RUBRIKA: Krijues të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, pjesëmarrës dhe të nderi në Mitingun e Poezisë.
Vorea Ujko( është pseudonimi letrar i Domeniko Belicit), 1918 Frasnitë, Kalabri, Bari, Itali 1989). Botoi librat me poezi: Mote moderne ( Schiavonea Cs, 1976), Ankth ( Prishtinë 1979), Stinët e mia ( Coriglino, 1980), Këngë arbëreshe ( Tiranë, 1983), Burimi ( Tiranë, 1985), Hapma derën Zonja mëmë ( Tiranë, 1983) etj.
Ka shkruar kritikë letrare dhe ese.
Konsiderohet njeri prej poeteve tejet të shquar i poezisë shqipe bashkëkohore, i arbëresheve të Italisë.. Ka marrë pjesë në Mitingun e Poezisë të 15 me radhë të vitit 1978, poezia e të cilit u prit mjaftë mirë nga publiku artdashës dhe kritika letrare.
.
Poezi të Vorea Ujko:
.
Unë kam shkruar në një fshat
Se të ngarkoja trishtimin
E rrugëve me qetësi plot
Dhe të shtëpive pa emër.
Zbritte mjegulla nga kodrat
e bashkoj me tymin
e kulmeve lundruese.
E tufa zogjsh iknin ndaj bregut t’ detit
Burrat mjekërzes
pushonin të pështjellur n’ mallota
e pa koha kish qëndruar
pa të nesërme.
Në pamje të patundur
lisat krahë skeleti
e dhëntë eshtra t’ zgropsuara.
Vetëm djelmoshat
nuk kishin trishtim.
.
Me një gjilpërë ari
mjegulla t’ qep veshjen
e heshtja thrret hijen
për të pështjellë buzën.
Nuk t’ shoh as të dëgjoj
e çdo gjë bie në pus.
Edhe goglat.
Mos hiq tërkuzën
Për t’ shuash etin:
Uji ësht’ i turbullt
Nga ëndrra ime’ e kalbur.
.
Sonte s’e ndjej veten mirë
Kam vrarë pesë zogj
E i rashë kokës me grushte
Porsa kishin dalë nga çerdhja
dhe bënin hapat e para
në det të lirisë.
E unë ua hëngra erën
dhe u përplasën
në baltëmbrojtësin
Kështu mora në pjesë
Në gjakderdhjen e përditshme
Liria nëpër ujq
Nuk është e këshillueshme
.
Me dorën time fëminore
Dëshiroj t’ndaloj mbi flokët
Tallazet e rës
E të shikoj lumin
Që tërheq hijen e saj.
Kështu na të dy
në bregun e lumit
me buzët pa zë
e më syt’ larg e larg
për të gjetur një liman
.
Gjatë urës s’ autorrugës
grumbull sorrash të patundura
midis vrullit të makinave
janë shumë të lodhura
e s’duan të fluturojnë më
në erë të rralluar.
Kanë marrë sëmurjen e njeriut
dhe presin të përulura
shortën fatale
Nuk ka më rrëqethe
Edhe vdekja e humbi misterin
Ju lutem ta mbroni vdekjen