CIA ka publikuar të tjera dokumente sekrete për Shqipërinë. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1949, tregohet fjalimi i Tuk Jakovës në Kongresin e PKSH. Në fjalim ai tregon kritikat ndaj anëtarëve të partisë, ndërsa tregon e si disa persona që ishin bashkëpunëtorë të Ballit Kombëtar, ishin bërë pjesë e PKSH. Ndërkohë në disa dokumente të të tjera, tregohen mjerimet në kampet e përqendrimit, ku njerëzit shfrytëzoheshin deri në vdekje. Po ashtu, tregohen dhe përplasjet me Jugosllavinë.
Mars 1949
Fjalimi i Tuk Jakovës në kongres
Në Kongresin e parë të Partisë Komuniste të mbajtur në Tiranë në nëntor 1949, drejtori i aktiviteteve të organizimit dhe rekrutimit Tuk Jakova foli për Byronë Politike. Një pjesë e fjalës së tij ishte një vlerësim i sinqertë i progresit të punës së partisë në Shqipëri: “Gjatë lutës nacional-çlirimtare në partinë tonë u dalluan disa degëzime por pas çlirimit partia i hapi dyert e saj për të zgjeruar anëtarësinë. Por kjo politikë lejoi që në parti të hynin jo vetëm persona të bindur dhe besnikë, por dhe elementë karrieristë e të pashëndetshëm siç mund të jenë ish-anëtarë të Ballit Kombëtar apo kolaboracionistë, që e kanë maskuar vetën duke u infiltruar mes radhëve të ushtrisë çlirimtare. Siç kemi thënë më sipër, në nëntor 1944 partia jonë kishte 2800 anëtarë, plus një numër të madh simpatizantësh. Prej nëntorit 1944 deri në nëntor 1945, partia rekrutoi edhe 7758 anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 1946, 2031 anëtarë u rekrutuan dhe 3760 kandidatë. Ndërsa në vitin 1947 rreth 9000 anëtarë të tjerë. Këto shifra tregojnë qartë sesi pas çlirimit dyert e partisë u hapën krejtësisht. Gjatë viteve 1947 e 1948, numri total i anëtarëve pësoi rënie, por me gjithë arritjen e objektivave numerikë duhet theksuar se numri i grave të rekrutuara është i vogël, pak më shumë se 900. Mungesa e politikave të qarta, e një kushtetute të partisë, si dhe mungesa e kontrollit ndaj organizatave vartëse, ka bërë që rekrutimi të mos arrijë standardet e kërkuara. Theksi është vënë më shumë mbi sasinë sesa në cilësinë e rekrutimeve, prandaj në disa raste rekrutimi ka qenë i mangët. Në rrethin e Tiranës gjatë kësaj periudhe rreth 20 për qind e të rekrutuarve rezultuan që ishin fanatikë fetarë dhe supersticiozë që agjëronin gjatë ramazanit. Elementë fanatikë ka pasur gjithashtu në komitetet e rretheve, si për shembull në Shkodër, Shijak dhe Himarë, ku janë pranuar në parti persona me ide diametralisht të kundërta me ato të partisë dhe rrjedhimisht të linjë të afërt me forcat reaksionare. Ka pasur gjithashtu raste anëtarësimi me detyrim apo pa dijeninë e personave, si dhe të personave që nuk kanë marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e partisë, para apo pas anëtarësimit. Por shtimi i numrit të anëtarëve gjatë viteve të fundit ka ndihmuar gjithsesi në rritjen e autoritetit të organizatave të partisë, si në zonat qendrore të punës e prodhimit dhe në rajonet. Nga fundi i vitit 1945 ne kishim organizata lokale në të gjitha komunat jugore të Gjirokastrës e Korçës, ndërsa në Shqipërinë qendrore dhe veriore partia ishte ende e dobët. Në vitin 1945 krijuan pesë qendra lokale partie në rajonin prodhues të Kuçovës, si dhe nga një në fabrikat e Elbasanit, Korçës, Shkodrës. Si rezultat i rekrutimeve të këtyre viteve është i dallueshëm përmirësimi në përbërjen shoqërore të partisë. Rreth 22 për qind e anëtarëve janë punëtorë, 54 për qind janë fshatarë të varfër, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga studentë, artizanë etj. sot partia ka 29 137 anëtarë dhe 16254 kandidatë për anëtarësim, që në total janë 45382 vetë pra rreth 4 për qind e gjithë popullsisë së Shqipërisë”.
