Gjatë marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, Moska kishte kapur të gjithë shtetin shqiptar. Një ditë më parë gazeta publikoi disa dokumente të CIA, ku tregohet e si rusët kishin kapur ministritë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ushtrinë, pasi në çdo sektor të saj mbizotëronin rusët. CIA ka treguar gjithashtu se në vitin 1952 kishte shumë perona që e luftonin regjimin, sidomos në veri të vendit.
Mars 1952
Influenca dhe kontrolli i Rusisë
Çdo njësi ushtarake në Shqipëri deri në rangun e regjimentit, kishte një major rus, që vepronte në kapacitet konsulenti, ndërsa të gjitha komandat më të larta kishin më shumë se një këshilltar rus.
Ndërsa në institucionet civile, grupet ruse të punës ndaheshin në sektorë politikë, ekonomikë dhe teknikë. Dy sektorët e parë kishin ekzistuar që në fillim, teksa me dominimin teknik të Bashkimit Sovjetik u shtua dhe sektori i veçantë teknik i këshilltarëve. Pas prishjes së BRSS me Jugosllavinë e Titos, sovjetikët dërguan një numër të madh teknikësh në Shqipëri, të cilët tashmë drejtojnë të gjitha projektet madhore të ndërtimit, ato industriale, hekurudhat, termocentralet apo uzinat e tekstilit.
Policia
Ne kemi dalluar dy organizata të ndryshme policore, atë të policisë politike dhe policinë e zakonshme. Policia politike nganjëherë mund dhe të kontrollojë për dokumente identifikimi dhe ka agjentë me veshje civile, për numrin e të cilëve nuk kemi të dhëna. Forca e zakonshme e policisë kanë stacionet e tyre të përmendura zakonisht në fshatra e qytete. Fshatrat zakonisht kanë një polic të armatosur me pushkë. Armët e zakonshme të policisë janë pushkë e pistoleta gjermane e italiane të kohës së luftës, si dhe një sasi e vogël pistoletash ruse. Fshatrat malore kanë një polic vendor që rri me veshje civile. Ata zakonisht nuk dalin jashtë fshatrave.
Rezistenca ndaj regjimit
Ka grupe aktive rezistence në rajonet në veri të Shkodrës dhe gjithashtu në pjesën jugore të vendit. Këta partizanë janë të armatosur me pushkë dhe pistoleta të marra gjatë fundit të luftës, të vjedhura nga kazermat ose pas vrasjeve sporadike të oficerëve komunistë. Është një fat i njohur se grupet e rezistencës nuk prekin ushtarët, por fokusohet te oficerët. Autoritetet kanë reaguar ndaj kësaj duke mbrojtur të afërmit e tyre. Nëse dikush emigronte apo zhdukej, familja e tij dërgohej menjëherë në kampet e internimit. Një pakënaqësi e madhe ekziston në vend në lidhje me shpronësimin e fisnikërisë së krahinave të të gjithë vendit. Përgjithësisht, ata që kanë përfituar poste në regjimin e ri janë të kënaqur, kurse pjesa tjetër është e trishtuar por përveç grupeve të rezistencës askush nuk tregon shenja kundërshtimi.
Transmetimet e huaja në radio
Dëgjimi i programeve në radio është i kufizuar vetëm për qytetet, pasi energjia elektrike ende nuk është e përhapur në të gjithë vendin. Aparatet radio nuk janë të shtrenjta, por lejet për marrjen e tyre janë shumë të kufizuara. Një pjesë e gjerë e publikut dëgjues është sinkronizuar me stacionet e huaja si ato të Barit, Shkupit, Londrës dhe Athinës. Dy të parat kanë sinjal më të fortë e të vazhdueshëm dhe kapen mirë nga aparatet. Zëri i Amerikës nuk dëgjohet shumë pasi valët janë të dobëta. Para verës së 1949, BBC ka pasur shumë influencë dhe respektohej në të gjithë vendin. Aq sa autoritetet e Tiranës ndërprisnin energjinë elektrike në ora 17.30, që është ora shqiptare e transmetimit të lajmeve të BBC në shqip. Në dy raste në 1948 e 1949 autoritetet janë ndërprerë energjinë elektrike çdo ditë për dy javë, si një masë kundër dëgjimit të BBC. Por prej vitit 1949 influenca e saj është reduktuar disi. Ka zëra se njerëzit nuk i kanë besë folësit shqiptar të BBC, për të cilin thonë se ka qenë në Moskë dhe dyshohet se mund të jetë ende komunist. BBC i ka kushtuar shumë pak kohë lajmeve nga Shqipëria, në kontrast me agjencinë ruse TASS e cila i ka dhënë pikëpamjes shqiptare kohë të konsiderueshme, duke u siguruar që të jepet një informacion sa më i plotë. Në verën e vitit 1949, BBC njoftoi se nëse Shqipëria nuk paguante dëmshpërblimin e caktuar nga gjykata e Hagës për shpërthimet e dy anijeve në kanalin e Korfuzit, vendi do të bllokohej. Kjo u ndoq nga një periudhë interesi por kur më vonë u pa se asgjë nuk po ndodhte, Britanisë i ra kredibiliteti dhe njerëzit u zhgënjyen.
