CIA ka treguar detaje se si ishte e organizuar Partia Komuniste Shqiptare. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, tregohet roli që kishin anëtarët, ku më kryesor ishte indoktrinimi i qytetarëve dhe fshatarëve. Nga ana tjetër, janë dhënë detaje nga dështimi i operacionit për rrëzimin e Enver Hoxhës.
Njësi ushtarake kufitare 1958
Një njësi e panjohur këmbësorie ka qenë vendosur në Delvinë prej vitesh. Në maj 1956 forca e saj llogaritej në rreth 500 njerëz, 20 kamionë dhe rreth 70 mushka. Njësia varet nga një njësi më e madhe ushtarake me bazë në Gjirokastër. Një njësi e panjohur ushtarake është zbuluar në rrethin e Ersekës me topa të tërhequr nga kamionë. Ajo ka rreth 60 ushtarë të artilerisë dhe 400 të këmbësorisë, si dhe rreth 30 mushka të ngarkuara me pajisje. Në çdo kamion ka rreth 5 ushtarë artilerie. Hapësirat e kamionëve janë zënë me pajisje të nevojshme për të shtënat stërvitore. Një njësi e panjohur më parë është parë në kazermat e Leskovikut me rreth 300 njerëz, 2-3 kamionë dhe rreth 50 mushka.
Trupat ushtarake të Përmetit
Selia qendrore e forcave të ushtrisë së Shkodrës, së bashku me këmbësorinë e Shkodrës dhe njësitë e Burrelit e Milotit u transferuan në Përmet në janar 1956. Para këtij muaji, në Përmet kishte pasur një njësi të panjohur ushtarake me forcë rreth 600 njerëz. Me vendosjen e trupave të reja, kazermat u mbushën dhe të gjithë trupa u strehuan në tenda me nga rreth 20 njerëz secila. Pranë kazermës gjendeshin rreth 50 automjete në afërsi të lumit Vjosë. Zona e tendave dhe e parkimit të mjeteve është e mbuluar me kamuflazh prej degë pemësh. Një ndërtesë dy katëshe është gjithashtu në ndërtim. Rreth 180 ushtarë dhe 30 civilë u dërguan për të prerë dru në Gjermen në verën e 1956, për të siguruar dru të mjaftueshëm për ndërtimet e reja të bazës ushtarake. Gjatë korrikut e gushtit 1956, 16 kamionë transportonin çdo ditë dru e dërrasa drejt Përmetit.
Ndërtimi i kazermave të reja
Për ndërtimet e reja të kazermës së Përmetit u punësuan dhe 30 punëtorë lokalë për prerjen e drurëve të përdorur në ndërtim. Drurët janë të bollshëm në zonë dhe gjithashtu uji i pijshëm vjen nga burimi aty pranë.
Depot e municionit
Një depo municioni është lokalizuar rreth 200 metra në veriperëndim të kazermave të Leskovikut që prej vitit 1954. Ndërtesa është prej betoni, thuajse e gjithë mbi sipërfaqe. Ajo ruhet nga një ushtar dhe është e rrethuar me të njëjtin gardh teli që mbron dhe kazermat. Batalioni kufitar i Leskovikut varet nga njësia kryesore e Korçës. Trupat e tij shpërndahen në pikat e ndryshme kufitare. Një prej tyre është ajo e Rakovës me rreth 25-30 ushtarë, e komanduar nga një lejtnant. Tre ushtarë të kësaj njësie dërgohen çdo ditë në një pikë observimi. Një tjetër post gjendet në Mavre, me të njëjtën forcë ushtarake sa ajo e Rakovës. Më tej janë posti i Pelesit, Gjoncit, Arezës, Gjermenit. Dy ushtarë nga ky i fundit dërgohen çdo ditë në postin e fshehtë të vrojtimit në malin Kamenik. Posti i Shelegurit dhe Vrepçkës kanë rreth 25 njerëz secili. Posti i Kakomesë ka 20 ushtarë. Posti i manastirit të Shën Vasilit ka rreth 20 ushtarë dhe gjithashtu dhe posti i Lukovës. Një gardh rreth 2 metra e lartë me shtylla druri dhe degë të thata peme, zgjatet nga posti i Gjoncit deri te ai i Arezës, në një distancë prej rreth 300 metra. Gjatë verës 1956 ky gardh ishte duke u zgjatur nga ushtria për të përfshirë dhe anën veriore të malit Kamenik. Gardhi kalon përmes një zonë pyjore dhe mbështetet edhe në dru të prerë peme.
