Barbarë për grekët, të fuqishëm dhe të ashpër në pamje dhe veprime. Në letërsinë greke janë përshkruar të përçudnuar në pamje (me një sy të madh në ballë) dhe kanibalë (që hanin njerëz).Kjo ka të bëjë dhe me faktin që për grekët që i përshkruanin, ciklopët ishin barbarë dhe jetonin më në veri, pra, në Epirin prehistorik. Këtë ide do ta shjelloj më hollësisht pak më poshtë.
Sipas të dhënave nga “Odiseu”, në shpellën primitive të Polifemit vërejmë se nuk qenka Polifemi barbar dhe kanibal, por barbarë tregohen mysafirët e paftuar.
Odiseu me shokët e vet bujti në shpellë si mysafir i paftuar. Ata hynë në shpellë pa marrë leje dhe hëngrën e pinë para se të vinte i zoti i shpellës, kryetari i barinjve. Kaluan natën duke pirë, në shoqëri me Polifemin. Por, para se të largoheshin, e qorruan atë dhe ikën tinëzisht, të lidhur secili pas barkut të një dashi, duke e lënë të zotin e shtëpisë ashtu, në vetminë dhe në tragjedinë e vet.
Kjo legjendë ka tre mijë vjet që shëtit nëpër breza, bashkë me kontradiktën, mes asaj çka thuhet për të dhe asaj çka ka ndodhur vërtet, në atë shpellë baritore.
Cilët janë barbarët në këtë legjendë dhe cila është viktima?
Ushtarët grekë me Odiseun në krye apo bariu vendës, banor i shpellave të Kaonisë?
Kush ishte Polifemi?
Ja detajet që jep Homeri për këtë banor të parë të shpellave të Kaonisë:
Një kryebari që jetonte në male, përballë detit. Dilte nga shpella herët dhe kthehej vonë nga kullotat. Milte delet, i përkëdhelte një nga, një si të ishin fëmijët e vet. Por, kur u fut në shpellë, për çudi, gjeti pranë vatrës mysafirët e paftuar. Sipas zakonit të vendit, ai i gostiti me gjithë të mirat, me mish dhe verë.
Si ia shpërblyen këtë mikpritje ushtarët grekë që ktheheshin nga Troja? E dehën mirë e mirë, e vunë në gjumë bariun e gjorë dhe pasi e qorruan, u larguan duke lënë pas ulërimat e tija.
Kush është në këtë rast barbari (gjithmonë sipas legjendës): bariu primitiv, i cili gjer në atë çast rronte në qetësinë e vet apo dinaku dhe mizori Odise, i njohur për gjëmat që linte pas vetes.
Kur Polifemit i vijnë malësorët në ndihmë dhe e pyesin se kush e kishte qorruar (gjithmonë sipas legjendës), ai i përgjigjet: -”Yoti”.
Kjo fjalë e pakuptueshme për grekët është përkthyer : “Askushi”. “Askushi” e gjejmë dhe në variantet e përkthimeve të “Odiseut” nga greqishtja. Sipas R.d’Angelit, në origjinal gjendet “Yoti” ose “Yti”.
Këtu legjenda ka një kontradiktë. Ndërsa fabula ka një keqbërës të huaj, vetë viktima tregon që vrasësi quhej Yti (Yoti).
Mos vallë legjenda e shpellës së ciklopit është një legjendë e ngjitur apo e ndërkalluar brenda poemës “Odiseu”?
Ky mendim përkon me mendimin e shumë studiuesve të veprave homerike, të cilët kanë shprehur dyshime rreth unitetit të veprës, rreth kohës në të cilën është shkruar si dhe rreth shumë detajeve të tjera që, gabimisht, e lidhin me luftën grekotrojane, ndërkohë që ndoshta kemi të bëjmë me një përmbledhje legjendash të ndryshme në një legjendë të vetme dhe se “Odiseu” i përket një periudhe më të hershme, ndoshta dhe 1000 vjet para luftës greko-trojane.