Gusht 1951
Kampe përqendrimi
Gazeta “Flamuri”, Romë
Gjatë pranverës së vitit 1948, kishte rreth 1200 të burgosur në kampin e të internuarve në Vloçisht të Korçës. Shpeshherë vendi quhet “kamp i vdekjes”. Thuajse të gjithë të burgosurit janë për arsye politike dhe duhet të punojnë në kushte çnjerëzore në hapjen e kanalit të liqenit të Dunaçev. Një numër i madh të burgosurish kanë vdekur, duke përfshirë dhe At Josif Pipa Mihali, kreun e kishës katolike të Korçës; avokatin Baba Qazimi, kolonelin Sulejman Vuçiterni dhe shumë intelektualë apo tregtarë të internuar. Një ish-i burgosur i kampit të Vloçishtit thotë se në vitin 1948 aty kanë vdekur më shumë se 130 njerëz. Ai thotë: “Komandanti i kampit ishte Tasi Marko dhe ishte nj mjeshtër i tillë brutaliteti saqë më vonë u ngrit në detyrë duke u transferuar në kampin e Pojanit. Më vonë ai u bë lejtnant policie”. Ka kampe pune të detyruar gjithashtu në Beden të Kavajës, në Kamëz të Tiranës dhe në Tepelenë.
Gazeta “Atdheu”, Romë
Puna skllavërore në kënetën e Maliqit
Puna për bonifikimin e tokave të kënetës së Maliqit ka nisur që në vitin 1946 dhe ka vazhduar prej atëherë. Forca punëtore përbëhet nga një numër i vogël punonjësish që paguhen 70 lekë në ditë, disa punëtorë vullnetarë dhe një numër i madh skllevërish që janë të burgosur politikë, kryesisht të afërm të njerëzve që janë arratisur nga vendi. Për projektin e punës në Maliq janë ngritur kampe pune me të internuar në Maliq (1946-1947), Vloçisht (1948), Rembec (1948-1949), dhe kampi i Pojanit në 1950.
Shkurt 1953
Gazeta “Flamuri i Lirisë”
Kampi i përqendrimit të Kamzës në verilindje të Tiranës, është zhvendosur në rrethin e Elbasanit, pranë kooperativës së Cërrikut. Rreth 500 të burgosurit e këtij kampi, ashtu si dhe në fermën e Kamzës, mbahen në kamp pa kushtet minimale të jetesës si ushqim dhe veshje. Kampi gjendet në mes të një fushe dhe përbëhet nga dy kazerma të drunjta pa mbrojtje nga i ftohti dhe shiu. Uji futet nëpër çatitë e barakave, të cilat janë prej druri të vjetër e të kalbur. Të paktën 80 për qind e të burgosurve janë të prekur nga tuberkulozi dhe pneumonia. Vdekshmëria është më e lartë mes fëmijëve. Ushqimi është shumë i keq. Punonjësit marrin rreth 600-700 gramë bukë në ditë, të përzier me drithëra të ndryshme si thekër, elb, etj. Dita e punës së të burgosurve është e lodhshme dhe ata detyrohen të punojnë edhe të dielën për të plotësuar normat. Normat ditore janë llogaritur të plotësohen për 8 orë, por të burgosurve shpeshherë u duhet të punojnë deri në 14 orë për të plotësuar detyrimet. Gratë duhet të punojnë njësoj si burrat, ndërsa dënime të ashpra jepen për mosplotësimin e normave. Nganjëherë grave u jepet detyra më e “lehtë”, ajo e mbledhjes së druve të zjarrit. Por kjo është po aq e vështirë pasi ato duhet të udhëtojnë 3-4 kilometra larg dhe të kthehen me drutë në kurriz. Nëse dikush refuzon detyrën, drejtuesit e kampit i dënojnë me burgim të vetmuar