Minat
Mes këtyre pozicioneve ushtria apo guerrilët grekë komunistë kanë vendosur mina anti-personel. Fusha e minuar është rreth 30 metra e gjatë dhe është krijuar në 1949. Kufijtë e saj tregohen me anë të sinjaleve të veçanta. Në gusht 1956 ushtria shqiptare thërriti personelin e listave ushtarake të vitit 1937 të rojeve kufitare.
Forcat e sigurisë, njësitë e veçanta
Në fillim të 1956 seksioni i punëve të brendshme të rrethit të Sarandës u transferua në Delvinë. Ndërsa për forcat e mbrojtjes bregdetare, komanda e Sarandë i përgjigjet njësisë kryesore të Durrësit. Janë disa nën njësi të grupit bregdetar të artilerisë së Sarandës, të shpërndara përgjatë bregut: një njësi me 4 topa është vendosur në Kefali, e cila deri në verën e 1954 ka pasur artileri italiane. Por më vonë armë të reja sovjetike u vendosën në disa poste bregdetare artilerie. Topat erdhën me rrugë detare pasi nuk kishte rrugë që lidhte postet me zonat e brendshme.
Politika e brendshme, aktivitetet e partisë
Pas Kongresit të fundit të Partisë Komuniste në maj 1956, numri i anëtarëve të Byrosë Politike u rrit nga 7 në 12, ku anëtarët e vjetër ruajtën postet dhe vetëm u shtuan pesë anëtarë të rinj. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë tani ka 40 anëtarë. Organizatat më të ulëta të partisë (komiteti i qarkut, dhe organizata bazë) mbeten ashtu siç kanë qenë. Komiteti i qarkut ka sekretarin e parë, sekretarin e dytë, zyrën e dokumenteve sekrete dhe zyrën e agjitacion-propagandës. Kjo e fundit ka një numër agjitatorësh që dalin nëpër fshat me qëllim indoktrinimin e fshatarëve. Edhe agjitatorët kanë rendin e tyre teksa zyrtarët me më pak eksperiencë përdoren për çështje më pak të rëndësishme agjitacioni (një fshatar me arsim përdoret për indoktrinimin e mesatarisht 5 fshatarëve të tjerë). Zyra e bujqësisë përfshin disa sektorë të prodhimit dhe gjithashtu pranon njerëz çdo ditë, për të dëgjuar ankesat e tyre mbi padrejtësitë nga autoritetet si vendosjen e taksave të rënda ose kritikat e një superiori p arsye serioze. Sa herë që ankesat kanë prova, atëherë zyra ka të drejtë të veprojë sipas procedurës. Organizata bazë e fshatit të Nivicës ka anëtarët e mëposhtëm: Risto Papadhima, Leko Vjerri, Thoma Strati, Leo Dami, Ilo Boci. Të lartpërmendurit ishin ngarkur nga partia për të bindur bashkëfshatarët e tyre të futeshin në kooperativë, por banorët e Nivicës kanë kundërshtuar ashpër pjesëmarrjen në koopeerativë dhe kolektivizimin e bujqësisë. Kështu që anëtarët e partisë shpjeguan se nuk mendonin se kooperativa do të funksiononte. Por më mars 1956, pas rritjes së presionit, autoritetet arritën të organizojnë kooperativën bujqësore të 35 familjeve fshatare, duke përfshirë dhe anëtarët e Partisë Komuniste. Rreth një muaj më vonë kooperativa thuajse u shpërbë pas largimit të anëtarëve. Organizata komuniste e konsideroi këtë një shkelje të rëndë ideologjike dhe një sabotim kundër politike bujqësore të partisë, prandaj disa anëtarë u përjashtuan nga partia. Në fillim të prillit 1956, anëtarët e përjashtuar nga partia u mblodhën në Gjirokastër, ku Mehmet Shehu i dha një kritikë të fortë por i ripranoi në parti, pasi u zotuan se do të hynn përsëri në kooperativë.
