Në vitin 1951 ka pasur një sulm ndaj qeverisë së Enver Hoxhës. Sipas CIA një tentativë ka pasur dhe ndaj një ministrit sovjetik. Nga ana tjetër aty tregohet se 30 persona u arrestuan dhe u pushkatuan. Po sipas dokumentit të deklasifikuar, mes të arrestuarve ka qenë dhe Tuk Jakova. Në një tjetër dokument jepen detaje nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë komuniste.
Prill 1951
Masat pas tentativës së vrasjes së ministrit sovjetik
Arrestimi i Tuk Jakovës
Në lidhje me tentativën e përfolur për vrasje të ministrave të qeverisë Hoxha, informacione të datës 20 mars 1951 thonë se një tentativë vrasjeje është kryer gjithashtu kundër ministrit sovjetik, i cili kishte shpëtuar i palënduar. Pas incidentit besohet se janë pushkatuar rreth 30 persona dhe një numër i madh janë arrestuar. Arrestimet pritet të vazhdojnë si në qytete dhe në zonat malore. Qeveria ka urdhëruar dorëzimin e armëve të popullsisë civile deri në 10 prill 1951, datë pas së cilës pritet të merren masa të ashpra mbi shkelësit. Në raportime të 22 marsit 1951, që konsiderohen të besueshme, flitej për një konflikt mes Enver Hoxhës dhe zëvendëskryeministrit Tuk Jakova, pas të cilave Jakova u arrestua rreth datës 15 mars 1951. Nuk dihet nëse arrestimi i Tuk Jakokvës ka lidhje me tentativën e vrasjes së ministrit sovjetik. Sipas burimeve zyrtare italiane, bazuar në deklaratat e të kthyerve në Itali nga Shqipëria më 13 mars 1951, besohet se tentativa e vrasjes së ministrit sovjetik ishte një sajesë nga ana e sovjetikëve për të justifikuar masat e ashpra represive dhe për të forcuar kontrollin sovjetik. Sipas të riatdhesuarve personat e vrarë nga shpërthimi i bombës ishin vetëm zyrtarë dytësorë. Informacione të datës 29 mars 1951 deklarojnë se arrestimi i Jakovës është i sigurt edhe pse është mbajtur sekret nga autoritetet. Deri në 5 prill 1951, të gjithë përfaqësuesit e partisë ishin thirrur në qendrat e tyre respektive për të diskutuar situatën pas shpërthimit në legatën sovjetike dhe arrestimin e Tuk Jakovës. Në kundërshtim me raportimet për burgosjen e Jakovës, Radio-Tirana njoftoi më 29 mars 1951 se Jakova ishte në Durrës në këtë datë për të pritur dërgesë e 10 000 ton grurë të dërguar nga Bashkimi Sovjetik me anijen Nikolajev.
Koment: Për arsye se shifrat duket disi të ekzagjeruar, nuk është e qartë nëse flitet për masën totale të ngarkesës apo nëse është dashur të thuhet 1000 ton.
18 shtator 1952
Përplasje me armë mes forcave nacionaliste dhe atyre qeveritare
Refugjatët shqiptarë të ardhur në Jugosllavi gjatë korrikut dhe gushtit 1952 raportuan për një përplasje të armatosur që zgjati 3 ditë mes forcave qeveritare dhe grupeve nacionaliste në afërsi të Bushnesh, pranë Krujës. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në javën e dytë të korrikut. Sipas raportimeve grupi anti-komunist përbëhej nga rreth 25 njerëz dhe një nga drejtuesit e tij ishte identifikuar si Preng Frrok Gjeta, një anëtar i vjetër i rezistencës që është arrestuar më parë dhe dënuar me ekzekutim. Ai ishte arratisur pasi Sigurimi e kishte lejuar të dilte i shoqëruar, me qëllim zbulimin e anëtarëve të tjerë të rezistencës në zonën e Mirditës. Ndërsa një tjetër drejtues i grupit të përballjes ishte Geg Zef Hyseni nga Kurbini. Grupi nacionalist ishte rrethuar pas zbulimit të vendndodhjes së tyre nga informatorët komunistë. Forcat qeveritare, të cilat nuk mundën të neutralizonin grupin e madh, u detyruan të thërrisnin përforcime duke përfshirë tanke dhe një avion, sipas informacioneve të refugjatëve. Forcat qeveritare komandoheshin personalisht nga Mehmet Shehu, sipas një raportimi, dhe një oficer i lartë sovjetik ishte gjithashtu prezent. Burimet deklaronin se kishte shumë të vdekur e të plagosur nga të dyja palët, para se luftëtarët e rezistencës të detyroheshin të tërhiqeshin.