dhe me ndalim të ushqimit e ujit për 12, 36 ose 42 orë. Një pjesë e drurit të mbledhur përdoret nga të burgosurit e kampit, por shumica e tij shkon për dhomat e oficerëve dhe policisë. Drejtori i kampit është lejtnant Zeman Saliaj nga Gjirokastra, i cili ndiqet nga lejtnant Hameti nga Tepelena që punon në zyrën e informacionit, Marko Hogjishti dhe rreshteri analfabet Dule Hyseni. Më 30 gusht 1952 nga ky kamp u arratisën drejt Jugosllavisë personat e mëposhtëm, të cilët dhanë detajet përshkruese të kampit: 20 vjeçari Halit Mulla Qamili, nga Cangonja e Korçës; Sami Licolli 32 vjeç nga Kuçi i Zi, Korçë; Hazem Berdo Laze, 19 vjeç nga Dukati i Vlorës; dhe Harry Beneli nga Gjermania Perëndimore, i burgosur lufte, i internuar prej vitit 1944 në kampin e Kamzës.
Mars 1952
Arrestime, gjendja ekonomike
Në rajonin e Leskovikut kohët e fundit u arrestuan rreth 60 persona me akuza për ndihmë ndaj personave “reaksionarë” që kërkojnë të arratisen nga vendi drejt Greqisë. Nga njerëzit më të rëndësishëm mes të arrestuarve ishin: Koço Mili e Koço Talani nga Postenan, Vasil Vidhe e Jorgji Premto nga Carshkova, Mane Rakipi nga Vrepcka, Vangjel Anastasi, farmacist nga Melani, dhe Thoma Titko nga Leskoviku. Të tjerë barinj në zonat më jugore janë arrestuar në masë me akuza për ndihmë ndaj të arratisurve. Bagëtitë e tyre janë konfiskuar dhe familjet e tyre janë internuar në kampet e punës. Në burgje dhe kampet e përqendrimit racionet ditore të bukës janë 500 gr misër dhe supë patatesh. Burgjet janë aq të mbipopulluar sa njerëzit flenë mbi njëri-tjetrin. Ushqimi që u dërgohet atyre nga familjet vjen katër ditë me vonesë. Shumë njerëz kanë vdekur nga uria dhe thuaje të gjithë vuajnë nga tuberkulozi. Ushqimi gjendet me vështirësi pasi të korrat e këtij viti kanë qenë të këqija. Megjithëse kooperativat shesin një kg misër për 3 lekë, vetëm 5 kg misër në muaj jepen për një person. Në dyqanet shtetërore një kg misër është shitur me raste dhe për 180 lekë. Fasulet shiten në kooperativë për 24 lekë kg, ndërsa në dyqanet shtetërore çmimi i tyre arrin në 200 lekë për kg. Në treg nuk ka sheqer, oriz apo makarona që mund të blihen me kuponat e ushqimit. Në dyqanet shtetërore një kg sheqer i cilësisë së keqe shitet për 250 lekë për kg, kurse një kg gjalpë shitet për 500 lekë. Racioni i vajit me kupona është 250 ml në muaj, por megjithatë furnizimi është ndërprerë prej 7 muajsh. Dyqanet shtetërore kanë vaj, i cili shitet për 400 lekë për kg. Këpucët shiten në kooperativë për 650 lekë, ndërsa në dyqanet shtetërore ato shiten për 1300 lekë. Cilësia e këpucëve është qa e keqe saqë ato prishen brenda 20 ditëve. Rroga ditore e punëtorëve është diku mes 70 e 75 lekë në ditë, ndërsa nëpunësit paguhen 2700 lekë në muaj. Kohët e fundit kursi zyrtar i dollarit amerikan ka rënë nga 50 në 37 lekë. Një numër i konsiderueshëm dezertimesh në ushtri kanë alarmuar autoritetet dhe zyrtarët rusë që janë prezentë në çdo batalion.