Përjashtimi nga partia i Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës
Bedri Spahiu dhe Tuk Jakova arritën të krijonin një klikë të tyren duke punësuar në postet qeveritare të partisë njerëz nga zonat e tyre
London Sunday Times
18 tetor 1967
Philby dhe CIA
Dështimi në Shqipëri, vepër e një spiuni të kuq
Harold “Kim” Philby, spiuni sovjetik që depërtoi thellë në zemër të shërbimeve britanike të inteligjencës, u vendos në një detyrë të re në Uashington në tetor 1949, për të nisur fazën më destruktive të karrierës së tij si agjent i dyfishtë, që solli shkatërrimin e të gjitha përpjekjeve perëndimore për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Philby shkoi në Shtetet e Bashkuara si oficer ndërlidhjeje mes inteligjencës britanike dhe CIA. Ai ishte vendosur në qendër të inteligjencës perëndimore në një kohë kur marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA ishin më të forta se kurrë. Philby konsiderohej atëherë si operativi më i shkëlqyer i Britanisë dhe më këtë status ai u bë organizatori i operacioneve anti-sovjetike të CIA-s. Është e pamundur të llogaritësh dëmin që ai shkaktoi gjatë dy viteve në Uashington, por e përjavshmja britanike Sunday Times ka mbledhur bashkë historinë e katastrofës më të madhe që iu akredituar Philby-t, që ishte përpjekja në Shqipëri. Philby tradhtoi tentativën britanike e amerikane për përmbysjen e influencës sovjetike në pushtetin e Shqipërisë me anë të nxitjes së kryengritjeve të armatosura, në kohën e tensioneve më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Kjo çështje mbeti për 17 vjet një nga sekretet më të mëdha të Luftës së Ftohtë, pasi diçka e tillë i leverdiste të dyja palëve. Për perëndimin çështja e Shqipërisë ishte një katastrofë që kushtoi jetën e më shumë se 150 agjentëve, ndërsa për Rusinë ishte një shije e asaj që mund të ndodhte edhe në pjesë të tjera të perandorisë së saj delikate. Deri në 1949, Ballkani ishte sektori më i dobët i perandorisë sovjetike. Komunistët në Greqi po mundeshin, ndërsa dhe Jugosllavia komuniste po prishej me Rusinë. Shqipëria ishte e paqëndrueshme. Ajo ishte drejtuar nga komunistët jugosllavë prej fundit të Luftës, por tashmë ftohja me Titon kishte detyruar Rusinë të sillte këtu teknikët dhe këshilltarët e saj. Prandaj inteligjenca britanike dhe Departamenti i Shtetit patën idenë e përbashkët për shfrytëzimin e nacionalizmit në Shqipëri për të përmbysur influencën ruse, duke përfituar në të njëjtën kohë dhe nga gjendja e rëndë e popullit. Ernest Bevin, ministri britanik i Mbrojtjes e kundërshtoi idenë, por u bind për të lejuar një tentativë eksperimentale subversioni: Një operacion klandestin të përbashkët mes Britanisë dhe SHBA për infiltrimin e luftëtarëve guerrilë për inkurajimin e kryengritjeve anti-sovietike. Njeriu që do të koordinonte veprimet mes Britanisë dhe SHBA, do të ishte natyrisht oficeri i ndërlidhjes në Uashington, Kim Philby. Eksperienca e tij si oficer drejtues i stacionit të Turqisë, që asokohe ishte më e madhja dhe më aktivja, e bënte edhe më të vlefshme konsulencën e tij. Operacioni ishte planifikuar më së miri. Një nga hapat e para ishte formimi në 1949 në Itali i Komitetit për Shqipërinë e Lirë, si një front organizimi dhe rekrutimi i guerrilasve. Pas krijimit të grupeve guerile ato nisën të dërgoheshin në fillim në grupe të vogla pastaj më të mëdha, brenda territorit të Shqipërisë nga zonat malore kufitare. Por gjithçka rezultoi një katastrofë. Brenda një muaji rreth 150 guerrilë, rreth gjysma e të gjithë forcës së ngritur, u vranë ose u kapën nga forcat e sigurisë, së bashku me një numër banorësh lokalë që u treguan aq të paditur sa t’i mirëprisnin dhe t’i ndihmonin. Rreth 150 të mbijetuar mezi arritën të kalonin në Greqi, duke turpëruar qeverinë greke, derisa inteligjenca britanike arriti të bindë ministrinë të pranonte shqiptarët e kthyer. Me ardhjen e tyre në Londër u organizua dhe një festë e çuditshme mirëseardhjeje. Nuk është e qartë nëse ministria britanike e dinte të vërtetën e refugjatëve, ndërsa luftëtarët ishin prezantuar si “miq tanë të mirë në Greqi”. Pasojat e disfatës u ndjenë për vite me radhë. Rreth një vit pas operacionit amerikanët ishin të bindur se kishte tradhti ndërsa inteligjenca britanike duket se nuk pranonte provat e dekonspirimit. Operacioni solli diskreditim të përpjekjeve për “ndërhyrje pozitive” në vendet komuniste të Evropës, si në sytë e britanikëve dhe amerikanëve.