Gusht 1952
Raport ekonomik
Zona e Tiranës
Shtatë kilometra në jug të Tiranës, në rrugën e Kavajës, po ndërtohet Kombinati Tekstil, që pritet të përfundojë në vitin 1951. Shumë makineri janë instaluar tashmë dhe rreth 250 punëtorë pritet të punësohen aty nën mbikëqyrjen e sovjetikëve. Kombinati lidhet me binarë në Kashar me linjën kryesore hekurudhore Tiranë-Durrës. Katër kilometra larg Tiranës, në të majtë të rrugës së Kavajës gjendet punishtja shtetërore e sharrave Misto Mame, që përbëhet nga katër ndërtesa tullash dhe betoni të përforcuar. I ashtuquajturi kombinati i drurit shtrihet në një hapësirë prej rreth 200×70 metra dhe punëson 200 punëtorë. Punishtja përbëhet nga departamenti i sharrave, me dy sharra me transmetim dhe tre sharra disk, si dhe nga sektori i planifikimit, i ndërtimit, dhomat e tharjes, zyrat dhe magazinat. Rreth dy kilometra larg qendrës së Tiranës po në të majtë të rrugës së Kavajës gjendet uzina Enver që është nga punishtet më të rëndësishme të çelikut në vend me rreth 450 operatorë tornoje. Uzina prodhon pjesë këmbimi (kryesisht pistona) dhe fletë llamarine. Gjithashtu në rrugën e Kavajës po kryhet ndërtimi i ndërmarrjes së re shtetërore “N. SH. Ndërtesa”, që pritet të përfundojë në 1951. Hidrocentrali i Selitës është ende në ndërtim, por informatori mendon se nuk do të vihet në funksion këtë vit për arsye të mungesës së materialeve dhe teknikëve. Në Elbasan po ndërtohet një nga punishtet e Kombinatit të Drurit, dhe pritet të përfundojë në 1951. Makineritë do të instalohen në fund të vitit. Rreth shtatë kilometra larg Fierit, pranë varrezave katolike në rrugën Fier-Vlorë po ndërtohet një fabrikë e re pambuku. Puna po drejtohet nga inxhinieri italian Mario Guarnieri, një i dënuar politik.
Liqeni i Maliqit
Pranë liqenit të Maliqit po ndërtohet një rafineri i madhe sheqeri që pritet të përfundojë në vitin 1952 dhe që llogaritet të ketë një prodhim tre herë më të madh se rafineria e sheqerit në Korçë. Ajo mbulon një zonë me përmasa 400×200 metra. Instilacionet e saj janë moderne dhe makineritë janë dhënë në formë dëmshpërblimi nga …. fabrikat përbëhen nga dy ndërtesa kryesore që tashmë janë kompletuar, ndërsa zyrat do të vendosen në një ndërtesë dykatëshe rreth 100 metra larg urës. Depot e hapura me sipërfaqe të anuar janë kompletuar. Mbjellja e panxharit të sheqerit në pjesët e drenazhuara të liqenit të Maliqit do të nisë këtë vit. Liqeni i Maliqit është tharë thuajse plotësisht pasi kanë mbetur vetëm rreth 60 cm ujë në qendër. Gjithsesi kjo masë uji nuk mund të eliminohet plotësisht. Tharja e liqenit të Maliqit u mundësua me anë të hapjes së dy kanaleve rreth katër metra të thellë dhe disa kilometra të gjatë pranë digave. Një nga kanalet, rreth 1 km i gjatë e kaloi ujin te lumi Devoll , kurse tjetri, i cili rrjedh nga qendra e liqenit, vazhdon për tre kilometra drejt Korçës. Rreth 800 të internuar politik kanë punuar me detyrim për periudha të ndryshme në këtë projekt. Kampet e tyre të mjeruara ndodhen në afërsi të kantierit. Fabrika e pijeve të Korçës ka nisur punë prej pak kohësh. Cilësia e pijeve të saj është e dobët. Në Shkodër ka nisur punë prodhimi i çimentos, por prodhimi është gjithsesi i pamjaftueshëm dhe i cilësisë së ulët. Aktualisht Shqipëria importon katër ose pesë variete çimentoje nga Bulgaria e Rumania.