Tendencat anti-jugosllave
Pas prishjes së Titos me vendet Pro-sovietike edhe ndjesi në Shqipëri u bë armiqësore ndaj regjimit të Titos, por për shumë shqiptarë ishin rrethanat dhe jo zgjedhja e tyre që i detyroi ta shihnin Titon në mënyrë negative.
Shqiptarët duket se e konsiderojnë veten superiorë ndaj jugosllavëve, prandaj dhe nuk ka shumë shenja të mbetura të influencës jugosllave në vend, që prej largimit të teknikëve e këshilltarëve jugosllavë.
Viti 1952
Rëndësia e Shqipërisë
Rëndësia e Shqipërisë në përgjithësi është minimale, po në rast konflikti, ajo mund të ketë nevojë për vëmendje të konsiderueshme, për të përcaktuar qëllimet e armikut në lidhje me të. Por duke pasur parasysh kërkesa më të urgjente në vende të tjera, nuk ka shumë justifikime për harxhimin e burimeve të vlefshme në kohë lufte. Ne mund të përdorim dy ose tre persona që kemi aktualisht, të cilët kanë pasur eksperienca operacionale në Shqipëri, duke u dhënë atyre dhe personave të tjerë me ose pa eksperienca me Shqipërinë, trajnimet e nevojshme.
Mbështetja për misionin ushtarak në kohë lufte
Çdo diskutim i kësaj pike është i vështirë deri sa të njihet lloji i misionit ushtarak në lidhje me Shqipërinë. Por gjithsesi mund të parashikojmë se funksioni ynë do të kufizohet nga natyra e përgjithshme e qëllimeve të armikut në lidhje me Shqipërinë, në vazhdim të të cilit edhe aktiviteti ynë do të intensifikohet. Pas një periudhe të mundshme 24 mujore aktivitetet do të reduktohen pasi edhe qëllimet e armikut me shumë gjasa nuk do të kenë më lidhje me Shqipërinë, siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore ku asnjëra palë nuk kishte çka të fitonte por vetëm mundësi humbjeje të forcës njerëzore ushtarake, prandaj nuk duhen bërë përpjekje për të krijuar baza të mëdha ushtarake apo për të pushtuar e kontrolluar vendin. Misioni ynë me shumë gjasa do të jetë, të paktën fillimisht, përcaktimi i vërtetësisë së hipotezës. Për këtë do të përdoren elementë të inteligjencës së fituar në operacionet e infiltrimit, ato nga ajri apo rrugë të tjera. Meqënëse se kjo është bërë edhe në të kaluarën, përpjekjet tona nuk kanë nevojë për orientime të reja.