Përgjigjja e pyetjes “kush t’ i kërreu sytë?” -”Yti-” e tradhton unitetin, kohën dhe vërtetësinë e kësaj poeme.
Jo më shumë se një kilometër larg Qeparoit të vjetër, në një majë mali, gjendet një qendër e lashtë banimi, me gurë të palidhur me llaç. Vendbanimi quhet :”Vakaj” .
A ka bazë për një Feakë në këto vende? Unë do të përmendja këtu edhe mendimin e profesor Çabejt, i cili thotë: ”Shumë fjalë të gjendura pranë e pranë nuk ka si të jenë një rastësi”.
Gryka e hyrjes në Labëri ka gjurmë arkeologjike dhe toponimike, të cilave gjer më sot nuk u është kushtuar vëmendja e duhur.
Ne fshatin Kuç hasim përsëri toponimin “Skeri”, kësaj here në formën “Shqerëve”, “Lugina e Shqerëve”. As kultet e erërave “rizon” dhe “borea”, nuk janë të rastit, as Krezia dhe Akrokeraunet, as Palasa (gjiganti Palas), as mali i Tartarit (ter teri), as Qafa e Fonicës (perëndia vrasëse, mbi Fterrë), as mali i Luces (lutëset) me faltore në majë, as Qafa e Mollës (“mollos”), as mali i Skerficës dhe as Kleparoi. Qeparoi në mesjetë quhej “klap” (!?) Në greqisht, po edhe në shqip, kemi fjalën “kllap”, me kuptim “rrumbullak”. Madje në shqip kemi dhe fjalën “sklep”. “Ciklop”, kjo fjalë, që mund të jetë e dialektit jonian, ndoshta lidhet me karakteristikat e syve të fisit të ciklopëve, por mund që të jetë edhe i lidhur me rrënjën e banorëve, “lap”.
Legjendat i përshkruajnë ciklopët me një sy në ballë, ndërsa vendin ku jetojnë, tepër malor, në veri të grekëve, në Epir. Ciklopët janë quajtur dhe “argyrë” (Enc.italiane). “Argyr” do të thotë “mbi gurë”. “Ndoshta trajta toske e emrit të qytetit të Gjirokastrës,- thekson Çabej,– ka të bëjë me emrin e fisit të argyrinëve” (E.Çabej,vëll. V,f.324)
Në toponimin Mali i Gjerë, shumëkush mbiemrin “i gjerë” e ka marrë si diçka të rëndomtë. Emri i tij i vërtetë është : “Mali i ergjër” apo i “Ergjër-isë” Sipas Çabejt “egër” apo “ergjër” është plurali i singularizuar. Meyeri (Alb.studien IV,f.94) fjalën argyr e nxjerr nga lat: “Acris”, gr.”egros”; Boriçi nga fjala “egër”, fjalë e mbarë gjuhës shqipe. (Arkiv za storinu, l.215).
Baza e saj është “N-gu-ori” që rron në gur. Rrënja është “gur” Let: “gir” (pyll) sllavishte e vjetër: “gora”. (mal).
Nga të gjitha sa thamë nxjerrim përfundimin se argyrët janë ciklopët mitikë të legjendave, syklapët me një sy, barbarë për grekët. Janë stërgjyshërit tanë që jetuan në tokën kaone ku jetojmë edhe ne sot.
Është një e dhënë e historianëve të lashtë ku tregohet që tempulli i Dodonës është faltorja e fisit kaon të thesprotëve dhe se grekët e gjetën këtë tempull kulture. Tempulli ushtronte magji, respekt dhe frikë tek banorët vendës dhe po aq magji, frikë dhe respekt edhe tek grekët e vjetër, të cilët vinin gjer aty për të shpjeguar enigmat jetësore. Fiset dorike vërtet sollën kulturë në brigjet e Kaonisë, por edhe morën njohuri dhe përfituan nga kultura dhe traditat e vendësve.