Gjirokastër
Tre kilometra larg qytetit në drejtim të Tepelenës, është ndërtuar një spital i ri civil. Puna për ndërtimin e tij kishte nisur tre vjet më parë dhe u mbartua në fund të 1950. Spitali është i pajisur mirë dhe ka rreth 200 shtretër.
Hekurudhat
Hekurudha Tiranë-Durrës tashmë ka ndërlidhjen në Kashar me kombinatin tekstil. Hekurudha Durrës-Peqin-Elbasan ndjek thuajse të njëjtën gjurmë të rrugës automobilistike. Në jug të ngritjes 55 ndodhet një tunel që kërkon 15 minuta për t’u përshkuar. Në Elbasan po ndërtohet një ndërlidhje hekurudhore e linjës kryesore me kombinatin e drurit. Trenat kryejnë një udhëtim në ditë vajtje-ardhje mes Tiranës e Elbasanit. Ata nisen nga Tirana në ora 07.00, mbërrijnë në Durrës në 08.30 dhe më pas në Elbasan në ora 13.00. në 13.30 ata nisen nga Elbasani dhe mbërrijnë në Tiranë rreth orës 19.00. dy vitet e fundit kanë ardhur sasi të mëdha shinash nga BRSS për ndërtimin e linjës hekurudhore Peqin-Elbasan.
Korrik 1950
Puse nafte Patos
Deri në shtator 1943 ka pasur rreth 60 puse nafte në zonën e Patosit që ishin mjaft produktivë. Ata janë shfrytëzuar nga shoqëria italiane AIP (Azienda Italiana di Petrolio) e cila kishte vetëm ndërtesa të përkohshme kryesisht prej druri dhe pjesërisht prej guri. Ka pasur gjithashtu një punishte mekanike dhe magazina. Mes viteve 1943 e 1945 këto materiale ishin shkatërruar apo shpërndarë dhe puset ndaluan prodhimin e naftës deri në fund të vitit 1943. Në vitin 1947 u vendos që këto zona nafte të shfrytëzoheshin përsëri dhe nisën shpimet dhe puna e ndërtimit. Makineritë dhe sondat u sollën në Patos nga Kuçova dhe në gusht të vitit 1949 në Kuçovë nuk kishte mbetur më asnjë pajisje. Përveç materialeve të Kuçovës nga fundi i vitit 1949 materiale të tjera nisën të vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia. Deri në vitin 1949 ishin shpuar rreth 50 puse me thellësi rreth 800 metra, rreth zonave që kishin në qendër fshatin e Margelecit, pasi nafta e këtushme kishte ishte paksa më e lehtë për t’u transportuar me anë të tubacioneve. Gjatë shpimeve të hershme puna është drejtuar nga gjeologu polak Zuber, i cili u arrestua njëherë në 1945 por më vonë u lirua përsëri. Ai ende drejton zyrtarisht punën dhe kërkimet, por nuk mund të angazhohet tërësisht pasi konsiderohet politikisht jo i besueshëm. Në vitin 1947 kishte ende bashkëpunim të ngushtë mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, dhe kërkimet gjeologjike drejtoheshin nga jugosllavi Pavloviç, i cili pas prishjes së Shqipërisë me Jugosllavinë u largua për t’u zëvendësuar nga inxhinieri sovjetik Njerubenko, si këshilltar teknik. Ky i fundit nuk ishte një specialist i kualifikuar, kështu që dhe shpimet e mëvonshme u zhvilluan pa një plan të saktë. Disa kohë më parë ka ardhur një gjeolog nga Bashkimi Sovjetik që nuk është identifikuar me emër. Burimet thonë e inxhinieri sovjetik rrallëherë afrohet në zonat e shpimeve dhe deri tani nuk ka bërë shumë punë. Prodhimi mesatar aktual është 50-60 ton, por është arritur dhe një maksimum prej 150 ton. Nafta gjithsesi përmban shumë rërë dhe rafinimi i saj kërkon kohë të gjatë. Procedimi i saj bëhet në rafinerinë e Kuçovës nga i cili më pas nafta kalon me anë të tubacioneve drejt Vlorës, dhe me tej jashtë shtetit me anije.