Mundësitë e Inteligjencës
Aktualisht nuk ka arsye për të besuar se në kohë lufte Shqipëria do të ishte ndryshe nga ajo me të cilën përballemi tani. Për arsye të pozitës së saj gjeografike, vendi do të luante rol shumë të vogël në një konflikt të ri. Ajo është larg rrugëve kryesore të avancimit të forcave tokësore dhe nuk ka avantazhe të bazave ajrore. Me shumë gjasa do të kontrollohet nga sovjetikët në kohë lufte, por edhe nga ana logjistike është pak e vlefshme pasi nuk ka lidhje madhore rrugore apo hekurudhore me vendet fqinje dhe së fundmi nuk do të ishte logjike që vendet evropiane të tentonin një zbarkim në një vend armiqësor dhe mbrojtës të fuqishëm. Për këto arsye, “konfuzioni dhe kaosi” që sjell lufta në Shqipëri do të mungonte, vetëm në rast të ndjelljes së tij nga faktorë të jashtëm. Detyra për nxitjen e kushteve të tilla do të jetë shumë interesante por ky dokument nuk ka si qëllim diskutimin e organizimit të rezistencës, pasi kjo është kompetencë e degës OPC dhe jo OSO. Nevoja e përfitimit nga nxitja e kaosit në kohë lufte mendohet si e njohur por në këtë rast ka shumë faktorë të panjohur që e bëjnë një organizim të tillë jo-praktik për momentin. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se Shqipëria mund të konsiderohet si e rëndësishme për rezistencën në kohë lufte prandaj do të ishte e mundur të suplementonim misionet tona të inteligjencës për të kuptuar qëllimet e Bashkimit Sovjetik për rajonin.
Nëntor 1950
Informacione ekonomike
Rreth 3 km në jug të Tiranës po ndërtohet një tjetër fabrikë e kombinatit tekstil Stalin, të nisur prej vitit 1948. Deri në maj 1950 shumica e ndërtesave ishin përfunduar dhe ishin instaluar makineritë e sjella nga çmontimi i disa fabrikave sovjetike dhe të vendeve satelite. Një fabrikë sheqeri, e cila tashmë ka një prodhim ditor prej 7000 kg, është ndërtuar në Maliq, ku janë punësuar 100 deri në 150 punëtorë. Në gusht 1950 pritet të përfundojë një rrugë me një korsi që lidh Peqinin me Elbasanin. Në maj 1950 u kompletuan dy tunele në … me gjatë si rreth 1000 metra.
Bonifikimi i kënetës së Maliqit
Projekti i bonifikimit të tokave të kënetës së Maliqit arriti me sukses të devijojë rrugën e ujërave të liqenit me anë të një kanali 3km të gjatë drejt lumit të Devollit. Projekti ka nisur në 1946 por në dhjetor 1949 kanali ishte ende duke u ndërtuar, në fund të kanalit është dnërtuar një digë për të kontrolluar fluksin e ujërave. E ndërtuar me beton-arme, ajo është rreth 50 metra e gjatë dhe ka tetë porta uji. Zona e bonifikuar do të përdoret për kultivimin e panxharit dhe patateve. Panxhari do të përdoret në fabrikën e re të qesherit të ndërtuar në qytetin e Maliqit.
Gusht 1951
Rezistenca ndaj ndalimit të armëve në Shqipëri
Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Jugosllavi nga Shqipëria, skuadra të policisë po kontrollojnë në qytete e fshatra për armë dhe municione. Me gjithë kërcënimet e autoriteteve, operacioni nuk ka qenë i suksesshëm pasi njerëzit i kanë fshehur armët e lëna nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Refugjatët deklarojnë gjithashtu se në disa zona në verilindje të Shqipërisë, veçanërisht në Kukës, fshatarët kanë refuzuar me forcë tentativat e policisë për konfiskimin e armëve të tyre të gjahut, të për të cilat ata kanë nevojë për mbrojtjen e bagëtive nga ujqërit. Për arsye të krizës së urisë, fshatarët e vendeve malore janë detyruar të vrasin edhe qentë për ushqim, dhe armët e tyre janë e vetmja mbrojtje ndaj kafshëve të egra. Megjithëse populli shqiptarët jeton në kushte të mjerueshme dhe varfëri, rezistenca e përgjithshme në vend kundër liderëve komunistë nuk po merr përmasat e një revolte të organizuar. Në zonën e Korçës rezistenca është më aktive në pjesën myslimane të qytetit, ndërsa në veri të Shqipërisë rezistenca është aktive mes popullatës katolike. Përplasje me armë dhe incidente të tjera të prishjes së rendit janë të shpeshta në të gjithë vendin. Gjyqe të veçanta lëvizëse shkojnë drejt vendndodhjeve të caktuara pas një revolte dhe japin vendime të shpejta arbitrare për të kapurit. Një tjetër informator raporton se nuk ka shenja të një revolte të gjerë të organizuar, dhe se gjithsesi diçka e tillë konsiderohet e pamundur. Disa nga shqiptarët më të arsimuar janë të djathtë radikalë por shumica e njerëzve nuk mendojnë për programe politike, përveçse për të qenë anti-komunistë.