Sipas legjendës, Epiri ishte biri i Eikonit të Tebës i cili shoqëroi në këto troje Kadmin dhe Harmoninë. “Epiri vdiq në Kaoni”. Sipas këtij varianti, kjo trevë, para se të quhej “Epir” është quajtur Kaoni.Legjendat nganjëherë janë më pranë të vërtetave se edhe vetë historia. Fakti i fshehur brenda një legjende mund të konservohet me dhjetëra shekuj, i pacenuar, ashtu si mumjet egjiptiane brenda piramidave.
Një legjendë tjetër i zbret kufijtë e Kaonisë edhe më në jug, pranë qytetit Harpia që, sipas vendndodhjes dhe afrisë së fjalës, duhet të jetë Harpica e Çamërisë, themeluar nga Batoja, karrocieri i Polidorit (biri i Kadmit).
Stefan Bizantini e quan Harpian qytet të Ilirisë. Gojëdhëna të tjera plotësojnë mozaikun antik të Kaonisë. Njëra prej tyre është edhe ajo që tregon si zbritën kalkidasit në brigjet e Orikumit dhe të Apolonisë. Disa legjenda takohen në të dhëna të njëjta.
Argonautët e Detit të Zi kanë zbritur në brigjet e Kaonisë dhe të Ilirisë apo…”eubeasve dallgët u kanë përplasur anijet në brigjet akrokeraune.( të Himarës.)(!?)
Ky është versioni i Skylaksit: “Euebasit, të cilët i hodhi dallga këtu kur po ktheheshin nga Troja”.
Mali i Kandrevicës të kujton përhapjen e kultit të Dianës kandave. Ky mal të kujton menjëherë kandavët dhe hyjnitë e tyre të gjuetisë. Tek Helaniku përmendet “kripa tragiase” që të kujton se toponimi “tragjas” dhe vendbanimi i tij është prehistorik.
Ishulli i Sazanit është quajtur edhe “Ishulli Kalabrik” (Lukiani), sipas fisit ilir të kalabrëve, të cilët shtegtuan në Kalabri.
Vendbanimi Mesaplik në rrjedhën e Shushicës, ka lidhje me ekzistencën e fisit të mesapëve . Këtyre vendbanimeve të hershme të Kaonisë do t’u shtonim edhe toponimet: Bogonicë (maja më dominuese e Akrokerauneve), Plesat, Sker-fic si dhe emërtime kultesh, të cilat kanë mbetur të harruara, si ishuj gjuhësorë, pa historinë e tyre.
Edhe në fusha të tjera kemi dëshmi të prehistorisë kaone, si:
1-Vizatimin në Spile të Himarës, që dëshmohet si i kohës së neolitit (ndonëse kohët e fundit është vënë në dyshim).
2- Kultin e diellit dhe të gjarprit, që flet për ilirë dhe pellazgë, të përzier në të njëjtën trevë.
3- Qylafin dhe llabanen labe.
4- Legjendën e kalit të qyqes (në Labëri), që ruan në vetvete legjendën e Circes, që i shndërronte trimat në kuaj dhe kafshë të tjera.
5-Vallen pirrike, të dëshmuar që në kohën romake si valle marsiane, për të cilën J.De Rada dëshmon se është një variant i motivit të valles labe, e cila ngjason shumë edhe me atë tropojane. Lëvizjet e saja shpjegohen me mbajtjen e mburojës në një dorë dhe shkelmimin e kundërshtarit me njërën këmbë, duke ngulur shtizën përmbi të.
6- Këngën polifonike labe, që ruan tiparet e një kohe kur ende nuk përdoreshin instrumentet muzikore. Në të gjen elementet e bashkësisë së hershme fisnore.
