Natasha Lako (1948, Korçë) Botoi librat me poezi: Marsi brenda nesh ( 1972), E para fjalë e botës (1980), Yllësia e fjalëve (1986), Thesi me pëllumba (1995), Këmbë dhe duar (1998).
Ka marrë pjesë në Mitingun e Poezisë, në vitet e tetëdhjeta të shekullit njëzetë, si njëra prej përfaqësueseve të poezisë moderne te gjysmë së dytë të shekullit njëzetë, e poezisë që krijohej atëherë në Shqipërinë e soc-realizmit si metodë e sajuar letrare.
Poezia e saj zë vend antologjik në poezinë bashkëkohore shqipe.
Për atmosferën vëllazërore dhe letrare e Mitingut të Poezisë flet me dashuri dhe konsideratë.
Në hapësirën bosh,
mes zgavrës së shkallëve,
çan nga larg një bri i hajthshim hëne.
Zbres në katin e poshtëm,
por jo për të ngulur këmbët te dheu,
Eci pastaj kaliqafë me rrugën,
hedhur si një lëkurë të therur.
Ngre kokën të gjej
cepin tjetër të hënës së vockël,
Kam mbetur larg një trup hëne të ngrenë përgjysmë,
po më sjellë vërdallë
ai cep i lakueshëm.
.
NJË LIQEN DHE NJË FUSHË
.
Përballë njeri-tjetrit qëndrojmë,
të lodhur, të kapitur, kokulur,
një liqen që gufon valët në shpinë,
dhe një fushë që gufon në shpinë lulëkuqet.
.
E kanë të pamundur edhe urrejtjen, edhe zemërimin,
nuk mund të puqen më as për luftë, as për dashuri.
Të shtrirë përballë, në një përgjërim të përjetshëm,
një liqen dhe një fushë.
.
Vetëm një vijë e tharmuar rëre i bashkon dhe i ndan,
Si dy kokat bëra copë e cikë.
.
Mbrëmja është një derë e madhe
nga kaloj drejt natës
të zezë që vjen si korridor i pafund
ku eci për të takuar ditën
e bardhë, si dhomë e pastër
që ka dritare qiellin
të tejdukshëm, si xham
që thyhet kur eci.
Çudi, ka mbetur pa çati
dhe mbrëmja, dhe mëngjesi.
.
Të vjetër dhe të zinj,
trungjet e ullinjve shuhen nëpër natë,
të heshtur dhe të nxirë.
.
Po kurorat e degëve sipër tyre kreshpërojnë,
të harlisur prej dritës qiellore që dridhet,
mbi gjethe të vjetra dhe fosforeshente.
.
Edhe në natën më të thellë,
trungjet po mbledhin errësirën,
dhe gjethnaja palodhur shpërndan dritë në terr.
.
Po pema e vjetër,
e njollosur me paqen
nuk çahet dot më dysh.