I njëjti informator thotë se komunistët në Shqipëri kanë zhdukur ushqimin e vendit dhe mallrat e tjera. Fshatarët jetojnë vetëm me ato që mund të fshehin nga zyrtarët e shtetit që mbledhin prodhimin e të vjelave. Fshatarët mbajnë në shtëpi ushqim vetëm sa për dy-tre ditë, dhe rifurnizohen nga rezerva të fshehura në mal. Dyqanet e fshatrave janë të zbrazura, nganjëherë rrallë kanë kripë ose vajguri. Në zonën e Korçës, sa herë që vjen një dërgesë ushqimi apo mallrash të tjera, autoritetet e ndajnë në dy pjesë, një për fermat kolektive dhe tjetrën për vete dhe anëtarët e partisë, duke mos lënë asgjë për popullatën. Këtë vit priten të korra të mira.
Agjentët e rekrutuar
Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit, por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill, Ismail Vërlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoriaja në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill, ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.
Ndërhyrja nga fqinjët
Gjatë veprimeve të revolucionit forcat e stërvitura prej rreth 4000 shqiptarësh që pretendohet se ekziston në Jugosllavi dhe forcat ushtarake të Greqisë e Jugosllavisë duhet të qëndrojnë të gatshme për asistencë nëse lind nevoja. Forcat greke dhe jugosllave duhet të tërhiqen menjëherë prapa kufijve të tyre sapo revolucioni të ketë shpallur suksesin. Flota e gjashtë amerikane do të bëjë manovra në detin Adriatik e Jon gjatë revolucionit, për të mbuluar zbarkimet amfibe dhe për të ndihmuar revolucionarët në rast nevoje. Ajo nuk do të ketë një rol aktiv nëse nuk thërritet për këtë. Flota do të mbetet në zonë për disa javë për të shkurajuar dhe parandaluar veprime antagoniste nga Bashkimi Sovjetik apo satelitët e tij. Të organizohen zgjedhje të lira për qeverinë demokratike. Teksa shumë nga rekomandimet individuale në paragrafët e mësipërm mund të mos jenë të nevojshëm, është me rëndësi të kërkohet neutraliteti miqësor i Italisë, Greqisë e Jugosllavisë për përmbysjen e qeverisë shqiptare, në mos bashkëpunimi i tyre aktiv.
Trajnimet në Gjermani
Grupet e vlerësimit të CIA kanë analizuar më shumë se 200 individë në Kompaninë e Gardës në Gjermani dhe kanë zgjedhur 66 prej tyre si më të kualifikuar për operacione. Strukturat ekzistuese për trajnimin e agjentëve në Gjermani janë tashmë, pas kompletimit të trajnimit për agjentët bullgarë, të gatshme për stërvitjen e agjentëve shqiptarë. Trajnimi i operatorëve radio do të bëhet në kohë për të furnizuar operacionet e fundit të verës. Kontraktorët tanë kanë marrë një tjetër qendër stërvitjeje në Gjermani, përveç asaj në Hambuechen dhe është më efektive sesa qendra jonë e parë atje. Kampi i refugjatëve shqiptarë në Lavrion në Greqi është analizuar nga Partia e Legalitetit dhe është hartuar një listë prej 117 shqiptarësh që mund të shërbejnë si agjentë, të cilët aktualisht po u zbardhen të dhënat nga grupet e sigurisë. Një broshurë në lidhje me episodin e bombës është hartuar në Londër prej 8 prillit, por nuk është lëshuar mbi Shqipëri për arsye të masës së ndalimit të vendosur nga Departamenti i Shtetit. Por gjithsesi misioni i furnizimit u lejua të lëshonte 50.000 kopje të kësaj broshure në disa lokalitete si instrument mashtrimi. 500.000 kopje të broshurës që njofton nisjen e transmetimeve klandestine radio kanë mbërritur në Athinë, duke u bërë në total 1.500.000 broshura që do të shpërndahen me heqjen masës së ndalimit në 3 qershor 1951.
Komentet