Tetor 1953
Raport i veprimeve të koordinuara mes shërbimeve amerikane e britanike
Shërbimet sekrete të CIA dhe MI6 kanë rënë dakord në parim për linjën e veprimet në lidhje me Shqipërinë, e cila do të fokusohet në mbledhje inteligjence të brendshme sipas direktivave të caktuara, dhënie të mbështetjes për Komitetin për Shqipërinë e Lirë dhe lëshime broshurash propagande afërsisht një herë në muaj. Edhe direktivat për vitin 1954 priten të jenë të ngjashme me ato të këtij viti, me shumë pak gjasa për urdhra përshkallëzimi të aktiviteteve të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Kjo për arsye se një trazirë e mundshme në Shqipëri do të shoqërohej me ndërhyrjen e forcave të Komitetit të Prizrenit nga Jugosllavia, dhe më pak e mundshme është ndërhyrja e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ndërhyrje të tilla do të interpretoheshin si kërcënim të interesave kombëtare edhe nga fqinjët, prandaj për momentin nuk duhet të kishte ndryshim të pushtetit në Shqipëri.
Shkëputja nga BRSS
CIA nuk ka direktiva konkrete veprimi për Shqipërinë por ajo gjithsesi konsiderohet si një objektiv i rëndësishëm i luftës psikologjike dhe se përpjekjet për ta shkëputur atë nga blloku sovjetik nuk duhet të reduktoheshin. Është pranuar se ndryshimi kryesor i politikave mes CIA dhe MI6 qëndron në faktin se CIA është e gatshme të përdorë një politikë më të drejtpërdrejtë, por ky dallim nuk do të ndalojë punën e përbashkët të dy shërbimeve.
Infiltrimet
Tre operacione infiltrimi janë planifikuar sivjet. Grupi i parë i Vlorë nuk u formua për arsye të vështirësive me agjentët, kurse grupi i dytë për në Tiranë u infiltrua në rrugë tokësore nga Greqia. Një grup i tretë duhet të infiltrohen në Veri të Shqipërisë, por është anuluar për arsye të vështirësive në organizmin e infiltrimit nga ajri ose toka, dhe pritet të kryhet vitin që vjen. Operacionet e infiltrimit kanë pasur të njëjtat objektiva si më parë: krijimin e qendrave të rezistencës, vazhdimin e operacioneve për qëllimin final të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita sovietike dhe inkurajimi i dezertimit mes zyrtarëve komunistë. Operacionet janë reduktuar disi për të ngritur kalibrin e agjentëve të zgjedhur, por është pranuar nga të dyja palët se në përgjithësi kalibri i agjentëve linte shumë për të dëshiruar. Një grup prej pesë personash të ri-infiltruar këtë vit, qëndruan për tre javë në Korçë deri sa rimorën kontaktet e vjetra. Një grup prej dy personash të infiltruar në zonën e Sarandës qëndruan aty për tre javë.