7- Zakonin e vëllamërisë . Sipas E.Durhamit “ështe kaq i përhapur në mbarë botën sa ka të ngjarë të zbatohej nga gjithë popujt e Ballkanit, përveç popullsisë ardhëse të Komanit”.
8- Birësimin. I njohur që në kohë të lashta dhe që ka gjetur rregullim juridik që në ligjet e Hamurabit” (Profesor Ismet Elezi,”E drejta zakonore”, f.71).
9-Zakonin që femra kaone të merrte pjesë në punët e përditshme bashkë me burrat. Kjo gjë përshkruhet dhe tek “Odiseu”, përmes personazhit të Nausikës feake. Ishin të tilla zakonet feake, të trashëguara nga ku u shpërngulën, nga zonat më në brendësi të maleve. Ato ishin mbeturinat e një demokracie paraskllavopronare, si ajo që përshkruhet në mbretërinë e feakëve. Një kuvend të tillë pleqsh e gjen edhe sot e kësaj dite në Labëri.
10 – Mikpritjen, që është virtyt dhe parim kryesor i së drejtës zakonore. Çabej nënvizon: “Mikpritja në Labëri është një zakon i shenjtë. Doket e mikpritjes shqiptare janë të njëjta me ato që kanë mbetur të shkruara që nga ilirët”. Sipas kanunit, shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Për mik kanuni njeh çdo njeri që i thërret në derë të shtëpisë. (neni 27) Sipas legjendës, një mikpritje madhështore i bëhet edhe Odiseut në pallatin e Alkinout, në Feakë, tre mijë vjet më parë.
11 – Besën, që gjendet në mbarë Shqipërinë, si zakon i trashëguar.
12 – Barazinë mes njerëzve të një gjaku. Parim i fiseve ilire, që përbën bazën kryesore të demokracise primitive të botës ilire. Shumicën e zakoneve iliro-pellazge, të cilat i përmendëm më lart, dikur i kanë pasur dhe fiset helene, por, me zhvillimin e qytetërimit grek, ato kanë humbur.
Në Labëri ato janë ruajtur nga brezat, si kode të shenjta të fisit, virtyte që i diferencojnë nga fiset e tjera. Ata që ruajnë kodet dhe rregullat janë ata që edhe i kanë krijuar. Askush nuk ka vënë kufij të prerë midis fiseve pellazgoilire në trevën e Kaonisë dhe aq më tepër të kërkojë protogjenezën. Gjuha pellazgo-ilire quhet vazhdimësi e së njëjtës degë, në mos janë nënë e bijë. Ka gjuhëtarë që bëjnë fjalë për një shtegtim thrak në këto troje. Madje ka gjuhëtarë që shqipen e konsiderojnë jo si përzierje me thrakishten, por thjesht vazhdimësi të kësaj gjuhe. A.Pipa nënvizon: “ Intonacioni thrakas i gjuhës shqipe do të ketë ardhur nga ndonjë ndjekje sllave që u është bërë thrakasve në kohë të pacaktuara”.
Në periudha të hershme popujt kanë lëvizur shtrat. Emri “Kaoni” del qysh në vitin 629 para Krishtit, si fis ilir i Epirit. Te kjo trevë në mesjetë përmenden disa fise arabe, si: krisej, kirilsej dhe plesej. Një interpretim amatoresk i fjalës Kaoni është bërë prej studiuesit Ndrenika nga Vunoi (me banim në Greqi), i cili thotë se kjo fjalë rrjedh nga kompozita :”Ka hone”. Për fjalën “Himarë” autori mendon se do të thotë: “Hi me erë” dhe që vjen që nga koha kur mali vullkanik përmbi Himarë villte herë pas herë flakë dhe hi. Edhe emri i përbindëshit me tri kokë “Himera” që villte zjarr nga goja, i afrohet imazhit të vullkanit. Malet Akrokeraune (e vetëtimave) janë quajtur dikur malet vullkanike.
*VOAL po boton “Ciklopët” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet