PRANIA YTE
Prania yte Barit i dha dritë si një meteor
S’mbeti njeri pa kthyer kokën drejt teje
Arom’e parfumit, fryma desh m’u mor
Drithm’e dashuris ëmbël m’rodhi në deje.
Më shtangën lëvizjet teksa heq xhubotin,
Lëshimi këndshëm i cantës mbi kolltuk.
Shtrëngon strecet, lehtë tërheq pulovrin
Mrekullisht mbi gjoks shalli rrëshket but.
————
IMAZH I LARGËT
Erdha sërish në “Juna Bar”
Kisha kohë pa u ulur këtu
Gjatë u bë që s’të kam parë.
Ku i kam të kaltërtit e tu?
Pranë meje u ule. Eh sikur!
Duart në të mijat shtrënguar.
Imazh i largët si rrinim dikur
S’gjej fjalë për ta përshkruar….
———–
PAPRITMAS
Oh sa papritmas m’u shfaqe!
Ndrisje e tëra plot shkëlqim.
Purpuri ndezur nëpër faqe
Syve u jepte dritë pambarim.
Aureol e flokve të dallgëzonte
Lehtas përmbi supet e brishtë.
Teksa mua keqas më ngacmonte
Dëshira si dikur t’i zë të t’i prish.
—————–
GËRSHETI
Më kujtohet eh, një gërshet!
Mes shpatullash plot bukuri.
Që lëkundej aq ëmbël lehtë,
Ishte vërtet një mrekulli….
Të ta shpleksja kisha dëshirë,
Me duart e mija të t’i ledhatoja,
Flokët e shdritshëm erë mirë.
Sa shumë desha, fort ëndërroja!
Të t’i derdhja supeve të brishtë,
Aty ëmbëlsisht të dallgëzonin
Plot rreze, si aureolë e fildishtë.
Të flija mbi to, mos më zgjonin.
——————–
E PËRHUMBUR
Thua të jetë
Rraskapitës apo i mundimshëm
Kërkimi i kohës së humbur?
Jo një herë më ke pyetur.
Dhe ta kam dhënë
Përgjigjen e duhur gjithnjë.
Kurse ti si një fije bari
Ke heshtur.
Jo që s’më ke thënë kurrgjë,
Por ke mbetur e përhumbur.
Nuk e di në cfarë mendimesh.
Edhe pse e din mirë
Dhe e njeh
Dobësinë time
Që nuk të duroj
Aspak
Kaq të mbyllur e të largët.
——-
TË MË FALËSH
Tashmë që ke humbur gjithcka
Tashmë që nuk ke më asgjë
Ti më thua:
“C’mund të bësh ti për mua?”
E c’mund të bëj unë për ty!?
Zjarri që ti dhe unë kemi në shpirt
Përcëllon.
Ai nuk do të shuhet kurrë
I tilli do të mbetet
Edhe nëse na zhysin,
Në thellësi oqeanike.
Por ti ende vijon të më thuash:
“C’mund të bësh ti për mua?”
Nuk e kam të vështirë përgjigjem
Absolutisht jo.
Për ty do të bëja,
Atë që ti nuk do të mund ta bësh
E ke të pamundur
Nuk e bën dot për mua:
Pra të më falësh.
Dhe vetëm ti e di përse.
———
ENDE…
Hyra në të gjitha baret sonte,
Ku kemi pas ndenjur bashkë.
Dhe pse zemra fort ma donte
Asgjëkundi, jo jo nuk të pashë.
Eh, më njohën disa kamarierë,
Një barmen erdhi më përqafoj
Ktheu me mua një gotë verë.
Dhe unë s’di përse ende të kërkoj.
———–
KUR BIE SHI
Nuk e kuptoj jo dhe ende nuk e di
Më hanë gishtrinjtë penda më vlon,
Sa herë në Tiranë nis të bjerë shi,
Ritmi tij kujtimet e fjetura m’i zgjon.
Një përparse e zezë me jak të bardhë
Krela të verdhë që supeve dallgëzojnë.
Nga rrug’e Dibrës do jetë duke ardh
Ndën streh pres, ulluqet gurgullojnë…
————
ASGJË
Dashurin?
Po, po dashurin.
Asnjëri per nesh.
As unë
Dhe as ti
Nuk e ka marrë
Atë mjaftueshëm.
“Po”-të e mija
Si rrebeshi
I një shiu vjeshte
Rrëmbimshëm
E papushim
U derdhën rrugëve.
Dhe lanë aty
Pellgje me kërkesa.
“Jo”-të e tua
Mbuluan
Gjithë botën
Dhe e mbushën
Me depo refuzimesh.
Dhe ne patëm menduar
Se nisëm të jetojmë
Vetëm pasi
Kishim parë ëndrrën.
Por nuk kishim parë
Absolutisht asgjë.
Unë isha
Ai gjithcka
Kishte mbetur
Mes nesh.
Kurse ti
Ishe asgjëja
E asaj
Që nuk kishte
Ndodhur kurrë.
———
TAKIM
Hutuar krejt mbete si një gjimnaziste
Që s’ka mësuar e nuk thotë dot një fjalë.
Të vërtetën më thuaj, vallë ae prisje?
Pas kaq vitesh të gjendeshim përballë.
Fare nuk flet. Po përse hesht si sfinksi?
Që jemi dashur shumë, të gjithë e din.
Dhe pse dashuria jonë s’pati rrënjë lisi
Atë se rrëzoi dot as tufan edhe as suferin.