Ali Podrimja (1942, Gjakovë, 2012 Lodeve-Francë). Botoi librat me poezi: Sampo (1969), Torzo (1971), Lum lumi (1982), Zari ( 190), Ishulli Albania (1998), Pikë e zezë në blu (2005) etj.
Është kontribuues i shquar në Mitingun e Poezisë. E thoshte si amanet, ruajtjen e Mitingut të Poezisë. Konsiderohet njeri prej poeteve me të shquar i poezisë shqipe bashkëkohore dhe një poet pa të cilin nuk mund të përpilohet asnjë antologji e poezisë shqipe bashkëkohore. Podrimja ka sjellë në poezinë moderne kulmet e saj.
Është marrë me ese dhe shkrime letrare.
Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
“ Mos – fqiu im i dashur më bërtiti-
Do të vyshket
Unë qava për saksinë time të thatë
Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri-
Vashën e ëndërruar kaherë
“Mos! Përsëri m’u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.
Hodha dorën në gjithësi me pikëllim –
çel e mshel sytë dritë m’u bë.
“ I lumi ti! “ – dikush më bërtiti në përqafim
E kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva më.
Sot e atë ditë kudo e kërkoj fqiun tim të mire.
1960
.
Tek zgjohet me e pa Shkodrën
Brithyeme e zdeshum mavi
Me mbajtë qiellin n’shuplakë
Lejlekut me ia tregue folenë
I gozhduem andrrës me vrapue
Me u ngjitë n’maje të Nemunave
Thekshëm vajit me ia thanë
Gjaku i zi ngujueka trimninë
Veten e tradhtuem apo Besa na la
Nga fuqi e verbtë dyert ciasin
Nuk dukemi se terron nën çati
Mallkim Zoti apo i djallit
Tej Ujanës me i ra Drinisë
Fryemë me marrë mes mureve varreve
Te guri i Shpuem me dhanë shpirt
Shkodra nuk qenka ajo zonja
Që më ka pasë fole baba,e be bante
Iliria e rrënueme ja m’shfaqet
I madhi Zot!
Shkodër, 2003
.
Dhe lëtini tha
Po qe se takon
Arbëreshin dhe ujkun
Vraje Arbëreshin
Dhe kur fjala i ra në vesh
Arbëreshi buzëqeshi
Dhe drodhi një cigare
Po qe se më vret mua
more i gjorë
Kush do ta vrasë
Ujkun
Mjerë kopeja
Kozencë, 1988
.
Në udhëtimin tim
Një macë e zezë më ndjek
E shpirti më thotë
Në gjysmë rruge ke për të mbetur
E kënga më thotë
Kurrë s’do t’më këndosh me zë
E drita më thotë
I verbri i vërbër ka mbetur
E ëndrra më thotë
Më kërko në zhgjëndërr
Po eja e thuaje atë fjalë
Kur s’di kë dashuron apo urren
Eja e besoji fytyrës në pasqyrë
Një mace e zezë më ndjek
Në udhëtimin tim
Orën e fatit ajo dikton
.
KTHEHU NE VARGUN E HOMERIT
.
Kthehu në vargun e Homerit
Kthehu atje prej nga erdhe
Koha jote s’është kjo ktheu
Liroji njërëzit prej vetvetes
E hijeve liroji prej maskave
E ikjeve liroji prej pagjumësisë
E heshtjeve liroji prej etheve
E shirave koha jote s’është kjo
Kthehu në vargun e Homerit
Troja ra marsejezën
Kahmot s’e këndojnë njerëzit
.
S’di pse më merr malli të shoh Shkupin
E atje s’është Lumi
As Baci Bajram nuk zdirgjet Grykës
Së Kaçanikut
S’di pse
N’ujëra të Vardarit i fus thellë duart
E më tmerrohen sytë
S’di pse hapat më ngatërrohen
E shiu më ndjek pas
Derisa të kyqem në shtëpi
S’di pse
Për një mend s’di pse
Shkupi më dhemb në shpirt
.
Tim bir , Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje lujtje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë në saç
Ujin ta ziesh deri në shkallen 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër ne kohë
në kosmos
Ti dhe Uji
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta masësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macjen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
( Unë gjithmonë ja kam frikën edhe lules edhe femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
Të dëgjohesh në shkretëtir
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson
Sa më pak shikoje vetën në pasqyrë
Dhe kurrë̈ mos mendo : I pari
Ai që ka egzistuar para teje jam Unë
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mija e qetësinë je Ti
Më pleh kurrë̈ mos u pajto : Nxirre ne gjysmë të natës
në pikë të vapës
Asgjë̈ mos rrit asgjë̈ mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet
Mund ta kalosh natën në kullën time të vetmuar në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja : Jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkëudhëtari im
Të provojmë vetvetën derisa kemi frymë