk kanë çmim
Dikur ishin vetëm 15, sot janë 280 punëtorë shqiptarë në Komunën e Bujanocit, paska deklaruar Nenad Mitroviq, në një televizon në Beograd, duke komentuar situatën në Luginë të Preshevës pas protestës së shqiptarëve për të drejta, të mbajtur më 12 gusht.
Me këtë, ai paska tentuar të dëshmojë se Serbia ka punuar në integrimin e shqiptarëve dhe se kërkesat politike të shqiptarëve “janë të pabaza”. Në të njejtën kohë, duke potencuar se edhe komuna e Bujanocit është pjesë e institucioneve të Serbisë, për punësimet në komunë, meritat ia paska dhënë shtetit.
Vetë deklarata e Mitroviqit se mjafton që shqiptarët janë të integruar në Komunë është raciste. Sepse në prapaskenën e saj, ai sinjalizon se “shqiptarët nuk janë të denjë për ushtrimin e funksioneve në shtetin serb”.
Duke e komentuar pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës me fjalorin e viteve të 90-ta, Mitroviq dëshmon qartë se shteti serb ka për qëllim të vazhdojë diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Mohim, shpifje mashtrim e kërcënim janë qëndrimet kryesore të intervistës së tij.
Kjo deklaratë e drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, dhënë sot për Televizionin Kurir në Beograd, i përngjanë deklaratave të viteve të 90’, kur shqiptarëve iu mohonin të drejtat elementare në Kosovë, ndërsa regjimi i Millosheviqit trumbetonte për rrespektim të plotë të drejtave të tyre.
Çfar spini politik e çfar mungese e njohurisë elementare të funksionimit të sistemit, pjesë e të clit është.
Nenad Mitroviq, duke folur për protestën e organizuar në Bujanoc, përveç që kishte ironizuar me kërkesat tona politike, ai kishte hequr dorë dhe kishte tentuar të shpërlajë Serbinë nga çdo obligim kushtetues që ka ndajë pakicave nacionale. Kjo tregon mosnjohjen e tij edhe të elementëve më të thjeshta të Kushtetutëss së shtetit serb.
Ai kishte shtuar se “shqiptarët as vet nuk e dijnë çfar dojnë” dhe kështu kishte vazhduar përbuzjen dhe talljen e tij të skajshme me hallet dhe brengat e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Përbuzja e kërkesave legjitime të shqiptarëve, injorimi dhe ironizimi me marrëveshjet e nënshkruara, marrëveshje këto të monitoruara e garantuara nga faktori ndërkombëtarë, tregon qartë orientimin politik të qeverisë së Serbisë dhe shënon fillimin e institucionalizimit të diskriminimit të hapur e të vazhdueshëm shtetëror karshi shqiptarëve të Luginës.
Në stilin e trashëguar nga lideri i tij shpirtëror Vojislav Sheshel, si mjeshtër i manipulimit dhe dezinformimit, Mitroviq paska deklaruar se pjesmarrësit e protestës së Bujanocit kanë qenë të kushtëzuar të marrin pjesë në protestë përshkak që kanë qenë përfitues të mjeteve nga Qeveria e Kosovës dhe se ato i paguan kryeministri Kurti.
Mitroviq, kujton se në çdo protestë njerëzit marrin pjesë për shkak të senduiçave, vendeve të punës, apo kushtëzimeve tjera që ja bën SNS nëpër Serbi.
Ai harron se identiteti dhe dinjiteti nuk kanë çmim.
Do të ishte krejtësisht e parëndësishme deklarata e Nenad Mitroviqit nëse atë do ta jepte në cilësin e ish deputetit radikal apo përparimtarë, por kur në këtë mënyrë flet si drejtor i Trupit Koordinues, i cili në vitin 2000 ishte krijuar për të realizuar Planin dhe programin për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanc dhe Medvegjë, të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë Federale të RFJ, kjo veçse është për tu brengosur, sepse ai po dëshmon se duke diskriminuar shqiptarët synimi kryesorë i qeverisë serbe është të shpopullojë Luginën e Preshevës nga shqiptarët.
Prandaj edhe deklarata e tij meriton intervenim ndërkombëtarë.
Duke kërkuar nga Nenad Mitroviq, që të publikoj numrin e shqiptarëve të punësuar në institucionet shtetërore e jo ato komunale në Bujanoc, ftoj përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, atyre organizatave që kanë monitoruar e ndërmjetësuar marrëveshjet e nënshkruara në mes të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe qeverive në Beograd, të dënojnë qasjen e paraqitjen e drejtorit të Trupit Koordinues.
Cilat janë Marrveshjet që shqiptarët po kërkojnë të realizohen Nenad Mitroviq nuk po e din.
Ja po ja rikujtojë:
1. Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;
2. Marrëveshja për reorganizimin e Trupit koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;
3. Palni 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.
Vazhdimi i ironizimit e përqeshjes së kërkesave tona legjitime e të bazuara në ligje vendore e konventa ndërkombëtare, në vend të fillimit të realizimit të Planit 7 pikësh, nënkupton edhe angazhimin tonë më të madhë e edhe protestat tona më të zëshme.
Nuk është për tu habitur me tendencën e ironizimit me protestën për identitet e dinjitet.
Ata që ironizojnë me Srebrenicën, Raçakun, Batajnicën, ata që glorifikojnë Ratko Mladiqin, ata që nuk pranojnë Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën, pa fije turpi e morali mohojnë edhe diskriminimin dhe shpopullimin e Luginës së Preshevës.
Dhe në fund, nëse shqiptarët na qenkan mjaftueshëm të integruar, pse atëherë Ministria për të drejtat e njeriut dhe Trupi koordinues i Qeverisë së Serbisë, aprovuan “Planin e integrimit të përfaqësuesve shqiptarë në organet shtetërore në periudhën 2023 deri më 2026?
Pse OSBE e ndërmjetësoi arritjen e këtij Plani?
Pse BE e inicoi projektin? Pse Këshilli i Evropës ishte pjesë e hartimit të Planit?
Për këto dhe problemet tjera duhet të deklarohet autori i fjalisë 100 për një.
Mitroviq dhe të tjerët që po deklarohen rreth të drejtave të shqiptarëve janë vetëm marioneta në duart e autorit të “famshëm”.
Deshët apo nuk deshët ju dhe shefi i juaj, kërcënuat apo jo, protestat do të vazhdojnë. bw