Cilësia e agjentëve
Si CIA dhe MI6 janë dakord se cilësia e agjentëve të tyre shqiptarë të rekrutuar në Greqi është e ulët. Aktualisht janë shumë pak refugjatë shqiptarë që arrijnë në Greqi dhe normalisht të larguarit e nivelit të lartë nuk pranojnë të kthehen aty për të jetuar në male. CIA ka punuar për krijimin e qendrave rezidente në Shqipëri, dhe tekstet e broshurave të përdoren për të inkurajuar pjesëmarrjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Broshurat e nxitjes së dezertimit deri tani nuk kanë dhënë efekt, por autoritetet shpresojnë se në të ardhmen mund të ketë anëtarë të lartë të partisë, prandaj ia vlente të vazhdohej me iniciativën.
Programi i CIA për vitin 1954 parashikon 24 lëshime broshurash propagande, të shoqëruara me artikuj ushqimorë apo të përdorimit shtëpiak. Ata kërkojnë të përmirësojnë tekstet e fletushkave, duke zgjeruar apelin e tyre publik, pasi propaganda e pastër nuk po sjell efektin e pritur.
Komiteti për Shqipërinë e Lirë
Është pranuar diskutimi i komitetit ekzekutiv të Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe riorganizimi i tij. CIA ka kërkuar riorganizimin e NCFA me qëllim shkurtimin e kostove, dhe krijimin e një kampi në Itali për strehimin e shqiptarëve atje. Britanikët kërkonin emërimin e anëtarëve të kryesisë së NCFA si individë dhe jo në bazë të partive që përfaqësojnë.
Ka pasur debate mes CIAs dhe grupeve britanike mbi masën e informimit të NCFA për operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Ata mendonin se agjentët kishin nevojë për mbështetjen e NCFA dhe se detajet e dhëna nga NCFA për prejardhjen e agjentëve ishin të rëndësishme në operacion dhe në vlerësimin e cilësive të tyre. CIA ishte e mendimit se kishte rreziqe sigurie në rast njoftimi paraprak të NCFA dhe do të vazhdonte të vepronte edhe pa aprovimin e tyre, prej rrezikut të daljes së informacionit dhe dështimit të operacioneve. Pas diskutimeve u pranua edhe nga britanikët të ndiqej e njëjta linjë. Një prej sugjerimeve ishte njoftimi i NCFA pas futjes së agjentëve në Shqipëri, por u refuzua prej rrezikut të daljes së informacionit. Diskutimet përfshinë mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me NCFA në rast të mbajtjes së tyre të painformuar, çka pritet të trajtohet me riorganizimin e ri ku nuk do të përfshihej një “juntë” ushtarake.
Aktivitetet e NCFA nga Romë mendohet të ndahen në dy kategori: Në atë të luftës psikologjike ku përfshihen fletushkat, përmbledhjet e lajmeve dhe monitorimi i stacionit të Barit. Për zhurmimin e transmetimeve të Zërit të Amerikës, ekspertët besonin se vinte nga Bullgaria.
Dhe përfaqësues të NCFA që marrin pjesë në takimet e OKB për Kampet e punës dhe në takimet e Juristëve të Lirë.
Komiteti i Prizrenit
Në diskutime u përmend se kur u krijua fillimisht Komiteti i Prizrenit, CIA kishte qenë shumë e interesuar, por në informacionet e mëvonshme rezultoi se Komiteti ishte tërësisht nën dominimin jugosllav dhe ishte kryesisht një mjet mbulimi për operacionet e UDB në Shqipëri. ka shumë pak emra të njohur në komitetin e Prizrenit dhe CIA mendonte se nëse realizohej ndryshim i regjimit në Shqipëri, Komiteti do të përpiqej të vendoste një qeveri titiste. Ne dhe britanikët ishim në një mendje se situata aktuale në Trieste pengonte çdo bashkëpunim real të mundshëm mes Komitetit të Prizrenit dhe NCFA.
Komentet