Prill 1952
Zëri i Popullit
Kritika ndaj fabrikës dhe grupeve të partisë
Puna organizative në fabrikën e orizit në Shkodër nuk ka shkuar mirë prej kohësh. Ka pasur abuzime dëmtime të pronës shtetërore dhe thyerje të disiplinës. Në një takim të kohëve të fundit u prezantua një plan qesharak me probleme të komplikuara që organizata nuk ishte e aftë të zgjidhte. Kështu koha dhe përpjekjet e organizatës u harxhuan dhe asgjë nuk u arrit. Me gjithë këtë asnjë anëtar i grupeve nuk u kritikua.
Kritikat ndaj mësuesve
Disa komunistë me poste përgjegjësie në shkollën e mesme “Qemal Stafa”, nuk po plotësojnë detyrat e tyre siç duhet. Mihal Kuka, Xhoxhi Andoni dhe Ferit Kozeli kanë humbur besimin e shumicës së nxënësve. Kjo është e vërtetë edhe për Andrea Cacin, sekretar i organizatës së partisë së institucionit. Caci ka ruajtur postin e tij prej faktit se ka qenë partizan dhe punonjës vullnetar pas çlirimit. Por ai po i shfrytëzon shumë faktet e të kaluarës. Ai nuk ka ndihmuar nxënësit e dobët, por vetëm u thotë të studiojnë më shumë. Caci gjithashtu ka refuzuar të pranojë kritikat e nxënësve apo kolegëve të tjerë. Këto gabime të tij kanë bërë që organizata e shkollës të kërkojë largimin e tij.
Janar 1951
Gjeopolitika Shqipëri-Jugosllavi
Bashkimi Sovjetik duket se është gjithnjë e më i shqetësuar për izolimin strategjik gjeografik të Shqipërisë në lidhje me vendet e orbitës sovjetike, çka është theksuar së fundmi me përmirësimin e lidhjeve mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Propaganda sovjetike në lidhje me sulmin e mundshëm ndaj Shqipërisë nga aleanca Greqi-Jugosllavi me mbështetjen e SHBA, me shumë gjasa është një paralajmërim se BRSS do të mbrojë regjimin e Hoxhës. Pasiguria sovjetike për ruajtjen e influencës në Shqipëri është bërë më e dukshme pas afrimit të kohëve të fundit mes qeverive greke e jugosllave. Makineria sovjetike e propagandës po punon shumë që këtë zhvillim ta paraqesë si një plan geko-jugosllav për agresion të menjëhershëm kundër Shqipërisë, me mbështetjen e SHBA. Ato gjithashtu akuzohen për komplotin e copëtimit të Shqipërisë mes tyre. Distanca gjeografike e Shqipërisë nga pjesa tjetër e vendeve të orbitës sovjetike u theksua kohët e fundit nga mbyllja e legatës shqiptare në Beograd, çka vështirëson qarkullimin e trafikut ajror drejt Tiranës nga Jugosllavia, pasi tani kërkohen viza transiti. BRSS ka kërkuar kohët e fundit “leje urgjente” qeverisë italiane për fluturim mbi territorin italian për transportimin e zyrtarëve në ditën e Çlirimit në Tiranë. Disa fluturime gjysmë të fshehta janë kryer nga vendet sovjetike drejt Shqipërisë përgjatë kufirit greko-jugosllav, dhe me përmirësimin e marrëdhënieve mes Greqisë e Jugosllavisë, këto fluturime do të bëhen edhe më të rrezikshme. Pengimi i fluturimeve në Shqipëri nga Jugosllavia ende nuk ka prekur lidhjet mes Tiranës dhe orbitës sovjetike, teksa statistikat tregojnë se shpeshtia e kalimeve të mallrave ekonomike, industriale e ushtarake nuk ka pësuar rënie. Propaganda aktuale e BRSS në lidhje me Shqipërinë duket se ka si qëllim paralajmërimin e Beogradit se Moska është në mbështetje të plotë të regjimit në Shqipëri. Fushata tregon pasigurinë sovjetike për vendndodhjen e izoluar gjeografike të Shqipërisë.