Qymytret dhe karburantet e tjera në Shqipëri
Prill 1955
Para Luftës së Dytë Botërore ekonomia e Shqipërisë ishte kryesisht bujqësore dhe nuk kishte aktivitet industrial apo shfrytëzim të burimeve natyrore. Deri në fund të 1947 nuk kishte hekurudha. Prodhimi i energjisë elektrike ishte i vogël dhe shpërndarja e kufizuar. Shqiptarët ndriçoheshin me vajgur ndërsa për t’u ngrohur ata përdornin dru nga pyjet. Që prej çlirimit të Shqipërisë nga BRSS, ndryshime të mëdha kanë ndodhur në ekonominë e saj, me qëllim forcimin e bazës ekonomike të vendit dhe rritjen e prodhimit industrial e bujqësor. Në nëntor 1947 u hap hekurudha e parë publike me gjatë si 30 km nga Durrësi deri në Peqin. Në vitin 1949 kjo u shtri deri në kryeqytetin Tirana, duke arritur në 60 km. Më pas një hekurudhë industriale u ndërtua nga porti i Vlorës deri në Selenicë për transportimin e asfaltit në bregdet. Plani i parë pesë-vjeçar 1951-1955 kërkonte shtimin e prodhimit të qymyrit, shtimin e hekurudhave, ndërtimin e disa termocentraleve të vogla dhe të disa hidrocentraleve, duke përfshirë dhe atë me kapacitet 20 000 kilovat mbi lumi Mat. Gjithashtu do të rritej nxjerrja e naftës dhe prodhimi i kromit e i bakrit. Në 1954 prodhimi i qymyr-drurit përbënte 17.5 për qind të burimeve të energjisë së prodhuar në Shqipëri. Nafta ishte burimi kryesor me 42.7 për qind të energjisë dhe pas saj vinte druri i djegur me 39 për qind të energjisë së vendit. Për prodhimin e qymyrit kryesisht njihen depozitat e minierës së Memaliaj në zonën e Tepelenës, ku katër damarë kanë qymyr të cilësisë superiore, ose qymyr ngjyrë kafe të cilësisë së mirë. Para Luftës së Dytë Botërore prodhimi i qymyrit ishte shumë i vogël dhe nuk i kalonte 4000 ton në vit. Por së fundmi prodhimi ka arritur në mbi 300 000 ton në vitin 1954 dhe planifikohet që në 1955 të arrijë në 400 000 ton. Minierat e qymyrgurit janë të gjitha në prodhim aktiv të vendosura pranë qendrave të konsumit. Para Luftës II Botërore minierat nuk kishin ndriçim elektrik, por nën kujdesin e “çliruesve” të saj Shqipëria ka rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe shpërndarjen e saj si deh ka futur pajisjet moderne sovjetike në miniera. Përmirësimi i teknika dhe prodhimit pritet të vazhdojë dhe ka sjellë edhe rritjen e numrit të punëtorëve në miniera. Shumica e qymyr-drurit në Shqipëri është i cilësisë së ulët, me përjashtim të minierës së Memaliaj që ka pak sulfur dhe hi, dhe vlerë të lartë kalorifike. Ai i ngjan qymyrit bituminoz dhe është i barabartë në cilësi me qymyret më të mira të prodhuara në vendet e bllokut sovjetik. Shqipëria nuk eksporton qymyr. Ajo nisi të importonte qymyr pas luftës së Dytë Botërore, duke e këmbyer me naftë e minerale të tjera me Poloninë. Marrëveshja e vitit 1949 nuk besohet se i kalonte 3000 tonët. Shqipëria e konsumon vetë qymyrin e saj, kryesisht në rafineritë e mineraleve, centralet termike apo lokomotivat e hekurudhave. Shumica e qymyrit të importuar besohet se konsumohet në portet e Durrësit dhe Vlorës nga anijet, dhe pikat e tyre të afërta të hekurudhave. Lokomotivat dhe fabrikat e vogla konsumojnë pjesën tjetër. Disa centrale termike në Shqipëri. Rritja e kërkesës së Shqipërisë për energji dhe karburante pritet të plotësohen nga qymyri dhe druri i brendshëm, i plotësuar nga disa importe qymyri. Prodhimi pritet të rritet, siç është parashtruar dhe në planin pesë-vjeçar. Por me gjithë modernizimin e sjellë nga sovjetikët, Shqipëria mbetet e varur prej tyre dhe e gjithë industria e qymyrgurit është e dobët ndaj influencave të huaja.
Komentet