Pasuesi i pushtetit të Stalinit
Një tjetër çështje e Bashkimit Sovjetik është zgjedhja e liderit të ri që do të pasojë Stalinin. Sa kohë që mbetet gjallë, Stalini nuk do të kalojë pushtetet te njeri tjetër, prandaj çdo marrëveshje për zgjidhjen e problemit duhet të presë deri në vdekjen e liderit. Pas vdekjes, një nga alternativat do të ishte kalimi i pushtetit në një individ për të vazhduar diktaturën autoritare, ose ndryshe ndarja e pushteteve mes disa anëtarëve aktualë të byrosë politike. Vazhdimi i diktaturës së një njeriu ka precedentë të forta historike në BRSS, vend që ka parë regjimet cariste dhe sovjetike, prandaj populli i thjeshtë nuk njeh regjime demokratike apo të tjera qeverisjeje. Eksperienca e regjimit stalinist tregon se struktura e BRSS mund të administrohet më mirë nga një njeri i vetëm. Kjo përforcohet nga fakti se edhe diktaturat e mëparshme i kanë rezistuar reformave dhe luftërave, prandaj Stalini besohet se do të ndjekë të njëjtin parim.
Gusht 1951
Industria e ushqimit dhe sheqerit
Gazeta Bashkimi
Puna ka nisur për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq më 14 maj 1949, ku janë punësuar rreth 600 punëtorë të thjeshtë dhe 230 specialistë. Llogaritet se fabrika do të nisë prodhimit në shtator 1951, teksa sapo ka nisur instalimi i makinerive. Aktualisht janë kompletuar 16 nga 60 instalacionet. Ajo që më parë ka qenë një kënetë po kthehet tashmë në një qytezë të vogël industriale prej rreth 250 000 metër katrorë. Deri tani janë larguar 90 000 metër kub dhe, janë ndërtuar rreth 16 000 metër kub në gur dhe 3800 metër kub beton arme. Qeveria ka shpenzuar rreth 126 000 lekë ndërsa shumica e materialeve që priten në portin e Durrësit vijnë nga Bashkimi Sovjetik.
Shkurt 52, Zëri i Popullit
Thirrje për përmirësimin e furnizimeve
Dyqanet dhe restorantet në rrethin e Kolonjës janë kritikuar shpesh për cilësinë e dobët të shërbimit dhe për fat të keq është bërë pak për përmirësimin e situatës. Personeli i shitjeve trajtojnë keq klientët, ndërsa furnizimi me mallra, ushqimore nuk është bërë në kohë nga agjencitë shpërndarëse. Në restorantet dhe mensat e kooperativës, kushtet higjenike lënë shumë për të dëshiruar, shërbimi është i ngadaltë, racionet të vogla dhe çmimet të shtrenjta. Këto mangësi vijnë pjesërisht prej komiteti ekzekutiv dhe organizatave përgjegjëse. Komiteti i Kolonjës ka bërë një analizë të situatës dhe ka dhënë direktiva, por nuk ka kryer ndjekjen e veprimeve dhe është kënaqur vetëm me dhënien e deklaratave.
Komentet